0.7 C
Pristina
Saturday, December 28, 2024

Erdoğan : AK Partia, mbrojtëse e të gjithë të persektuarve dhe të shtypurve

Më të lexuarat

Erdoğan tha se AK Partia gjithnjë ka qenë mbrojtëse e të persektuarve dhe shtypurve në të gjitha vendet, duke shtuar se Turqia është bërë shembull për botën me ndihmat e saj humanitare dhe zhvillimore

ANKARA (AA) – Presidenti i Turqisë dhe Kryetari i Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Partisë), Recep Tayyip Erdoğan, tha se AK Partia gjithnjë ka qenë mbrojtëse e të persektuarve dhe shtypurve në të gjitha vendet, duke shtuar se Turqia është bërë shembull për botën me ndihmat e saj humanitare dhe zhvillimore, raporton Anadolu Agency (AA).

Erdoğan foli sot në mbledhjen e rregullt të grupit parlamentar të AK Partisë në Ankara, që ishte adresimi i tij i parë nga ky vend pas rikthimit në krye të partisë.

Fjalën e tij Erdoğan e filloi duke uruar muajin e Ramazanit, siç tha, fillimi i të cilit është mëshirë, mesi i të cilit është falje dhe fundi i të cilit është shpëtim nga dënimi.

Në vazhdën e fjalës së tij, presidenti Erdoğan theksoi se Turqia ka kaluar nëpër një periudhë në të cilën ka shënuar përparim të rëndësishëm në luftën kundër terrorizmit.

“Vetëm në dy muajt e fundit, forcat tona të armatosura kanë neutralizuar 336 terroristë brenda dhe jashtë vendit, por fatkeqësisht, kemi dhënë edhe 43 dëshmorë: ushtarë, policë dhe roje të sigurisë”, tha Erdoğan, duke falënderuar forcat e armatosura për arritjen e tyre në luftën kundër organizatave terroriste.

Pas 34 muajve, sërish në mbledhjen e grupit parlamentar

Presidenti turk vuri në dukje se për herë të fundit ka qenë i pranishëm para afër 34 muajve dhe tha se ndihet i gëzuar që sërish gjendet në mbledhjen e grupit parlamentar së bashku me të pranishmit.

“Së fundmi ishim këtu së bashku më 22 korrik të vitit 2014. Pas afërsisht 34 muajve apo plotë 1.044 ditëve, unë sërish po përjetoj gëzimin që jam së bashku me ju në këtë sallë”, theksoi Erdoğan.

Duke folur për ndryshimet kushtetuese të miratuara me referendumin e mbajtur më 16 prill, Erdoğan rikujtoi se një nga ndryshimet që ka sjellë referendumi është “anëtarësia e presidentit në partinë amë dhe pjesëmarrja e tij në aktivitetet partiake”.

“Pas miratimit të ndryshimeve kushtetuese me rekord prej 25 milionë e 157 mijë votave “po”, ne tani po shfrytëzojmë këtë të drejtë. Më 2 maj, unë iu përgjigja ftesës dhe shkova në Shtabin e Përgjithshëm të AK Partisë për t’u rianëtarësuar. Më pas, në kongresën e tretë të madh të jashtëzakonshëm më 21 maj, me vullnetin e delegatëve, unë u zgjodha kryetar i përgjithshëm i partisë”, vazhdoi Erdoğan.

“Qëllimi ynë është ta fitojmë zemrën e 80 milionë qytetarëve tanë”

Erdoğan tha se kur e kanë themeluar AK Partinë më 14 gusht të vitit 2001, popullit i kanë premtuar se problemet e Turqisë nuk janë pazgjidhje dhe se ata do të përpiqen që së bashku me popullin t’i zgjidhin ato.

Siç theksoi presidenti turk, ata kishin premtuar një qeveri lehtësuese dhe jo vështirësuese, gjithëpërfshirëse dhe jo përjashtuese, unifikuese dhe jo ndarëse dhe qeveri që i mbron të dobëtit e drejtë kundër të fuqishmëve të padrejtë.

Sipas presidentit Erdoğan, në programin e tyre ende ka gjëra që nuk i kanë bërë dhe që duhet bërë, realizimin e të cilave, siç potencoi, do ta mundësojnë përmes sistemit të ri.

“AK Partia është demokrate, dhe për këtë gjithnjë ka mbajtur në gradën më të lartë vullnetin kombëtar, votën dhe preferencat e popullit. AK Partia është republikane. Për këtë arsye, ajo është mbështetur vetëm në shumicën, në popullin, e jo në një person apo organizata që i shërbejnë një grupi apo që keqpërdorin vlerat e popullit tonë, siç janë PKK dhe FETO”, u shpreh Erdoğan.

Ai shtoi se AK Partia gjithnjë e ka parë si pjesë të saj secilin që nuk kundërshton integritetin e shtetit dhe unitetin e popullit pa marrë parasysh dallimet mes njerëzve.

“Për këtë arsye, them se qëllimi ynë është ta fitojmë zemrën e 80 milionë qytetarëve tanë. Ne do të përpiqemi për këtë”, shtoi Erdoğan.

“Turqia, shembull për tërë botën”

“AK Partia është mbrojtëse e të gjithë të persektuarve dhe të shtypurve. Gjatë qeverisjes së AK Partisë, ajo ua ka zgjatur dorën të gjithëve, kudo që të ketë lotë, zemra të thyera, të keqtrajtuar dhe të persekutuar”, tha Erdoğan, duke shtuar se Turqia është shembull për botën, me ndihmat humanitare zhvillimore që kanë arritur vlerën prej 6.5 miliardë dollarëve.

Po ashtu, Erdoğan nënvizoi se AK Partia është parti konservatore, e cila ka kundërshtuar çdo sulm apo armiqësi ndaj historisë së popullit, kulturës dhe vlerave, duke i ruajtur fuqimisht ato.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit