-3.8 C
Pristina
Sunday, December 29, 2024

Ekonomia islame dhe ekonomia socialiste

Më të lexuarat

Dr. Islam Hasani

Ç’është socializmi? Sipas fjalorit Collins, “socializmi është një teori apo sistem ekonomik, në të cilin mjetet e prodhimit, shpërndarjes dhe këmbimit janë të pronësuara nga populli në mënyrë kolektive përmes shtetit. Është një fazë transicioni të shoqërisë prej kapitalizmit në komunizëm, dhe karakterizohet për shpërndarjen e të ardhurave sipas punës dhe sipas nevojës”. Gjithashtu në fjalorët ekonomikë shpjegohet se socializmi është një ekonomi politike dhe teorike, në të cilën toka, transporti, burimet natyrore dhe industritë kryesore duhet të jenë në pronësi dhe kontroll të mbarë komunitetit apo të shtetit, dhe pasuria duhet të shpërndahet në mënyrë të barabartë. Enciklopedia Britannica socializmin e përshkruan si një doktrinë dhe lëvizje që ka për qëllim organizimin kolektiv të popullsisë për interes të përgjithshëm të popullit, me qëllimin dhe mjetet për posedimin e përbashkët dhe kontrollin kolektiv të mjeteve të prodhimit dhe të ndërrimit.
Edhe pse vëmendje qendrore e socializmit dhe socialistëve është fusha ekonomike, diskutimi i tyre vazhdon edhe me çështje morale, shoqërore e politike dhe, të shumtën e rasteve, nga një këndvështrim ekonomik. Dijetarë të shkencave ekonomike dhe politike nuk pajtohen me një përkufizim uniform rreth socializmit.
Është diskutuar shumë dhe është evidentuar se ka disa lloje socializmi. Socializmi është përshkruar dhe krahasuar me një rrobë e cila ka humbur formën e vet, sepse atë e veshin shumë.
Shumë vende të botës, të cilat njihen si vende socialiste, nuk janë të njëjta, secili ka mënyrën e qeverisjes dhe funksionimit ndryshe nga tjetri. Fjala apo termi socializëm filloi të përdorej në formë të përgjithshme për të pasur domethënien që e kuptojmë tani me fjalën socializëm, rreth vitit 1830, por kjo fjalë është përdorur edhe më herët për të kërkuar më shumë barazi dhe shpërndarje të drejtë të pasurisë. Ishte Karl Marksi që e themeloi atë në linjë shkencore. Marksi është i njohur si babai i socializmit, ai zhvilloi parimet e socializmit shkencor, i cili më vonë u njoh si komunizëm. Ai, së bashku me shokun e tij, Engelsin, nxorën një program të komunizmit në vitin 1848, në të cilin ftojnë tërë klasën punëtore të botës që të
bashkohen duke i bindur ata se nuk kanë ç’të humbin përveç prangave. Socializmi është i ndërtuar mbi teorinë e Marksit, e cila bazohet në librin e tij dhe ka këto dy parime: Materializmi dialektik apo interpretimi materialist i historisë, që është veçoria kryesore e marksizmit. Marksi tenton të shpjegojë çdo ngjarje në histori nga një këndvështrim ekonomik. Të gjitha luftërat, kryengritjet, lëvizjet politike, sipas tij, origjinën e kanë në faktorët ekonomikë. Ai historinë e sheh si një luftë në mes klasash, p.sh. luftë ndërmjet pushtuesit dhe të pushtuarit. Dhe më tutje shpjegon se lufta në mes klasës kapitaliste dhe punëtorëve apo klasës punëtore, që do të përfundonte me fitoren e klasës punëtore, e cila do të themelonte diktatorinë e vet dhe do të eliminonte klasën kapitaliste, një shoqëri pa klasa do të paraqitej dhe shteti do të zhdukej. Teoria e vlerës së surplusit apo tepricës, është
një veçori tjetër e mësimeve marksiste.
Sipas Marksit, kapitalistët marrin më shumë pagesë sesa kanë kontribuar me punë dhe me gjëra të tjera. Rritja e vlerës së tregut mbi çmimin real, është surplus. Ky surplus, që, sipas tij, është krijuar me punë, uzurpohet nga kapitalistët si fitim. Karakteristikat dalluese të socializmit: një përmbledhje e shkurtër e karakteristikave të socializmit përfshin: pronësi publike apo shtetërore e të gjitha mjeteve të prodhimit, shpërndarjes e këmbimit dhe ndalimi i pronësisë private; barazia ekonomike dhe sigurimi i gjërave esenciale për jetë për çdo qytetar; materializmi dhe vëmendje e veçantë tek faktorët ekonomikë; shtet totalitar apo diktaturë e proletariatit dhe kontroll i lirive civile. Një krahasim i shkurtër i ekonomisë socialiste dhe i ekonomisë islame: krahasimi është bërë në aspektin e bazave të perceptimit ekonomik të gjërave bazë, mbi të cilat ndërtohet ekonomia:
Pronësia

Pronësia shtetërore për çdo pasuri dhe për mjete prodhimi, është karakteristika më dalluese e ekonomisë socialiste. Pronësia private e çdo mjeti të prodhimit, shpërndarjes dhe këmbimit është e ndaluar në mënyrë totale. Toka, fabrikat, transporti, komunikacioni, minierat e të tjera, duhet të jenë nën kontrollin e shtetit. Kjo shpie në menaxhimin e këtyre mjeteve me burokraci. Kontrolli burokratik i makinerisë ekonomike rezulton me joefikasitet, prodhim të ulët dhe dështime, për shkak se burokratët nuk marrin iniciativa, rregullat i përcjellin jo me fleksibilitet dhe nuk janë të trajnuar për të udhëhequr biznes. Në ekonominë islame nuk ndalohet pronësia private e pasurisë dhe ajo nuk vendos të gjitha mjetet e prodhimit, shpërndarjes dhe këmbimit në duart e shtetit. Edhe pse mbështet pronësinë publike të disa mjeteve të prodhimit, të cilat janë për të mirën e përgjithshme të popullsisë, ajo përkrah të drejtën e pronësisë private të shumicës së mjeteve të prodhimit dhe shpërndarjes. Ndryshe nga socializmi, ekonomia islame I jep liri ekonomike një individi, i cili mund të fitojë pasuri, ta posedojë dhe ta gëzojë atë me disa kufizime, duke siguruar se në procesin e fitimit, posedimit dhe harxhimit të asaj pasurie, nuk bie në kundërshtim me mësimet islame.
Materializmi

Meterializmi socializmi apo më saktësisht socializmi shkencor a komunizmi, qëndron kryesisht mbi baza materiale. Materializmi dialektik apo interpretimi materialistik i historisë, është elementi më vital i marksizmit. Marksi ka tentuar të shpjegojë çdo ngjarje në histori në baza ekonomike. Sipas tij, origjina e çdo aktiviteti të njeriut bëhet për shkak të faktorit ekonomik. Marksi nuk beson në fe apo në shpjegim fetar, në mendimin e tij feja është një shpikje e borgjezëve për ta mbajtur klasën punëtore nën kontrollin e tyre. Engelsi ka thënë: Materia është gjëja e vetme reale në këtë botë.
Komunistët besojnë se arsyeja njerëzore është vetëm një manifestim i materies dhe se shpirti nuk ka ekzistencë të pavarur po është produkt i materies. Ata e mbështesin idenë se fazat e ndryshme të progresit të njeriut janë të përcaktuara vetëm nga lidhshmëria e konflikteve të forcave ekonomike, duke mos lënë vend për dëshirën e Zotit. Kështu që komunizmi është krejtësisht ideologji ekonomike, që refuzon religjionin, konceptin për Zotin dhe të gjitha format shpirtërore, të cilat i quan si joshkencore. Islami është fe e fundit dhe e përsosur, e shpallur nga Zoti i universit për udhëzimin e njerëzimit.
Qëllimi kryesor i Islamit është që të sigurojë mirëqenie për njerëzimin në këtë botë dhe në Botën tjetër. Islami nuk i jep rëndësi vetëm anës materiale, duke lënë anash aspektin shpirtëror sikur bën ideologjia laike e socializmit.
Ekonomia islame synon të arrij mirëqenie materiale, morale dhe shpirtërore të pasuesve të tij në nivelet mikro e makro. Pasuesit e Islamit besojnë në një Zot, në të gjithë Profetët dhe Librat e Shenjtë, në Botën tjetër, në kodin moral dhe vëllazërimin universal të të gjithë njerëzve. Në një shtet nuk duhet të ekzistojnë klasa të egra të njerëzimit, të cilat janë në konflikt me njëra-tjetrën, dhe
jo të gjitha ngjarjet në histori janë të ndërlidhura me shkaqe ekonomike. Edhe pse, në botëkuptimin ekonomik, sipas Islamit, mirëqenia e shoqërisë nuk qëndron vetëm në prosperitetin ekonomik, sepse avancimi moral dhe shpirtëror është njësoj i rëndësishëm, dhe nuk e ndalon pasimin e prosperitetit material me mjete dhe metoda të drejta e të pranuara në Ligjin islam.1
Regjimi dhe Totalitarizmi

Komunizmi reklamon themelimin e një shteti totalitar, në të cilin klasa borgjeze likuidohet dhe themelohet diktaturë e fortë e klasës punëtore. Të drejtat fondamentale dhe liritë qytetare thyhen, kurse njeriu konsiderohet si një shtazë ekonomike. Në emër të bukës, ai është i privuar nga liria e vetëdijes, liria për të menduar, liria për të folur dhe liria për të vepruar.
Për të arritur objektivat ekonomikë dhe në mënyrë që makina prodhuese të punojë në mënyrën më efektive, shteti bëhet shumë i fuqishëm dhe vendos regjim të plotë. Prandaj, shteti në komunizëm nuk zhduket ashtu siç është paraparë nga Marksi, por ai bëhet modeli më i rreptë i një shteti totalitar. Sipas modelit ekonomik islam, shteti duhet të jetë i kontrolluar nga një qeveri demokratike. Kurani e udhëzon Muhamedin a.s. që të udhëheqë projekte publike në konsultim me pasuesit e tij. Islami u siguron të drejtat themelore dhe liritë shoqërore të gjithë njerëzve, të cilët jetojnë brenda shtetit islam pa dallim race, gjinie apo përkatësie fetare.
Të gjithë qytetarët kanë të drejtat personale, fetare, lirinë e të shprehurit, të drejtën për të pasur pronësi private, të drejtën e mbrojtjes së nderit, të drejtën e barazisë para drejtësisë, të drejtën e shkollimit dhe, mbi të gjitha, të drejtën e nevojave themelore njerëzore, siç janë ushqimi, veshmbathja dhe strehimi. Islami nuk lejon të themelohet diktaturë e ndonjë klase, dhe nuk parasheh themelimin e ndonjë shteti totalitar. Shteti, sipas sistemit ekonomik islam, nuk zhduket po bëhet i pazëvendësueshëm pasi që i lejon të gjitha funksionet nga një qeverisje tradicionale në një qeverisje që kujdeset për mirëqenien e shoqërisë.
Barazia ekonomike

Barazia ekonomike është një pretendim tjetër i komunizmit, edhe pse kurrë deri më tani kjo dukuri nuk është realizuar. Të paktën në teori theksohet se të gjithë njerëzit janë të barabartë në fushën ekonomike. Çdo person duhet të marrë gjërat esenciale për jetë sipas nevojave të tij. Në botëkuptimin ekonomik, sipas Islamit, shpjegohet se nuk ka barazi në mes njerëzve në posedimin e mjeteve ekonomike dhe pasurisë së kësaj bote. Kurani këto dallime në shpërndarje të pasurisë i konsideron si një rregull ekonomik hyjnor, dhe nuk tenton ti eliminojë ato në mënyrë të panatyrshme dhe artificiale. Dallimet ekonomike në të vërtetë janë një test (sprovë) me të cilin Zoti i teston njerëzit si veprojnë në gjendje ekonomike të mirë dhe të keqe. Në Islam nuk tolerohet zbrazëtira e paarritshme në mes të të pasurve dhe të varfërve, po nga socializmi ndryshon, sepse nuk beson në ndarjen e pasurisë në mënyrë të barabartë për të gjithë njerëzit po në shpërblim të drejtë për punën e bërë sipas angazhimit, dhe në drejtësinë shoqërore. Duke i shtuar edhe më shumë drejtësisë ekonomike, Islami ka ndaluar kamatën, fitimin e paligjshëm e të padrejtë dhe ka dënuar largimin e pasurisë nga tregu, në mënyrë që pasuria të mos përqendrohet vetëm tek disa persona.2

1. Kamal Khir, Lokesh Kupta & Bala Shanmugam, Islamic Banking: A Practical Perspective, (Shah Alam: Pearson, 2008), f. 8.
2. Aly Khorshid, Islamic Insurance: A Modern Approach to Islamic Banking, (London: Routledge Curzon, 2004) f. 10.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit