3.8 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Erdogan i thotë Kurtit të rishikojë çështjen e ambasadës në Jerusalem

Më të lexuarat

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan i ka kërkuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti që të rishikojë çështjen e hapjes së Ambasadës së Kosovës në Jerusalem të Izraelit. “Pasiqë e di se edhe ju keni gjithashtu shqetësime në lidhje me çështjen e Ambasadës së Kosovës, hapja e së cilës u njoftua se është bërë në Jerusalem, mendoj se do të ishte e dobishme për qeverinë tuaj që të rishikonte këtë çështje brenda kornizës së rezolutave përkatëse të OKB-së dhe të drejtës ndërkombëtare”, thuhet në letrën e urimit, të cilën Erdogan i ka dërguar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti me rastin e zgjedhjes së tij në këtë pozitë. Hapja e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem derivon nga Marrëveshja e 4 shtatorit, 2020 në Uashington për normalizim ekonomik. Në këtë marrëveshje, që u ndërmjetësua nga presidenti i atëhershëm i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, u përfshi edhe njohja e Kosovës nga Izraeli dhe u tha se Ambasada e Kosovës do të vendosej në Jerusalem. Më 1 shkurt, Kosova dhe Izraeli në një ceremoni virtuale, kanë zyrtarizuar vendosjen e marrëdhënieve diplomatike. Kosova zyrtarisht ka hapur Ambasadën e saj në Jerusalem më 14 mars. Departamenti amerikan i Shtetit e pati mirëpritur vendosjen e lidhjeve diplomatike mes Kosovës dhe Izraelit, duke e quajtur këtë ditë si historike. Edhe Serbia kishte marr obligim që ta zhvendosë Ambasadën e saj nga Tel Avivi në Jerusalem, por deri më tani kjo gjë nuk kanë ndodhur. Përveç Turqisë, edhe Bashkimi Evropian e kishte kritikuar vendosjen e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem, duke e cilësuar si largim nga qëndrimet e BE-së, pasi sipas bllokut, kjo është në kundërshtim me aspiratat e Prishtinës zyrtare për integrim në BE. BE-ja e konsideron statusin e Jerusalemit si çështje rreth së cilës ka mospajtime mes shtetit të Izraelit dhe autoriteteve palestineze. Qëkur Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur ta njohin Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit në vitin 2017 dhe në bazë të këtij vendimi ta bartin edhe ambasadën në Jerusalem, nga BE-ja asnjë shtet nuk e ka ndjekur një hap të tillë. Këtë muaj, Çekia ka hapur një zyrë diplomatike në Jerusalem, por ambasadën e ka në Tel Aviv.
/REL

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit