2.3 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Erdoğan bombardon gazetarën izraelite

Më të lexuarat

Presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdoğan në lidhje me Organizatën Terroriste FETO tha se “Janë shpërndarë si qeliza e kancerit në trup. Aktualisht ka një metastazë dhe ne duhet ta pastrojmë këtë qelizë që ka kaluar në metastazë. Nëse nuk e pastrojmë këtë, nuk dihet se ku dhe si do të shfaqet nesër. Për këtë arsye ne si shtet ligjor po e bëjmë dhe do të vazhdojmë ta bëjmë atë që urdhërojnë ligjet në këtë shtet ligjor. Nuk ka kthim nga kjo”, raporton Anadolu Agency (AA).

Presidenti Erdoğan ka dhënë një intervistë për televizionin izraelit Kanal 2 në Ankara, me ç’rast ka folur për tema si tentativa e dështuar për grusht shteti më 15 korrik, marrëdhëniet Izrael-Turqi, çështja izraelito-palestineze, lufta që zhvillohet kundër DEASH-it dhe zgjedhja e Donald Trump për president të SHBA-ve.

Në lidhje me atë se kë e kishte lajmëruar së pari me të mësuar për tentativën për grusht shteti më 15 korrik, Erdoğan tha se kushdo të ketë qenë personi i parë që ka lajmëruar, kryeministri, shefi i shërbimit informativ apo shefi i shtatmadhorisë, ajo që ka besuar se është e nevosjhme ka qenë të njoftohen menjëherë qytetarët përmes mjeteve mediatike dhe FaceTime.

Në pyetjen e prezantueses izraelite Ilana Dayan se a ka menduar gjatë kthimit në Stamboll nga Marmarisi se mund të qëllohet me avionë F16, Erdoğan tha se natyrisht që të gjitha këto gjëra i kanë menduar.

“I menduam, por ne kishim besuar në parimin që të jemi të përgatitur për botën sikur të mos vdesim asnjëherë dhe të jemi të përgatitur për botën e përhershme sikur të mund të vdisnim çdo çast. Ne u nisëm në rrugë me këtë. Nëse lideri fshihet prapa shkëmbit, atëherë populli do të fshihet prapa malit. Për këtë arsye, lideri do të jetë gjithnjë stoik dhe në ballë, në mënyrë që populli të mund të ecën pas tij dhe të mos fshihen prapa malit”, u shpreh Erdoğan.

Pas përmendjes së kritikave se kanë qenë të tepruara reagimet pas tentativës për grusht shteti nga FETO, Erdoğan theksoi:

“Periudha jonë e Republikës është një proces prej 93 vitesh. Brenda këtij procesi prej 93 vitesh Turqia përjetoi shumë grushte shteti dhe çmimin që pagoi Turqia për to ishte shumë i rëndë. Megjithatë, në asnjërin prej grushteve të shtetit nuk u shfaq qëndrimi i popullit turk sikur në këtë të fundit. Për herë të parë një grusht shteti u zbraps nga populli. Tani dua veçanërisht të them diç; ajo që e organizoi këtë puç ishte Organizata Terroriste FETO. Në një periudhë prej 40 vitesh këta kanë qenë në përpjekje për t’i uzurpuar institucionet e ndryshme të shtetit, forcat e armatosura, policinë dhe ministritë”, tha Erdoğan.

Sipas tij, në këtë ngjarje në shesh është një e vërtetë. “Cila është ajo e vërtetë? Kush e di se çfarë punë të liga të tjera do të bënte ky rrjet brenda forcave të armatosura, kjo organizatë terroriste, çfarë komplotesh do t’i thurrte ushtrisë, policisë dhe shumë ministrive. Rrjedhimisht, aq hile të liga dhe gënjeshtra të tyre janë duke dalë në shesh, saqë çdoherë që dalin jemi në gjendje t’i pastrojmë. Janë shpërndarë si qeliza e kancerit në trup. Aktualisht ka një metastazë dhe ne duhet ta pastrojmë këtë qelizë që ka kaluar në metastazë. Nëse nuk e pastrojmë këtë, nuk dihet se ku dhe si do të shfaqet nesër. Për këtë arsye ne si shtet ligjor po e bëjmë dhe do të vazhdojmë ta bëjmë atë që urdhërojnë ligjet në këtë shtet ligjor. Nuk ka kthim nga kjo”, tha ai.

Marrëdhëniet Turqi-Izrael

Presidenti Erdoğan po ashtu foli edhe në lidhje me përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve mes Turqisë dhe Izraelit kohëve të fundit.

Erdoğan rikujtoi se ka kaluar një kohë e gjatë që nga fillimi i këtij procesi. “Natyrisht që i dini tre pikat që i kam përmendur vazhdimisht. Njëra prej tyre ishte çështja e kërkimfaljes; në lidhje me anijen Marmara. Pika tjetër, siç dihet, ishte çështja e dëmshpërblimit. Ndërkaq, pika tjetër ishte largimi i kësaj embargoje, largimi i bllokadës. Në bisedën tonë telefonike, i nderuari Netanyahu e realizoi kërkimfaljen. Më vonë iu qas çështjes së dëmshpërblimit. Gjithashtu, jemi në proces edhe në lidhje me çështjen e largimit të bllokadës. Me shumë gjasë edhe ajo do të hiqet, ashtu duket. Në fakt, aktualisht shihet sikur të jetë hequr. Kontaktet në lidhje me këtë për momentin janë të mira. Mendoj se i jemi qasur në mënyrë shumë serioze procesit të normalizimit”, deklaroi Erdoğan.

Erdoğan reagoi ndaj pyetjes se “A do të jepni garanci që Hamasi nuk do të përdorë armë kundër Izraelit?”.

“Shikoni tani, duhet të them diç shumë haptazi; për shembull, a mund të më thoni ju në emër të Izraelit se Gaza nuk do të qëllohet me armë? A mund të thoni se Gaza, Palestina nuk do të goditen me armë dhe bomba? Shikoni, në periudhën e Ehud Olmertit ne kishim përfunduar çdo gjë dhe kishim ardhur në gjendje t’i bënim marrëveshjet, vetëm se nevojitej që deri ditën e premte të përmirësohej një fjali mes Sirisë dhe Izraelit. Në palën përballë kishim Ehud Olmertin dhe atëbotë ne po i udhëhiqnim punët në emër të Asadit. Ishin gati të arrinim marrëveshje sipas parimit fito-fito, megjithatë, në çast të fundit filloi të bombardohet Gaza. Derisa arrihej marrëveshje në lidhje me Golanin mes Sirisë dhe Izraelit, pjesa tjetër filloi të bombardohej dhe ne e dënuam aktin. Domethënë, ne do të bënim një punë, por nuk mundëm ta zgjidhim. Në fakt, edhe Ehud Olmert u përjashtua që aty. Pikërisht aty përfundoi udhëheqësia e Ehud Olmertit”, vlerësoi Erdoğan.

Duke kundërshtuar akuzimin vetëm të Hamasit për ndodhitë, Erdoğan vazhdoi:

“Gjatë zgjidhjes së këtyre çëstjeve gjërat duhet parë nga dy anë. Jo të akuzohet vetëm Gaza apo Hamasi, por të pyetet se akuzuesit (Izraeli) vallë a e akuzojnë ndonjëherë veten? Ajo që dëshirojmë ne është t’i japim fund këtij rrethi vicioz”. Ai shtoi se Hamasi nuk ka mundësi kundër armëve që posedon Izraeli. “Nëse përpiqeni të bëni krahasime të këtilla me Hamasin, Palestinën, çdokush do të qeshë. Në këtë çështje duhet të jemi të drejtë”, vazhdoi ai.

Sipas meje, Hamas nuk është organizatë terroriste

Në ndërhyrjen e prezantueses me fjalët se “Po harroni se Hamasi gjithnjë organizon sulme ndaj popullatës civile”, Erdoğan tha:

“Shikoni kur ju bombarduat Hamasin, Gazën, Palestinën, sa persona vratë? Vallë sa izraelitë kanë vdekur kur ju thoni se ata ‘kanë gjuajtur me raketë, predhë’. Sa pjesëtarë të Hamasit, palestinezë aktualisht gjenden në burgjet e Izraelit. Qindra e mijëra palestinezë, banorë të Gazës fatkeqësisht dergjen në burgjet e Izraelit”.

Sipas Erdoğan, kusht për gjetjen e zgjidhjes është qetësia e popujve dhe qëndrimi mbi këtë zgjidhje.

Në pyetjen se “A duhet Hamasi të jetë pjesë e zgjidhjes kur Izraeli e konsideron atë si organizatë terroriste?”, presidenit Erdoğan u përgjigj se “Sipas meje, Hamas nuk është organizatë terroriste. Hamas është lëvizje politike që shpreh një rezistencë”.

Takimet Izrael-Palestinë

Në lidhje me takimet Izrael-Palestinë, Erdoğan u shpreh:

“Deri më tani jeni ulur vetëm me Mahmud Abbas. Jeni ulur me organizatën Fatah, a keni arritur rezultat? Nuk keni arritur. Duke qenë kështu, nëse aty nuk bëhen zgjedhje, duhet ulur së bashku me organizatën Fatah dhe Hamasin. Në të kundërtën, nuk është e mundur të arrihen rezultate. Unë gjithnjë kam marrëdhënie me Hamasin, bisedoj çdoherë, këtë e di edhe lobi hebre në Amerikë. Lobi hebre atje disa herë i ka thënë këto gjëra me mua, e unë gjithnjë ia kam përcjellur Hamasit mendimet e mia në lidhje me këto çështje dhe vazhdoj t’ia përcjell. Domethënë, unë jam i hapur në këtë pikë, sepse nuk kam axhendë të fshehtë. Jam i qetë sa i përket këtyre temave. Megjithatë, kërkoj që në këtë rajon të ketë qetësi. Është mëkat nëse në këtë rajon nuk ka qetësi”.

Në pyetjen se a do ta merrte përsipër sërish rolin e ndërmjetësuesit mes Palestinës dhe Izraelit, presidenti Erdoğan tha se “Pse të mos bëjmë diçka kur kërkohet prej nesh? Brenga jonë e vetme për atë rajon është që ai të ketë paqe. Megjithatë, a i qaset Izraeli zgjidhjes me dy shtete? Nuk i qaset. Pse nuk i qaset? Izraeli nuk është pronar i atyre territoreve, këtë nuk mund ta mënjanoni”.

Në pyetjen se a është vetëm faji i Izraelit për mosvazhdimin e bisedimeve, Erdoğan u përgjigj se “Në radhë të parë po, sepse nuk pranon. Thotë ‘vetëm Fatah’. Kjo punë nuk bëhet vetëm me Fatah, e zaten nuk është bërë”.

“Vallë, a është i vetëdijshëm komuniteti hebre për gjërat që ka bërë”?

Presidenti Erdoğan u pyet nëse është penduar për fjalët “Bëmat e Izraelit janë barbarizëm më i madh sesa ajo që ka bërë Hitleri” të cilat i kishte thënë gjatë sulmit izraelit në Gaza në vitin 2014, Erdoğan u theksoi:

“Kanë ndodhur çaste të tilla, saqë është e pamundur ta harroj çastin kur vdiqën mijëra persona kur e goditën Gazën. Unë nuk i miratoj as të bëmat e Hitlerit, as ato të Izraelit. Kur aty vriten aq njerëz, nuk është e udhës të bëhen ngjasime të llojit ky apo ai ishte më barbar”.

Pas ndërhyrjes së prezantueses me fjalët “Vallë, a e dini, a jeni i vetëdijshëm se është shqetësuese të krahasohet komuniteti hebre me Hitlerin?”, Edoğan u përgjigj:

“Tani unë jam shumë i vetëdijshëm, por a është komuniteti hebre i vetëdijshëm për gjërat që ka bërë? Pra, të zgjohesh e të vrash mijëra njerëz në Gaza, Palestinë. (Shimon Peresit) I pata thënë: ‘Ju dini mirë të vrisni’. Këtë e pata thënë në Davos. Natyrisht që këto gjëra Peresit ia pata thënë meqë kishim përjetuar diç”.

Duke reaguar ndaj shkeljeve të Izraelit në xhaminë Al-Aksa, presidenit Edoğan tha se “Aktualisht po e shohim se Izraeli fatkeqësisht po përpiqet ta marrë xhaminë Al-Aksa nën pronësinë e tij. Kjo gjë nuk bën. Nuk ëstë në rregull që të merret nën kontroll duke gjurmuar nën të dhe duke bërë punime arkeologjike, sepse e dini që Jerusalemi është vend i shenjtë për të trija fetë. Rrjedhimisht, gjithsecili duhet ta respektojë këtë gjë”.

“Jam e sigurtë se i keni parë pamjet. Keni parë se çfarë ndodhi në Mavi Marmara. Unë jam takuar me komandantët izraelitë atje dhe kam dëgjuar se si thane që sa shumë janë përpjekur për ta mënjanuar incidentin. A u besoni, apo nuk u besoni atyre?” pyeti prezantuesja, me ç’rast Edoğan u përgjigj: “Të gjitha janë gënjeshtra. Është e pamundur t’u besohet. Ne posedojmë të gjitha dokumentet që tregojnë se ushtarët izraelitë kanë bërë bastisje në Mavi Marmara në ujërat ndërkombëtarë. Nuk është e mundur. Aty fatkeqësisht dhjetë vëllezër tanë ranë dëshmorë, e këtë gjë e bënë pa mëshirë. Çfarë t’u besoj atyre. Nuk është e mundur”, tha presidenti i Turqisë.

Prezantuesja Ilan Dayan ndërhyri sërish duke u shprehur: “Ju a nuk i keni parë videot, a nuk e keni parë dhunën që është ushtruar ndaj ushtarëve?”

Ndaj kësaj, presidenti Edoğan tha: “I kam parë të gjitha. Shikoni, madje edhe ju nuk po mund të flisni. Flisni drejt. Të gjitha i posedojmë. Flisni drejt. Të qenët gazetar nuk duhet t’iu privojë nga të folurit drejt. Nëse mendon se Tayyip Edoğanin mund ta vësh në pozitë të sikletshme, mua nuk mund të më vësh në pozitë të siklteshme. Pse? Sepse unë i kam të gjitha dokumentet. Çfarë je duke mbrojtur më?”.

“Në këtë shtet askush nuk është burgosur vetëm pse është gazetar”

Në pyetjen e prezantueses rreth lirisë së shtypit dhe mediave në Turqi, Edoğan u shpreh se “Në këtë shtet askush nuk është burgosur vetëm pse është gazetar. Ky shtet është shtet ligjor. Pyes: A kanë gazetarët liri pa kufi? A nuk kanë edhe ata kufi?”.

Në pyetjen e prezantuesese se “Ku është ky kufi?”, Edoğan u përgjigj:

“Aty ku fillon kufiri im, deri ku është kufiri i lirisë sime, edhe ai mund të shkojë deri aty, jo përtej asaj. Fyej në gazetë sa të duash presidentin, kryeministrin, ministrat, partinë e familjet e tyre, e kur ata të hapin padi ju shqetësoheni; a është e mundur një gjë e këtillë? Asnjë pjesëtar mediumesh në botë nuk është i papyetshëm, të gjithë janë të detyruar të japin llogari. Gjithsesi, këtë llogari e dhanë”.

“Fatkeqësisht në duar të DEASH-it po shohim armë të Perëndimit”

Duke theksuar se pyetjen që prezantuesja e parashtroi në lidhje me luftën kundër DEASH-it duhet parashtruar Perëndimit, Erdoğan tha se “Aktualisht, ne jemi ata që po luftojmë kundër DEASH-it.”

Siç tha Erdoğan, “Amerika kohë pas kohe ofron mbështetje ajrore për koalicionin, por fatkeqësisht në duar të DEASH-it po shohim armë të Perëndimit. Natyrisht nuk thonë që ‘Ne mbështesim DEASH-in’, por po shohim se nga avionët po shkarkohen armë, gjysma e të cilave janë duke shkuar në duar të PYD-së, YPG-së, e gjysma tjetër në duar të DEASH-it. Sigurisht që në këtë çështje nevojitet edhe sensibilizimi i Izraelit. Ne duhet ta zhvillojmë këtë luftë dhe ta sjellim paqen në këtë rajon.”

“Të gjitha ato që u bënë kundër Trump janë mosrespekt ndaj demokracisë”

Presidenti Erdoğan foli edhe në lidhje me zgjedhjen e Donald Trump president të SHBA-ve.

Në pyetjen se a është befasuar nga fitorja e Trump, Erdoğan u shpreh se nuk ka përjetuar habi nga kjo fitore. “Supozoj se kjo gjë më tepër i ka befasuar amerikanët, sepse unë jam njeri që i besoj rezultateve nga kutitë e votimit; sepse kishte prej atyre që u befasuan kur unë u zgjodha kryetar i Bashkisë së Stambollit. Andaj, pse dikush të befasohet nga zgjedhja e Donald Trump si president i Amerikës?”, komentoi Erdoğan.

Më tej, Erdoğan vazhdoi:

“Donald Trump luftoi me mundësitë e veta. Ai nuk erdhi nga asnjë pozitë, nuk ishte guvernator më parë ose me ndonjë funksion tjetër politik, por kundërshtarja e tij ishte person me karrierë politike dhe ishin të sigurtë në vete. I mblodhën paratë. Prej nga i mblodhën? Një nga grupet që dhanë mbështetje për ta ishte FETO, me të cilën ne luftojmë në Turqi. FETO u ka dhënë mbështetje të madhe atyre. Unë u dërgova informacion atyre dhe u thashë se janë duke vepruar gabimisht. U thamë të mos mendojnë se do të arrijnë diku me ato para që kanë marrë. Shikoni ku janë tani me ato mbështetje që kanë marrë. Në Amerikë do të fillojë periudhë e re me të nderuarin Trump. Sipas meje, të gjitha ato që u bënë kundër Trump në vende të ndryshme të Evropës dhe shtete të ndryshme të Amerikës, janë mosrespekt ndaj demokracisë. Para së gjithash, njerëzit duhet të kenë respekt për rezultatet e kutive të votimit”.

Prezantuesja tha se “Si musliman duhet menduar dy herë, sepse Trump tani është president i shtetit dhe gjatë fushatës zgjedhore ka thënë fjalë shumë të këqija kundrejt muslimanëve”. Ndërkaq, Erdoğan theksoi:

“Shikoni, edhe kjo qasje e juaja është shumë e gabuar. Domethënë që ne nuk mundkemi të shkojmë as në Izrael pas kësaj? Ato që fliten në arenat e politikës më vonë vendosen mënjanë. Ne do të ulemi dhe do t’i bisedojmë këto me Trump. Që natën e parë unë e thirra në telefon, biseduam dhe ishim të pajtimit se ka shumë gjëra që mund të bëhen në të ardhmen bashkarisht mes Turqisë dhe Amerikës. Unë nuk besoj se Trump do të ketë një qëndrim të këtillë ndaj muslimanëve. Ai i ka përmirësuar këto me deklaratat që i ka dhënë më pas”.

“Çdo vend përparon me lider të fuqishëm”

Pyetja e radhës e prezantueses ishte: “Ndoshta në botë gjithkush kërkon lider të fortë, ndërmarrës, të fuqishëm. A është kështu sipas jush? A ka në botë kërkesë për lider të këtillë, më ndërmarrës, më të fuqishëm, më impozant?” Ndaj kësaj, presidenti Erdoğan u përgjigj se “Çdo vend përparon me lider të fuqishëm. Shtetet nuk mund të përparojnë pa lider të fuqishëm. Një vend që nuk ka lider të fuqishëm fundoset. Nuk mjafton vetëm të jetë i fuqishëm, por duhet të jetë edhe i sinqertë, e nëse lideri është i sinqertë dhe i fuqishëm, ai vend ngritet lartë”.

Në pyetjen “A do të qëndroni në pushtet deri në vitin 2023, deri në 100-vjetorin e mbrojtjes së Republikës?”, Erdoğan tha se kjo është zgjedhje e popullit. “Ne nuk mund ta dimë se kush do të vdesë e kush do të ngelet deri në vitin 2023, megjithatë, unë aktualisht ushtroj funksionin tim dhe në Turqi fliten shumë gjëra derisa unë ushtroj këtë funksion. Deri ku do të arrijmë, nuk mund ta di”.

Në pyetjen “A ka diç që nuk do t’iu mungojë nga jeta politike kur do të pensionoheni?”, Erdoğan tha se është herët të flitet për këto gjëra dhe se për të njëjtat do të flitet kur t’u vjen koha.

Ndërkaq, në pyetjen “Çfarë nuk doni në politikë?”, presidenti Erdoğan tha: “Gënjeshtrën”.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit