Pas rënies së regjimit 61-vjeçar Baath të Sirisë, presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan është angazhuar në diplomaci intensive.
Sipas informacioneve të përpiluara nga Anadolu, pasi qeveria e përkohshme mori detyrën në Siri, Erdoğan bisedoi me liderët botërorë për të promovuar paqen dhe stabilitetin në rajon.
Më 10 dhjetor, ai zhvilloi diskutimin e tij të parë me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Mark Rutte.
Gjatë takimit, në të cilin u trajtuan zhvillimet e fundit në Siri, Erdoğan përsëriti se Türkiye ka mbështetur integritetin territorial dhe stabilitetin e Sirisë që nga fillimi i luftës civile.
Ai theksoi se Siria duhet të qeveriset nga njerëzit e saj dhe premtoi përpjekje të vazhdueshme të Türkiyes për të krijuar një Siri të bashkuar dhe pa terror.
Në të njëjtën ditë, Erdoğan gjithashtu foli me presidentin e Azerbajxhanit Ilham Aliyev, duke riafirmuar angazhimin e Türkiyes për të mbështetur popullin sirian në arritjen e stabilitetit të qëndrueshëm në vendin e tyre.
Pas diskutimit të tij me Aliyevin, Erdoğan pati një telefonatë me kryeministren italiane Giorgia Meloni.
Ai theksoi se zhvillimet e fundit konfirmuan saktësinë e politikave humanitare dhe parimore të Türkiyes.
Erdoğan tha se Türkiye do të vazhdojë qëndrimin e saj në favor të paqes, lirisë, dialogut dhe drejtësisë në Siri, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së integritetit territorial të Sirisë dhe arritjes së stabilitetit.
Udhëheqësi turk gjithashtu i tha Melonit se agresioni izraelit tani është shtrirë në Siri, duke theksuar se kjo qasje nuk kontribuon në stabilitetin e Sirisë dhe duke nënvizuar domosdoshmërinë e pastrimit të vendit nga elementet terroriste.
Mbështetje për kushtet e jetesës paqësore për sirianët
Më vonë në mbrëmje, Erdoğan vazhdoi diplomacinë e tij telefonike, duke folur me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Ai siguroi Von der Leyenin se Türkiye do të mbetet e përkushtuar për ta mbështetur popullin sirian duke eleminuar elementët terroristë, duke ruajtur unitetin, duke mbrojtur integritetin territorial dhe duke siguruar paqen për të gjithë sirianët, pavarësisht nga etnia ose feja.
Presidenti turk e mbylli ditën me një telefonatë me kancelarin gjerman Olaf Scholz.
Ai nënvizoi rëndësinë e fazës së re për unitetin, kohezionin dhe integritetin territorial të Sirisë, duke riafirmuar angazhimin e Türkiyes për një Siri pa terror.
Erdoğan gjithashtu theksoi se krijimi i kushteve të nevojshme për të lehtësuar kthimin e sirianëve të zhvendosur nga lufta civile mbetet një përparësi për Türkiyen.
Takim me Sekretarin amerikan të Shtetit
Më 12 dhjetor, Erdoğan u takua me Sekretarin e Shtetit të SHBA-së Antony Blinken në aeroportin Esenboga në Ankara.
Gjatë takimit, ai theksoi se Türkiye do të marrë masa parandaluese për ta mbrojtur sigurinë e saj kombëtare kundër të gjitha organizatave terroriste që veprojnë në Siri, përfshirë PKK/PYD/YPG-në dhe DEASh-in.
Erdoğan theksoi se Türkiye është i vetmi vend i NATO-s që është angazhuar në luftime të drejtpërdrejta me grupin terrorist të DEASh-it dhe tha që Ankaraja do të parandalojë grupin terrorist PKK dhe bashkëpunëtorët e tij të shfrytëzojnë situatën në terren.
Ai gjithashtu u zotua të sigurojë që të mos shfaqen dobësi në luftën kundër grupit terrorist DEASh. Erdoğan përsëriti qëndrimin e gjatë të Türkiyes në favor të ruajtjes së integritetit territorial, unitetit dhe strukturës unitare të Sirisë.
Gjithashtu, Erdoğan i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të punojnë së bashku në rehabilitimin dhe rindërtimin e institucioneve në Siri.
Bashar Asad, udhëheqësi i Sirisë për gati 25 vjet, iku në Rusi pasi grupet kundër regjimit morën kontrollin e Damaskut në 8 dhjetor, duke i dhënë fund regjimit të partisë Baath, i cili kishte qenë në pushtet në Siri që nga viti 1963.
/REL BALLKAN/