Egjipti refuzon dëbimin e palestinezëve nga Rripi i Gazës duke paralajmëruar kërcënimin ndaj stabilitetit të rajonit dhe i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar ta zbatojë zgjidhjen me dy shtete.
Në një deklaratë me shkrim, Ministria e Jashtme egjiptiane ka theksuar se “Egjipti vazhdon ta mbështesë vendosmërinë e popullit palestinez në territoret e tij, të drejtat e tij legjitime dhe respektimin e parimeve të së drejtës ndërkombëtare dhe të së drejtës ndërkombëtare humanitare”.
“Është e papranueshme që palestinezët të zhvendosen nga tokat e tyre, të detyrohen të largohen nga tokat e tyre ose të inkurajohen të largohen nga tokat e tyre në çfarëdo mënyre, qoftë e përkohshme apo afatgjatë”, theksohet në deklaratën në të cilën bëhet paralajmërimi se kjo kërcënon stabilitetin rajonal dhe mundësitë e paqes.
Deklarata i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar të vendosë në zbatim zgjidhjen me dy shtete e cila do ta sigurojë krijimin e një shteti të pavarur dhe sovran palestinez me Kudsin Lindor si kryeqytet.
Trump bëri thirrje që palestinezët të vendosen në banesa që do të ndërtohen në vende të ndryshme
Presidenti i ShBA-së, Donald Trump, ka hedhur idenë për deportimin e palestinezëve në Gaza në vendet arabe, veçanërisht në Jordani dhe Egjipt.
Trump bëri thirrje që vendet në fjalë të pranojnë më shumë palestinezë për të “pastruar” Gazën dhe që ata të “vendosen në banesa që do të ndërtohen në vende të ndryshme”, duke thënë se kjo mund të jetë “e përkohshme” ose “afatgjate”.
Duke vënë në dukje se këtë çështje e ka biseduar në telefon me mbretin e Jordanisë, Abdullah II dhe se do të bisedojë edhe me presidentin egjiptian, Abdel Fattah el-Sisi, Trump deklaroi: “Unë preferoj të takohem me vendet arabe dhe të ndërtoj banesa në një vend tjetër ku (palestinezët) mund të jetojnë në paqe”.
Ministri i Jashtëm jordanez, Ayman Safadi, theksoi vendosmërinë e vendit të tij për ta mbështetur të drejtën e palestinezëve për të qëndruar në tokën e tyre, duke refuzuar çdo përpjekje për dëbimin e palestinezëve.
/trt BALLKAN/