Kreta, ishulli magjepës i Mesdheut. Shumë pak e njohin historinë e saj islame. Në mesin tonë ka prej atyre që nuk e dinë as tragjedinë dhe dëbimin masiv të muslimanëve kretanë (autoktonë vendas të kthyer në muslimanë) para një shekulli. Kjo tragjedi nuk është aspak më e vogël se tragjedia çame.
Te muslimanët e hershëm arabë ishulli është njohur me emrin “Ekritish” (أَقريطِش) ose “Ikritish”. Sipas Jakut Hameviut të dy artikulimet janë të njohura.
Po çfarë lidhje ka islami me Kretën? Në fakt islami ka një histori të gjatë në Kretë. Përpjekjet e muslimanëve për marrjen e ishullit janë të hershme, që në kohën e sahabëve. Përpjekjet e para zënë fill që në mesin e shekullit të parë të hixhretit, gjatë sundimit të Muaviut. Përpjekjet kanë vazhduar edhe në fund të shekullit të parë dhe të dytë, përkatësisht gjatë kalifatit të Velid ibën Abdulmelikut dhe kalifatit të Harun Rashidit.
Jakut Hameviu në “Enciklopedinë e Vendeve” thotë: “Ahmed ibën Jahja ka thënë: “Xhunada ibën Ebu Umeja e ka sulmuar Ekritishin (Kretën) pas çlirimit të ishullit të Ervadit (Rodosi i sotëm) në vitin 54 h., në periudhën e Muavijes. Në kohën e Velidit u çlirua një pjesë e saj por më pas e humbën. Më pas e sulmoi Hamid ibn Majuf Hamdaniu në kohën e kalifatit të Rashidit dhe çliroi disa pjesë të saj”.
Në shekullin e tretë të hixhretit, në vitin 212h/827 e.s., një flotë andaluziane, me një numër të konsiderueshëm anijesh dhe luftëtarësh, zbarkojnë në Kretë. Disa burime flasin për rreth 10.000 persona. Ishin disa kryengritës të dëbuar nga Andaluzia pas një kryengritje të dështuar kundër emirit të Kordovës Hakem ibën Hishamit. Mukriu thotë: “Mes Hakemit dhe banorëve të Rabedit në Kordovë ndodhën përleshjet e njohura; sepse ai ishte zhytur në epshe, prandaj dijetarë dhe të devotshëm, si puna e Jahja ibën Jahja Lejthiut, nxënësit të Malikut dhe një nga transmetuesit e Muvatës dhe Talut Fakihut, u mblodhën në Kordovë. U kryengritën, e shkarkuan dhe më pas emëruan një të afërm të Hekemit. Kryengritësit ishin të përqëndruar në mëhallën e Rabedit e cila ishte afër pallatit të tij. Hakemi i luftoi me ashpërsi, i theu dhe ata u shpërndanë, pasi u rrënoi shtëpitë dhe xhamitë, ca në Fez të Marokut dhe ca në Aleksandri”. Shiko librin e Mukriut “Nefhut tiib” 1/339.
Nga ky grup andaluzianësh u formuan flotat e para të cilat arritën në ishull në vitin 212h/827 e.s. Ata u ndimuan kryesisht nga sundimtari abasit i Aleksandrisë; Abdullah ibën Tahiri, i cili u dha anije dhe i përgatiti për në Kretë.
Komandant i tyre ishte Ebu Hafsi. Në burimet bizantine njihet si Apokapso. Ebu Hafsi ishte një luftëtar dhe komandant i zoti. Ibën Halduni në historikun e njohur të tij thotë: “Zgjodhën për prijës Ebu Hafsin, Umer ibën Shuajb Balutiun, njihet edhe si Ebu Fajdi, nga fshati Metruh i krahinës së Belutit, pranë Kordovës. Në atë kohë në Egjipt sundonte Abdullah ibën Tahiri i cili i priti me ushtri dhe i rrethoi në Aleksandri, mirëpo ata bënë me të një pakt dhe ai i përgatiti për në Kretë të cilën e banuan. Emir i tyre ishte Ebu Hafs Balutiu dhe pushteti i dinastisë së tij zgjati për 140 vjet”. Historiku i Ibën Haldunit, 4/270.
Emirati i Kretës i takonte Kalifatit Abasit, por de facto ishte i pavarur në politikat dhe zgjedhjen e sundimtarëve. Ai ishte një shtet i mirëfilltë dhe i mirëorganizuar. Kishte sistemin e tij monetar dhe prerje të pavarura të monedhave.
Një nga faktorët që ndihmoi muslimanët për marrjen e ishullit ishin edhe plasaritjet e thella mes të krishterëve kretianë, të cilët ishin të sektit kaldean, dhe Perandorisë Bizantine. Vuajtjet e kretianëve kishin zgjatur tepër përballë politikave diskriminuese të Bizantit. Para një realiteti të tillë muslimanët nuk hasën shumë vështirësi nga banorët vendas dhe lufta mbaroi shumë shpejt me dëbimin e legjioneve bizantine në ishull.
Muslimanët themeluan në Kretë disa qytete. Më kryesori ishte qyteti i Khandekut (Heraklioni i sotëm), i cili njëkohësisht ishte edhe kryeqyteti i emiratit. Më pas qyteti u njoh si Kandeksi dhe në periudhën osmane emri u shkurtua në Kandia. Sherif Idrisiu gjatë përshkrimit të ishullit thotë: “Ishulli i Ikritishit (Kretës) është i madh dhe në të gjendet qyteti i Handekut dhe qyteti i Rabedulxhubnit. Ishulli ka ar, pemë, fruta dhe është i njohur për djathin e tij që eksportohet në të gjithë botën dhe askund s’ka si ai . . .”. Shiko librin e Idrisiut “Nuz’hatul mushtak”, 4/635.
Kandia ishte një qytet i madh i themeluar nga andaluzianët. Ai ishte port detar dhe qëndër tregëtare për Mesdheun. Nga ky port kalonte tregëtia e sheqerit dhe e produkteve bujqësore që vinin nga Egjipti. Bizantinët e shkatërruan plotësisht pas rikthimit të qytetit në vitin 350h. Qytet tjetër i njohur ishte edhe Kania, të cilin andaluzianët e ardhur e thirrën Al Hanim.
Shkencat islame patën hovin e tyre në Kretë. Shumica e dijetarëve ishin nga Andaluzia dhe Egjipti dhe i takonin medhhebit maliki. Në librin “Er reudul mitar” Himjeriu thotë: “Në Ikritish (Kretë) kishte shumë dijetarë andaluzianë të mëdhenj. Prej tyre kadiu i Kretës Fet’hi ibën Alai, Is’hak ibën Salimi, Musa ibën Abdulmeliku, Muhamed ibën Umeri …” Në vazhdim Himjeriu përmend një numër të dijetarëve, prej tyre dijetarin e njohur Umer ibën Isa, autori i librit “Kuptimet e Kuranit”, libër të cilin e hartoi nga memoria e tij gjatë kohës kur mbahej i robëruar në Kostandinopojë.
Historia e Emiratit të Kretës që në fillimet e gjer në rënien e tij është e mbushur me beteja dhe ekspedita luftarake kundër Perandorisë Bizantine. Beteja të vazhdueshme u zhvilluan në të gjithë Egjeun. Duhet të theksojmë se një pjesë e mirë e muslimanëve ishin kretianë vendas të konvertuar në muslimanë.
Muslimanët arritën të merrnin për disa kohë një numër të konsiderueshëm ishujsh të arkipelagut të Egjeut. Vetë Athina ra për disa vite me radhë në dorën e Emiratit të Kretës 282-289h/896-902 e.s. Në të njëjtën kohë Kalifati Abasit kishte dërguar një ekspeditë të madhe detare në 291h/904 e.s. nën komandën e një admirali musliman grek, që në burimet bizantine njihet me emrin Leo i Tripolit, ndërsa në ato arabe me emrin Reshik al Verdami. Ekspedita arriti të hynte në Selanik, qyteti i dytë pas Konstandinopojës për nga rëndësia, duke i dhënë një goditje të rëndë Bizantit. Ishin vite të arta për muslimanët.
Sulmet e kretianëve muslimanë arritën deri në Trake, pranë Kostadinopojës. Beteja e Kardias 258h/872 e.s. ishte një nga betejat detare më të mëdha mes dy shteteve. Edhe pse e humbur nga muslimanët ajo ishte shumë domethënëse. E zhvilluar në Gjirin e Sarosit dhe të Korintit, ishte hera e parë që muslimanët afroheshin kaq pranë Kostandinopojës që nga rrethimi i dytë i saj në kohën e Umer ibën Abdulazizit 99h/717 e.s.. Admiral i flotës islame ishte komandati kretian Fotiu, një grek i konvertuar në musliman. I njëjti admiral kishte fituar disa beteja të rëndësishme përballë bizantinëve në Egje.
Për më shumë se një shekull muslimanët ishin dominues në rajon. Ishujt e arkipelagut të Egjeut ishin ose nën kontrollin e tyre ose nën garancinë e tyre dhe paguanin një xhizje vjetore në këmbim të sigurisë.
Në anën tjetër Bizanti nuk i ndali përpjekjet për rikthimin e Kretës. Egjeu ishte zona më e rëndësishme e perandorisë dhe të gjithë sundimtarët në Kostandinopojë i kushtuan rëndësi të veçantë dhe ekspeditat ushtarake të tyre sa vinin e shtoheshin.
Nga gjysma e parë e shekullit të katërt të hixhretit goditjet bizantine u shpeshtuan dhe muslimanët humbën deri diku forcën e tyre. Beteja më e madhe që i dha fund Emiratit të Kretës ishte beteja e Kandeksit (Kandias). Bizantinët e rrethuan kryeqytetin e Kretës për një kohë të gjatë 349-350h/960-961 e.s.. As ndihma që emiri i Kordovës Abdurrahmani III u dërgoi kretianëve nuk e çau dot rrethimin. Në fund bizantinët arritën ta pushtojnë qytetin dhe më pas qëndrat e tjera ranë njëra pas tjetrës dhe muslimanët ose u dëbuan nga Kreta ose ata pak që mbetën u detyruan të deklarohen të krishterë.
Ibën Halduni thotë: “Dinastia e tij (Ebu Hafsit) sundoi për 140 vjet derisa mbreti i Kostandinopojës Orjanos, i biri i Kostandinit, e rrëmbeu nga dora e Abdulaziz ibën Shuajbit, një nga nipërit e Ebu Hafsit, në vitin 350 h. dhe i dëbuan muslimanët prej saj. Allahu e riktheftë dhe i shfaroftë pabesimtarët!”.
Jo shumë vonë kjo lutje e Ibn Haldunit do të realizohej dhe dielli i islamit do të ndriçonte sërish në ishullin mesdhetar, por tani prej turqve osmanlli. Ky është një kapitull tjetër i artë i Kretës muslimane që ka nevojë për shkrime të veçanta.
Përgatiti: Florian Leli