Një 30-vjeçar, babai i dy fëmijëve të mitur, biznesmen i njohur në Shkodër dhe Velipojë është vrarë me breshëri kallashnikovi teksa po kalëronte me dy miqtë e tij.
Policia e këtij qyteti ka përqendruar hetimet e saj në disa anëtarë të grupeve kriminale që veprojnë në Shkodër, pasi dyshohet se vrasja lidhet me gjobat financiare që mund t’i jenë vendosur këtij biznesmeni.
Policia ka dalë në këtë konkluzion pasi, viktima nuk njihej si person me precedentë penalë apo që të jetë përplasur me grupet kriminale, por ka shumë gjasa se vrasja e tij mund të ketë ndodhur vetëm për shkak të gjobave financiare, pasi 30-vjeçari dhe babai i tij gëzojnë biznese të shumta në Shkodër.
Për më tepër familja Ferracaku njihet në Shkodër me reputacion të mirë, dhe jo konfliktual.
Në Shkodër ishte planifikuar të bëhej një aktivitet sportiv lidhur me garat me kuaj, dhe për këtë qëllim 30-vjeçari Arjan Ferracaku, kishte dalë të kalëronte së bashku me dy shokë të tij.
Por teksa vraponin mbi kuaj, një breshëri kallashnikovi i ka marrë jetën babait të dy fëmijëve.
Ferracaku njihet si biznesmen dhe pronar i hotel “Fantazia” në Velipojë dhe restorantit “Zus” që ndodhet sa kalon urën e Bunës në Shkodër.
“Vrasja është regjistruar në orën 13:50, në breg të liqenit të Shkodrës, në livadh, tek hidrovori i fshatit Dobraç, Shkodër, është vrarë me armë zjarri shtetasi Arjan Ferracaku 30 vjeç banues në lagjen “Guerile” Shkodër”, thuhet në njoftimin e policisë së Shkodrës.
Zona ku ka ndodhur krimi, njihet nga policia si vendi ku shpeshherë atentatorët kanë djegur makinat, menjëherë pasi kanë qëlluar objektivat e tyre.
Sipas burimeve të policisë, Ferracaku rezulton të jetë djali i një prej biznesmenëve më të njohur në zonën e Shkodrës, pasi administron biznese plastike dhe duralumini. Ndërkohë mësohet se plumba veç Arjan Ferracakut ka marrë dhe kali i tij i hipizmit.
Dy dëshmitarët mbrojtje nga policia
Dy personat që e shoqëronin Ferracakun mbi kalë fatmirësisht i kanë shpëtuar më së miri plumbave të kallashnikovit.
Dy personat, mësohet se që nga dita e djeshme janë marrë në ruajte nga policia e Shkodrës.
Ata janë larguar me vrap, duke tentuar të fshihen nga frika se mos ndiqen nga autorët, dhe të ekzekutoheshin si shoku i tyre.
Dy personat emrat e të cilëve nuk bëhen të ditur janë shoqëruar me urgjencë në policinë e Shkodrës, ku janë marrë gjatë në pyetje në prani të drejtorit të policisë së Shkodrës dhe vetë Ardi Veliut, Drejtorit të Përgjithshëm të policisë së Shtetit që mbërriti me urgjencë në Shkodër.
Sipas tyre kanë qenë dy persona të cilët kishin zënë pritë dhe kanë qëlluar më automatik. Atentatorët kanë qenë të pamaskuar, dhe nuk dihet nëse dy dëshmitarët okularë kanë arritur t’i njohin ose jo.
Policia dhe prokuroria gjatë mbrëmjes së djeshme nuk kanë dhënë asnjë informacion mbi dëshminë e dy personave që i mbijetuan atentatit.
Policia blindon rrugët e Shkodrës
Policia dhe prokuroria e Shkodrës menjëherë pas vrasjes, kanë urdhëruar të ngrihen dhjetëra postoblloqe policie në rrugët e qytetit me shpresën e kapjes së autorëve të krimit.
Rreth 30 persona janë shoqëruar në Drejtorinë e Policisë Shkodër, të cilët janë marrë në pyetje hollësisht mbi vendndodhjen e tyre, njohjen me viktimën dhe çfarë dinin për këtë ngjarje.
Nga dëshmia e tyre nuk është përfituar asnjë e dhënë për identifikimin e autorëve, por policia pjesës më të madhe të personave të shoqëruar u ka marrë gjurmët e gishtave, kampione pështyme dhe telefonat.
Prej 24 orësh policia dhe prokuroria janë përqendruar në dy pista hetimore, atë të përplasjeve mes grupeve kriminale dhe një gjobëvënie të mundshme që mund t’i jetë vendosur 30-vjeçarit, i cili ka kundërshtuar dhe nuk ka paguar. /shqiptarja.com/
https://www.youtube.com/watch?v=J2i7Cc1i__o