2 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Elitat shqiptare humbin drejtimin në kthesa historike, pasojat shihen në ndarjen dhe dobësimin e kombit – Milazim Krasniqi

Më të lexuarat

ELITAT SHQIPTARE HUMBIN DREJTIMIN NË KTHESA HISTORIKE, PASOJAT SHIHEN NË NDARJEN DHE DOBËSIMIN E KOMBIT

Milazim KRASNIQI

Raportet ndërmjet njësive të ndara të trojeve shqiptare më së miri mund të kuptohen nëse krahasohen me copat e thyera të qelqit pas një përplasjeje të fortë. Copat e thyera në atë rast janë të madhësive të ndryshme, ku njëra prej tyre, më e madhja, mund të mbahet si “copa amë”, ndonjëra copë e shkëputur ka tehe më të mprehta se sa tjetra, ndërsa midis disa copave mund të jenë krijuar edhe mospërputhje, ngase ndonjë pjesëz mes tyre është grimcuar aq sa nuk e lejon më as puthitjen. Pavarësisht se në çfarë marrëdhëniesh do të jenë copat e thyera, qelqi i bërë një herë copë e grimë, nuk është më tërësi unike, sado që të bëhen përpjekje që të ribashkohet. Bile, në rast përpjekjesh të pakujdesshme, mund të ndodhin grimcime a thyerje të tjera, duke e shtuar fragmentarizimin e madje edhe duke i shkaktuar plagë tentuesit insistues e të pakujdesshëm.

Copëtimi ka ndodhur edhe me gabimet tona
Pas këtij krahasimi shokues të copëtimit të trojeve tona shqiptare me qelqin e thyer, po i kthehem shkurt historisë së thyerjes tragjike të tërësisë së trojeve shqiptare dhe gjendjes reale të këtyre njësive të copëtuara, për të hetuar si funksionojnë ato sot, si komunikojnë mes tyre, për të hamendësuar më në fund se a mund ta thyejnë ato ligjin e qelqit të thyer.

E para, copëtimi i trojeve shqiptare ka ndodhur pa vullnetin e proklamuar të shqiptarëve, por edhe me gabimet tona. Lindja me vonesë e lëvizjes kombëtare shqiptare në raport me kombet e tjera ballkanike ka arsyet e veta logjike, por rezultati ka qenë i dhimbshëm. Edhe raporti i saj si lëvizje kombëtare shqiptare me Perandorinë Osmane, në fazat e fundit të luftës për pavarësi, ishte jokonsekuent e madje kundërthënës me doktrinën fillestare të hartuar nga Pashko Vasa e Sami Frashëri dhe të promovuar paraprakisht nga Lidhja e Prizrenit. Në fakt, themeluesit e kombit konsideronin se duhej përdorur Perandoria Osmane si mburojë në raport ne fqinjët ballkanikë, deri në fuqizimin e plotë të kombit shqiptar. Fjala vjen, Pashko Vasa insistonte në këtë formulë: “…të bashkohet Shqipëria në një vilajet të vetëm, t’i jepet asaj një organizim i thjeshtë, kompakt e i fortë, t’i lihet elementit vendës një pjesëmarrje e gjerë në administratën publike dhe të inau¬gurohet, një periudhë bashkimi, mirëkuptimi dhe vëllazërimi për të gjitha besimet e për të gjitha fetë.”

Ndërsa, Sami Frashëri e plotësonte kështu këtë alertnativë: “Qëllim’ i vetëm i shqiptarëve është të ruajnë Shqipërinë të mos copëtohetë prej të huajve, të mbajnë gjuhën’ e kombërin’ e tyre, t’u rrinë kundreq entrigave t’armikëvet të tyre e të ndalojnë të përhapurit’ e gjuhëvet e të mendimeve të greqet e te shqehet, të cilatë po i rëmojnë themeletë e po i nxjerinë rënjët Shqipërisë e shiptarërisë”.

Por, në luftën finale për shtet kombëtar, në fillim të shekullit XX, lëvizja adoptoi një strategji tjetër, sipas të cilës duhej të arriheshin miqësi e aleanca me kombet ballkanike, malazezët, serbët, grekët dhe bullgarët dhe të shpallej armiqësi dhe luftë e armatosur me Perandorinë Osmane. Pra, pati një ndërrim të plotë të programit fillestar të lëvizjes shqiptare, që bëri që punët tutje të shkonin shumë më keq nga ç’kishin qenë. Ndryshimi i programit u konkretizua duke arritur marrëveshje të fshehta me malazezët e grekët e duke u armatosur nga serbët për kryengritje kundër Perandorisë Osmane.

Rezultati i këtij programi të ndryshuar dhe i kryengritjes ku ai program u provua, (1910-1912) ishte një katastrofë kombëtare. Copëtimi i trojeve shqiptare ndërmjet fqinjëve ballkanikë, serbëve, grekëve, bullgarëve e malazezve shkatërroi çdo mundësi të formimit të shtetit kombëtar shqiptar në trojet ku jetonin si komb shumicë. Konferenca e Londrës dhe ajo e Versajës nuk bënë asgjë tjetër, përveç se e legjitimuan gjendjen që ishte arritur në terren në dy luftërat ballkanike dhe pas Luftës së Parë Botërore, natyrisht me disa modifikime të papërfillshme. Pra, thënë thjesht, copëtimi i trojeve shqiptare erdhi si rezultat i triumfit të projekteve imperiale të fqinjëve ballkanikë, Serbisë, Greqisë, Bullgarisë e Malit të Zi (dhe ndihmave që u ofruan sidomos Rusia e Franca.) Triumfi i tyre u lehtësua edhe nga dobësia dhe çoroditja e Perandorisë Osmane në atë fazë. Por, nuk duhet fshehur fakti që në prapavijë të asaj gjendjeje ishte edhe programi i gabueshëm i lëvizjes shqiptare. Sikundër ka konstatuar Elena Kocaqi- Levanti, “qëllimi i fuqive ballkanike ishte destabilizimi i Turqisë me anën e shqiptarëve dhe më pas marrja e tokave të tyre. Këto forca nuk patën qëllime politike të qarta dhe si çdo gjë që financohej nga fqinjët, ajo nuk ishte e dobishme për integritetin e Shqipërisë, sepse ndihmoi në copëtimin e saj.” Më qartë nuk ka si thuhet.

Pra, mund të besohet se deri sa do të ishte në këmbë Perandoria Osmane, sado e dobësuar dhe e çoroditur politikisht nga krizat e saj të brendshme, trojet shqiptare do të ishin kompakte nën një sundues, të paekspozuara ndaj gjenocidit dhe ndryshimit të dhunshëm demografik të popullsisë. Këtë tezë tashmë e kanë pranuar gjerësisht historianë shqiptarë e të huaj, përveç atyre me formim marksist, me prirje sllavofile e grekofile dhe islamofobike. Pra, lamentet me prirje sllavofile, grekofile e islamofobike se gjendja e shqiptarëve ishte e keqe nën sundimin osman, nuk ndihmon të fshihet fakti se ajo gjendje, sado e keqe që ishte nën sundimin osman, nën pushtimet e “aleatëve “ ballkanikë u shndërrua në katastrofë.

Humbjen e drejtimit të duhur në kthesa historike elitat tona dhe kombi ynë e ka provuar edhe në raste të tjera. Fjala vjen, afrimi i tepruar i Ahmet Zogut me Italinë fashiste, krijoi pretekstin për pushtimin fashist në vitin 1939. Elita shqiptare të asaj kohe ose heshtën, ose e përkrahën pushtimin fashist, gjë që në mënyrë të hidhur shihet edhe nga përbërja e delegacionit që i dërgoi Viktor Emanuelit kurorën e Skënderbeut. Ishte një veprim i barabartë me turp përmasash kombëtare, sikundër që ishte e atillë pjesëmarrja e gjerë në administratën pushtuese fashiste. Si për ta kompletuar komplotimin antikombëtar, lëvizja antifashiste nacionalçlirimtare e identifikuar me Partinë Komuniste, u shndërrua në kukull të Partisë Komuniste të Jugosllavisë, me gjithë pasojat që ky devijim dhe deformim prodhoi për Shqipërinë dhe për mbarë kombin tonë shqiptar. Edhe përkrahja e luftës civile greke nga ana e regjimit komunist të Shqipërisë, poashtu ishte një veprim i pamoralshëm dhe strategjikisht i gabueshëm.

Edhe kalimi i Shqipërisë së Hoxhës në përqafimin maoist, poashtu është një nga episodet bizare të këtyre devijimeve kronike hileqare e antikombëtare. Ndërsa, në Kosovë pati një gabim të rëndë në vitin 1981 kur pas vdekjes së Josip Broz Titos, nuk u mblodh mendja e të pritej me durim se si do të zhvilloheshin konfliktet ndërmjet kombeve kryesore sllave që e përbënin federatën, serbëve, sllovenëve e kroatëve, në rend të parë. U mor flamuri i “revolucionit enverist” dhe në atë mënyrë i gjithë tërbimi i nacional-shovinizmit serbomadh u zbraz mbi Kosovën. Sipas një dëshmie zyrtare, të paraqitur nga zyrtari famëkeq i Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë për Kosovën, Rrahman Morina, ndërmjet viteve 1981-1989 nëpër duart e policisë kanë kaluar rreth 600. 000 shqiptarë të Kosovës. Mijëra të rinjve u qe ndaluar regjistrimi në universitet, qindra mijëra shqiptarë u detyruan të emigronin.

Askush nuk ka pse e minimizon faktin që gjendja e shqiptarëve në Kosovë në atë periudhë ishte e vështirë dhe që lëvizja shqiptare ishte legjitime në disa nga kërkesat e saj, ndër to, edhe në kërkesën për statusin e republikës për Kosovën. Por, gjendja u bë shumë më e keqe pas demonstratave të vitit 1981, ajo u shndërrua në gjëmë për shqiptarët e Kosovës dhe për të gjithë shqiptarët që jetonin në ish-Jugosllavi. Nga ana tjetër, tash është më e qartë që ka pasur një skenar për provokimin ndaj shqiptarëve nga ana e regjimit komunist jugosllav, veçanërisht nga ushtria, për ta shfrytëzuar rebelimin si pretekst për suprimimin e autonomisë së Kosovës dhe anshlusin e saj me Serbinë.

Kjo gjë dokumentohet nga fjalimi i Josip Broz Titos para kreu të Armatës së Jugosllavisë në dhjetor 1979, ku ndër të tjera ai thotë:“ Ne dimë pak për aktivitetet e emigracionit shqiptar, por shikoni shokë, ai emigracion po mbledh “taksë” për shkollimin e shqiptarëve, që do të komandojnë atë që paralajmërohet shpesh, “kryengritjen popullore” në Kosovë.” Pra, dy vjet para se të ndodhnin demonstratat e vitit 1981, mareshali jugosllav e dinte se po përgatitej “kryengritje popullore”, që do të thotë se ata e kishin një skenar për ato ngjarje dhe kishin përgatitur në detaje hakmarrjen që pasoi në vitet 1981-1999. Gabime të rreshtimeve dhe orientimeve të tilla të ne shqiptarëve ka aq shumë, saqë është zor të numërohen. Të pranuarit e këtyre fakteve, e pakta hapja e diskutimeve kritike për to, mund të na ndihmojë të kuptojmë jo vetëm se ku është gabuar nga hartuesit e politikave të shqiptarëve në shekullin XIX e XX dhe në fillimet e shekullit XX, por edhe se ku mund të gabohet sot e në të ardhmen.

Destabiliteti i përhershëm u hap rrugë ndikimeve të huaja

Kjo që u tha deri këtu si inicim i shikimit kritik të historisë së ndarjes së trojeve shqiptare në vitin 1912, na e hap mundësinë që të kuptojmë edhe gjendjen aktuale të njësive të veçanta, dy shteteve Shqipërisë, Kosovës, po edhe Maqedonisë, Malit të Zi, Greqisë e Serbisë, ku jetojnë shqiptarët në trojet e veta. Pa u thelluar në ndonjë analizë, është lehtësisht e kuptueshme që njësitë shtetërore a territoriale, që sot mund të identifikohen si troje shqiptare, janë të ndara efektivisht dhe tentojnë të realizojnë projekte të ndara. Fjala vjen, Ushtria Çlirimtare e Kosovës u detyrua ta ndryshonte programin e saj fillestar, nga programi i bashkimit kombëtar në program për pavarësinë e Kosovës. Kjo qasje u pasua edhe nga UPÇMB-ja dhe nga UÇK-ja në Maqedoni.

Pra, jo vetëm projektet standarde politike, po edhe përpjekjet e armatosura e kanë pasur vulën e copëtimit të hershëm. Nga ana tjetër, anormalitetin e raporteve politike ndërmjet vetë këtyre njësive, veçmas ndërmjet Shqipërisë e Kosovës, asgjë nuk e ilustron më fort se sa vizita e Edi Ramës në Beograd e Nish gjatë tetorit 2016, po edhe veprimet e tij kundërthënëse më vonë. Vizita e tij ishte pa asnjë konsultim zyrtar me Prishtinën, pa asnjë konsultim me Shkupin (ku shqiptarët formalisht janë pjesë e qeverisjes.) Për më tepër vizita u përshkua nga një ndërhyrje vulgare paternaliste (kryeministri i Shqipërisë po jepte verdiktin për Trepçën, në kohën kur Gjykata Kushtetuese e Kosovës po e shqyrtonte atë problem). Vizita kishte edhe elemente të thekshme të serbofilisë (citimi i Ivo Andriqit, vlerësimi për Emir Kusturicën e Goran Bregoviqin) gjë që ishte fyerje për shqiptarët e Kosovës, po edhe për bashkëkombësit që jetojnë në Serbi e në Maqedoni.

Nga ana tjetër, po ky kryeministër i Shqipërisë nuk u mor fare me pozitën e rëndë të shqiptarëve në Maqedoni, nuk ofroi një mesazh të vetëm për ta, në periudhën kur ata ballafaqohen me dilema të mëdha. Në të vërtetë, loja e qeverive të Shqipërisë që në sytë e komunitetit ndërkombëtar të shfaqen si faktor stabiliteti (duke injoruar shqiptarët në Maqedoni) është e vjetër dhe shumë hileqare.

Kjo lojë hileqare realisht ka dobësuar faktorin shqiptar në Maqedoni, duke rritur edhe moskuptimin mes pjesëve të ndara të trojeve shqiptare. Injorimin e fragmentit shqiptar në Maqedoni, më së miri e shpërfaq Manastiri i deshqiparizuar tërësisht dhe rehatia senile e Shqipërisë që nuk e ka luajtur veshin që të mbrojë të paktën kujtimin e këtij qyteti të rëndësishëm të kombformimit shqiptar. Ndërsa, Kosova nga ana e saj, ende është duke e testuar shtetndërtimin dhe nuk e ka kaluar testin e një shteti funksional.

Rrjedhimisht, Kosova ende nuk ka mundësi të shfaqet si faktor ndihme reale për shqiptarët në Maqedoni, në Serbi e në Malin e Zi. Përkundrazi, në ndonjë rast, si në rastin e lapidarit në Preshevë dhe të incidentit në Kumanovë, më shumë u ka bërë dëm se sa dobi bashkëkombësve të vet, sepse duke mos pasur kapacitete të mbajë nën kontroll grupet parapolitike dhe ato kriminale, faktikisht ka lejuar të eksportohen atje aventurizma dhe dështime (Natyrisht pjesëmarrës naivë në këto aventura të dëmshme kanë qenë edhe bashkëkombës shqiptarë të Preshevës e të Maqedonisë, nga grupe që duan të punojnë kokë më vete, ose që janë thjesht grupe parapolitike ose edhe kriminale.)

Rishikimi i raporteve?

Për shkak të këtij realiteti të hidhur, ku Shqipëria e Kosova nuk e luajnë rolin që realisht u takon si shtete, shqiptarët në Maqedoni duhet të fokusohen si subjekt i aftë që të mbrojnë veten dhe interesat e veta brenda shtetit sllavo-maqedonas. E pakta që duhet të bëjnë është të mos lejojnë manipulimin e mëtejshëm të interesave të tyre nga Shqipëria, e cila i dëmton duke luajtur rolin e “faktorit stabilizues” për hesapin e vet. Por duhet të forcojnë organizimin e vet edhe në drejtim të Kosovës, që të mos u vijnë prej andej aksione destabilizuese, në emër të gjoja atdhetarizmit.

Duke e pasur para sysh këtë gjendje të raporteve ndërmjet Shqipërisë e Kosovës dhe qëndrimit të të dyjave ndaj pjesëve të tjera të kombit tonë, jam i bindur se nuk ka kurrfarë gjasash reale për ndonjë mobilizim në një projekt të suksesshëm të bashkimit kombëtar. Nuk e përjashtoj se mund të bëhen tentativa, aventurizma, eksperimentime nga grupime anarkofashiste dhe ekstremiste, por ato mund të jenë jo vetëm të dështuara, por poaq katastrofike, sa ishte katastrofik ndërrimi i programit fillestar të lëvizjes kombëtare. Nëse sot a në të ardhmen e afërt, hyhet në aso aventurash, duke dëmtuar ashtu edhe raportin me sponsorin tonë kryesor, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat nuk e miratojnë në asnjë rast projektin e prishjes së integritet të Maqedonisë e Serbisë (e aq më pak të Greqisë e të Malit të Zi, që janë edhe shtete anëtare të NATO-s) pasojat mund të jenë fatale.

Nuk mund të vendoset analogji ndërmjet Portës së Lartë të fillimshekullit XX dhe SHBA-ve të sotme, por një asociacion mund të bëhet, sepse sot jashtë përkrahjes amerikane dhe ombrellës së NATO-s, do të ishim të ekspozuar ndaj rrezikut si në fillim të shekullit XX, kur armiqësia me Portën e Lartë, na la të zbuluar keqas para fqinjëve ballkanikë dhe aleatëve të tyre. Pra, as historia e copëtimit të trojeve shqiptare, as gjendja aktuale dhe as raportet e sotme ndërmjet vetë shqiptarëve të ndarë, nuk japin asnjë gjasë për ndonjë projekt të suksesshëm të bashkimit të trojeve shqiptare. (Kjo që sapo thashë nuk është dëshirë personale, por konstatim logjik për realitetin.)

Ajo që mund të bëhet sot është se mund të lëvizet drejt fuqizimit të dy shteteve ekzistuese, Shqipërisë e Kosovës dhe nëse bëhen shtete të suksesshme, edhe drejt ndonjë forme të asocimit të tyre, paralelisht me procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Por, pa prekur me asgjë Maqedoninë, Greqinë a Malin e Zi. Format e bashkëpunimit të Shqipërisë e Kosovës me shqiptarët në shtetet e tjera, Maqedoni, Greqi, Serbi e Mali i Zi, i shoh vetëm nën ombrellën e NATO-s dhe në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian (nëse BE nuk shpërbëhet në ndërkohë.) Bile, pas rritjes së rrezikut të ekstremizmit me ambalazh fetar islamik, pas fuqizimit të frikshëm të Rusisë në Ballkan, pas daljes së Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian dhe me Donald Trampin në SHBA, ne shqiptarët duhet të kemi më shumë kujdes, që të mos hyjmë më skemat e armiqve tanë.

Armiqtë tanë, Rusia e Serbia posaçërisht, tashmë po ëndërrojnë të na fusin në skemat e tyre e të na përdorin si mish për top, siç i përdoren veçmas liderët shqiptarë të kryengritjeve shqiptare në vitet 1910/1912. Personalisht kam frikë se mund të na përsëritet ajo histori e hidhur, të vërtetën e së cilës nuk kemi denjuar kurrë që ta mësojmë deri në fund. E pakta, ta mësonim si një krahasim të thjeshtë me qelqin e thyer dhe pamundësinë që të ribëhet ndonjëherë i plotë, ashtu si ishte para se të bëhej copë e grimë. Megjithatë, gabimet mund të minimizohen dhe madje të përmirësohen në disa raste, sikundër që mund të gjenden rrugë për t’i shmangur gabimet në të ardhmen.

Disa nga mundësitë janë edhe këto, që kanë të bëjnë me rishikimin kritik të narracioneve dhe me vlerësimin kritik të realiteteve të reja, veçmas në Kosovë, e cila ende është shtet i papërfunduar, po edhe ne disa nivele të jetës kombëtare.

Disa rivlerësime dhe rreshtimi i vetëm gjeopolitik

Në këtë kontekst, duhet të tregohet drejt që Kosova u bë shtet në kuadër të procesit të shpërbërjes së ish Jugosllavisë, e jo si ndonjë korrigjim i padrejtësive historike ndaj shqiptarëve, që janë bërë kundër nesh të kaluarën. Padrejtësi në të kaluarën janë bërë edhe kundër kombeve të tjera në Evropë, fjala vjen, kundër hungarezëve, por ato padrejtësi kanë mbetur të pakorrigjuara. Prandaj, vlerësimi për suksesin e shqiptarëve të Kosovës në bërjen e shtetit, duhet të trajtohet brenda kontekstit të shpërbërjes së ish Jugosllavisë, proces në të cilin Kosova dhe shqiptarët e saj kanë kontribuar realisht, por jo në mënyrë vendimtare, jo aq sa ajo federatë të shpërbëhej nga fuqia gjëmësjellëse e shqiptarëve.

Shpërbërjen e ish Jugosllavisë e ka provokuar në mënyrë vendimtare nacionalsocializmi serb, me projektin e krijimit të Serbisë së Madhe si modifikim i Jugosllavisë së AVNOJ-it, e cila nga doktrina nacionasocialiste serbe u konsiderua si padrejtësi e bërë ndaj serbëve. Veprimet e lëvizjeve nacionale sllovene, kroate, shqiptare, boshnjake, maqedonase e malazeze për pavarësi, kanë qenë reaktive ndaj projektit nacionalsocialist serb të Serbisë së Madhe. Në rastin e Kosovës dhe të shqiptarëve, reagimi në vitet tetëdhjetë ka qenë ndaj masave represive, ndaj diskriminimit ndërsa në vitet nëntëdhjetë ndaj segregacionit e në fund të tyre edhe ndaj spastrimit etnik dhe gjenocidit serb.

Pra, historia e shtetit të Kosovës, këtij shteti që ekziston sot si i tillë, duhet të fillojë nga narracioni mbi shpërbërjen e ish Jugosllavisë, e jo nga ndonjë pretendim megaloman se Kosova u pavarësua falë ndërgjegjes mbi përkatësinë dardane e ilire e madje as të projektit të nacionalizmit shqiptar të periudhës së Rilindjes Kombëtare. Narracionet romantike për të kaluarën heroike të Kosovës, si tokë dardane, si bastion i shqiptarizmit, është mirë të mbahen e të kultivohen në sferën e kulturës e të arteve, por jo të mendimit shkencor, politik e shtetëror, sepse në atë rast nuk e shprehin të vërtetën.

Në anën tjetër me aso narracionesh të pavërteta dhe agresive, mund të krijohet perceptimi për shqiptarët si një popull plëngprishës e rebel, të cilit nuk mund t’i zihet besë as nga Bashkimi Evropian dhe as NATO-ja, sepse shqiptarët ditkan të jenë jolujalë dhe të pabesë në situatë krizash, siç qenkëshin treguar jolojalë e të pabesë ndaj ish federates, kur ajo ra në krizë. Prandaj, duhet të dominojë narracioni më modest, sipas të cilit përpjekjet e shqiptarëve të Kosovës për dalje nga okupimi serb kanë qenë të imponuara, ndonëse edhe si të tilla, ato ishin të pamjaftueshme për të arritur suksesin, po të mos e fillonte nacionalsocializmi serb procesin e pakthyeshëm të formimit të Serbisë së Madhe, si zëvendësim për ish federatën jugosllave.

Modifikimi i projekteve të shqiptarëve në periudha të ndryshme është dëshmi se atyre u janë imponuar reagimet: nga lëvizja iredentiste (bashkimi me Shqipërinë), në vitet 60-80 u kalua në një lëvizje integriste (kërkesa për një republikë në kuadër të ish Jugosllavisë.) Por, pasi eskaloi kriza në vitet nëntëdhjetë, filloi artikulimi i kërkesës për pavarësi, ndonëse edhe deklarata e 2 korrikut 1990 dhe referendumi i shtatorit 1991 ende e parashihnin Kosovën si republikë në federatën/konfederatën jugosllave. E dyta, raporti i Badenterit, që konstatoi shpërbërjen e ish-federatës jugosllave, ndonëse Kosovën e injoroi, de facto hapi rrugën që edhe Kosova të ndiqte rrugën legale të pavarësimit, meqë ishte “element konstituiv i federatës”, gjë që më vonë e mori para sysh edhe Gjykata e Drejtësisë në vlerësimin e pavarësisë së Kosovës në raport me të drejtën ndërkombëtare.

Pra, shpërbërja e ish-federatës jugosllave krijoi bazën legale në pavarësimine Kosovës, meqenëse Kosova me Kushtetutën e vitit 1974 ishte bërë element konstituiv i atij federalizmi. Por, me Marrëveshjen e Vjenës, e cila prodhoi Planin e Ahtisarit, bashkimi i Kosovës me Shqipërinë përjashtohet si mundësi. Kjo duhet të mbahet para sysh nga të gjithë, veçmas nga elitat. E treta, lufta çlirimtare është dëshmi e avancimit të kërkesave të shqiptarëve të Kosovës për pavarësi, si reagim ndaj segregacionit, spastrimit etnik dhe gjenocidit serb. Ndonëse me elemente pothuajse mitike të sakrificave, ajo luftë çlirimtare, me kapacitetet e saj, nuk ishte e mjaftueshme për të arritur çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës nga Serbia. Krahas brutalitetit të Serbisë ndaj saj, edhe oscilimet ideologjike dhe qëndrimet radikale kundër lëvizjes paqësore, i rrezikuan seriozisht mundësitë, edhe ashtu, të pakta të saj.

Marrëveshja e Hollbrukut e tetorit 1998, e cila mundësoi ardhjen e vëzhguesve, ka qenë e rëndësisë strategjike për mbijetesën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si organizatë e ligjshme, unike dhe kooperuese me faktorët ndërkombëtarë. Ndërhyja ushtarake e NATO-s, 24 mars-10 qershor 1999 kundër caqeve ushtarake në ish-Jugosllavinë e Zhablakut, me Marrëveshjen e Kumanovës (11 qershor 1999) mundësoi çlirimin e Kosovës, me çka iu hap udha edhe pavarësisë e saj në 17 shkurt të vitit 2008.

Pra, pavarësia e Kosovës ka ardhur edhe si rezultat i ndërhyrjessë NATO-s dhe një marrëveshjeje të gjerë ndërkombëtare, të mishëruar në planin e emisarit të OKB-së, Marti Ahtisarit, e jo si ndonjë aksion i njëanshëm. Së katërti, armiqësia me Serbinë nuk është mbyllur dhe nuk ka gjasa që të mbyllet as në të ardhmen, në kuadrin ku po kërkohet mbyllja e armiqësive, në procesin e tashëm të Brukselit. E vetmja mundësi për të arritur një mbyllje të tyre është nëse Bashkimi Evropian ofron një pako për pranimin e të dyja vendeve në BE, paralelisht me arritjen e marrëveshjes. Por, pakoja e tillë duhet të përjashtojë çfarëdo mundësie të rishikimit/korrigjimit të kufijve. Ajo mund të akomodojë serbët në veriun e Kosovës, me një zgjidhje me elemente të “rregullimit të rajoneve” e asgjë më shumë. Në këtë aspekt, Kosova nuk ka pse ngutet për ndonjë marrëveshje të pafavorshme me Serbinë.

Kosova ka pozitë më të mirë se sa Serbia në statu quo, ngase Serbia është shumë më përpara në procesin e integrimit evropian dhe asaj i ngutet të kompletojë procesin, ndërsa Kosova është shumë më larg. Poashtu Kosova tashmë ka në prapavijën e vet tre shtete të reja anëtare të NATO-s, të banuara me shqiptarë, të cilat do të destabilizoheshin nga konflikti eventual Kosovë-Serbi. Prandaj NATO-ja nuk do të lejojë agresionin e Serbisë në drejtim të Kosovës, sepse në atë rast, kriza do të përfshinte edhe tre shtete anëtare të saj, Maqedoninë, Shqipërinë dhe Malin e Zi. Kjo rrethanë i jep Kosovës hapësirë më të gjerë manovruese edhe për marrëveshjen finale, sepse Kosova është në anën e NATO-s, ndërsa Serbia nën influencën direkte të Rusisë.

E pesta, Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia urgjentisht duhet ta fillojnë një proces të gjerë e shumëplanësh evropianizimi, që do të përthekonte legjislacionin, qeverisjen, drejtësinë, mediet dhe shoqërinë mbarë. Përfarimi i ligjeve dhe rekomandimeve me ato të Bashkimit Evropian, reforma zgjedhore, çrrënjosja e korrupsionit, shteti i së drejtës, afirmimi i pakicave, mediet e lira dhe shoqëria e lirë, janë përgjegjësi e shoqërisë dhe e institucioneve të këtyre shteteve dhe e participimit të kombit shqiptar për të ardhmen e vet të sigurt euro-atlantike.

Shqiptarët gjithandej duhet të ndërgjegjësohen për këtë fakt dhe të mos i votojnë politikanët e dhunshëm, të korruptuar, të padijshëm dhe esencialisht antievropianë. Në instancë të fundit, qytetarët e kanë në dorë evropianizimin e vendit.

E gjashta, realiteti brendashqiptar është mjaft kompleks: një komb, dy shtete dhe pjesëtarë të kombit edhe në disa shtete të tjera në rajon. Këto dy shtete dhe fragmentet në shtetet e tjera, duhet të harmonizohen e të mos lihen të veprojnë spontanisht, sepse në atë rast mund të vijnë në situata që t’i shkaktojnë dëme njëra-tjetrës, ose edhe të konfliktualitet të ndërsjellë. Nuk duhet të hapen tema lidhur me “pronësinë” mbi kujtimet e përbashkëta, mbi gjuhën ose mbi meritat në historinë kombëtare. Kuadri i veprimit dhe diskutimeve të tashme e të ardhshme për të ardhmen e shqiptarëve si komb duhet të vendoset brenda ombrellës atlantike dhe asaj të Bashkimit Evropian, e jo të nacional-romantizmit të shkuar, e aq më pak të ideologjive të falimentuara majtiste.

E shtata, kombi shqiptar është nga të paktat kombe evropiane, që e kanë arritur sintezën e bashkëjetesës harmonike ndërmjet besimeve të ndryshme fetare brenda të njëjtit komb. Kjo harmoni duhet të kultivohet edhe më shumë në të ardhmen dhe mundësisht të shndërrohet në model edhe për kombet e tjera evropiane, me çka imazhi i shqiptarëve, i dëmtuar rëndë nga çmoralizimi komunist, do të mund të përmirësohej. Respektimi i të drejtave dhe lirive fetare duhet të jetë i plotë, në frymën e Amendamentit të Parë të Kushtetutës Amerikane, që nuk lejon as Kongresin të miratojë ligje që e kufizojnë atë liri.

E teta, kultivimi pasionant i gjuhës shqipe në administratë, në medie, në arsimin publik e kudo në komunikim duhet të jetë orientim strategjik kombëtar. Ky orientim mund të jetë më rezultativ, nëse financohet më shumë kultivimi i letërsisë shqipe dhe nëse financohet përkthimi masiv i literaturës universitare e artistike nga gjuhët e huaja në gjuhën shqipe. Rritja e cilësisë së arsimit, me theks te arsimi universitar, është vendimtar për zhvillimin ekonomik e kulturor dhe për ndryshimin e natyrshëm të elitave.

E nënta, dekonstruktimi i narracioneve nacionalromantike që e promovojnë izolimin, rebelizmin, cubninë e shqiptarëve, duhet të jetë pjesë e debateve të gjera akademike, intelektuale dhe artistike. Realisht, historia kryesore e neve shqiptarëve është zhvilluar brenda perandorive të mëdha, romake, bizantine, bullgare, osmane, ku edhe janë shënuar kontribute të konsiderueshme për ato histori e qytetërime, nga shumë shqiptarë. Ato kontribute duhet të rivlerësohen dhe të kontekstualizohen, duke u shndërruar në elemente forcuese të identitetit shqiptar dhe në motivues bashkëpunimi e tolerance, në realitetet postmoderniste të tashme dhe të ardhshme, në rajonin dhe në kontinentin tonë. Tash e ardhmja e shqiptarëve si komb duhet të akomodohet brenda “perandorisë së re’, Bashkimit Evropan dhe brenda NATO-s, si e vetmja ombrellë që na mbron nga projektet pansllaviste. Pra, nëse ndiqen këto rrugë të një rivlerësimi kritik të së kaluarës dhe të shmangies së aventurizmave në të tashmen, mund të sigurohet një orientim më i sigurt për të ardhmen.

Në të kundërtën, nëse ndodhin gabime të tjera në kthesa gjeopolitike të radhës, siç kanë ndodhur në shumë raste në të kaluarën, atëherë rreziku për ekzistencën e kombit tonë mund të jetë shumë i madh.

Burimi: Medius Communication Institute

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit