Një gjë është më se e qartë: distancimi nga programi hyjnor shkakton pasoja të rënda, dhe këtë në të gjitha poret e jetës, dhe jo vetëm në raport me individin, por edhe shoqërinë në tërësi.
Kjo për shkak se shmangia programit islam për jetën, e që nënkupton një lloj arrogance edhe ndaj Krijuesit, sjell probleme nga më të ndryshme, shpirtërore, psikike, fizike, etj. Allahu i Madhëruar ka thënë:
“Kush mbyll sytë para këshillave të Zotit, atij ia shoqërojmë një djall që nuk i ndahet kurrë.” (ez-Zuhruf, 36)
Djajtë, sigurisht, njeriut nuk i sjellin tjetër vetëm se stres, ankth, shqetësim, i bëjnë vesvese për varfërinë, për gjendjen e rëndë materiale, për të shpresuar në atë që tjerët posedojnë, për mospajtim me atë që ke, e kështu me radhë. Thotë Allahu i Madhëruar:
“Djalli ju frikëson nga varfëria dhe ju urdhëron për të këqija…” (el-Bekare, 268)
Djalli iu frikëson me varfëri që ju të mbani pasuritë për vete dhe të mos i shpenzoni në rrugën e Allahut të Madhëruar, e rrjedhimisht, derisa iu ndalon nga kjo, iu urdhëron për t’i bërë mëkat Allahut të Madhëruar dhe për të shkelë urdhëresat e Tij. Sigurisht, kjo nuk ka të bëjë edhe me besimtarët e sinqertë, për të cilët thotë Allahu i Madhëruar:
“Vërtet, ai (shejtani) nuk ka kurrfarë fuqie kundër atyre që besuan dhe i janë mbështetur Zotit të tyre.” (en-Nahl, 99)
“Në të vërtetë, ti nuk ke kurrfarë fuqie ndaj robërve të Mi. Mbrojtja e Zotit tënd është e mjaftueshme (për ata).“ (el-Isra, 65)
Në këtë hutbe do të përmendim disa nga pasojat morale dhe sociale të devijimit dhe shmangies nga rruga e Allahut të Madhëruar.
1. Pasojat psikike
1) Çrregullimi psikik
Njerëzit të cilët i shmangen rrugës së drejtë, përjetojnë devijim të thellë. Ata janë njerëzit që vuajnë nga probleme të ndryshme shpirtërore dhe psikike. Është vërtetuar nga laboratore shkencore se edhe një sasi e vogël alkooli ka ndikim të madh në çrregullimin e personalitetit të njeriut. Allahu ka thënë:
“E kush ia kthen shpinën udhëzimit Tim, do të ketë jetë të vështirë dhe në ditën e kiametit do ta ringjall të verbër.” (Taha, 124)
2) Pesimizmi
Njeriu që i largohet rrugës së Allahut të Madhëruar, largohet fizikisht dhe shpirtërisht, që nënkupton se edhe zgjedhjet për problemet që ka, e që është normale të ketë çdo njeri të tilla, ai i bën jo sipas programit hyjnor. Është vërtetuar se sot, simptoma e çmendurisë kap në 50% të rasteve ata që kanë qenë konsumues të alkoolit. Nga këtu, Allahu i Madhëruar
“…Ata ju ftojnë për në zjarr, e All-llahu me mëshirën e vet ju fton për në Xhennet, për në shpëtim dhe u sqaron njerëzve argumentet e veta, ashtu që ata të përkujtojnë.” (el-Bekare, 221)
3) Stresi
Rehatia shpirtërore nuk arrihet ndryshe vetëm se duke ushqyer shpirtin me fjalën e Zotit. Allahu ka thënë:
“…pra ta dini se me të përmendur All-llahun zemrat stabilizohen.” (err-Rra’d, 28)
Kjo i bie sikur ti kur të kultivosh pemë, në vend të ujitjes me ujë, t’i ujitësh me lëndë tjera, që shkatërrojnë bimët. A do të mund të kultivosh ato?!
Rehatia është një ideal, të cilin njerëzit mundohen ta rinj, që të gjithë. Është synim i të gjithëve, edhe i të pasurve,e dhe i të varfërve,e dhe i myslimanit, edhe i jomyslimanit. Që të gjithë e duan, por kanë forma të ndryshme. Sipas një studimi, ata që rehatinë e kërkojnë në gjëra të ndaluara, respektivisht në lëndë narkotike, janë njerëz që vuajnë më së shumti:
88.6% Nervozizmi
86.8% Stresi i vazhdueshëm
86.5% Përtacia dhe plogështia
84.5% Probleme me gjumin
70.1% Frikë e përhershme
2. Pasojat shoqërore
1) Ndëshkimi hyjnor
Përhapja e të këqijave dhe praktikimi i tyre nuk rrezikojnë vetëm individin. Ato mund të kenë pasoja edhe në nivel shoqëror. Allahu ka thënë:
“Për shkak të veprave (të këqija) të njerëzve, janë shfaqur në tokë e në det të zeza (bela, skamje, katastrofa, humbje e bereqetit etj.), e për ta përjetuar ata një pjesë të asaj të keqeje që e bënë, ashtu që të tërhiqen (nga të këqijat).” (err-Rrum, 41)
2) Urrejtja ndërshoqërore
Zhveshja nga vlerat dhe edukata fetare për pasojë ka edhe problemet e brendshme shoqërore. Njerëzit që nuk ndiejnë se i lidh feja, janë më larg njëri tjetrit se çdokush tjetër. Sot, në botën perëndimore, sheh krime të mëdha, pikërisht për shkak të xhelozisë së qytetarëve që kanë për njëri tjetrin. Islami është përkujdesur shumë që dallimet të mos jenë shkak i kësaj urrejtje, ndaj edhe është lënë Zekati, Fitrat, Kurbani, e forma tjera të ndihmave. Allahu i Madhëruar ka thënë:
“Merr prej pasurisë së tyre (të atyre që pranuan gabimin) lëmoshë që t’i pastrosh me të dhe t’u shtosh (të mirat)…” (et-Teube, 103)
Kanë thënë dijetarët: Zekati është pastrim për të pasurin dhe për të varfrin; të pasurin e pastron nga koprracia ndërsa të varfrin nga zilia dhe smira.
3) Shkëputja e marrëdhënieve shoqërore
Si pasojë e kësaj urrejtje, njerëzit nuk ndihmojnë njëri tjetrin ndërsa vjen deri tek shkëputja e marrëdhënieve shoqërore. Në Islam, puna qëndron krejtësisht ndryshe. Njerëzit ndihmojnë njerëzit për shkak të obligimit fetar që kanë. Buhariu transmeton në Sahihun e tij se Pejgamberi [alejhis salatu ves selam] ka thënë:
“Kush beson në Allahun dhe në Ditën e Fundit, le ta nderojë fqinjin e vet!…”
Ndërsa në versionin e Muslimit qëndron:
“Kush beson në Allahun dhe në Ditën e Fundit, le t’i bëjë mirë fqinjit të vet!…”
Të nderuar vëllezër
Kjo është kostoja e largimit nga rruga e Zotit, i Cili, nga koha në kohë na sprovon, sikur tash me këtë thatësi të madhe, për të na përkujtuar kthimin. Le të kthehemi tek Krijuesi, tek programi i Tij, ngase vetëm kështu mund të zgjidhim problemet tona shpirtërore, psikike dhe shoqërore.
SEDAT ISLAMI