Enuresis – Urinimi i pavullnetshëm tek fëmijët
Enuresis është term mjekësor që përdoret për urinimin e pavullnetshëm në krevat gjatë gjumit. Enuresis është një problem i kontrollimit të fshikëzës së urinës e cila drejton urinimin gjatë natës, ndërsa fëmija është në gjumë. Kjo është shumë normale tek foshnjat dhe fëmijët e vegjël, por mund të bëhet problem mjekësor nëse vazhdon pas moshës 6 vjeçare dhe nëse është e shpeshtë.
Urinimi në krevat mund të ndodh për arsye të ndryshme. Disa fëmijë urinojnë aq shpesh gjatë natës sa që fshikëza e urinimit nuk e duron dot këtë. Kjo ndodh kur fëmija ka konsumuar shumë lëngje në mbrëmje. Mund të jetë edhe si pasojë e mungesës në sasi të prodhimit të mjaftueshëm të hormonit antidiuretik (ADH), i cili rregullon prodhimin e urinës në veshkë gjatë natës.
Tek fëmijët e tjerë, fshikëza mund të jetë më e vogël se zakonisht dhe nuk është në gjendje të mbajë sasinë normale të urinës. Shumë fëmijë që urinojnë në krevat janë gjithashtu gjumashë të mëdhenj, gjë që i pengon ata të ndjejnë se kur duhet të zgjohen për të urinuar.
Gjithashtu problemet emocionale si: stresi i shkaktuar nga faktorë të ndryshëm, problemet shoqërore, problemet familjare, divorci i prindërve etj., janë shpesh shkaktarë të kësaj gjendjeje.
Fëmijët kanë nevojë për mirëkuptim jo për fajësim
Urinimi në shtrat është një nga problemet që i bën fëmijët të ndihen shumë më në turp se sa kur kanë një problem tjetër. Shumica e prindërve në këto raste i bëjnë fëmijët të ndihen shumë në siklet duke ja vënë në pah këtë problem si diçka shumë të turpshme.
Si mund t’i vish në ndihmë fëmijës në këto raste:
– Fëmija nuk duhet të fajësohet, kritikohet apo të kufizohet nga ndonjë gjë për shkak të urinimit. Ato kanë nevojë për mirëkuptim jo për dënim. Si për ironi, prindërit që kanë pasur këtë problem në fëmijërinë e tyre, duket që janë më kritikues ndaj fëmijëve. Vëllezërit dhe motrat duhen ndaluar të ngacmojnë fëmijën enuretik. Reagimet e duhura të prindërve në këto raste mund të jenë: mos u shqetëso, nuk ishte faji yt; unë e di që ti përpiqesh; këto janë gjëra që ndodhin, etj.
– Nxiteni fëmijën (pa i vënë në dukje problemin) që të urinojë para se të bie në gjumë.
– Butësisht, bëje fëmijën përgjegjës për problemin e tij. Nëse zgjohet natën dhe e gjen veten të njomë, të ndërrohet dhe t’i çojë vetë rrobat në lavatriçe. Kjo e ndihmon fëmijën të ndjejë vetë-kënaqësi kur ta kapërcejë këtë problem, ai do ndihet i aftë për të zgjidhur problemet e veta.
– Bashkë me fëmijën bini dakord të vendosni zilen e alarmit 1 herë gjatë natës në mënyrë që të shmanget problemi.
Enuresis është shqetësuese kur ndodh: të paktën dy herë në javë për tre muaj; tek fëmijët mbi gjashtë vjeç dhe kur sjellja nuk lidhet me ndonjë efekt tjetër fiziologjik (çrregullim epileptik, problem me veshkat etj.).
Nëse prindërit nuk reagojnë në mënyrën e duhur gjatë periudhës kur fëmija ka enuresis, atëherë kjo do të sjell pasoja në mirëqenien psikologjike të fëmijës. Fëmijët mund të përjetojnë vështirësi emocionale dhe sociale si: vetimazh të ulët, vetëvlerësim të ulët, siklet social apo edhe konflikte familjare.
Perpunoi: Suada Hajredinaj
…
Rating: 5.0 of 5. 1 vote(s).