3.4 C
Pristina
Saturday, November 16, 2024

Epoka e re e herezisë – Justinian Topulli

Më të lexuarat

Lufta mes së vërtetës së Zotit, e ardhur përmes shpalljes hyjnore dhe të pavërtetës si produkt njerëzor, nuk do të ndalet deri në fundin e kësaj bote.

E vërteta hyjnore është një dhe e vetme, ashtu siç është vetë Zoti, dhe është pikërisht ajo që vetë Hyji ka zbritur në tokë, përmes shpalljeve që i ka dhënë profetëve të Tij, i fundit dhe vula e të cilëve ishte Profeti Muhamed (alejhi salatu ue selam).

E pavërteta, si produkt njerëzor ka burime të shumta, edhe pse në disa raste, disa burime në kohë të ndryshme marrin më shumë forcë sesa disa të tjera. P.sh. në epokën moderne e vërteta e fesë u sfidua përmes arsyes dhe shkencës, dhe ajo tërhoqi pas vetes shumë njerëz, duke i larguar ata nga besimi dhe feja e vërtetë. Ndikimi i kësaj sfide vazhdon edhe sot. Por sot, ndërsa zhytemi gjithmonë e më shumë në një epokë të re, të cilën disa e quajnë moderniteti i vonshëm, e një shumicë e quajnë post-modernitet, feja e vërtetë po sfidohet nga arsyeja emocionale, nga zgjedhja dhe preferencat personale, e thënë në mënyrë pak më shqeto, përtej këtyre termave fasadë, nga tekat dhe qejfet njerëzore, të cilat çdokush i shet si ndjenjat më të thella të tij të shpirtit.

Dikur, të vërtetat unike të fesë sfidoheshin nga të ashtuquajturat të vërteta unike të shkencës natyrore, por kur shkenca natyrore përparoi edhe më shumë dhe bota u bë shumë më tepër komplekse dhe e vështirë për t’u shpjeguar thjesht, u pa qartë se shkenca kishte qenë vetëm një instrument i keqpërdorur nga njerëzit e saj në mënyrë abuzive, nisur nga ideologjia ateiste apo jofetare që i motivonte ata të mohonin të vërtetat e fesë. I ashtuquajturi mendim shkencor i vërtetë që sfidonte fenë, dështoi, duke degraduar thjesht në një ideologji fetare pa fe, që sfidonte fenë hyjnore. Por ai mori pas vetes turma të mëdha njerëzish dhe i hodhi ata në portat e herezisë, mohimit të Zotit dhe besimit.

Sot, sfida ka marrë ngjyrim tjetër, dhe ato që kanë marrë flamurin e sfidës ndaj fesë dhe janë bërë një nga portat kryesore të herezisë dhe mohimit, janë shkencat sociale, të cilat me teoritë e tyre kritike dhe dekonstruktive, kërkojnë ta barazojnë fenë hyjnore, mes tyre edhe Islamin, me ideologjitë, mitet, përrallat dhe legjendat kulturore, të cilat ata i fusin në fabrikën e tyre ateiste apo afetare të çmontimit, duke ardhur në përfundimin se ka shumë të vërteta të mundshme dhe jo vetëm një të tillë.

Gati të gjitha teoritë e sotme sociale në modë, që disa na i shesin si tepër shkencore dhe par exellence, bazohen dhe ngrihen mbi premisa ateiste apo afetare, qasje këto, që mohojnë të vërtetën hyjnore si të ardhur, të zbritur apo shpallur nga Krijuesi, duke e reduktuar atë në shumë të vërteta, apo në një produkt social, kulturor, historik, thjesht njerëzor. Gjuha që ata përdorin është shpesh shumë e kujdesshme dhe e kamufluar, për të mos treguar premisat nga ata nisen dhe duke e vënë theksin gjithmonë tek metodat dhe përfundimet e tyre. Janë këto metoda në dukje racionale, të cilat po u vënë njerëzve në dyshim besimet e tyre tradicionale, duke i hedhur ata përsëri në portat e herezisë dhe mohimit.

Pjesë e kësaj fryme janë edhe prirjet e reja të individualizmit fetar, të cilat fenë dhe besimin, mes tyre edhe Islamin, nuk e shohin më në mënyrë tradicionale, si një paketë të vetme që ose pranohet e gjitha ashtu siç është ose refuzohet, por si një bufe të hapur ushqimi, ku mund të zgjedhësh çfarë të shijon dhe të lësh atë që nuk të tërheq. Sigurisht, që kjo frymë “islamizon” me hir ose pahir, edhe parime e bindje që janë krejtësisht të huaja për Islamin, mjaft që konsumatorit individ t’i pëlqejë, edhe nëse refuzohet nga bashkësia e besimtarëve, dijetarët e fesë, apo kuptimi tradicional i trashëguar i saj, brez pas brezi.

Për të gjitha këto që përmenda, ka njerëz edhe në mesin e shqiptarëve, që i trumbetojnë dhe propagandojnë me të madhe këto prirje dhe qasje heretike. Disa prej këtyre njerëzve vazhdojnë ta mbajnë veten për muslimanë, duke bërë bashkë Islamin dhe kufrin. Këta sigurisht janë emra konkretë, që ndoshta do të vijë dita që do t’i përmendim, për të ndarë krundet nga gruri.

Verdikti për kufr dhe herezi, apo edhe dalje nga Islami, janë gjykime të vjetra tradicionale islame, që datojnë që nga koha e Profetit, dhe i ka përmendur Allahu në Kuran, si dhe mbushin librat e fikhut islam ndër shekuj, kështu që abuzimi dhe keqpërdorimi i tyre nga të paditurit dhe injorantët, ekstremistë ose jo, nuk i zhvlerëson ato si pjesë e praktikës së një komuniteti islam, qoftë edhe bashkëkohor.

Përtej nevojës për të qenë tolerantë, të butë, mirëkuptues, sqarues dhe predikues të të vërtetave unike të fesë, njerëzit sot kanë nevojë edhe të dallojnë se çfarë është iman dhe çfarë është kufr, çfarë është monoteizëm dhe çfarë është politeizëm, çfarë është traditë islame e pranuar dhe çfarë është risi e shëmtuar. Gjërave i duhet vënë emri real që kanë dhe meritojnë, përndryshe, e vërteta do të përzihet me të kotën, dhe asnjë dallim nuk ka më në mes një muslimani që si burim të fesë ka shpalljen islame, me dy derivatet e saj, Kuranin dhe Sunetin dhe një jo/muslimani që si burim të fesë zgjedh çfarë t’i pëlqejë, qoftë ky edhe budizmi, trans-humanizmi, marksizmi apo konspiracionizmi ndërplanetar.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit