0.7 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Ekspertja gjermane: Përjashtohet ideja për shkëmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë

Më të lexuarat

Bashkimi Evropian “duhet të jetë i hapur” për një iniciativë të re nga Qeveria e Kosovës që ristrukturon delegacionin e Prishtinës në bisedimet me Beogradin dhe përjashton në mënyrë eksplicite çdo opsion për shkëmbim territoresh si bazë për një marrëveshje për të zgjidhur marrëdhëniet mes Kosovës e Serbisë, thotë një eksperte gjermane për rajonin.

Johanna Deimel, zëvendësdrejtoreshë e Shoqatës së Europës Juglindore me seli në Mynih, tha se kundërshtimi i Gjermanisë ka ndihmuar që të hedhet poshtë propozimi për shkëmbim të territoreve midis Serbisë dhe Kosovës, por që të gjitha palët duhet të kapnin “momentin e ri” që është krijuar.

Parlamenti i Kosovës miratoi një rezolutë në mes të dhjetorit për të krijuar një ekip të ri negociues që përfshinte qeverinë, një pjesë të opozitës dhe shoqërinë civile dhe vendosjen e një platforme që përjashton çdo ndryshim në kufijtë e Kosovës.

Mbetet e paqartë se ku mbetet presidenti Hashim Thaçi, i cili aktualisht përfaqëson Kosovën në negociatat e ndërmjetësuara nga BE me homologun e tij serb Aleksandar Vuçiq.

“Unë mendoj se Brukseli duhet të jetë i hapur ndaj formatit dhe iniciativës së re”, tha Deimel, duke e përshkruar platformën e Kosovës si “konstruktive”, si dhe duke mbështetur të drejtat multietnike dhe të pakicave.

“Unë jam e sigurt se kjo mund të shërbejë si bazë e mirë për negociata serioze për normalizimin e marrëdhënieve, të cilat shpresoj se Gjermania do t’i mbështesë në kapacitetet e saj si një shtet anëtar i BE”.

Sondazhet tregojnë se njerëzit janë kundër ndarjes

Vitin e kaluar, Thaçi dhe Vuçiq bënë deklarata publike që nxitën spekulime se janë afër një marrëveshje mbi ndryshimin e kufirit midis Serbisë dhe Kosovës, nën dyshimet për shkëmbim të veriut të Kosovës të dominuar nga serbët me Luginën e Preshevës të dominuar nga shqiptarët në Serbi.

Shtetet e Bashkuara dhe BE bënë shumë pak për të zhdukur spekulimet, derisa kancelarja gjermane Angela Merkel tha në një konferencë shtypi në gusht se kufijtë e Ballkanit Perëndimor janë “të paprekshëm”.

Deimel, e cila ka punuar më parë për Zyrën Civile Ndërkombëtare, misioni që e mbikëqyri Kosovën menjëherë pas shpalljes së pavarësisë së vitit 2008, tha se kundërshtimi nga Berlini, Londra dhe kryeqytetet e tjera të BE-së do të thotë se idetë e korrigjimeve të kufijve dhe të shkëmbimit të tokës janë jashtë tavolinës së bisedimeve.

Deimel vuri në dukje vërejtjet e fundit nga shefja e politikës së jashtme të BE, Federica Mogherini, në të cilën ajo përjashtoi “ndarjet etnike midis vendeve”.

“Ky është një mesazh shumë i qartë, që tregon se edhe Mogherini është duke u larguar dhe duke u mbështetur në qëndrimin gjerman se çfarëdo ‘marrëveshje nuk duhet të çojë në shtete monoetnike”, tha Deimel.

Ndarja etnike do të ishte një rikthim në shekullin e 19-të, një shkas i mundshëm për ndryshimet ekufijve diku tjetër në Ballkan dhe një kontradiktë e vlerave europiane, tha ajo.

“Më e rëndësishmja nuk është ajo që njerëzit duan”, tha Deimel, duke cituar një hulumtim të fundit nga Instituti Demokratik i Kosovës, në të cilin më shumë se tre të katërtat e të anketuarve shqiptarë të Kosovës thanë se janë kundër çdo shkëmbimi të territorit me Serbinë.

Deimel tha se BE aktualisht kishte mungesë të “udhëheqjes dhe kapacitetit”, por ky vrull i ri ishte krijuar.

“Për një kohë të gjatë askush nuk e dinte se çfarë ishte në tavolinë”, tha ajo.

“Nuk kishte informim për temat e diskutimeve”, tha Deimel për BIRN.

Ekspertja e Ballkanit tha se Thaçit i mungon legjitimiteti dhe mbështetja e brendshme e nevojshme për të nënshkruar një marrëveshje.

“Qeveria e Kosovës është kundër negociatave të Vuçiqit-Thaçit, siç është opozita në Kosovë dhe shumica e njerëzve atje”, tha Johanna Deimel. /BIRN/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit