Presidenti turk, Reçep Tajjip Erdogan ka dënuar një valë sulmesh e masakrash ndaj muslimanëve në Arakan të Mianmarit duke theksuar njëherësh se bota është e shurdhër dhe memece mbi zhvillimet e fundit në atë vend.
“Për fat të keq, mund të them se bota është e shurdhër dhe memec mbi zhvillimet në Mianmar. Nuk dëgjon dhe nuk sheh. Sipas të dhënave të fundit, fatkeqësisht janë vrarë rreth tre mijë njerëz. Ne do të vazhdojmë të monitorojmë se çfarë po ndodh atje”, tha Erdogan gjatë një interviste për televizionin TRT.
Ai theksoi se Turqia do të vazhdojë të tërheqë vëmendjen për gjendjen në këtë vend përmes organizatave ndërkombëtare, veçanërisht Kombet e Bashkuara.
Ndërkohë, zëdhënësja e Këshillit të Evropës për muslimanët Rohingya, Anita Schug, tha në Gjenevë se në Arakan, në tri ditët e fundit, nga sulmet e ushtrisë janë vrarë mes dy dhe tre mijë muslimanë.
Kombeve të Bashkuara iu është bërë thirrje për të ndaluar sa më shpejt masakrat ndaj muslimanëve atje, të iniciuara nga forcat e armatosura të qeverisë Mianmar dhe murgjit budistë.
OKB-së në shkurt publikoi një raport ku thuhet se gjetën foshnja dhe fëmijë të vegjël të therur me thika, gjatë operacioni spastrimi. Ndërsa qeveria e Mianmarit pati njoftuar se deklaratat në raport janë të ekzagjeruara.
Në Mianmar shumica e popullatës janë budistë (56 milionë banorë), ndërsa myslimanët përbëjnë rreth pesë për qind të popullatës (rreth 2,5 milion).
Sipas të dhënave zyrtare si dhe raporteve të Kombeve të Bashkuara, muslimanët Rohingya janë pakica më e rrezikuar në botë.
Ata nuk kanë shtetin e tyre dhe të drejtat e tyre janë të kufizuara në mënyrë të konsiderueshme.
Sipas rendit kushtetues, autoritetet shtetërore i njohin vetëm qytetarët të cilët i përshtaten përkufizimit “vendorë”, ndërsa, në anën tjetër, injorojnë pjesëtarët e grupeve të pakicave të tjera gjuhësore, etnike dhe fetare.
Sipas të dhënave jozyrtare, regjimi diktatorial në Mianmar deri më tani ka vrarë më shumë se 30.000 muslimanë, dhe shumica prej tyre prej kohësh jeton në kërcënimin për zhdukje. /tesheshi.com/