1.5 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Ekstremi i djathtë dështoi, por Franca mbetet e polarizuar pas zgjedhjeve

Më të lexuarat

Për dallim nga parashikimet, Tubimi Kombëtar i ekstremit të djathtë, jo vetëm që nuk siguroi një shumicë absolute, por dështoi në rundin e dytë të zgjedhjeve parlamentare në Francë më 7 korrik, duke dalë i treti. Kjo parti ishte në prag të marrjes së pushtetit, pasi doli e para në rundin e parë.

Megjithatë, lavjerrësi ka lëvizur në skajin tjetër të spektrit politik, me aleancën majtiste, Fronti i Ri Popullor, që doli si forca më e fuqishme. Por, kjo aleancë nuk arriti të sigurojë shumicën parlamentare.

Nëse rezultatet konfirmohen, me gjasë Franca do të ketë një Parlament “të varur”, duke vënë në pah se sa e polarizuar është shoqëria franceze. Franca tani po hyn në një territor të pashkelur, thanë analistët.

“Askush nuk e priti këtë rezultat”

Fronti i Ri Popullor pritet të fitojë shumicën e ulëseve, mes 172 dhe 198. Grupimi centrist i presidentit Emmanuel Macron, Bashkë, pritet të dalë i dyti me 152 deri në 169 ulëse. Partia e tretë pritet të jetë Tubimi Kombëtar me 143 ulëse.

“Mund të thuhet se askush nuk e priti këtë rezultat”, tha redaktori për Evropë në Radion Evropa e Lirë, Rikard Jozwiak.

Pasi Tubimi Kombëtar doli partia kryesore në rundin e parë të zgjedhjeve, partitë e qendrës dhe e majta u pajtuan që të tërhiqnin 221 kandidatë, përfshirë 83 nga grupi politik i Macronit dhe 132 nga Fronti i Ri Popullor, në mënyrë që të shmangnin balotazhet trepalëshe.

Dy rundet e zgjedhjeve franceze kanë qëllime të ndryshme, tha për Radion Evropa e Lirë, Jacques Rupnik, drejtor i kërkimeve në CERI (Qendra për Studime dhe Kërkime Ndërkombëtare) në Paris.

“Në rundin e parë votoni për kandidatin që preferoni. Por, në rundin e dytë ju votoni jo domosdo për kë preferoni, por zakonisht votoni kundër atyre që nuk dëshironi që të hyjnë në Parlament”, shpjegoi Rupnik.

Parandalimi që Tubimi Kombëtar të fitonte ishte prioriteti kryesor dhe kjo shpjegon edhe momentumin që u krijua mes dy rundeve.

A do të jetë kryeministri i ri nga e majta?

Jean-Luc Melenchon, udhëheqës i partisë së ekstremit të majtë, Franca e Panënshtruar njëherësh udhëheqës i koalicionit të Frontit të Ri Popullor, ka kërkuar që të majtës t’i jepet shansi për formimin e Qeverisë.

Konventa sugjeron se Macroni duhet të ftojë një politikan nga grupimi më i madh që ta marrë këtë post.

Gabriel Attal, kryeministër i Francës, tha se ai do të dorëzojë dorëheqjen e tij, por po ashtu tha se është i gatshëm të shërbejë si kryeministër në detyrë gjatë Lojërave Olimpike, që nisin në Paris më 26 korrik. Macron të hënën i kërkoi atij që të vazhdojë të mbajë postin e kryeministrit.

Macron me gjasë do të shqyrtojë të gjitha opsionet para se të nominojë një kryeministër nga koalicioni i majtë. Një opsion është që të tentohet të përçahet aleanca majtiste, e cila është e fragmentuar, por u bashkua vetëm pasi Macron shpalli zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Fronti i Ri Popullor përbëhet nga kampi i socialistëve, të gjelbërve, komunistëve në njërën anë, dhe partia e ekstremit të majtë, Franca e Panënshtruar, në anën tjetër. Këto parti paraprakisht ishin të ndara thellësisht.

Një tjetër opsion do të ishte formimi i një “qeverie të ekspertëve”, të cilët nuk do të ishin të lidhur me asnjë parti politike. Megjithatë, një ekzekutiv i tillë do të kishte nevojë për mbështetjen e një shumice në Asamblenë Kombëtare.

Rupnik tha se e majta ka pak gjasa që të përkrahë formimin e një qeverie të ekspertëve, duke insistuar se ajo i fitoi zgjedhjet dhe është e etur që të lëvizë përpara me programin e tyre.

“Programi i krahut të majtë është krejtësisht i pazbatueshëm sepse premton shumë gjëra që ata nuk kanë as gjasat më të vogla që t’i zbatojnë. Nuk ka para”, shtoi Rupnik.

Përderisa humbja e ekstremit të djathtë për shumë investitorë paraqet lehtësim, ata po ashtu ka gjasa që nuk janë të kënaqur as me hyrjen e së majtës në Qeveri me planet ekonomike që mund të zhbëjnë shumë prej reformave pro tregjeve të Macronit.

“Macron u dobësua, por nuk u mposht”

Macron do të marrë pjesë në samitin historik të NATO-s në Uashington si një figurë e dobësuar, teksa Franca ka mbetur pa një shumicë të qëndrueshme udhëheqëse më pak se tri javë para se Parisi të jetë nikoqir i Olimpiadës.

“Do të thosha se Macron është dobësuar, ka rënë, por nuk është mposhtur”, tha Rupnik, duke shtuar se pavarësisht paqëndrueshmërisë brenda vendit, politika e jashtme do të vazhdojë të jetë stabile.

Po ashtu, ka disa paralajmërime nëse aleanca majtiste bëhet pjesë e Qeverisë. Fronti i Ri Popullor është i ndarë për disa çështje të politikës së jashtme, siç është refuzimi i partisë së Melenchonit për ta quajtur Hamasin grup terrorist, siç edhe është shpallur nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Fundi i Tubimit Kombëtar?

Marine Le Pen, e cila planifikon – për herë të katërt –të garojë në zgjedhjet presidenciale më 2027, pretendoi se fitorja e Tubimit Kombëtar vetëm është “vonuar”.

Nëse asnjë parti nuk do të jetë në gjendje të formojë një qeveri të qëndrueshme, sipas Kushtetutës franceze, hedhjet e parakohshme parlamentare mund të shpallen pas një viti. Tubimi Kombëtar, si grupimi më i fuqishëm opozitar në Parlament, mund ta shfrytëzojë rrëmujën politike për të rritur mbështetjen për zgjedhjet e reja.

Liderja e ekstremit të djathtë, Marine Le Pen, duke folur me gazetarët pas rundit të dytë të zgjedhjeve parlamentare.
Liderja e ekstremit të djathtë, Marine Le Pen, duke folur me gazetarët pas rundit të dytë të zgjedhjeve parlamentare.

Sa i përket zgjedhjeve presidenciale të vitit 2027, Macron nuk ka të drejtë të garojë dhe ende nuk ka zgjedhur një pasardhës. Prandaj, pyetja është se kush do ta sfidojë Marine Le Pen.

“Aktualisht ka një lehtësim të madh. Por, problemi nuk zgjidhet”, tha Rupnik.

/REL/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit