1.5 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Emrat e eprorëve serbë që dyshohet se organizuan masakrën e Reçakut (Dokument)

Më të lexuarat

Në një dokument përmenden emrat dhe pozitat e 13 eprorëve të lartë serbë që dyshohen se janë përgjegjës për organizimin e masakrës së Reçakut.

Dokumenti i vitit 1998 për krijimin e stafit ministror për siç thuhet shtypjen e terrorizmit në Kosovë mban vulën e Ministrisë së Brendshme të Serbisë dhe nënshkrimin e ish-ministrit, Vlajko Stojilkoviq.

Për zbardhjen e masakrës së 45 civilëve në Reçak, për herë të parë është vënë në lëvizje edhe Prokuroria Speciale e Kosovës.

37 automjete të blinduara, tytat e tankeve të kthyera në drejtim të fshatit, forca speciale të armatosura deri në dhëmbë. Nga stacioni në Ferizaj, për në Reçak u ftuan edhe policë në detyrë e rezervë.  Në hyrje të Shtimes nuk ishin parë kurrë më shumë forca. Vëzhguesit që hartuan planin ishin vendosur javë më parë në malet e Reçakut.

Të gjithë ishin nën komandën e shefit të Forcave Speciale të Policisë serbe, Goran Radosavljeviq, i njohur si “Guri”.

Kështu përshkruhet se nisi aksioni ku u masakruan 45 civilë shqiptarë, në aktgjykimin e Tribunalit të Hagës ku u dënua 27 vjet burgim Vlastimir Gjorgjeviq.

Raportimi i The Washington Post gjatë vitit 1999 për masakrën e Reçakut: Si ishin zbuluar skenarët e Beogradit për ta mbuluar krimin

Raportimi i The Washington Post gjatë vitit 1999 për masakrën e Reçakut: Si ishin zbuluar skenarët e Beogradit për ta mbuluar krimin

RTV Dukagjini ka arritur ta sigurojë një provë nga ky rast – konkretisht atë P57, që tregon me emra dhe mbiemra ata që dyshohet se e organizuan masakrën e Reçakut.

Dokumenti që mban datën 16 qershor 1998 është klasifikuar si sekret shtetëror nga Ministria e Brendshme e Serbisë.

Aty zyrtarizohet krijimi i stafit ministror për shtypjen e terrorizmit.

“Formohet një staf për shtypjen e terrorizmit në AP /krahinën autonome/ të Kosovës dhe Metohisë i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës së Serbisë (në tekstin e mëtejmë: Stafi) me seli në Prishtinë”.

Hierarkia është kjo:

Gjeneral Major Sreten Lukiq, Shefi i Shtabit,

David Gashiq, Zëvendës Shefi i Shtabit ,

Radoslav Dinoviq, ndihmës Shefi për Intervenime dhe Planifikim Operacional,

Milorad Lukoviq, ndihmës Shefi për Operacione Speciale,

Zhivko Trajkoviq, ndihmës Shefi për Njësitë Speciale Antiterroriste – Nënkolonel,

Goran Radosavljeviq, ndihmës shefi për njësitë speciale të policisë – majori,

Milutin Vukoviq, ndihmës shef për njësitë e mekanizuara dhe mbështetje teknike,

Novica Zdravkoviq, ndihmës shefi për çështje dhe informacione kriminale dhe operative,

Radovan Učureviq, ndihmës shef për të huajt dhe çështjet e hordhisë,

Milorad Rajiçiq, ndihmës Shefi për Logjistikë – këshilltar i lartë,

Rashko Milenkoviq, Asistent i udhëhequr për analiza – këshilltar,

Kapiten Milan Çankoviq, Shefi i Komunikimit,

Dobrashin Krxhiq, Shefi i Trupave Mjekësore – Inspektori i lartë,

Dokumenti mbanë nënshkrimin e ministrit të atëhershëm, Vlajko Stojiljkoviq.

Kjo është hierarkia e eprorëve që dyshohet se kanë përgjegjësi në planifikimin dhe organizimin e masakrës së Reçakut.

Pikërisht për masakrën e Reçakut, Prokuroria Speciale e Kosovës është vënë në lëvizje.

Duke u thirrur në dëshmitë e kohës, në deklaratat e 63 dëshmitarëve të intervistuar dhe në provat e Tribunalit të Hagës, Prokuroria Speciale e Kosovës ka lëshuar fletëarreste ndërkombëtare për 18 persona serbë që dyshohen për pjesëmarrje në kryerjen e masakrës së Reçakut. Kjo është pohuar në përvjetorin e masakrës në Reçak nga Kryeministri.

Megjithatë Prokuroria Speciale nuk e ka konfirmuar këtë lajm, dhe nuk ka dhënë detaje se kush janë të dyshuarit për të cilët po kërkon të arrestohen. /Dukagjini/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit