1.1 C
Pristina
Friday, December 27, 2024

Erdoğan: Dhuna nuk është zgjidhje për asnjë problem (VIDEO)

Më të lexuarat

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ka reaguar në lidhje me ngjarjet e dhunshme të ndodhura në Kuvendin e Maqedonisë. Në lidhje me ngjarjet e dhunshme në Maqedoni, Erdoğan është shprehur: “Të gjithë së bashku ndoqëm ngjarjet që ndodhën ditën e djeshme në Maqedoni. Shqetësuese janë ngjarjet që ndodhën pas zgjedhjes së kryetarit të Parlamentit. Dhuna nuk është zgjedhje për asnjë problem. Në emër të vendit tim unë ngushëlloj çdo person që është dëmtuar nga këto ngjarje atje. Veçanërisht presim nga komuniteti turk atje, që të qëndrojë larg ngjarjeve, ashtu sikurse edhe ka qëndruar deri më tani. Dëshirojmë që shteti vëlla dhe mik, Maqedonia, t’i kthehet sa më shpejt qetësisë dhe stabilitetit”.

Presidenti i Turqisë, në vijim të fjalës së tij ka theksuar: “Institucionet globale po humbin aftësinë e ndërhyrjes në probleme që ndikojnë drejtpërdrejt në rajonin tonë. Për fat të keq institucione si Këshilli i Sigurimit pranë OKB-së dhe platforma si ato të BE-së, po përdoren për interesa afatshkurtra të disa vendeve të caktuara. Institucione të cilat nuk arrijnë të krijojnë një zgjidhje, tashmë gjithnjë e më shumë po kthehen në një problem më vete”.

“Ose institucionet aktuale do të kalojnë përmes një formatimi, ose do të ndjekim përhapjen e virusit të pesimizmit në mesin tonë. Ose aktorëve të rinj do tu dëgjohet më shumë fjala, ose do të vazhdojmë të japim frymë artizanale sistemit që prodhon moszgjidhje. Ose do të drejtojmë erërat e ndryshimit që vijnë nga rrënjët, ose do të presim që këto erëra të kthehen në stuhi dhe të na marrin përpara. Mundësitë që janë përpara nesh janë kaq të qarta. Pa asnjë mëdyshje, dua të them që është në dorën tonë të kthejmë në një mundësi, krizat dhe tablotë negative që ndodhen përpara nesh”, ka shtuar presidenti i Turqisë.

Teksa foli për refugjatë sirianë në Turqi, Presidenti Erdoğan ka thënë se me forcat e tyre dhe koordinimin me shoqërinë civile, prej 6 vitesh Turqia po mban mbi supe dhe si mysafirë në mënyrë të suksesshme mbi 3 milionë sirianë. Ndërsa duke vënë në dukje se deri më tani janë harxhuar më shumë se 25 miliardë dollarë vetëm për strehimin dhe nevojat e tjera të refugjatëve, ai në vijim të fjalës së tij ka shtuar: “Po çfarë na erdhi ne? Nga Bashkimi Evropian i cili premtoi që do të jepte 3 miliardë euro dhe më pas premtoi se do të jepte dhe 3 miliardë të tjera, kanë ardhur vetëm 725 milionë euro. Asnjë pjesë tjetër. Ndërsa kanë ardhur edhe nga OKB-ja 550 milionë dollarë. Kjo është shuma që na ka ardhur. Ndërsa ajo që ne kemi harxhuar është 25 miliardë dollarë”.

Presidenti i Turqisë, Erdoğan ka folur edhe për luftën kundër organizatave terroriste në Siri dhe Irak, ku ka theksuar: “Vetëm për të luftuar kundër organizatës terroriste DEASH, nuk mund të bashkëpunosh me organizata të tjera terroriste të cilat kryejnë pastrim etnik dhe vrasje në këtë rajon. Ne e njohim mirë PYD dhe YPG-në. Këto janë fëmijë të dështuar të PKK-së. Janë të stërvitur nga ata. Ne jemi ata që dimë më mirë se kushdo qoftë tjetër se çfarë ka në këtë rajon dhe për këtë gjë duhet të na pyesni ne. Miqtë tanë këtë gjë duhet ta mësojnë nga ne. Përndryshe mund të hedhin hapa të gabuar për të ardhmen, bazuar në informacione të gabuara. Po bien civilizime, ndërsa njerëzit po lihen nën petkun e vdekjes”.

“Nuk do të lejojmë kurrë ngritjen e një korridori terrorist”
“Nuk ka asnjë gjë më të natyrshme se përdorimi i të drejtave nga ana e Turqisë që lindin nga marrëveshjet ndërkombëtare”, ka thënë Presidenti Erdoğan dhe më pas ka shtuar: “Ne jemi shteti i së drejtës. Përdorim atë që është e drejta jonë dhe do të vazhdojmë të përdorim. Për sa kohë të vazhdojnë kërcënimet, do të marrim çdo masë që është e nevojshme. Nuk do të lejojmë kurrë ngritjen e një korridori terrorizmi përgjatë kufirit tonë. Veçanërisht në Sirinë e Veriut disa persona pa mend po mundohen të ngrenë një shtet. I padituri bëhet i guximshëm. Edhe ata në një ambient të tillë ngriten dhe vendosin Këshill Ministrash, etj. Ne nuk do të lëmë pa gjë këtë tentativë, sepse ne jemi kundër ndarjes territoriale të Sirisë. Jemi pro mbrojtjes së tërësisë territoriale të Sirisë. Jemi të vendosur të vazhdojmë luftën tonë kundër organizatave terroriste, brenda dhe jashtë vendit. Në këtë kontekst presim solidaritet nga vendet mike dhe partnere”.

https://www.facebook.com/AnadoluAgencyShqip/videos/698170227034992/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit