Egjipti rifilloi të hënën refuzimin e pranisë ushtarake izraelite në vendkalimin Rafah dhe Korridorin Filadelfi në kufirin me Gazën.
“Egjipti refuzon praninë ushtarake izraelite në anën palestineze të kalimit Rafah dhe korridorit të Filadelfit, si dhe pengimin e ndihmës humanitare,” tha Ministri i Jashtëm Badr Abdelatty gjatë një takimi në Kajro me Zëvendës Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së Amina Mohammed në margjinat e një konferencë për përgjigjen humanitare të Gazës.
Ushtria izraelite kapi anën palestineze të kalimit Rafah në Gazën jugore në maj gjatë ofensivës së saj në qytetin Rafah. Terminali është një rrugë jetike për ndihmën humanitare në Gaza, e cila ka qenë nën një bllokadë gjymtuese që nga viti 2007.
Tel Avivi ka refuzuar thirrjet egjiptiane për të tërhequr forcat nga Korridori i Filadelfit, një zonë e demilitarizuar në kufirin Egjipt-Gaza.
Abdelatty nënvizoi rëndësinë e grumbullimit të përpjekjeve ndërkombëtare për të lejuar aksesin e ndihmave humanitare në Gaza, sipas një deklarate nga Ministria e Jashtme egjiptiane.
Gjatë takimit, diplomati i lartë egjiptian dhe zyrtari i OKB-së diskutuan përpjekjet e Egjiptit për të arritur një armëpushim në Gaza.
Përpjekjet ndërmjetësuese të udhëhequra nga ShBA-ja, Egjipti dhe Katari për të arritur një marrëveshje armëpushimi në Gaza dhe shkëmbim të të burgosurve midis Izraelit dhe Hamasit kanë dështuar për shkak të refuzimit të Netanyahut për të ndalur luftën.
Izraeli ka nisur një luftë gjenocidale në Rripin e Gazës pas një sulmi të Hamasit tetorin e kaluar, duke vrarë më shumë se 44.400 njerëz, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, si dhe duke plagosur mbi 105.000.
Viti i dytë i gjenocidit në Gaza ka tërhequr një dënim ndërkombëtar në rritje, me zyrtarë dhe institucione që i etiketojnë sulmet dhe bllokimin e dërgesave të ndihmave si një përpjekje të qëllimshme për të shkatërruar një popullsi.
Më 21 nëntor, Gjykata Penale Ndërkombëtare lëshoi urdhërarrest për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli gjithashtu përballet me një padi gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën e tij vdekjeprurëse në Gaza.
/trt BALLKAN/