-2.4 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Eliminimi i elitës myslimane shqiptare si formë e gjenocidit serb (1878-1912)

Më të lexuarat


Në elaboratin e Vasa Çubrilloviqit të vitit 1937, për spastrimin e shqiptarëve nga trojet e tyre etnike, thuhej se shqiptarët duhet të prekën edhe në aspektin fetar, sepse sipas përpiluesit të këtij elaborati “shqiptarët janë shumë të ndjeshëm (në çështjen fetare N.A).

HYRJE

Një nga format e njohura të gjenocidit serb ndaj shqiptarëve është edhe eliminimi i figurave kundërshtare të njohura dhe me ndikim në vendin ku ato vepronin. Format e tilla të veprimit të gjenocidit serb ndaj popullit shqiptar, e rrjedhimisht edhe ndaj krerëve fetarë, vihen në përdorim nga gjysma e dytë e shek. XIX e ndoshta edhe më herët. Nga vitet e ‘70-ta të shek. XIX, posaçërisht gjatë viteve 1876-77 ajo që njihet si lufta serbo-turke, dhe më pas, ka një intensifikim për spastrime etnike të trojeve shqiptare, sidomos me largimin e shqiptarëve me dhunë nga Sanxhaku i Nishit.

Pjesë e rëndësishme e shoqërisë shqiptare gjatë historisë janë edhe krerët tanë fetarë. Kështu, shumë herë elita fetare shqiptare u vu në ballë të ngjarjeve me karakter shoqëror e politik në vendin tonë, ndërsa kjo rrjedhimisht bëri që ata të jenë ndër të parët që do t’i ekspozoheshin gjenocidit.

Nga vitit 1878, kur Serbia fitoi pavarësinë, një pjesë e territoreve shqiptare u gllabëruan padrejtësisht nga pushteti i atëhershëm serb, ndërsa popullata e tyre u largua me dhunë nga ato troje. Largimet me dhunë të popullatës shqiptare nga trojet e tyre, shumë herë ishin të shoqëruara edhe me masakrime, duke mos kursyer as moshë e as gjini. Luftërat ballkanike dhe periudha ndërmjet dy luftërave botërore te ne njihen për planet e pushtetit të atëhershëm serb për eliminim e elitës fetare të shqiptarëve, sepse ky veprim ndaj tyre, ia lehtësonte veprimin pushtuesit në ato vende. Por, planet për eliminim e kësaj elite nga pushteti serb nuk pushuan as pas Luftës së Dytë Botërore e deri në luftën e fundit në Kosovë, ku në listën e të vrarëve dhe të dëshmorëve figurojnë edhe emra të krerëve tanë fetarë. Myderriz Ymer ef. Prizreni, Haxhi Mulla Zeka, Mulla Ademi i Keçekollës, Mulla Agan Koja, Mulla Idriz Gjilani, Shejh Muhidin Shehu etj., janë vetëm disa emra të njohur nga kjo elitë që u eliminuan nga forcat serbe.

Organizimi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe organizimeve të tjera me karakter politiko shoqëror nga shqiptarët që do të pasojnë më vonë, sigurisht se do të jenë pengesë për planet ekspansioniste të Serbisë, e kjo nënkupton se Serbia do të vihet në lëvizje për t’i penguar këto organizime dhe veprimtaritë e tyre. Kur format e përçarjes në këto organizime, por edhe format e tjera për t’i penguar këto nisma nuk kishin rezultate, nuk përjashtohej edhe mënyra e eliminimit të krerëve të njohur të lëvizjeve kombëtare shqiptare. Disa nga krerët tanë fetarë, duke qenë pjesë e elitës sonë kombëtare, u vunë në shënjestër të pushtetit serbë, të cilët më pas edhe u eliminuan në forma të ndryshme.

Feja dhe krerët fetarë në programet serbe për eliminimin e shqiptarëve

Se aspektet fetare të shqiptarëve dhe krerët e tyre ishim pengës për pushtetin serbë, flet edhe fakti se edhe në programet shfarosëse serbe, të përpiluara nga intelektual dhe institucionet serbe, vihen në fokus mënyrat e presioni ndaj prijësve fetarë me qëllim të shpërnguljes së shqiptarëve nga trojet e tyre.

Në elaboratin e Vasa Çubrilloviqit të vitit 1937, për spastrimin e shqiptarëve nga trojet e tyre etnike, thuhej se shqiptarët duhet të prekën edhe në aspektin fetar, sepse sipas përpiluesit të këtij elaborati “shqiptarët janë shumë të ndjeshëm (në çështjen fetare N.A), prandaj edhe këtu duhet të prekën. Kjo mund të arrihet me keqtrajtimin e klerikëve, me prishjen e varrezave…”.(1) Gjatë kësaj periudhe janë të njohura raste kur është bërë presion mbi krerët tanë fetarë në forma të ndryshme. Sa për ilustrim, e përmendim edhe rastin e imamit të një fshati afër Prishtinës i njohur si Hoxhë Breznica, të cilit në periudhën në mes dy luftërave botërore, pa e marr pëlqimin e tij, në tokën e tij vendosin kolonë serbo-malazezë, ku me pas fillon përleshja mes hoxhës në fjalë dhe kolonëve të cilët ishin vendosur ne truallin e tij, dhe si rezultat mbesin të vrarë disa kolonë serbo-malazezë dhe familjarë të hoxhës. Folklori ynë popullor këtë ngjarje e ka ruajtur me kujdes.(2) Prishja e varrezave si formë e presionit për largimin e popullatës nga trojet e tyre, ishte e njohur te shqiptarët edhe para përpilimit të elaboratit të Vasa Çubrilloviçit të vitit 1937. Kështu, më 1935, Ferhat Draga në një shkresë zyrtare dërguar organeve qeveritare të atëhershme ve në dukje edhe këtë fenomen ku shkruan se “ne Novi- Pazar u mat dhe duhet te ndahet toka e Vakufit haxhet, ku ndodhen e regullume bukur varrezat muhamedane. Populli pyet” po a thue as te vdekurit nuk lehen te qete?” kesaj çudie prej reformes agrare i shtojm ç’fare reforme asht kejo kurse dhe varrezat i damton?”.(3)

Në vitin 1941, Stevan Moleviq, përpiloi programin e tij “Serbia homogjene”, në të cilin program kur është fjala për aspektin fetar e potencon se duhet t’u jepet liria fetare popujve në Jugosllavinë e atëhershme. Menjëherë në disa rreshta më poshtë, në po të njëjtin program thuhet se “nuk mund të formohet parti politike në baza fetare”.(4) Se pse nuk mund të formohej parti fetare sipas Stevan Moleviqit, kjo mund të kuptohem më së mirë nga elaborati i dytë i Vasa Çubrilloviqit i hartuar më 1944 me titull: “Problemi i pakicave kombëtare në Jugosllavinë e Re”. Në këtë elaborat, në lidhje me shqiptarët, autori tërheq vërejtjen “Shqiptarët në Serbinë e Vjetër dhe në Maqedoni, nëpërmjet Autonomisë së Bashkësisë Fetare Islame, kanë arritur ta marrin në duart e veta organizatën, e cila do t’u shërbente në mënyrë të gjithanshme qëllimeve të tyre kulturore dhe nacionale politike”.(5) Kur e lexon citatin e lartcekur, e sheh se veprimtaria e partisë “Shoqata Islamike për Mbrojtën e Drejtësisë”, e njohur si “Xhemijeti”, e themeluar në Shkup më 1919, dhe e cila vazhdoi me veprimtarin e saj deri më 1925, e udhëhequr nga Nexhip Draga(6) ishte pengesë për intelektualët serbë. Kjo organizatë politike e mbështjellë edhe me petkun fetar, sepse legjislacioni i kohës nuk lejonte të formoheshin parti në baza etnike, e shtriu ndikimin edhe të Bashkësia Fetare Islame e asaj kohe në Shkup, dhe kjo bashkësi së bashku me Xhemijetin dhe organin i saj “Hak”, kishin bashkërenduar punët në mbrojtën e interesave të shqiptarëve dhe ky fenomen nuk u ka ikur përpiluesve të programeve serbe.

Përpiluesit e elaboratit, i frikësoheshin (ri) ngritjes eventuale të një organizate siç ishte “Xhemijeti”, prandaj ata e vënin në dukje se një veprim të tillë duhet sanksionuar sa më parë. Siç edhe dihet nga të dhënat historike, gjatë periudhës së veprimit të “Xhemijetit” janë të njohura dhjetëra reagime të udhëheqëseve të kësaj partie, dhe deputeteve të kësaj partie që ishin në Parlamentin e Jugosllavisë së asaj periudhe, kundra shkeljes së të drejtave të shqiptarëve që po i bënte pushteti serbë aso kohe.(7) Pra, për realizimin e qëllime të tyre pushteti serb e pa të domos-doshëm bashkëpunimin me klerikët, e kur ata rezistonin, kuptohet se përdoreshin edhe format e ndryshme të kërcënimit deri në eliminim.

Eliminimi i krerëve fetarë myslimanë të shqiptarëve

Edhe nga programet serbe mund të vërehet se fokusi i pushtetit serbe ishte tek ata prijës fetarë që kishin ndikim në masën ku ata vepronin, apo edhe tek ata krerë fetarë, që kishin pozita në lëvizjet e ndryshme me karakter shoqëror e politik te shqiptarët. Sigurisht, se ata krerë fetarë që ishin zgjedhur në poste kyçe në lëvizjet kombëtare të shqiptarëve, ishin njerëz me formim dhe taban të fortë shpirtëror e kombëtar, dhe rrjedhimisht ja pamundësonin pushteti serbë manipulimin me ato figura fetare në shkallën që ata dëshironin. Kur metodat e përftimit, shantazhit, nuk kishin suksese, pushteti përdori edhe formën e eliminimit. Disa nga personalitetet që vinin nga radhët e krerëve tanë fetarë, dhe të cilët përfunduan jetën e tyre me eliminime në forma të ndryshme, janë edhe emrat të cilët do t’i potencojmë si më poshtë, edhe pse nga të dhënat e gjertanishme na rezulton se numri i tyre është edhe më madh se i këtyre emrave që ju kemi bërë vështrime.

Myderriz Ymer ef. Prizreni, personalitet i shquar i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit e cila u formua më 1878. Nga të dhënat e gjertanishme thuhet se lindi më 1820 në Prizren. U shkollua në vendlindje dhe në Stamboll në fushën e dijes fetare islame. Ishte aktiv në jetën publike në Prizren, si ligjërues në medrese e myfti. Si deputet në Parlamentin Osman në vitet 1877-1878, u shqua si njëri nga deputet në mbrojte të të drejtave të shqiptarëve. Ishte njëri ndër organizatorët e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, dhe më vonë do t’i besohet edhe posti, në janar të vitit 1881, i udhëheqësit të qeverisë së përkohshme të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Në prillin e vitit 1881, kur forcat osmane shuan Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, Ymer Prizreni largohet për në Ulqin. Ndërroi jetë në Ulqin më 1887,(8) ku edhe sot gjendet varri i tij. Sipas të dhënave, Ymer Prizreni, ishte goditur me mjet të fortë dhe për pasojë ndërron jetë, edhe pse për porositësit e këtij akti në mesin e historianëve ka disa mendime, se ishte Porta e Lartë,(9) makineria antishqiptare sllave,(10) pushteti i Malit të Zi me Serbinë(11) etj.

Haxhi Mulla Zeka, njëri nga personalitet e shquara të Lëvizjes Kombëtare, i lindur në rrethinën e Tropojës në fshatin Shoshan më 1832. Kreu mësimin në medresenë e Madhe të Gjakovës.(12) U dallua si njëri nga organizatorët e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Mori pjesë në luftimet kundër Mehmet Ali Pashës që u zhvilluan në Gjakovë. Nga viti 1893 organizoi kryengritje kundra forcave osmane. Në histori, si emër shquhet për organizimin e Lidhjes Shqiptare të Pejës më 1899, ku edhe u zgjodh kryetari i saj. U vra më 1902. Të dhënat historike në lidhje me vrasjen e tij, tregojnë se në këtë ngjarje ishte i implikuar edhe konsulli serb në Prishtinë, Sima Avramoviq dhe ky eliminim u realizua përmes Adem Zajmit në Pejë më 1902.(13)

Mulla Adem ef. Emërllahu, lindi më 1850 në afërsi të Prishtinës, në fshatin Prapashticë. Shkollimin e kreu në Prishtinë, Shkup e Stamboll. Gjatë jetës së tij ka shërbyer si imam në fshatin e tij të lindjes dhe në Keqekollë afër Prishtinës. Gjatë viteve 1908 bashkëpunoi me veprimtarë të lëvizjes kombëtare që vepronin zonat e Llapit dhe Gollakut dhe kjo do t’i kushtoj me burgosje dhe dënim me vdekje. Pas një kohe relativisht të shkurtër do të lirohet me dekret të sulltanit. Më 1911 ishte njëri nga ata mori pjesë në pritjen e Sulltan Mehmet Reshatit në Vilajetin e Kosovës. Pas largimit të Perandorisë Osmane nga këto troje, Mulla Ademi vazhdoi bashkëpunimin me forcat kaçake shqiptare të kësaj ane, dhe më 10 janar të vitit 1921 forcat serbe e masakruan Mulla Ademin(14) së bashku me nëntë anëtarë të familjes, në mesin e të cilëve edhe një foshnje në djep.(15) Varri i Mulla Ademit, sot gjendet ne lagjen Hoxhaj të Keqekollës, pranë shtëpisë së tij ku ka jetuar dhe ku është masakruar.(16)

Mulla Agan Koja, njëri nga veprimtarët e njohur, i cili ju përkushtua çështjes së çlirimit dhe bashkimit të tokave shqiptare, ishte dhe Abdylgani Koja – alias Mulla Agan Koja, i lindur në Kajë të Plavës të Malit të Zi më 1892, ku edhe merr mbiemrin Kaja sipas vendlindjes, kurse, nga të dhënat e gjertanishme, na rezulton se emri “Agan” është akronim i fjalës Abdylgani, siç edhe figuron të jetë i nënshkruar në librat e tij. Në historinë e re shqiptare është i njohur si Mulla Agan Koja(17) apo Kaja(18) dhe si Mulla Agan Plava, mbiemër ky sipas rajonit nga vinte. Nga të dhënat për shkollimin e tij, thuhet se mësimet i mori në mejtepin e Plavës, në medresenë e Gjakovës, dhe në Shkup.(19) Shërbeu si imam në Plavë.(20) Ishte, njëri nga udhëheqësit e Komitetit Mbrojtja Kombëtare të Kosovës për rajonet e Plavës dhe Gucisë.(21) Më 1930 vritet në Tropojë nga agjenturat serbe.(22)

Sipas, gazetës “Rilindja e Arbërit”, nr. 69, e datës 18 shtator të vitit 1930, ku u botuar një artikull rreth vrasjes së këtij veprimtari, shkruan se: “Mulla Agani me të shoqën dhe rrogtarin duke e falë “jacinë”, kriminelët duke përfituar nga kjo gjendje, të 4 vetat, i drejtojnë pushkët dhe zbrazin dy batare”.(23)

Mulla Idriz Gjilani, lindi më 1901 në Velekincë të Gjilanit. Shkollimin e kreu në Cernicë dhe Gjilan. Kreu detyrën e imamit në fshatra të Gjilanit e Kamenicës. Shquhet edhe në veprimtarinë shkrimore. Në historinë e re shqiptare, është i njohur si udhëheqës i forcave vullnetare shqiptare, kundër forcave partizane në Kosovën Lindore.(24) Nga vitit 1944 kur forcat partizane- çetnike e pushtuan Gjilanin më 1944, vepron në ilegalitet, deri sa arrestohet më 1949. Sipas studiuesit Muhamet Pirraku, i pari autor shqiptar që shkroi monografi për këtë personalitet, fundin e jetës së Mulla Idrizit, e përshkruan në këtë formë, se atij, forcat partizane-çetnike “ia morën shpirtin me zjarr e tortura mizore të tjera, në orët e para të datës 26 nëntor 1949, ose aty pas mesnatës së 25-26 nëntorit, e premte në të shtunë.(25) Duhet potencuar, se kujtesa jonë popullore dhe folklori ynë, i ka kushtuar kujdes këtij personaliteti, duke i përcjellë të dhënat brez pas brezi. Të bëmat dhe ligjërimi i Mulla Idrizit, kanë mbetur si referencë në traditën tonë popullore edhe në ditët e sotme.

Mustafë Veseli, lindi më 1966 në Reçan të Suharekës. Shkollimin fillor e kreu në vendlindje, ndërsa të mesmen medresenë “Alaudin” në Prishtinë. Ka shërbyer si imam në muajt e caktuar. Vritet në demonstratat e muajit mars të 1989 në Prishtinë.(26)

Ramush ef. Shatri, lindi në fshatin Tomoc të Istogut. Mësimet i mori në fshatin e lindjes, në Pejë dhe Gjakovë. Shërbyer si imam në disa fshatra të Istogut dhe në vendlindjen e tij. Për shkak të bindjeve dhe veprimeve antikomuniste ishte suspenduar nga puna. Ishte aktiv në veprimtaritë e karakterit shoqëror e politikë të asaj anë. Është vrarë nga forcat serbe më 1999.(27)

Përfundim

Lista e emrave të prijësve tanë fetarë të eliminuar nga pushteti serb nga viti 1878, e deri në luftën e fundit në Kosovës është edhe më e gjatë, por ne u kemi bërë trajtim vetëm disave prej tyre.

Për një numër të konsiderueshme të krerëve tanë fetarë dhe për mënyrën e ekzekutimit të tyre, kemi raste kur mungojnë të dhënat e mjaftueshme biografike, por të bëmat e tyre janë regjistruar nga kujtesa e popullit dhe disa prej këtyre figurave janë përjetësuar edhe në këngët tona popullore, sigurisht se në mungesë të dhënave më të bollshme nuk i kemi përfshirë në trajtimin tonë.28

Nga vitit 1878 e deri në luftën e fundit të Ushtrisë Çlirimtare në Kosovë, mund të thuhet se ka pasur një vazhdimësi të eliminimit të krerëve tanë fetarë. Këtu nuk i kemi përmendur rastet e shumë figurave fetare të cilët janë arrestuar nga forcat serb, sidomos gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe ende sot e kësaj dite nuk ju dihet varri. Në luftën e fundit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë të evidentuar edhe disa imamë e nxënës të medresesë, të cilët janë ekzekutuar nga forcat paramilitare serbe, por ne nuk i kemi përfshirë në tërësinë e tyre.

Potencimi i aspekteve fetare dhe krerëve fetarë edhe në planet shoviniste serbe si pengesë për realizimin e planeve të tyre, është edhe një tregues për veprimtarinë e drejtë të kësaj shtrese në trojet tona. Sikurse në çdo komunitet etnik, politik etj., edhe në atë fetar nuk përjashtohet mundësia që në raste të caktuara, dikush nga krerët fetarë edhe të mos jenë pajtuar me bindjet e disa veprimtarëve të tanë të kohës, për formën e realizimit të aspiratave kombëtare, por nuk ka të drejtë askush që ta akuzoj një komunitet të terë.

___________________________________________

1 “Shprengulja e Arnautëve”, E vërteta mbi Kosovën dhe shqiptarët në Jugosllavi, Akademia e Shkencave e RPS të Shqiperisë – Instituti i Historisë, Tiranë, 1990, f. 323.

2 “Hoxhë Breznica la amanet: -Për me vra ata qi t’vret! Të mrohet erzi e njerëzija, gjithë shyptart e Shypnija”; Këngë popullore historike III, IA, Prishtinë, 2007, f. 256-278.

3 Nuridin Ahmeti, “Dëmtimi sistematik i pronave private dhe vakëfeve në Shkup sipas një shkrese zyrtare të Ferhat Dragës të vitit 1935”, Scupi, nr. 12, ITSHKSH, Shkup, 2015, f. 244.

4 Hivzi Islami, Spastrimet etnike politika gjenocidale serbe ndaj shqiptarëve, Dukagjini, Pejë, 2003, f. 278.

5 Po aty, f. 282.

6 Skender Asani, Veprimtaria e organizatës politike Xhemijeti në trevat lindore (1919-1925), Logos-A, Shkup, Prishtinë, Tiranë, 2017.

7 Skender Asani, Dokumente për veprimtarinë politike të Xhemijetit, Logos-A, Shkup, Prishtinë, Tiranë, 2017.

8 Ali Bardhi, Varrezat në Ulqin, Art Club, Ulqin, 2019, f. 68.

9 Marenglen Verli, “Disa sondazhe në dokumentacionin konsullor austrohungarez për Ymer Prizrenin”, Ymer Prizreni –personalitet i shquar i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare (Sesion shkencor 25-6 maj 2022), Art Club, Ulqin, 2002, f. 67.

10 Muhamet Pirraku, “Arratisja nga Kosova, jeta dhe përfundimi tragjik i Ymer Prizrenit në Ulqin”, Ymer Prizreni –personalitet i shquar i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare (Sesion shkencor 25-6 maj 2022), Art Club, Ulqin, 2002, f. 144.

11 Muhamet Pirraku, Myderriz Ymer Prizreni ora, zemra dhe shpirti i Lidhjes Shqiptare 1877-1887, Sharr, 2003, f. 440.

12 Shevqet Canhasi, Haxhi Zekë Byberi 1832-1902, Prishtinë, 2004, f. 70.

13 Zekeria Cana, “Planet e Serbisë për ndezjen e luftës vëllavrasëse ndërmjet shqiptarëve dhe për zhdukjen e udhëheqësve të tyre”, Gjenocidi dhe aktet gjenocidale të pushtetit serb ndaj shqiptarëve nga kriza lindore e këndej, (Simpozium i mbajtur në Prishtinë më 20-21 janar 1994), AShAK, Prishtinë, 1995, f. 62.

14 Qerim Lita, “Burimet shqiptare mbi masakrën e vitit 1921 në Keçekollë dhe Prapashticë”, Shenja, nr. 133, Shkup, 2022, f. 95.

15 Ramadan N. Ibrahimi, Masakra në Prapashticë dhe Keqekollë, (janar 1921), botimi i dytë, Prishtinë, 2010, f. 95.

16 Ali Sh. Berisha- Arben Berisha, Gallapi i Prishtinës III (1912-1941), Prishtinë, 2009, f. 186.

17 Muhamet Shatri, “Të dhëna biografike mbi disa veprimtarë të Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, Komiteti Mbrojtja Kombëtare e Kosovës ( Përmbledhje kumtesash), Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Instituti i Historisë – Tiranë, Instituti i Historisë – Prishtinë, f. 2004, f. 165.

18 Fjalor Enciklopedik Shqiptar 2, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Tiranë, 2008, f. 1090.

19 Arkivi i Institutit të Historisë – Tiranë ( më tej: AIHT), Fondi ( më tej: F ), A – VII – 356, fl. 5.

20 Elmaz B. Plavës, Elmaz B. Plavës, Plava dhe Gucia në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare (Kujtime dhe dokumente historike), ShB, Marin Barleti, Tiranë, 2002, f. 238.

21 Marenglen Verli, “Roli i Komitetit “MKK”, në organizimin e qëndresës kundër ripushtimit serb në Plavë dhe Guci ( tetor 1918 – shkurt 1919)”, Komiteti Mbrojtja Kombëtare e Kosovës, (Përmbledhje kumtesash), Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Instituti i Historisë – Tiranë, Instituti i Historisë – Prishtinë, 2004, f. 77 – 88.

22 Nuridin Ahmeti, “Të dhëna mbi veprimtarinë atdhetare të Mulla Abdylgani Kojës”, Myderriz Hfz. Bajram ef. Agani jeta dhe vepra (1899-1962), Përmbledhje kumtesash nga sesioni shkencor (Prishtinë, 7 dhjetor 2013), KBIK, Prishtinë, 2015, f. 19-25.

23 Elmaz B. Plavës, Vep. e cit., f. 246.

24 Historia e shqiptarëve gjatë shekullit XX, Vëll. IV, Akademia e Studimeve Albanologjike – Institutit i Historisë, Tiranë, 2021, f. 502.

25 Muhamet Pirraku, Mulla Idris Gjilani dhe mbrojta kombëtare e Kosovës Lindore 1941-1951, Këshilli i Bashkësisë Islame, Gjilan, 2017, f. 49.

26 Sylejman Osmani, “Dhembja e një nate”, Dituria islame, nr. 22, BIK, Prishtinë, 1991, f. 57.

27 Nexhmedin Hoxha, “H. Mulla Ramush Vesel Shatri 1909-1999”, Dituria islame, nr. 113-114, BIK, Prishtinë, 1999, f. 85-86.

28

, hulumtuar, më 20 mars 2022).

Dr. Nuridin Ahmeti

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit