3.7 C
Pristina
Monday, November 18, 2024

Erdoğan: Armëpushimi në Gaza mund ta shpëtojë rajonin nga rrethi i zjarrit

Më të lexuarat

Duke folur në një konferencë të përbashkët për media me kancelarin gjerman Olaf Scholz para takimit të tyre në Berlin, presidenti Erdoğan tha se 13 mijë palestinezë, përfshirë fëmijë, gra dhe të moshuar, ishin vrarë në luftë deri më tani

Presidenti i Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan, tha se nëse Türkiye dhe Gjermania së bashku arrijnë një armëpushim humanitar në luftën e Izraelit në Gaza, rajoni mund të shpëtohet nga rrethi i zjarrit, raporton Anadolu.

Duke folur në një konferencë të përbashkët për media me kancelarin gjerman Olaf Scholz para takimit të tyre në Berlin, Erdoğan tha se 13 mijë palestinezë, përfshirë fëmijë, gra dhe të moshuar, ishin vrarë në luftë deri më tani dhe se pothuajse e gjithë Gaza ishte shkatërruar nga sulmet izraelite ndaj enklavës së rrethuar.

Erdoğan tha se fokusi në takim është në marrëdhëniet tregtare, politike dhe ushtarake, veçanërisht në zhvillimet lidhur me situatën midis Rusisë dhe Ukrainës dhe përfundimisht situatën aktuale midis Izraelit dhe Palestinës.

“Dhe këtu do të flas qartë. Sepse 7 tetori cilësohet si fillim historik. Për periudhën pas 7 tetorit nuk flitet fare. Deri më tani, për fat të keq, janë vrarë 13 mijë fëmijë, gra dhe pleq palestinezë. Përpos kësaj, pothuajse më shumë nuk ka një vend të quajtur Gaza, gjithçka është shkatërruar. A mund të krahasohen armët dhe fuqia e Hamasit me armët dhe fuqinë e Izraelit? A ka Izraeli aktualisht armë bërthamore? Ka, por nëse e pyet Izraelin për këtë, ata nuk do të thonë ‘ekziston’. Për shkak se janë shumë të mirë në gënjeshtra”, tha presidenti turk.

Ai kujtoi se në sulme janë dëmtuar ose shkatërruar vendet e kultit, përfshirë xhamitë dhe kishat, si dhe spitalet, duke shtuar se sulmet ndaj spitaleve dhe vrasja e fëmijëve nuk janë në Torah.

“Nuk ka asgjë nga këto në Torah. Nuk mund ta bëni këtë. Por, siç shihet këtu, si mund të qëllohet mbi këta fëmijë? Si mund të vriten në spitale? A do të qëndrojmë me duar të lidhura përballë kësaj? Vallë nuk do të ngremë zërin kundër kësaj? Nëse na mbesin të lidhura duart dhe gjuha, këtë nuk do të mund t’ia shpjegojmë historisë. Lufta izraelito-palestineze nuk duhet vlerësuar me psikologjinë e borxhit. E shihni, unë flas lirshëm. Sepse ne nuk i kemi borxh Izraelit. Po të ishim borxhlinj, nuk do të flisnim dot kaq lirshëm. Por ata që kanë borxh, nuk mund të flasin lirshëm. Ne nuk e kaluam Holokaustin. Ne nuk kemi një situatë të tillë. Ne nuk i kemi borxh askujt”, tha Erdoğan.

Ai tha se gjatë këtij udhëtimi do të diskutojë për të gjitha këto çështje, por çështja më e rëndësishme për të cilën do të diskutojë është se si të zgjidhet problemi.

Sipas tij, është e rëndësishme se sa do të kontribuojnë Türkiye dhe Gjermania në armëpushimin humanitar dhe si do t’i ndërmarrin ato hapa.

“A jemi gati për këtë apo jo? Një javë më vonë Steinmeier do të shkojë në Izrael. Ajo që është e rëndësishme është që të arrijmë një armëpushim humanitar së bashku. Nëse Türkiye dhe Gjermania arrijnë së bashku një armëpushim humanitar në luftën e Gazës, rajoni mund të shpëtohet nga rrethi i zjarrit. Kjo nënkupton shkëmbim pengjesh dhe ne jemi për këtë. Por kur thoni pengje, sa është numri i pengjeve në Izrael? Nga ana tjetër, sa pengje janë mbajtur nga Hamasi apo Palestina? Kur e shikojmë këtë, Izraeli ka shumë më tepër pengje në duart e tij. Pengët dhe të burgosurit kanë qenë në duart e Izraelit prej vitesh. Duhet ta shohim edhe këtë. Do të ishte e padrejtë nëse nuk e shohim këtë”, tha Erdoğan në Berlin.

Ai tha se gjatë takimit me kancelarin gjerman Olaf Scholz do të diskutojë në një mënyrë krejt ndryshe për ngjarjet në Gaza.

“Si Türkiye, që nga fillimi i ngjarjes ne deklaruam se nuk i miratojmë sulmet ndaj civilëve. Prioriteti ynë është të sigurojmë një armëpushim dhe rrjedhën e qetë të ndihmave humanitare. Sigurisht, ne dëshirojmë të sjellim në vendin tonë dhe të shërojmë sa më shumë pacientë, të plagosur ose pacientët me kancer. Megjithatë, ajo që ka ndodhur na ka treguar edhe një herë se një zgjidhje me dy shtete e bazuar në kufijtë e vitit 1967 tani është e pashmangshme. Si Türkiye, qëllimi ynë është të krijojmë një klimë ku izraelitët dhe Palestinezët jetojnë krah për krah në paqe dhe ku mbizotëron paqja dhe besimi. Ne duhet ta arrijmë këtë. Mendoj se të gjithë duhet të marrin përgjegjësinë për të siguruar një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme në Lindjen e Mesme”, tha Erdoğan.

Ai porositi se është në interes të përbashkët të Türkiye dhe Gjermanisë që bashkëpunimi i tyre në sektorin e mbrojtjes të vijojë pa probleme.

Erdoğan u shpreh se Türkiye nuk ka bërë dallime mes Evropës dhe Afrikës në angazhimin e saj në Marrëveshjen për Korridorin e Drithërave të Detit të Zi.

“Rreth 40 për qind e asaj që erdhi nga Korridori i Drithërave të Detit të Zi shkoi në Evropë, 14 për qind shkoi në Afrikë, 14 për qind erdhi tek ne. Ka hapa që duhet të bëjmë, ka gjëra që duhet të bëjmë. Ne po e bëjmë këtë. Tani për tani Rusia planifikon të dërgojë drithëra në katër ose pesë vende përmes një korridori të tillë dhe do të ndërmarrë hapin tjetër”, shpjegoi Erdoğan.

Presidenti turk theksoi gjithashtu nevojën që të dy vendet të bashkëpunojnë më ngushtë në luftën kundër terrorizmit, ndërsa foli edhe për anëtarësimin e Türkiye në Bashkimin Evropian.

“Siç e dini, unë kam deklaruar më herët se ne sinqerisht dëshirojmë që ky proces të marrë sërish vrull. Ne kemi pasur prej kohësh pritshmëri të justifikuara për çështje të tilla si përditësimi i Unionit Doganor dhe liberalizimi i vizave. Türkiye ka pritur në derën e Bashkimit Evropian për 52 vjet. Sot do të flasim për lehtësimin e procesit të vizave derisa të arrihet liberalizimi i vizave”, shtoi Erdoğan.

“Duhet bërë gjithçka për të zvogëluar numrin e viktimave civile”

Kancelari gjerman Olaf Scholz tha se duhet bërë çdo përpjekje për të zvogëluar numrin e viktimave civile në Gaza.

Duke folur në konferencën e përbashkët, Scholz tha se ata kanë mosmarrëveshje rreth fushatës ushtarake të Izraelit, por do të donin të vazhdonin dialogun e tyre.

“Ne do të flasim se si mund të parandalojmë përshkallëzimin e mëtejshëm në rajon, ne ndajmë shqetësimin e përhapjes së zjarrit në Lindjen e Mesme”, tha Scholz, duke shtuar se teksa Gjermania mbron të drejtën e Izraelit për vetëmbrojtje, ajo nuk është indiferente ndaj vuajtjeve të palestinezëve.

“Duhet bërë gjithçka për të zvogëluar numrin e viktimave civile”, theksoi ai.

Qeveria gjermane ka thënë vazhdimisht se Izraeli ka të drejtë të mbrohet kundër Hamasit dhe ka kundërshtuar thirrjet për një armëpushim të menjëhershëm në Rripin e Gazës, duke argumentuar se kjo do t’i japë një afat grupit palestinez.

Gjermania thotë se mban një përgjegjësi historike për sigurinë e Izraelit për shkak të së kaluarës naziste të vendit dhe krimeve të kryera kundër hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit