KAJRO (AA) – Gjykata e Lartë në Egjipt ka miratuar vendimin e dytë me të cilin u dënua me burg të përjetshëm Muhammed Bedii, kreu i Këshillit të Udhëzimeve të Vëllazërisë Muslimane (Ihvan), transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas informacioneve të marra nga burimet gjyqësore mësohet se ditën e sotme Gjykata e Lartë ka miratuar vendimin me të cilin u dënua me burg të përjetshëm që gjykata lokale e ka marrë në çështjen e njohur në opinionin publik si “ngjarjet Ismailije” për Bedii dhe 7 persona të tjerë të akuzuar.
Gjithashtu gjykata ka miratuar dënimet e dhëna edhe për 48 të akuzuarit e tjerë në të njëjtën çështje të cilët janë dënuar me dënime prej 3 deri në 15 vite burg, vendime këto të cilët janë të formës së prerë.
Dënimi i parë me burg të përjetshëm ndaj Bedii u dha në tetor 2016 për çështjen e quajtur “ndërprerja e rrugës Kaljubije”.
Deri më sot kundër liderit të Vëllazërisë Muslimane janë hapur më shumë se 40 padi në 8 qytete të ndryshme të Egjiptit. Ndaj Bedii janë shqiptuar dënime të ndryshme me burg ku një vendim me dënim për vdekje u anulua nga Gjykata e Apelit.
Sipas ligjeve të Egjiptit dënimi me burg të përjetshëm parasheh 25 vite heqje lirie.