2 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Edukimi me Skënderbeun

Më të lexuarat

 

Dr. Olsi Jazexhi

Abstrakt

Ky artikull analizon proçesin e formimit të identitetit në Shqipërinë pas-osmane. Pasi morën pushtetin në 1920, nacionalistët përdorën shkollat dhe librat shkollorë për të ndërtuar një rrëfim të ri kombëtar për kombin që ishte në gatim e sipër. Një nga mjetet më me rëndësi që u erdhi në ndihmë nacionalistëve ishte historia. Duke shpikur dhe fallsifikuar mite dhe ndodhi nga e kaluara, nacionalistët u përpoqën të ndërtojnë një rrëfim madhështor për shtet-kombin e sapo formuar shqiptar. Shkollat e Shqipërisë moderne shërbyen si inkubatorë ku do të prodhohej gjenerata e re shqiptare, e cila, duhej të laicizohej dhe ndahej nga e kaluara osmane. Ky shkrim tregon sesi heroi kryesor i nacionalizmit shqiptar, Skënderbeu, u shpik, negociua dhe ndërtua si heroi më i madh i kombit shqiptar.

Fjalë kyç: Histori, Shqiptarizëm, Idhujtari, Osmanë, Ndërtim identitar

 

 

Me krijimin e shtetit kombëtar shqiptar pas shpalljes së pavarësisë dhe Kongresit të Lushnjes, një nga mjetet me të cilat nacionalistët[1] shqiptarë parashikuan ndërtimin e kombit ishin shkollat. Shkollat janë tempujt e shtetit shekullar ku nëpërmjet tyre, pushtetarët “evangjelizojnë” popullin me nacionalizëm. Në to qytetarët mësohen me “të vërtetat” apo tabutë e kombit që duhet të dinë e respektojnë. Subjektet shkollore si historia, gjeografia, letërsia dhe edukata qytetare i mësojnë qytetarët e thjeshtë me të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen e kombit. Fëmijët mësojnë se kush janë heronjtë, paraardhësit dhe destinacioni i dëshiruar i kombit të cilit ata i përkasin. Shkollat edukojnë masat me nocionet e hapësirës, ku kombi tregohet se sa shtrihet dhe ku i ka kufijtë; me nocionet e kohës, ku mësohet se ku e ka gjenezën bashkësia e tyre; me institucionet e pushtetit; me historitë dhe këngët trimërore, e fëmijët që janë e filizat e kombit, duhet t’i mësojnë në mënyrë që kur të rriten t’i dinë, t’u binden, t’i respektojnë e t’i mbrojnë.

Krijimi i shteteve shekullariste kombëtare është shoqëruar me shkatërrimin apo dobësimin e feve tradicionale. Me zvetënimin e fesë, shtetet kombëtare zëvendësuan “shenjtorët” tradicionalë me “shenjtorët” e kombit. Nëse në fetë tradicionale feja përdor Kuranin apo Biblën, si tekste për t’u mësuar moralet miletit, nacionalizmi përdor historinë kombëtare, e cila zëvendëson rolin që kanë tekstet e shenjta në shoqëritë tradicionale. E nëse në shoqëritë tradicionale, hoxha dhe prifti janë udhëheqësit e komunitetit, në shoqëritë shekullare, historianët kombëtaristë, të cilët komb shteti i paguan dhe i kthen në “priftërij” laikë, shpikin, zbulojnë, sajojnë dhe shkruajnë rrëfime në mënyrë që me to të legjitimojnë dhe lavdërojnë regjimin dhe justifikojnë të drejtën e tij dhe të pushtetarëve për të sunduar.[2]

Historianët nacionalistë kthejnë në “pejgamberë” të kombit udhëheqësit e lëvizjes kombëtare. Fotografitë e tyre, që shpesh emërohen “baballarë të kombit”, varen në muret e institucioneve shtetërore dhe nëpër paradat përkujtimore të ngjarjeve me rëndësi të kombit. Shkrimet dhe fjalimet e tyre kthehen në shkrime të shenjta dhe lëvizja kombëtare kthehet në një “fe” shtetërore, ritet dhe festat e të cilës përkujtohen në mënyrë solemne duke zëvendësuar kështu ceremonitë fetare tradicionale.[3] Pas marrjes së pushtetit, nacionalizmi krijon “kulturën e lartë” të shtetit, e cila transmetohet nëpërmjet organizatave shoqërore, shtypit, librave historikë kombëtarë, shkollave etj, të cilat rrëfejnë epopenë e kombit. Në këtë mënyrë, shoqëritë mësohen të adhurojnë vetveten, jo më nëpërmjet simboleve fetare, por nëpërmjet “kulturës së lartë” e cila krijohet nga institucionet akademike që shteti ndërton.[4]

Duke patur parasysh që nacionalizmi ka tendencë të legjitimojë veten nëpërmjet historisë, shkollat kombëtare i japin një rëndësi të veçantë mësimit të historisë pasi ajo është një nga mjetet më të rëndësishme që “kleri shekullar” i kombit – dmth historianët dhe mësuesit – përdorin në mënyrë që të mbjellin, apo arësojnë rrëfimin e shenjtë të kombit në mendjet e rinisë. Citati i Mit’hat Frashërit në fillim të këtij shkrimi, i cili është mbajtur përpara mësuesëve të prefekturës së Durrësit në vitin 1922, tregon në mënyrë të kthjellët pritshmërinë që kishin udhëheqësit nacionalistë shqiptarë nga mësuesit e shkollave të Shqipërisë në vitet e para të krijimit të shtetit shqiptar. Frashëri u thotë se ata nuk mund të punojnë për kombin dhe vendin, nëse nuk kanë“dashuri për çdo cep të Shqipërisë, një dhembshuri për çdo njeri të kombit tonë” e përfundon duke thënë se “Duhet të zgjojmë kultin e patriotismës, adhurimin e Shqipërisë.” Mësuesit imagjinohen si “hoxhallarë laikë” të cilët nëpërmjet shkollave ku ata japin mësim duhet të ngjallnin kultin e patriotizmës, zoti i të cilës është Shqipëria që duhej adhuruar.

Nacionalizmi shqiptar ashtu si edhe nacionalizmat e tjerë etnikë të Evropës Juglindore, kur u formësua në fund të shekullit të 19 dhe fillim të 20-it kishte nevojë për mite që do përmbushnin rrëfenjën e tij kombëtariste. Këto mite që u ndërtuan si para krijimit të Shqipërisë dhe u përmbaruan pas krijimit të shtetit, varionin që nga miti i hapësirës së kombit, i cili nënkuptonte shtrirjen e imagjinuar të Shqipërisë, te veçantia dhe sipërania e shqiptarisë ndaj kombësive të tjera, te armiqtë e shqiptarëve, fetaria e tyre etj. Një nga mitet që adoptoi nacionalizmi shqiptar (ashtu si edhe nacionalizmat e tjerë) ishte edhe koncepti i kohës së artë të kombit. Koncepti i kohës së artë tregon kohën kur kombi – i cili pre supozohet nga nacionalistët të ekzistojë që prej lashtësisë – tregohet të ketë arritur një pikë në histori, kur ka qenë më i miri i të gjithëve, por që më pas u pllakos nga një e keqe e madhe dhe ra në gjumë, për t’u ringritur më pas nga Rilindasit. Anthony Smith vëren se:

Ideja e kohë së artë nuk është një formë largimi nga realiteti, apo ngushëllim për fatkeqësitë që kanë pllakosur kombin. Standardi i kohës së artë i shërben gjeneratave që vijnë më pas, pasi ai definon karakterin e komunitetit në zhvillim. Ai definon se çfarë duhet dhe çfarë nuk duhet admiruar e hequr. Ai definon se çfarë është dhe çfarë nuk është karakteristike për një komunitet. Ai definon një ideal i cili nuk kërkohet të ringjallet siç ka qenë në të kaluarën, kërkon që të rikrijohet sipas kohëve moderne. Udhëheqësit jakobinë që ëndërronin të krahasohen me konsullin Brutus, Cincinatusin apo Leonidhën, nuk donin që të krijojnë një qytet-republikë agrare në Francë, por vetëm të risjellin ethosin dhe heroizmin e Romës republikane dhe Spartës, në tokën franceze.[5]

Në rastin e nacionalizmit shqiptar, koha e artë e kombit u ndërtua në epokën e Skënderbeut, i cili luftoi kundër osmanëve gjatë shekullit të 15, në tokat që në shekullin e 20 formësojnë Shqipërinë. Skënderbeu u zgjodh të bëhet krye heroi i kohës së artë të shqiptarëve nga ajo pjesë e intelektualëve shqiptaristë që i përkisnin grupit të latinxhijve,[6] e në disa raste edhe atyre që shiheshin si grekomanë[7], të cilët e shikonin modernizmin e shqiptarëve të lidhur me Evropën, Krishtërimin apo Helenizmin. Te Skënderbeu ata projektonin heroin e krishterë i cili lidhte shqiptarët me Evropën, inspironte një kthim të tyre në Krishtërim dhe i kundërvihej Islamit e osmanëve të cilët tregoheshin si obskurantistë dhe të prapambetur. Skënderbeu u pranua si hero edhe nga disa myslimanë shqiptarë, siç ishte rasti i vëllezërve Frashëri, të cilët si pjesë e intelektualëve modernistë osmanë, rrymës romantike dhe modernizuese në Perandori, ndoshta gjetën te ai një hero me emër mysliman që i kundërvihej pushtetit centralizues të Stambollit. Ndërsa disa rilindas të tjerë, te Skënderbeu gjetën simbolin e bashkekzistencës së tre feve te një popull, ku fetë ishin faktor ndasie kombëtare.

Skënderbeu u adoptua si hero kombëtar për shqiptarët edhe nga austro-hungarezët, fuqia kryesore evropiane që pati interes të krijojë një identitet kombëtar me popullatat shqipfolëse në Ballkanin Perëndimor. Pas Kongresit të Berlinit dhe pushtimit të Bosnjës, ata hartuan plane për aneksimin e vilajeteve osmane që shtriheshin në jug të Bosnjës dhe populloheshin nga banorë shqipfolës, të cilët ishin me shumicë myslimanë dhe besnikë ndaj sulltanit. Në mënyrë që të fitonin besnikërinë e tyre, austro-hungarezët shkruan edhe tekstin e parë të historisë për shqiptarët. Në 18 maj 1897 konsulli austro-hungarez i Shkodrës, Theodor A. Ippen i propozoi kontit Agenor Gołuchovski shkrimin e një historie popullore të Shqipërisë e cila do të shkruhej nga drejtori i arkivit në Ministrinë e Financës perandorake-mbretërore, Ludvig von Thalloczy. Ippeni tregon në letër që kjo histori do të shkruhet “ashtu siç na nevojitet ne”. Në propozimin në fjalë, Ippeni tregon që historia do të trajtonte veçanërisht epokën e Gjergj Kastriotit (Skënderbeu)… më pas sundimin e Bushatllinjve në veri dhe të Ali Pashë Tepelenës në jug të vendit, pasi një shkrim i këtillë do të “ngrohte shumë vetëdijen kombëtare te lexuesit jo-skeptikë”.[8]

Historia e propozuar nga Ippeni u shkrua nga Ludvig (Lajos) von Thallóczy, një politikan dhe historian hungarez, mik i Benjamin Kallait, guvernatorit Habsburg të Bosnjes.[9] Thallóczy e botoi tekstin në vitin 1898 me pseudonimin “prej nji Gege që don vendin e vet” dhe me titull “Tnnollunat e Shqypniis”. Në një letër që Thallóczy i dërgoi ministrit të financave të Perandorisë Austro-Hungareze, Benjamin Kallait, e justifikon botimin e historisë si nevojë, e cila duhej t’i bënte shqiptarët gegë dhe toskë të ngulisin në kokë tre pikëpamje kryesore, që ishin të njohura për publikun evropianë, por të panjohura për shqiptarët:

  1. Ata formojnë një popull më vete.
  2. Kanë pas vetes së tyre një histori të lavdishme.
  3. Dhe për këtë u lind e drejta të shpresojnë edhe te një e ardhme politike.

Thallóczy tregon se libri ishte hartuar si për të krishterët ashtu dhe për muhamedanët. Ishte i pari i këtij lloji në një popull ku besimet fetare përballeshin më armiqësisht se kudo tjetër me njëra tjetrën. Ai tregon se e shkroi këtë histori si një iniciativë të parë për propagandë kombëtare te shqiptarët dhe si një pararojë ndaj përpjekjeve italiane për të kultivuar mendimin kombëtar në Shqipëri.[10]

Libri në fjalë shtroi trasenë e imagjinimit dhe konceptualizimit të historisë së shqiptarëve. Heroi kryesor i librit është Skënderbeu, fotoja e të cilit vendoset në kopertinë. Shqiptarët tregohen si fisi më i vjetër i Evropës dhe historia ndahet në katër kapituj: 1. koha e ilirëve, 2. koha e Romakve, 3. koha e burrnis shqyptare dhe 4. koha e Osmanllis. Skënderbeu është hero i kohës së burrnis shqyptare e cila tregohet si koha e artë e kombit. Libri i Thallóczy-t u ndoq nga libra të tjerë mbi historinë e Shqipërisë. I pari është Istori e Sqipërisë botuar nga Naim Frashëri në Sofie në 1899 i cili nuk ndjek kronologjinë e Thallóczy-t. Më pas botim me rëndësi është ai i vitit 1917,Historija e Shqypniës nga Dom Ndoc Nikaj i cili ishte nxitur nga Ippeni që të merret me histori.[11]

Në vitin 1918, Kostandin Çekrezi që mbaroi bachelorin për arte në Kolegjin e Harvardit në Amerikë, shkroi librin e parë në anglisht të punuar nga një shqiptar mbi historinë e shqiptarëve. Çekrezi kishte qenë përkthyes i Komitetit Ndërkombëtar të Kontrollit dhe shkrues i një numër shkrimesh në gazetën e qeverisë provizore të Vlorës, Përlindj’ e Shqipnies, në vitet 1913-1914. Në shkrimet e tij ai ankohej “pse nuk po zgjoheshin shqiptarët”, sulmonte Turqinë si hordhi barbare dhe aziatike, lavdëronte Evropën dhe tregonte Skënderbeun si mbrojtës të qytetërimit.[12] Kur shteti i parë shqiptar u shkatërrua nga “osmanlitë” e Haxhi Qamilit dhe “epirotët”[13] e jugut që nuk pranuan krijimin e një Shqipërie sipas dizenjove të Fuqive të Mëdha të Evropës dhe detyruan Princ Vidin të largohet,[14] Çekrezi u arratis për në AmerikëPor si edhe nacionalistët e tjerë ai e vazhdoi luftën për kombin “me penë” që nga Amerika duke ja dedikuar tezën e tij universitare, historisë së Shqipërisë. Teza e Çekrezit Albania past and present, Intro by Charles D. Hazen, (The Macmillan Company, New York, 1919)[15] do të jetë punimi mbi të cilin Çekrezi do të bazohet për të shkruar edhe tekst librin e parë të historisë për shkollat e Shqipërisë.[16] Në tezën e tij universitare dhe në tekstet shkollorë që do të shkruaj për shkollat shtetërore më vonë, Çekrezi ndoqi atë që Marshall Hodgson quan “konceptualizim eurocentrik të historisë.”[17] Evropa dhe Perëndimi kthehen në boshtin e vetëm të qytetërimit dhe historisë kundër të cilëve qëndron pjesa tjetër e botës, si Azia, Turqia etj që tregohen si antiqytetërimi, e për pasojë nuk meritojnë të përmenden për mirë e si pjesë e historisë së shqiptarëve. Era e artë e kombit shqiptar dhe hero madhor i Shqipërisë bëhet Skënderbeu, i cili mbron Evropën nga Azia apo qytetërimin nga barbarizmi. Si në rastin e Thalloczyt dhe shumicës së autorëve që kanë shkruar mbi historinë e Shqipërisë deri më sot, librat që Çekrezi prodhon, historinë 500 vjeçare me osmanët e injoron apo e tregon si epokë dhune e rezistence. Shembujt që Çekrezi tregon e që ndoqi për të shkruar tekstin e tij të parë, ishin libri i Dom Ndoc Nikajt dhe teksti francez “La Deuxieme annee d’Histoire de France”[18]

Por, Skënderbeu nuk do të përdoret vetëm nga Çekrezi. Me krijimin e shtetit laik shqiptar pas Kongresit të Lushnjes dhe shtypjen e myslimanëve të Shqipërisë së Mesme dhe ortodoksëve në jug,[19] Skënderbeu dhe rrëfimi Latinxhi i historisë bëhet rrëfimi dominues dhe i vetëm i historisë së Shqipërisë. Skënderbeu do të përdoret si hero i shkollave të Shqipërisë nga shumë autorë librash gjatë kohës së Zogut, kohës së pushtimit fashist e nazist, dhe, edhe pas ardhjes së komunizmit e botimit të tekstit të parë “shkencor” nga Instituti i Historisë dhe Gjuhësisë në Tiranë, “Historia e Shqipërisë.”[20] Ai do të ngelet heroi kryesor i librave që botojnë institucionet e Shqipërisë komuniste e pas-komuniste, e tashmë është kthyer në një hero zyrtar kombëtar të shqiptarëve,[21] dhe siç tregoj në një studimin tim mbi librat shkollorë të Kosovës, ai është hero edhe i shkollave të Kosovës sot.[22] Si pasojë e hegjemonisë që historianët e Shqipërisë kanë ushtruar mbi identitetin e shqiptarëve në Ballkan, Skënderbeu tregohet si hero i Shqipërisë, por edhe i shtetit të ri të Kosovës nga presidentët e të dy vendeve me shqiptarë në Ballkan[23] dhe prekja e mitit të tij shpesh konsiderohet tradhti kombëtare dhe shkakton protesta pushtetarësh, shkrimtarësh e historianësh nacionalistë nga Kosova, Shqipëria apo edhe Maqedonia.

Në këtë punim ne do të shqyrtojmë sesi nisi t’u rrëfehet Skënderbeu fëmijëve të shkollave të Shqipërisë pas krijimit të shtetit kombëtar shqiptar në vitin 1920. Do të shqyrtojmë shkrime e tekste historie nga Kostandin Çekrezi, Fan Noli, Kristo Floqi dhe një autor i paemër i tekstit “Histori e Gjeografi Klasa e Katertë” të shtypur në vitin 1942 nga qeveria fashiste për shkollat e Shqipërisë. Dy autorët e parë që shqyrtojmë, Çekrezi dhe Noli, që vijnë nga shoqëria Vatra në Amerikë dhe kanë ambicie personale për pushtet, mitin e Skënderbeut në tekstet e vitit 1920 dhe 1921 e lidhin me krijimin e shtetit të ri laik-kombëtar shqiptar i cili shpallet me qeverinë e Vlorës. Kristo Floqi në 1928, e lidh mitin me mbretërinë e Zogut, ndërsa teksti i botuar nga ministria e arsimit të Shqipërisë Fashiste në 1942, mitin e ndërlidh me “rilindjen” e Shqipërisë nën Italinë fashiste. Këta autorë që ne po marrin në shqyrtim, nuk janë të vetmit që prodhojnë tekste shkollore në këto kohë. Pati autorë si Naim Frashëri që përmendim më lartë, apo Gaspër Mikeli në tekstin “Njoftime Historike mbi Shqypni, Për klasët e epërme të Shkollavet fillore” (1927),[24] të cilët ndërsa e përmendin Skënderbeun si shqiptar trim, nuk i dedikojnë atij “erën e artë” të kombit, por e përmendin tangjent apo si një nga shumë trimat e kombit. Por në kundërshtim me këta, Çekrezi, Noli, Floqi dhe autori i librit shkollor të kohës së pushtimit italian, Skënderbeun e kthejnë në krye heroin e kombit dhe kohën e tij e portretizojnë si kohën e artë, pas së cilës vjen errësira – dhe më pas rilindja në formë republike, mbretërie apo bashkimi fashist.

Autori i parë që do të marrim në shqyrtim është Kostandin Çekrezi i cili botoi tekstin e parë të historisë për shkollat kombëtare të Shqipërisë. Teksti titullohet Histori e Shqipërisë (Botime të Federatës Panshqiptare “Vatra”, Shtypshkronja e Diellit, Boston, 1920).[25] Në këtë tekst Çekrezi e ndan në pesë pjesë historinë e Shqipërisë:

  1. PJESA E PARË: Që në kohërat me te vjetra gjer më 167 perp. Kr.

Tregon zanafillën pellazgo-ilire të shqiptarëve.

  1. PJESA E DYTË: Që më 168 perp. Kr. Gjer më 1410 pas Kr.

Tregon “Shqipërinë nënë Romanët dhe Bizantinët”

  1. PJESA E TRETË (1410 – 1501)

Tregon “Luftërat e para me Turqit” dhe “Shqipëria nënë Gjergj Kastriotin”

  1. PJESA E KATËRT (1501 – 1878)

Tregon mbi “Shqipëria nënë pushtimin turk” dhe “Kryeqeveritarët e Lirë të Shqipërisë” Ali Pashë Tepelena dhe Bushatasit.

  1. PJESA E PESTË: (1878 – 1912)

Tregon për “Fillimi i zgjimit kombëtar” deri në “Lufta balkanike dhe çpallja e lirisë”.

Siç mund të shihet nga më lartë, historia e Çekrezit trajton lashtësinë e shqiptarëve apo “rrënjët” e tyre, epokën “romake – bizantine” e cila tregohet si kohë qytetërimi, kohën e Skënderbeut e cila tregohet si koha e artë dhe e ndritur e kombit, kohën nën sundimin turk, e cila tregohet si kohë dhune dhe errësire e në fund mbyllet me “zgjimin kombëtar”. Trajektorja kombëtare nis me gjenezën, qytetërimin, famën e madhështinë skënderbegiane, errësirën turke, dhe rilindjen e pavarësinë. Skënderbeu dhe epoka e tij janë pjesa më e ndritur e tekstit. Edhe pse kjo periudhë mbulon vetëm 91 prej rreth 2000 apo më shumë vite histori, ajo zë 40 faqe të librit prej 195 faqesh.

Rrëfimi mbi Skënderbeun nis me ardhjen e turqve që quheshin osmanlli të cilët vinë nga Anadolli. Këta thyejnë serbët që ndihmohen nga ushtria shqiptare nën Balshën II në Betejën e Kosovës e më pas i afrohen Shqipërisë e cila mbrohet nga Venediku. Por Venediku tregohet që e lë Shqipërinë në baltë para sulltanit. Por disa princër si Gjon Kastrioti i rezistojnë gjeneralit të sulltanit, Evrenoz Pashës. Ky i mund ata dhe i merr peng Gjonit të katër djemtë e tij. Turqit që më pas pushtojnë të gjithë Shqipërinë tregohen të pabesë ndërsa shqiptarët e frikësuar. Sulltani i del nga besa Gjon Kastriotit dhe i helmon djemtë, por Gjergj Kastriotin që e donte shumë e quan “Isqender Bej” duke e barazuar me Aleksandërin e Madh. Megjithë dashurinë e sulltanit, Skënderbeu tregohet atdhetar që:

Kujtimi i atdheut ish mbajtur i gjallë në mendjen e tij dhe s’kërkonte gjë tjetër veç se një rasje të mirë që të kthehej në vendin e tij dhe të merrte në dorë qeverimin e Shqipërisë.[26]

Më tej, me vdekjen e Gjon Kastriotit, sulltan Murati II tregohet që ja jep Krujën një turku të quajtur Sabel Pasha. Ky fakt e bind Skënderbeun të largohet nga sulltani. Në vitin 1443 ai lë betejën në Nish, kthehet në Krujë, merr qytetin, vret turqit, ngre flamurin me shkabën me dy krerë e më pas mbledh princat dhe feudalët shqiptarë në Lesh me të cilët bën Lidhjen e Leshit e cila tregohet që:

… ka një rëndësi të madhe për Shqipërinë, se n’atë u-bë bashkimi i parë dhe i plottë[27] i Shqipërisë, nënë kryesin’ e Skënderbeut, dhe se dy Shtete të huaj, Venetia dhe Mali i Zi, e çmuan atë kryesi të Gjergj Kastriotit duke marrë pjesë në mbledhjen. Me këtë mënyrë, Skënderbeu u-njojt si kryekumandar, kryeqeveritar, dhe mbret i gjithë Shqipërisë së Bashkuar, me fjalë të tjera Gjergj Kastrioti është i pari Shqiptar që mundi të bashkojë Shqiptarët nënë një qeveri për një kohë të gjatë.[28]

Autori e tregon Skënderbeun si “luftëtari dhe gjenerali më i math i kohës së tij, dhe një nga gjeneralët më të mëdhenj të botës” e si “luani shqiptar.” Kryqëzata që Papë Eugjeni IV kërkon të organizoj në Evropë kundër turqve e tregon Shqipërinë si “një nga shtetet e mëdhenj t’asaj kohë” të cilat trembin Muratin II i cili bën paqe dhe njeh mbretërinë shqiptare nën Skënderbeun.[29] Kur sulltan Murati II rrethon Krujën në 1450 Shqipëria tregohet që ska frikë nga robëria për sa kohë që është Skënderbeu gjallë “mbreti luan i Shqipërisë”. Shqiptarët rezistojnë, sulltan Murati mundet, kthehet e vdes ne Adrianopojë nga marazi pse i rezistuan shqiptarët.

Pas Muratit, osmanët drejtohen nga Mehmeti II i cili tregohet “i egër dhe kryengjeshur.” Ky pushton Kostandinopojën në 1453 dhe i gjithë Ballkani bie në duart e turqve përveç Shqipërisë që “qëndronte kryelartë kundra fuqisë së tyre të tmerruar”. Mehmeti përdor dy shqiptarë tradhtarë për të sulmuar Skënderbeun, por edhe këta munden. Në një seri betejash që ai bën me Mehmetin, i fundit mundet. I inspiruar nga sukseset e Skënderbeut, Papa Piu II mundohet të organizojë një kryqëzatë tjetër kundër turqve e cila do të ishte:

 

… nën kumandën e përgjithshme të mbretit të Shqipërisë. Me fjalë të tjera, Skënderbeu do të njihej si mbreti më i math i tërë Evropës…[30]

 

Por dështimi i kryqëzatës që erdhi nga vdekja e Papës e çojnë Mehmetin të sulmoj sërish Shqipërinë dhe rrethoj Krujën. Por këto sulme dështojnë dhe Mehmetit i mbushet mendja që s’ishte e mundur të zërë Shqipërinë e kështu vendosi të largohej njëherë e mirë nga tokat ku mbretëronte “Skënderbeu dorë-hekur dhe zemër-luan.”

Epopeja e lavdishme e Skënderbeut tregohet të përfundojë në 7 janar 1467 kur një sëmundje i merr jetën “mbretit lavdiplotë, luftëtarit pa shoq, mundësi i Sulltanëve, Skënderbeu i dëgjuar në tërë botën.” Me vdekjen e tij ai e lë Shqipërinë si “qyqe të mjerë e të shkretë” ndërsa:

Papa i Romës dhe shumë mbretër t’Evropës mbajtën zi për vdekjen e trimit mbret të Shqipërisë, e i bënë shumë nderime emrit të tij të lëvduar.

Skënderbeu u-varros me shumë nderime në Lesh, dhe kur e muarë këtë qytet më 1478, Turqit ndanë në mes të tyre thrimet e eshtrave të tij të cilat i mbanin si hajmali, duke kujtuar që këto kishin fuqi edhe t’i mpronin nga vdekja.[31]

Me vdekjen e Skënderbeut, koha e artë e Shqipërisë tregohet të përfundojë. Kapitulli “Shqipëria nënë pushtimin turk” që ndjek kapitullin e Skënderbeut e tregon Shqipërinë të pushtohet nga turqit, të cilët tregohen që “erdhë barbarë t’egër nga Azia dhe barbarë ikën nga vendi ynë më 1912.” Ata sjellin barbari dhe pa qytetërim dhe shuajnë edhe ato pak shkëndija që kishin mbetur në Shqipëri nga qytetëria e saj e vjetër. Shqipëria hyn në epokën e saj të errët për t’u rilindur në 1912:

Me këtë mënyrë, vendi ynë i mjerë mbet n’errësirë e pothua në barbari, aqë sa bota e jashmte s’e numëronte asfare si një nga popujt e Evropës, sido që populli ynë është një nga më të vjetrit t’Evropës së tërë.[32]

Lidhja e Skënderbeut dhe Shqipërisë me qytërimin evropian, lexohet edhe te Fan Noli në shkrimin “Kthimi i Gjerq Kastriotit në Krujë” botuar si pjesë e leximeve të shkollave fillore nga Kostandin A. Çekrezi në librin Kendime për rjeshten e funtme të shkollave filltare.[33] Tregimi i cili u rrëfen nxënësve momentet e kthimit të Skënderbeut në Krujë, e tregon Krujën dhe Shqipërinë si një zonjë që vuan nën pushtimin turk, por që gjithsesi prodhon vetëm trima dhe luanë:

Qindra vjet më parë, kur Shqipëria nxirrte vetëm trima dhe luanë, në qytetin e dëgjuar të Krujës, te Kështjella e Kastriotëve, rrinte pranë zjarrit mi një polthrone veneciane një zonjë bujare… qe Princeshë Viosava, e veja e Gjon Kastriotit, e ëma e Skënderbeut.[34]

Vojsava tregohet të jetojë në një qytet të pushtuar. Në kalanë e Krujës “valonte flamuri i Turqisë”, vendi vuan nën shkeljen e turqve të cilët e kanë robëruar dhe plaçkitur. Por ata nuk kanë arritur të marrin dot ende pallën e rëndë të Kastriotëve e cila qëndron e varur në mur duke pritur për të zonë. Vojsava dhe Shqipëria tregohet që janë në pritje të heroit të tyre. Të gjithë presin; “Kruja të zotin, Shqipëria t’anë, bota trimin që s’ka shok.” Në këtë atmosferë mbytëse nga pushtimi turk, Noli rrëfen sesi papritmas e në formë mesianike në shtëpinë e Vojsavës hyn Skënderbeu. Ai tregohet si “një luftëtar i hieshëm, fisnik dhe madhështor, hundë-shkabë, sy-petrit, me mjekër të gjatë e të dredhur, i veshur me çelik, i armatosur gjer në dhëmbë, shtatuja e gjallë e Marsit.” Noli e emëron Skënderbeun “Princi i Krujës, Konti i Matit dhe Zoti i Dibrës, që u-quajt Skënderbe prej Sulltanit, Mbret i Shqipërisë dhe i Maqedonisë prej Papës.”[35]

Ardhja e Skënderbeut në Krujë tregohet si momenti i rilindjes së kombit. Skënderbeu që ka lënë pas sulltanin, pasi merr bekimin e nënës, rrëmben shpatën dhe me daljen e tij, Kruja ngjallet. Burra, gra, fëmijë mblidhen në shesh të qytetit, kishat ushtojnë, ndërsa njerëzit gëzojnë dhe qajnë, ndërsa shohin në majë të fortesës sesi:

Flamuri i huaj u hoq dhe tani valon flamuri i Shqipërisë. Për atë gëzon populli, për atë tingëllojnë këmbanat, për atë gjëmojnë topat. Ato që ngjajtin nën atë flamur, nën atë kryeushtar i shkruan historia me shkronja të arta, i buçasin malet, brigjet dhe gurët e Shqipërisë, i tregojnë përrallat dhe legjendat e pleqve dimrit rreth vatrës.

Kështu u-ngrit më 1443, në Vjeshtën e Tretë, në Kryeqytetin e vjetër të Shqipërisë, flamuri i kuq me shkabën e zezë me dy krerë….[36]

*          *          *

Ideja që me Skënderbeun nis një epokë e artë për shqiptarët jepet edhe nga Kristo Floqi në tekstinNjë Predikim mbi Patriotismë e Nacionalism – për shkollat publike e private të shtetit që me aprovimin e ministrit të arsimit, Xhafer Ypi dhe ministrit të brendshëm, Abdurrahman Dibra i shpërndahet shkollave publike e private të Shqipërisë në 1928.[37] Në tekstin e Floqit, qëllimi i të cilit ishte të nxisë nacionalizmin shtetëror, ku Zogu tregohet si i fundit i burrave të mëdhenj të kombit, Skënderbeu tregohet si pararendës i mbretit dhe Zogu si pasardhës e nip i tij. Ndërsa matjanët shfaqen si ushtarë të të dyve. Miti shihet që në hyrje të tekstit, i cili ilustrohet me një foto ushtarake alla-frënga të Zogut, ku mbreti tregohet si një monark modern evropian. Mbi foto shkruhet:

MADHËRI E TIJ
ZOG i I

MBRET I SHQIPTARVET

Ndërsa poshtë fotos qëndron vjersha:

Rroftë ZOGU I, rroftë,

Shpëtimtari i Atdheut

Bres-pas-brezit mbretëroftë

Për mbi Fron’e SKËNDERBEUT!

Floqi, ashtu si edhe Noli dhe Çekrezi, ishte produkt i shoqërisë Vatra në Amerikë, veteran i qeverisë Vlora, i cili ishte detyruar të largohet nga Shqipëria kur myslimanët kalifatistë dhe ortodoksët patriarkalistë shkatërruan shtetin e parë shqiptar. Teksti që Floqi shkruan në këtë periudhë i përket kohës kur shteti shqiptar kishte rreth tetë vite që ishte riformuar dhe Skënderbeu ishte ripranuar dhe imponuar nga pushteti si heroi legjendar i kombit. Për këtë arsye edhe Floqi, Skënderbeun e trajton si kryeheroin e kombit dhe mishërimin e kohës së artë të tij, i cili shërben si simbol për dizanjimin e shqiptarit të ri. Në tekstin në fjalë, ku ai propagandon për “patriotismë dhe nacionalismë”, fëmijët e shkollave mësojnë mbi stërgjyshërit e shqiptarëve. Ata tregohen të jenë ilirët të cilët nxorrën trima si Leka i Madh dhe Pirro i Epirit. Teksti tregon edhe kohën e zgjimit kombëtar me “Ligën e Prisrendit”, “Çpallja e Independencës Shqiptare” dhe “Koha e Pastjame Gjer në Kongresin e Lushnjes” e cila kulminon me shpalljen e mbretërisë. Por, nëse shpallja e mbretërisë është kulminacioni i rrëfimit të tekstit të Floqit, koha e artë këtu i ngelet Skënderbeut i cili legjitimon pushtetin e tanishëm të Zogut. Historia e Skënderbeut në tekstin në fjalë nis me rrëfimin e ardhjes së sundimit osman në Shqipëri. Ashtu si në tekstet më lartë, edhe këtu, kjo kohë tregohet si kohë zgjedhe dhe tiranie. Ndërsa Skënderbeu rrëfehet si shpëtimtar, jo vetëm i Shqipërisë por edhe i Evropës. Sipas autorit Skënderbeu:

…ka bërë për Shqipërinë shumë më tepër se sa Uashingtoni për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.[38]

Rrëfimi i Skënderbeut nis me lindjen dhe tragjedinë e tij. Ai tregohet të merret peng nga sulltani, i cili e bën synet dhe muhamedan atë dhe vëllezërit e tij. Më pas sulltani vret vëllezërit e mëdhenj dhe lë gjallë vetëm Gjergjin, pasi ishte i zgjuar dhe i guximshëm, “prandaj edhe e qojti Shënder bej, do me thënë, ,,Princ Aleksandër” ose trim si Aleksandri i math.”[39] Vrasja e vëllezërve, vdekja e të atit, e cila sipas autorit e la Shqipërinë pa krye dhe rënia e vendit nën zgjedhën turke e detyrojnë Skënderbeun që të kthehet në Shqipëri. Ai braktis turqit në luftë e vjen në Shqipëri me 300 matjanë (duke aluduar në këtë mënyrë fisin e mbretit Zog) dhe pasi hyn në Shqipëri bashkohet me 300 dibranë dhe me ata i drejtohet Krujës. Ardhja e Skënderbeut në Krujë tregohet si një lumturim i pamasë për të gjithë popullin i cili i puthte këmbët, njerëzit këndojnë e vallëzojnë dhe në qytet bien kambanat. Skënderbeu tregohet si bashkues i vendit, ndërsa turqit vërshojnë për hakmarrje. Megjithatë “luanët shqiptarë” i mundin në beteja të një pas njëshme dhe sulltan Murati edhe këtu tregohet të vdes “nga marazi i math që nuk mundi dot Skënderbenë.” Lufta e shqiptarëve dhe Skënderbeut kundër turqve dhe suksesi i tyre tregohet si e ndihmuar nga Zoti. Skënderbeu tregohet si një Zhan D’ark të cilit i del Shën-Gjergji në ëndërr, i jep një shpatë të artë dhe i thotë:

“Merre këtë shpatë se po t’a jep vetë Perëndia për të mos lënë turk më këmbë”! Edhe përfundoj: “Shqiptarë, mos u trembni, se është urdhëruar nga Zoti i madh që t’i mundim që të dy Sulltanët që po na vinë këtë radhë”![40]

Skënderbeu tregohet triumfues edhe kundër sulltan Mehmetit II i cili tregohet i dëshpëruar e kërkon paqe. Po pasi nuk e mund dot, ai përdor turlifarë taktikash për ta mundur, duke çuar edhe shqiptarë tradhëtarë si Ballaban Pasha dhe Jakup Pasha për t’a luftuar. Tradhëtarët si Ballabani tregohen të zotë, por Skënderbeu i mund. Më në fund sulltani marshon më 100.000 vetë kundër tij. Skënderbeu tregohet të marri mbështetje nga Vatikani dhe princat e tjerë të krishterë e kështu detyron sulltanin të shkoj në Stamboll që të marrë fuqi të reja. Ndërsa ishte në beteja me turqit, Skënderbeu tregohet që kur ishte në Lesh sëmuret dhe vdes. Kur e sheh që nuk e ka më  gjatë ai:

…thirri rotull tij gjithë princët, gjenerallët, oficerët e miqt’ e tij, dhe si ju foli fjalët e fundit e i mallëngjeu… ju la amanet Shqipërin e dashur edhe fëmijën e tij… Heroji i famshëm, engjelli i Zotit, ata i Kombit t’onë, Skënderbeu i math mbylli sytë për gjithënjë dhe fluturoj te Zoti tuke lënë Shqipërinë në një zi e në një mjerim të thellë!…[41]

Shqiptarët tregohet të bien në zi të thellë nga kjo vdekje, klithin, ulërinin, shkulin flokët, qajnë humbjen e prirësit, babës, mbrojtësit e shpëtimtarit të kombit. Autori u kërkon nxënësve që të qajnë për humbjen e atit të kombit:

Qani, o djem, qani trimin e pashoq, qani burrin e math, atë që përvëloj zembrat e shqiptarëve, atë që n’a shkretoj e n’a varfëroj, se me të vërtet, pas vdekjes së tij Shqipëria ra në një robëri aqe të rëndë për aqe shekuj![42]

Skënderbeu u tregohet nxënësve jo vetëm si i ndihmuar nga Zoti, por në veçanti si i krishterë. Edhe pse turqit e bëjnë synet dhe muhamedan, ai ndihmohet nga Shën Gjergji, varroset në Kishën e Shën Kollit në Lesh dhe vdekja e tij shkakton zi në të gjithë oborret mbretërore të krishtera të Evropës. Por, vdekja e tij ngazëllon sulltan Mehmetin i cili kur dëgjon vdekjen e tij “u deh nga gazi dhe sillej në divanin e tij posht’ e përpjetë si i marrë, se tani gjithë Evropa do ishte nënë këmbët e tija!”[43] Skënderbeu tregohet që mbron Shqipërinë por edhe Evropën dhe Krishtërimin:

Ky ishte, djem, Skënderbeu i math, që s’e la Turqinë të shtrihet në Evropë, ajy që i ndaloj hovin Sulltan Mehmetit dhe s’e la të kalonjë Adriatikun e t’i vërë, si theshte tagjinë kalit të tij në kishën e Shën-Pjetrit në Romë; ky ish Skënderbeu i jonë, që shpëtoj Evropën nga xgjedha turke! Qoft’ i pa vdekur e i përjetshim kujtimi i veprave të tija të shejta![44]

Me vdekjen e Skënderbeut, Floqi tregon që Shqipëria futet në tiraninë pesëshekullore turke. Turqit i robërojnë, i përçajnë, i dhunojnë dhe u ndërrojnë fenë shqiptarëve, po kombësinë ata nuk e tradhtojnë kurrë.[45] Edhe pse në errësirë për 500 vite, me krijimin e shtetit shqiptar dhe ndryshimet kushtetuese që ndodhin në Shqipëri në 1925 dhe 1928, e me shpalljen e Zogut mbret të Shqipërisë, Floqi konkludon rrëfimin e narratives së tij kombëtare duke deklaruar se koha e artë e Skënderbeut po rivjen sërisht me Zogun, pasi:

…u ringjall froni historik i fatosit të math Skënderbeu, gjer dje i shkretë, dhe gëzohi, se në atë fron hipi prapë një Matjan, nip-stërnipi i Tij, A. Zogu…

Rroftë Ahmet Zogu, rroftë

SHPËTIMTARI i Atdheut

Bres-pas-bresi u kujtoftë

Nip-stërnip’i Skënderbeut![46]

*          *          *

Ideja që me Skënderbeun nis koha e artë e kombit, tregohet edhe në tekstin “Histori e Gjeografi Klasa e Katertë” shtypur në vitin 1942 në gegërisht nga qeveria fashiste italo-shqiptare për shkollat e Shqipërisë.[47] Për fashistët, ashtu si edhe në rastin e tekstit të Çekrezit dhe Floqit, shqiptarët renditen ndër popujt më të lashtë të botës. Ata janë ilirë dhe epirotë të cilët ishin “nëpunsa të naltë, medje edhe perandorë të Romës” dhe ndihmuan qytetërimin romak. Në shekujt e V dhe të VII-të pushtohen nga barbarët sllavë dhe bullgarë, por dalin në dritë kur bashkohen me napolitanët dhe Venedikun.

Si në tekstet e tjera, edhe këtu ardhja e turqve përbën kohën e errët tyre kur ata përballen me pushtimin e dhunshëm dhe të rrezikshëm që udhëhiqet nga jeniçerët, ndërsa koha e Skënderbeut është koha e artë. Autori tregon se me ardhjen e turqve në Ballkan serbët thyhen, Venediku frikësohet, “disa princa të Shqipnisë, burra trima e të patrembun, vendosën me qëndrue me armë në dorë, për me shpëtue lirinë e Atdheut.” Ata që qëndrojnë janë Gjon Kastrioti dhe Arianit Komneni. Por këta munden nga sulltani dhe Shqipëria mposhtet. Por edhe pse munden, për autorin, shpresa e atdheut qëndron te Skënderbeu, i cili mbijetoi i vetëm ndërsa vëllezërit e tij pasi u bënë muhamedanë, helmohen nga sulltani. Skënderbeu që ja fiton zemrën sulltanit, i cili i vë emrin e Lekës së Madh “Skënderbej”, mërzitet me sulltanin i cili nuk e vendos sundimtar të Krujës kur i vdes i ati. Në 1443 ai kthehet në Krujë dhe me një ferman që ja merr me shpatë në dorë shkruesit të urdhrave të sulltanit, merr kështjellën e Krujës dhe rikrijon Shqipërinë:

Nga muret e Krujës u-shduk tashti flamuri i Turqisë e atje u-ngref flamuri i shtëpisë së kastriotëvet: “Shqiponja e zezë me dy krerë”.

Tashti Shqipnija kishte nji të parë, të cilin fati e kishte caktue me i ndriçue faqet e historisë së kombit shqiptar.[48]

Pasi merr Krujën, Skënderbeu mbledh parinë e Shqipërisë në Lesh “për me bisedue si t’a shpëtojshin atdheun nga robnija turke.” Në mbledhjen e mbajtur në Kishën e Shën Kollit në 28 nëntor 1443, ai njihet si “kryetar i Shqipnisë dhe krye-komandant i ushtrisë së bashkueme shqiptare.” Edhe në këtë rrëfim Skënderbeu mund turqit, turpëron sulltanët dhe emri i Gjergj Kastriotit bëhet i famshëm në Evropë. Fitoret e tij tregohen që dëmtojnë rëndë edhe serbët të cilët ishin të lidhur me sulltanin. Një nëntemë e veçantë e mësimit është edhe “Skënderbeut dhe sulltan Mehmeti”. Këtu tregohet se, pasi mund sulltan Muratin, Skënderbeu martohet me Donikën të bijën e Arianit Komnenit “princit të Himarës dhe Kurveleshit”. Martesa tregohet shqiptare dhe e gjithë Shqipnija merr pjesë në këtë gëzim. Vlen të theksojmë që autorët cilësojnë që Himara ishte pjesë e Shqipërisë, siç tregojnë edhe gjetkë që “Shqipnija e vërtetë duhet t’ishte ma e madhe. Jenipazari, Vuçiterni, Podjeva, Kaçaniku, Shkupi, Kumanove dhe Çamërija.”[49] Por, ndërsa Skënderbeu martohet, turqit nën sulltan Mehmetin, marrin Konstantinopolin dhe kështu i gjithë Ballkani me përjashtim të Shqipërisë gjendet nën sundimin e tyre. Duke qenë që ushtritë turke nuk e mundin dot Skënderbeun, sulltani ngre një ushtri prej 200,000 vetash dhe erdhi vetë kundër Krujës, por nuk arriti gjë dhe kthehet i mundur. Fitorja kundër sulltanit e bën Shqipërinë e vogël të famshme në Evropë:

E gjithë Evropa i kishte kthye sytë nga Shqipnija e vogël e po kqyrte luftat për gjallje a vdekje që po bante kombi shqiptar me perandorin e osmanllive.[50]

Në ndihmë të Shqipnisë tregohet që donte të vinte edhe vetë Papa i Romës, por ai vdiq rrugës dhe Kryqëzata dështoi. Skënderbeu tregohet të ndërtojë marrëdhënie të mira me mbretin e Napolit, Ferdinandin të cilin e ndihmon kundër armiqve të tij. Ai tregohet shpirtmadh me ata që e tradhtuan me turqit, të cilët i fal dhe i fut sërish në radhët e ushtrisë shqiptare. Megjithatë, era e artë e Skënderbeut përfundon në “17 Jenar 1468” kur ishte në Lesh e kishte mbledhur krerët e Shqipërisë për shpëtimin e atdheut. Pas një lëngate “fatosi i Kombit, mundësi i Sulltanëve” mbyll sytë:

Skënderbeu u-varros në Lesh në mes të vajtimit të gjithë Shqipnisë në Kishën e Shin Kolit. Tash Shqipnija mbeti e shkretë dhe e vorfën. U-rrëxue shtylla ma e fortë e saj, që e përmbajti atdheun për 24 vjet rresht kundra valëve të Anadollakvet. Koha e Skënderbeut për Turqit që nji kohë tmerri e turpnimi. Për kombin shqiptar asht nji kohë nderi dhe krenarije, asht koha ma e bukur e historisë s’onë.[51]

Por, pas vdekjes së Skënderbeut turqit e marrin Shqipërinë. Kur marrin Leshin ata çelin varrin e Skënderbeut dhe i shpërndajnë kockat e tij për hajmali, pasi besonin se kush mbante hajmali nuk e kapte plumbi. Pushtimi turk shkakton që mijëra shqiptarë të largohen nga vendi mbasi nuk duronin zgjedhën e huaj. Ata vendosen në Itali dhe në Greqi e më pas derdhin gjakun për lirinë e Greqisë. Por edhe pse turqit pushtojnë fushat autori konkludon se:

Shqipnija u-shkel prej Turqvet, por jo malet tona. Atje s’gjandej kambë Turku. Malësorët t’onë trima mprojtën me armë në dorë lirinë e trashigueme prej të parëvet, gjuhën e zakonet e kombit shqiptar.[52]

Në rreshtat e mësipërme mbyllet pjesa e parë, “Njohuni Historije” e tekstit “Histori e Gjeografi Klasa e Katertë” dhe me këtë rast edhe historia e Shqipërisë. Në pjesën e dytë te tekstit “Njohuni Gjeografije” nxënësit mësojnë mbi gjeografinë dhe “Shqipninë politike” e cila nis në Tiranë dhe mbaron në Prishtinë. Në mësimin e fundit të kësaj pjese e të të gjithë librit ndodhet mësimi “Shteti Shqiptar në kuadrin e Perandoris romake.” Ky mësim shërben edhe si konkluzioni i historisë së kombit shqiptar, i cili pasi nis me ilirët e vijon me romakët, barbarët, venedikasit, Skënderbeun e turqit, përmblidhet kështu:

Mbas shumë luftash e mjerimesh të vuejtuna nëpër shekuj, ma në fund, leu dhe për Shqipnin nji jetë e re e nji kohë e re …

Më 12 Prill 1939-XVII, kombi Shqiptar i paraqit Kunorën e Skanderbeut Madhnis në Tij Viktor Emanuelit të III, Mbret i Italis e Peranduer i Etiopis, si edhe Pasardhësvet të Tij Mbretnorë…

Nën regjimin Fashist e nën udhëheqjen e Duçes, Shqipnija do t’eci gjithni përpara për nji jetë ma të mirë e ma të lumtun.[53]

Me këtë përmbyllje, historia e Shqipërisë, e cila kalon vite qytetërimi të lashtë nën romakët, pushtimi nga barbarët, e errësuar nga turqit, të cilëve u reziston Skënderbeu si mbrojtës i vetëm i Shqipërisë dhe Evropës, tregohet që me bashkimin me Italinë fashiste nën pushtetin e Duçes, ajo hyn në epokën e saj të artë të rilindjes. Kjo rilindje është pak a shumë si rilindja në tekstet e mësipërme, ku ajo projektohet në qeverinë e Ismail Qemal Beut, apo shpalljen e Zogut mbret të Shqipërisë. Por në tekstin e fundit, Ismail Beun dhe Zogun mbret, e zëvendëson Duçja dhe Musolini italian, të cilët sundojnë në emër të Skënderbeut që i mbrojti nga turqit pesë shekuj më parë.

Historia e edukimit me Skënderbeun që trajtuam më sipër, rrëfen disa nga mënyrat e ndryshme, sesi është treguar ai në Shqipërinë pas-osmane nga disa autorë, që prodhuan libra historikë shkollorë për tre periudha të ndryshme të shtet-formimit shqiptar. Gjëja që i bashkon autorët e tre periudhave, është se ata e përdorin historinë e Skënderbeut, ashtu si edhe habsburgët me Thalloczyn për të krijuar një rrëfim kombëtar dhe siç Theodor A. Ippen shkruante në 1897, për të bërë një histori “ashtu siç na nevojitet ne.”[54] Skënderbeu, osmanët, ilirët, romakët, sllavët, venedikasit e bullgarët e kohëve parakombëtare, nxirren nga konteksti i tyre paranacional dhe “shqiptarizohen” apo bëhen aktorë të kundërt me shqiptarët nga historianët laikë, për të ndërtuar atë që Erik Hobsbaum quan “shpikjen e traditës.”[55] Të gjithë autorët që analizojmë më lartë janë të krishterë[56] dhe bien dakord për një gjë; era e artë e Shqipërisë është epoka e Skënderbeut kur ai i shpëtoi shqiptarët nga “errësira e joqytetërimit” i cili projektohet në Islamin dhe Turqinë dhe mbrojti qytetërimin i cili personifikohet me Evropën dhe Krishtërimin.

Përveç projektimit të së kaluarës, Skënderbeu i shërben edhe projektimit të së tashmes dhe premtimit për një të ardhme më të mirë. Tamam si në sloganin Orvellian “Kush kontrollon të kaluarën, kontrollon të ardhmen”[57] autorët që kemi shqyrtuar e përdorin të kaluarën për ti shërbyer pushtetit aktual. Në të tre rastet që shqyrtuam, Skënderbeu tregohet si profeti i rrëfenjës së të tashmes dhe “kultit të patriotismës.” Ndërsa rrëfehet si shpëtues i shqiptarëve nga errësira e joqytetërimi në të kaluarën, ata që janë sot në pushtet tregohen si pasrendës të tij, që presupozohen se do të bëjnë të njëjtën gjë si ai dikur. Kostandin Çekrezi kulminacionin e historisë së Shqipërisë e shikon në 28 Nëntor 1912 kur “u-ngrit flamuri i Shqipërisë, flamuri i Skënderbeut të madh, në Vlorë, dhe Shqipëria u-bë me vete”, Floqi e projekton në 1928 kur “…u ringjall froni historik i fatosit të math Skënderbeu, gjer dje i shkretë” dhe sot ”në atë fron hipi prapë një Matjan, nip-stërnipi i Tij, A. Zogu…”, kurse autori i tekstit fashist e projekton në 12 Prillin 1939 kur “kombi Shqiptar i paraqit Kunorën e Skanderbeut Madhnis në Tij Viktor Emanuelit të III, Mbret i Italis e Peranduer i Etiopis, si edhe Pasardhësvet të Tij Mbretnorë…”

Siç ka vënë në pah Egin Ceka në shkrimin Ndërgjegje historike. Muzeu Kombëtar dhe Muzeu i Skënderbeut si institucione të religjionit civil shqiptar të komunizmit,[58] ku tregohet përdorimi i Skënderbeut në Shqipërinë komuniste, edhe në tekstet e Shqipërisë parakomuniste që ne trajtojmë, ai përmbush tre funksione: legjitimizues ndaj regjimit, prijësit dhe madhërues i tij. Ai legjitimon pushtetin e qeverive që trashëgojnë flamurin, apo fronin e Shqipërisë, legjitimon prijësit dhe madhëron pushtetin, ku pas-Lushnjarët, zogistët dhe fashistët tregohen si “Rilindas” e trashëgimtarë të denjë të Skënderbeut që do të ndërtojnë një jetë më të mirë dhe të lumtur për kombin.

Përtej kontekstit historik, Skënderbeu përdoret në të njëjtat forma edhe sot. Siç u përmend më sipër ai është hero kombëtar i Shqipërisë dhe Kosovës. Busti i tij  qëndron në qendër të disa qyteteve kryesore shqiptare, është hero i teksteve shkollore të Kosovës, Shqipërisë dhe shqiptarëve në Maqedoni, dhe presidentët, kryeministrat e pushtetarët shqiptarë e përmendin nëpër fjalimet e tyre si heroin e kombit. Si në Shqipërinë e viteve 20-40, edhe sot ai vazhdon të përmendet si mbrojtës i Evropës dhe aleat i Kishës Katolike ndaj rrezikut osman. Por, nëse në gjysmën e parë të shekullit të 20 ai refuzohej nga shumica shqiptare myslimane, e përmendej më shumë nga të krishterët, sot me të mburren edhe shqiptarët me origjinë myslimane. Kështu presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi shkruan në faqen e tij se:

Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Vatikanit kanë rrënjë të hershme në histori dhe e kanë ngjizjen e tyre të madhe në shekullin e 14-të me aleancën ndërmjet Gjergj Kastriot Skënderbeut dhe Selisë së Shenjtë, në kohën kur pushtimi otoman ishte një kërcënim i madh për Evropën.[59]

Skënderbeu tregohet si hero kombëtaro-kristjan i mesjetës e “luftëtar për qytetërim dhe krishtërizëm evropian kundër Perandorisë Osmane dhe Islamizmit” edhe nga presidentja e Kosovës me shumicë muslimane, Atifete Jahjaga.[60] Ai dhe murgesha Nënë Terezë rrëfehen edhe si pararendës të përhapjes së demokracisë, paqes, hyrjes së Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe në NATO nga presidenti Bamir Topi kur ai deklaron që:

Atdheu i Gjergj Kastriotit dhe Nënë Terezës nuk mund të kishte destinacion tjetër, përveç ribashkimit të plotë me Evropën dhe qytetërimin e saj. Njëzet vjet më parë ëndrra evropiane ishte vetëm aspiratë, sot ajo është realitet. Shqipëria është anëtare në NATO, është një vend me mbështetjen më të lartë qytetare për aspiratat integruese në Bashkimin Evropian dhe një partner serioz i bashkësisë ndërkombëtare në përpjekjet e saj për përhapjen e demokracisë dhe të paqes në rajone të ndryshme të botës.[61]

Në rrëfimin kombëtarist shqiptar Skënderbeu gjen role shumëdimensionale. Ai varion që nga luftëtari trim, mbreti i madh, mbrojtësi i Shqipërisë, Evropës, Krishtërimit e pararendësi i Ismail Qemal beut, Zogut, Duces e Musolinit, Hitlerit, Enver Hoxhës e bile edhe i Sali Berishës, Hashim Thaçit, Bamir Topit e Ali Ahmetit. Ai është heroi kryesor i Kosovës dhe Shqipërisë e mbi të gjitha shfaqet si pararendës i demokracisë dhe hyrjes së shqiptarëve në NATO dhe Bashkimin Evropian, ndërsa gjatë Luftës së Dytë Botërore u përdor për të emëruar divizionin nazist Scanderbeg. Edhe pse Skënderbeu vetë mund të kishte shumë rezerva për epitetet që i jepen e që në kohën e tij as që mund të imagjinoheshin dot, figura e tij, që qëndron e skalitur në sa e sa filma, libra, shkolla, rrugë, sheshe, buste, mure, medaljone, novela, monumente, shishe konjaku dhe mendje të shqiptarëve etnikë në Ballkan – nuk mund të trajtohet siç ai ka qenë në të vërtetë pa shkaktuar kundërshtira dhe akuza për tradhti kombëtare, apo mohim të kombit.[62] Skënderbeu që shihet si “baba madhor i kombit” analizohet për tiparet e tij psikosociale e trajtohet si luftëtar kombëtar,[63] jo vetëm nga autorë librash shkollorë e romancierë, por edhe nga fetarë-politikanë, qendra studimesh albanologjike e universitete. Ditëlindja e tij shpallet ditë lutje dhe reflektimi kombëtar, ku qytetarët e politikanët thërriten që të luten dhe reflektojnë.[64] Edukimi me Skënderbeun dhe trajtimi i tij përtej asaj që ai në të vërtetë ka qenë, sa do që nga ana historike është jo-shkencor. Nëse do të citonim Ernest Renanin, është pjesë e nacionalizmit. Renani thotë “…të thuash gjëra që historikisht janë gabim, është një faktor me rëndësi në krijimin e një kombi…” ndërsa “…progresi në shkencat historike shpesh është diçka e rrezikshme për një komb.”[65]

Education with Skanderbeg

Olsi Jazexhi

Abstract

This article analyzes the process of identity formation in post-Ottoman Albania. After taking power in 1920, the nationalists used the schools and school textbooks to construct a new national narrative for the evolving Albanian nation. One of the most important tools that came to the nationalists’ aid was history. By inventing and fabricating myths and events from the past, the nationalists tried to create a meta-narrative for the just formed Albanian nation-state. The schools of the modern Albanian state served as nursing incubators for the new Albanian generation, which by now, had to be secularized and detached from its Ottoman past. This article shows how the central hero of Albanian nationalism, Scanderbeg, was invented, negotiated and constructed as the ultimate hero of the Albanian nation.

Key words: History,  Albanianism, Idolatry, Ottomans, Identity Construction



[1] Me termin nacionalistë këtu nënkuptojmë grupin politik që morri pushtetin në Shqipëri në vitet 1920.

[2] Shiko psh: Bernard Lewis, History: Remembered, Recovered, Invented, (Princeton, N.J., Prince ton University Press, 1975), fq. 53.

[3] Cituar nga Anthony D. Smith në Chosen Peoples: Sacred Sources of National Identity. (Oxford University Press, 2003).

[4] Ernest Gellner, Nations and Nationalism, (Cornell University Press, 1983), fq. 48, 58.

[5] Cituar nga Anthony Smith në: LSE Centennial Lecture: The Resurgence of Nationalism? Myth and Memory in the Renewal of Nations, në The British Journal of Sociology, Vol. 47, No. 4 (Dec., 1996), fq. 575-598

[6] Me termin Latinxhi njiheshin ata intelektualë nacionalistë shqiptarë që donin që gjuha shqipe të zhvillohej me gërma latine. Këta më pas u njohën edhe si Bashkimxhinjë falë emrit të Klubeve Bashkimi që këta themeluan në Perandorinë Osmane pas vitit 1908. Grupi i nacionalistëve turkofilë që ishte rival i të parëve njiheshin si Ittihadçij falë emrit të klubeve xhonturke, të Ittihad dhe Terakisë që këta ishin anëtarë. Për më shumë shiko: Nathalie Clayer, Në fillimet e nacionalizmit shqiptar. Lindja e një kombi me shumicë myslimane në Europë. (Botimet Përpjekja. Marin Barleti. Tirana. 2009).

[7] Grekomanët ishin të disa llojeve. Disa favorizonin bashkimin e Shqipërisë më Greqinë dhe asimilimin e shqipfolësve në grekë. Disa të tjerë, si psh. Thimi Mitko e shikonin emancipimin e shqiptarëve duke u mësuar atyre gjuhën shqipe në mënyrë që nëpërmjet kësaj gjuhe ata të mësonin qytetërimit helenik. Ndërsa disa të tjerë edhe pse ishin të ndikuar nga helenizmi kaluan në kampin e shqiptaristëve latinxhi dhe kërkonin të krijojnë një Shqipëri më vete.

[8] Ludwig von Thallóczy, Të ndodhunat e Shqypnis prej nji Gege që don vendin e tij, Përktheu. Stefan Zurani, Transkriptoi Raim Beluli. Botimi i Tretë (Botime Françeskane, Shkodër 2008), fq. 56-57.

[9] Fikret Karčić. The Bosniaks and the Challenges of Modernity: Late Ottoman and Hapsburg

  1. (El-Kalem, Sarajevo, 1999), fq. 84.

[10] Ludwig von Thallóczy, Të ndodhunat e Shqypnis prej nji Gege që don vendin e tij, fq. 69-71.

[11] Shiko: D. Ndoc Nikaj, Historija e Shqypniës, (Shtypshkroja “Nikaj”, Shkodër, 1917) dhe N. Clayer, Në fillimet e nacionalizmit shqiptar, fq. 377.

[12] Shiko: Përlindja e Shqipnies, nr. 3, 20 Gusht 1913, fq. 2.

[13] Osmanlitë dhe epirotët ishin shumica shqipfolës muslimanë dhe ortodoksë të cilët në vitet 1912-1915 ishin shumica e popullit. Muslimanët shqiptarë veten shpesh e quanin osmanlli apo turq, siç dëshmohet edhe në dokumentat e kohës së Haxhi Qamilit, ndërsa ortodoksët e / apo i quanin epirotë, grekomanë, helenë, himariotë etj. Siç tregoj në shkrimin “Turk Elhamdulilah!” (Përpjekja nr. 25, 2008), koncepti i shqiptarit në këtë kohë nuk ekzistonte dhe ishte i padëshirueshëm për shumicën e popullit.

[14] Arsyet pse princ Vidi u largua nga Shqipëria ishin të shumta. Njëra ishte braktisja e tij dhe e projektit shqiptar nga Fuqitë e Mëdha të Evropës dhe nisja e Luftës së Parë Botërorë. Ndërsa në kontekstin vendas ishte lufta civile e muslimanëve dhe ortodoksëve vendas kundër krijimit të Shqipërisë dhe pushtetit
“nacionalist” të Vidit e cila kulminoi me hyrjen e revolucionarëve islamik në Durrës në shtator 1915 të cilët ribashkuan Shqipërinë me Perandorisë Osmane dhe revolta e ortodoksëve në jug e cila kulminoi me aneksimin e qyteteve jugore nga Greqia. Për më shumë mbi temën sesi 95% e shqiptarëve e luftuan krijimin e Shqipërinë shiko fjalimin e Taqi Budës në Bisedimet e Këshillimit Kombtar, Viti I, 1921.

[15] Përkthimi i titullit është: Shqipëria e kaluara dhe e tashmja, hyrje nga Charles D. Hazen.

[16] Ky eshte pretendimi i Çekrezit ne: Kostandin A. Çekrezi, Histori e Shqipërisë, (Botime të Federatës Panshqiptare “Vatra”, Shtypshkronja e Diellit. Boston, 1920), fq. ii – iii.

[17] Shiko: Marshall G. S. Hodgson (Edited, with an Introduction and Conclusion, by Edmund Burke III) Rethinking World History: Essays on Europe, Islam and World History (Cambridge, 1993), fq. 29-33.

[18] Ibid.

[19] Mbi mënyrat e dhunës që përdori shteti laik i pas-Lushnjes për të shtypur dhe konvertuar në shqiptarizëm “osmanlitë” dhe “esadistët” e Shqipërinë e Mesme shiko deklaratat e Ahmet Zogollit dhe Mehdi Frashërit në Bisedimet e Këshillit Kombtar, 1921, 1922, 1923.

[20] Islami, Selim, Frashëri. Kristo, Historia e Shqipërisë, Vol I, (Universiteti Shtetëror i Tiranës, Instituti i Historisë dhe i Gjuhësisë, Tiranë, 1959).

[21] Mbi përdorimet politike dhe historike të Skënderbeut në mesin e shqiptarëve shiko: Oliver Jens Schmitt, Skënderbeu, shqip nga Ardian Klosi, (Shtypshkronja Natyra, Tiranë, 2009) dhe Hysamedin Feraj,

Skicë e mendimit politik shqiptar, (Tiranë : Pegi, 2006).

[22] Olsi Jazexhi, Studim: Rrëfimet e një kombi: Shqiptarët, turqit, muslimanët dhe të krishterët në tekstlibrat shkollorë të historisë dhe letërsisë në Kosovë, Analizë e teksteve shkollore të ciklit fillor, të mesëm të ulët dhe të mesëm të lartë të Kosovës, (për tu botuar) Prishtinë, Kosovë 2012.

[23] Mbi imagjinimin e Skënderbeut si hero të Kosovës dhe Shqipërisë shiko psh. fjalimin e president Bamir Topit këtu: “PËRSHËNDETJA E PRESIDENTIT TOPI ME RASTIN E FESTËS SË PAVARËSISË DHE DITËS SË FLAMURIT”, 28 nëntor 2011 në: http://president.al/shqip/info.asp?id=7020 dhe intervistën e Atifete Jahjagës në: “PRESIDENTJA JAHJAGA NË “MLADA FRONTA DNES”: EPOKA E SË KEQES KA PËRFUNDUAR” në http://www.president-ksgov.net/?page=1,6,1798

[24] Shiko: Gaspër Mikeli, Njoftime Historike mbi Shqypni për klasët e epërme të Shkollavet fillore, (Shtypshkronja e së Paperlyemes, Shkoder, 1927).

[25] Çekrezi ka botuar disa tekste historie, ku trajtimi i Skënderbeut mund të ndryshojë në lidhje me politikën e kohës, por këtu po mjaftohemi me tekstin e vitit 1920.

[26] Kostandin A. Çekrezi, Histori e Shqipërisë, (1920), fq. 87-90.

[27] Gërmat italike që jepen në citime janë kështu në original.

[28] Ibid, fq. 93.

[29] Ibid, fq. 94-95.

[30] Ibid, fq. 100-101.

[31] Ibid, fq. 103.

[32] Ibid, fq. 124.

[33] Kostandin A. Çekrezi, Kendime për rjeshten e funtme të shkollave filltare, (Botime të Federatës

Panshqiptare “Vatra”, Shtypshkronja e Diellit. Boston, 1921), fq. 109-112.

[34] Ibid, fq. 109.

[35] Ibid, fq. 111-112.

[36] Ibib, fq. 112.

[37] Kristo Floqi, Një Predikim mbi Patriotismë e Nacionalism – për shkollat publike e private të shtetit,

(Shtypur në “Kristo P. Luarasi”, Tirane, 1928), fq. 2-3.

[38] Ibid, fq. 29.

[39] Ibid, fq. 30.

[40] Ibid, fq. 35.

[41] Ibid, fq. 41.

[42] Ibid, fq. 42.

[43] Ibid.

[44] Ibid.

[45] Ibid, fq. 43.

[46] Ibid, fq. 67-68.

[47] Ministria e Arsimit, Histori e Gjeografi Klasa e Katertë, (Shtëpia Botuese Marzocco, Firenze 1942).

[48] Ibid, fq. 68.

[49] Ibid, fq. 87.

[50] Ibid, fq. 70.

[51] Ibid, fq. 71.

[52] Ibid, fq. 72.

[53] Ibid, fq. 205-207.

[54] Ludwig von Thallóczy, Të ndodhunat e Shqypnis prej nji Gege që don vendin e tij, fq. 56-57.

[55] Shiko psh: “Introduction: Inventing Traditions” nga Eric Hobsbawm and Terence Ranger eds. në, The Invention of Tradition, (Cambridge University Press, 1983).

[56] Këtu bën përjashtim autori i tekstit Histori e Gjeografi Klasa e Katertë emri i të cilit nuk shkruhet, por unë dyshojë të jetë katolik. Në këtë kohë ka edhe autorë muslimanë që shkruajnë tekste që mbajnë një rrëfim të ngjashëm, por që ne nuk kemi patur mundësi ti gjejmë.

[57] Shiko: George Orwell, 1984, (New York, Signet Classic, 1961).

[58] Egin Ceka, Ndërgjegje historike. Muzeu Kombëtar dhe Muzeu i Skënderbeut si institucione të religjionit civil shqiptar të komunizmit, Përpjekja nr. 21/ 2005: 121-147

[59] FJALA E PRESIDENTIT TOPI NË PRITJEN E KËSHILLIT TË KONFERENCAVE IPESHKVNORE TË EVROPËS, 30 shtator 2011 në: http://president.al/shqip/info.asp?id=6855

[60] “PRESIDENTJA JAHJAGA NË “MLADA FRONTA DNES”: EPOKA E SË KEQES KA PËRFUNDUAR” nëhttp://www.president-ksgov.net/?page=1,6,1798

[61] Shiko: PËRSHËNDETJA E PRESIDENTIT TOPI ME RASTIN E FESTËS SË PAVARËSISË DHE DITËS SË FLAMURIT, 28 nëntor 2011 në http://president.al/shqip/info.asp?id=7020

[62] Këtë akuzë e bën Ismail Kadareja në librin Mosmarrëveshja. Mbi raportet e Shqipërisë me vetveten.

Sprovë letrare, (Shtëpia botuese: Onufri, 2011), fq.96-107.

[63] Prof. As. Dr. Muhamet MALA, Konteksti kombëtar dhe fetar i luftës së Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, Punim i prezantuar në Konferencën Ndërkombëtare “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu: historia dhe imazhi” më 28 maj 2010, Hotel Adriatik, Durrës.

[64] Shiko psh: Arian Galdini, 17 Janari, Ditë Lutjeje dhe Reflektimi Kombëtar!, në Gazeta SOT, 10 Janar 2012, në:  http://sot.com.al/index.php?option=com_content&view=article&id=17053:17-janari-dite-lutjeje-dhe-reflektimi-kombetar&catid=87:koment-a-analize&Itemid=539

[65] Ernest Renan, “What is a nation?” translated by Martin Thom, from Homi K. Bhabha (ed.),Nation and Narration. (London, Routledge, 1990).

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit