1.8 C
Pristina
Friday, November 15, 2024

EDUKIMI I BREZIT TË RI NE ISLAM

Më të lexuarat

EDUKIMI I BREZIT TË RI NE ISLAM

Dituria e edukimit të brezit të ri është një dituri, ku edhe vetë hoxhallarët kanë shumë çfarë të marrin dhe të japin. Kjo vlen edhe në nivelin prindëror të çdo myslimani; ndaj mësimii i psikologjisë së fëmijës është një detyrë primare për çdo prind dhe edukator.
Përkufizimi i edukimit: Edukimi është gjetja dhe mbjellja e sjelljes së dëshiruar, kultivimi dhe prodhimi i saj.. Sjellje e dëshiruar në Islam është ajo, që Islami e ka vlerësuar si të tillë dhe që për pasojë gjen vlerësim dhe konsiderohet e dëshiruar tek edukatori, tek i edukuari dhe mbarë shoqëria..

Psikologjia islame shërben si filtër karshi psikologjisë perëndimore në tërësi, prandaj atë që përputhet me Islamin e pronojmë, ndërsa atë që përplaset me të ne myslimanët e refuzojmë..
Psikologët myslimanë na thonë, se tre parimet kryesore që duhet të ketë në kokë prindi mysliman në procesin fisnik të edukimit të fëmijës së tij, janë: një: dashuria për fëmijën; dy: vlerësimi i drejtë i sjelljes së fëmijës, dhe vetëm pas bindjes se sjellja e fëmijës është një sjellje e gabur jo me bërtitje, sharje, kritikë, etj; kalohet tek parimi i tretë: ai i bindjes së fëmijës.
Pra parimi ose hapi i parë është ai i dashurisë së fëmijës, që do të thotë se procesi ynë i edukimit ka në themelin e tij dashurinë e madhe për fëmijën tonë.. Në kuptimin e asaj që përmendëm, hedh dritë fakti se në një sondazh (pyetësor), ku merren në pyetje 1000 prindër dhe 1000 fëmijë, shikoni çfarë ndodh.. Kur prindërve u drejtohet pyetja “A i doni fëmijët tuaj?”, të gjithë përgjigjen me “Po”, madje një pjesë prej tyre e konsiderojnë një pyetje të tillë si një pyetje naïve.. Në krahun tjetër, kur fëmijëve të pashoqëruar me prindërit u drejtohet pyetja “A mendoni se prindërit tuaj ju duan?”, përgjigja e tyre ishte befasuese, pasi rreth 80 – 90 % e tyre u përgjigjën me “Jo”; dikush prej fëmijëve thoshte: “Babi im më shumë do punën”, dikush “sportin”, dikush këtë e dikush atë dhe të njëjtën gjë thoshin edhe për mamanë, “Ajo më shumë do orenditë e shtëpisë, punët etj”..
Ku qëndron problemi?! Problemi qëndron se ai që i jep përgjigje faktit, se sa ti e do fëmijën tënd, është vetë fëmija yt..
Parimi ose hapi i dytë është vlerësimi i drejtë i sjelljes së fëmijës tënd; gjë që na ndihmon të fitojmë dashurinë e fëmijës sonë. Ta vlerësosh drejt fëmijën tënd, do të thotë të mos shikosh se çfarë të shkakton ty sjellja e tij, por të shikosh se nga cili tipar i fëmijës buron kjo sjellje, nga gjëra pozitive apo negative..
Shembujt i sqarojnë më së miri gjërat, ku psikologët myslimanë japin dy qëndrimet në vijim.. 
Fëmija sapo ka hedhur mbi tapet një lëvozhgë bananeje..
Qëndrimi i prindit që nuk i ka parasysh parimet dhe rregullat islame në fjalë..
Çfarë bëre more kështu?! Ke apo s’ke tru ti?! Kam thënë unë, se ti nuk merr vesh. Pse aty hidhet ajo?! Ajo hidhet në koshin e plehërave mor pleh, por gjithmonë kështu bën ti.. etj ofendime, bërtitje dhe sharje..
Me të drejtë fëmija nuk do ndihet mirë, do mendojë se prindi nuk e do dhe do e bazojë sjelljen e tij tek frika, jo tek bindja.. Pra duket qartë, se parimi i parë, dashuria, nuk është realizuar, prandaj që as që mendohet, se fëmija mund ta dojë një prind, që sillet në këtë mënyrë, madje fëmija e argumenton bindshëm faktin, që prindi nuk e do, duke thënë: E si më dashka prindi mua, kur për një lëvozhgë bananeje bën gjithë këtë.. jo, jo, ai më shumë do tapetin sesa mua.. Madje kjo bindje përforcohet tek fëmija, atëherë kur prindi arrin deri aty sa veç britmës, sharjes dhe ofendimeve, të vërë edhe dorë mbi fëmijën.. Është mëse normal, që ky të jetë konkluzioni për fëmijën dhe në fakt po ky është konkluzioni për çdo njeri të logjikshëm..
Në krahun tjetër çfarë ka bërë tek fëmija ky qëndrim i prindit me hapin apo parimin e dytë, drejtvlerësimin? Në qëndrimin në fjalë, a kemi dhënë ne një vlerësim të drejtë për fëmijën? Përgjigja sërish është “Jo”. Kur fëmija hedh një lëvozhgë bananeje apo diçka tjetër të kësaj natyre, këtë nuk e bën sepse do të shkaktojë probleme, por e bën sepse ndihet se është lënë pas dore. Gjithashtu ai e bën një veprim të tillë, sepse sjellja e prindërve të tij i ka treguar atij, se vetëm kur të bëjë të tilla veprime, do t’i jepet vëmendje..  Gjithashtu kjo sjellje e fëmijës tregon, se ai ushqen dëshirën për autonomi, si të dojë të thotë “more po jam edhe unë këtu”..
Veprimet fëminore të këtij lloji tregojnë shumë gjëra të kësaj natyre dhe lidhur me këtë na mjafton fakti, se dijetarët kanë thënë, që fëmijët, të cilët bëjnë veprime  dhe sjellje të tilla, në të vërtetë janë fëmijë të zgjuar.. Është vërtetuar, se një fëmijë i moshës 1-7 vjeç që i bindet pa hezitim prindërve, pa e pyetur pse, qysh e ku, pa u rebeluar dhe zemëruar fare dhe pa kundërshtuar asnjëherë,  ky fëmijë gjatë jetës së tij do të jetë ai që quhet “qole”, njeriu të cilin njerëzit e komandojnë dhe e çojnë sipas qejfit.. A duam ne të kemi një fëmijë të tillë, një fëmijë me sustë.. Pra problemi i dytë qëndron në faktin, se shumë prej nesh nuk i kanë punët mirë me vlerësimin e drejtë të sjelljes së fëmijës, gjë që arrihet vetëm duke u bazuar jo në atë çfarë na shkakton ne sjellja e fëmijës, por duke parë anët pozitive nga ku buron kjo sjellje e fëmijës sonë..
Më tej psikologu mysliman na jep shembullin model të një prindi edukator dinjitoz sipas rregullave dhe principeve islame. Ai tregon se si vepron një prind i tillë me fëmijën e tij, që sapo ka hedhur në tapet një lëvozhgë bananeje..
Në fillim fare, sapo e shikon fëmijën e tij që ka hedhur lëvozhgën e bananes, thotë: “Obobo, e paskam harruar fare fëmijën tim. Shumë keq që u kujtova, vetëm kur ai e hodhi këtë lëvozhgë bananeje”. Shkon e merr fëmijën, e puth, e ledhaton, ia bën qejfin, e bën të ndihet rehat dhe vetëm pas kësaj i thotë: “O, po kjo këtu? Po kjo është problem babi, se në qoftë se ty, ose babit, ose mamit, ose vëllait, ose motrës, i rrëshqet këmba këtu, bie me kokë, vritet dhe shkon në spital.. Nëse babi vritet këtu, ose mami, kush do të punojë për ty, kush do kujdeset për ty, kush do të sjellë për të ngrënë, kush do të sjellë lodra etj? Kështu pra xhan!”
Me këtë rast çfarë bëre? E para, i tregove se e do, sepse jo direkt e udhëzove dhe këshillove, e dyta e binde se pse s’bën ta veprosh këtë gjë.. Pastaj, -thotë psikologu mysliman – ky prind e merr fëmijën për dore dhe e dërgon tek koshi, ia jep lëvozhgën në dorë dhe i thotë: Këtu me babin, hidhe lëvozhgën, këtu është vendi ku hidhen mbeturinat. I thua fëmijës që ai vetë ta hedhë me dorën e tij në kosh dhe i thua, se ky është një veprim vërtetë shumë i bukur.. Pastaj e merr sërish për dore, e dërgon tek vendi ku qe hedhur babaneja dhe i thua: “A tani duket më bukur dhe pastër shtëpia, apo kur ishte hedhur lëvozhga e bananes?!“
Pas këtij procesi, i cili përfshin dashurinë për fëmijën, drejtvlerësimin dhe bindjen, ti i ke ushqyer këtij fëmije rregullin, se çdo gjë tjetër që është njëlloj me veprimin në fjalë dhe shkakton të njëjtat probleme, duhet trajtuar në të njëjtën mënyrë..
Nga sa thamë nuk duhet kuptuar, që fëmija duhet lënë i lirë të bëjë veprime të dëmshme, por le ta shohim në shembullin në fjalë se cila është ideja..
Një psikolog mysliman në sqarim të asaj që u tha më sipër thotë: Më merr në telefon një nënë fëmije dhe më thotë: E kam tepruar. Pse?- i them: Si është puna? Ajo thotë: “Ia kam djegur dorën vajzës sime pesë vjeçare. Vajza ime është shumë e pabindur”. I them: “Se si është vajza jote, këtë do ta vlerësoj unë, por më thuaj fillimisht se çfarë ka bërë vajza jote, që paska arritur puna deri këtu..”  Më thotë: “Vajza ime ka një ves shumë të keq. Ajo kur e sheh se asnjë nga ne të rriturit nuk e ka mendjen, merr një qese dhe sendet më me vlerë, celular, unazë, çelës, pult televizori etj, i fut në qese dhe i fsheh në një vend, që edhe me dajak nuk e tregon se ku ndodhet. Mirëpo kuptohet fare lehtë, se kjo gjë na ka sjellë shumë probleme.. I kam bërtitur, madje edhe kam vënë dorë por pa rezultat, ajo vazhdon në të sajën.. Një ditë, kur e përsëriti të njëjtin veprim, e thirra dhe i thashë: Me kë dorë e bën ti këtë veprim? Ma nxori dorën e djathtë duke u mburrur. Unë mora një çakmak dhe ia dogja dorën, duke i thënë se kështu e meritonte kjo dorë, që bën një rrëmujë të tillë.. Problemi është se ajo edhe pas kësaj sërisht vazhdon në të sajën.. I them (thotë psikologu): “Mos, çfarë ke bërë? Gabimi është se këtë sjellje që ti e ke quajtur të gabuar, është sjellje që e posedon vetëm një fëmijë, që kur rritet bëhet gjeni”. Si ka mundësi? –më tha. I thashë: “Në këtë sa më the dallohen shumë prej tipareve të gjeniut të ardhshëm.
I pari, fëmijët gjeni jepen shumë pas sendeve me vlerë. Së dyti, ata interesohen t`i grumbullojnë sendet me vlerë në një vend të vetëm. Së treti, ata i mbajnë këto sende në një vend, ku i dinë vetëm aata. Së katërti, gjeniu i ardhshëm është shumë këmbëngulës, sakrifikues, i durueshëm dhe sfidues; etj etj cilësi këto që unë shoh të gjenden tek fëmija yt.. Pastaj – ti me sjelljen tënde po sakaton këto tipare të gjeniut të ardhshëm, që aq më tepër është fëmija yt, për të cilin ti pretendon me të drejtë, se po mundohesh dhe copëtohesh.. Ajo që ne duhet të bëjmë në rastet, kur tiparet gjeniale të fëmijës sonë bëhen burim dëmi për ne, është thjesht t’i orientojmë ato në drejtime të padëmshme për ne, duke i ushqyer kështu dhe jo sakatuar këto tipare, por është vërtet krim, që ne sillemi në forma të tilla që i gjymtojmë këto tipare të mrekullueshme…”.
Në rastin në fjalë psikologu e porositi prindin, të konsultohej me tregëtarin e dyqanit të lodrave për fëmijë dhe t’i blinte fëmijës së saj të mençur disa lodra, që do mund t’i ushqenin tiparet gjeniale të saj dhe këtu mundimet e prindit morën fund, por tiparet e fëmijës filluan të ushqeheshin më së miri.. Prindi i fëmijës shumë i kënaqur e kontakton pas pak ditësh psikologun dhe i thotë se tani, pasi i kishte blerë lodrat, çdo gjë ishte në rregull, edhe ajo kishte rënë rehat edhe fëmija ishte shumë e kënaqur dhe relaksuar… Ndërsa pas shumë muajsh ky prind e kontakton sërisht lidhur me vajzën e saj, që tanimë në klasë të dytë e i thotë, se tanimë ajo është një gjeni me kuptimin e vërtetë të fjalës dhe është thuajse e paarritshme nga bashkëmoshatarët e saj; di përmendësh emra shtetesh, kryeqytetesh, lumenjsh, liqenesh, detesh e oqeanesh, di gjëegjëza, mban mirë mend numra celularësh etj, si edhe është përfaqësuesja e qytetit në olimpiadat e ndryshme në rangun e moshës së saj, me pak fjalë i ka mrekulluar të gjithë..
Pra një rregull shumë i rëndësishëm tek drejtvlerësimi është hetimi i sjelljeve të fëmijës dhe zbulimi i tipareve pozitive të fëmijës në këto sjellje, orientimi i drejtë i këtyre tipareve dhe jo kundërshtimi i tyre..
Hapi apo parimi i tretë dhe i fundit është bindja e fëmijës; duhet të jemi, siç thonë psikologët, si shenjat në rrugë, si shenjat e qarkullimit rrugor.. Gjithsecili nga ne që është shofer, që ec me makinë, kur ecën në rrugë, sheh një shenjë dhe ndihet rehat kur zbaton këtë rregull të qarkullimit rrugor. Ai thotë se po e zbaton këtë shenjë me dëshirë, por e vërteta qëndron se ai është i imponuar ta zbatojë këtë shenjë.. Por si shpjegohet që shoferi në një rast të tillë ndihet rehat? Kjo vjen, sepse shenja nuk flet, por orienton në heshtje.. Kështu duhet të jemi edhe ne prindërit me fëmijët tanë..
Kanë thënë: “Prindi duhet të jetë si elefanti, gojën e vogël e veshët e mëdhenj, i flet pak fëmijës dhe e dëgjon shumë atë..”
Së fundi lidhur me edukimin e fëmijëve na vijnë në ndihmë edhe shifrat e rëndësishme në vijim:
Shkencëtarët përmendin, se mosha 1-7 vjeç e njeriut është mosha, në të cilën realizohet 90% e formimit të personalitetit të njeriut, e bindjeve, e vlerave, e aftësive, e gjeniut të ardhshëm; nga  7 – 14 vjeç formohen vetëm 10% e vlerave të mbetura; ndërsa nga 14-21 vjeç formohet orientimi i njeriut, thënë ndryshe rruga për ku do shkojë njeriu.. Prandaj na duhet të bëjmë shumë kujdes. Nëse duam që fëmija ynë të jetë i zgjuar, kohën e kemi deri në 7 vjeç, nëse duam një fëmijë të formuar koha është nga 7-14 vjeç dhe nëse duam që fëmija jonë të marrë rrugën e mbarë, rrugën e duhur, jo ndonjë rrugë që s’dihet ku e ka fundin, duhet treguar kujdes me të nga 14-21 vjeç..
Imam Aliu, profesor i të cilit qe vetë profeti Muhamed [lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të], ka thënë: “Lozni me fëmijët tuaj deri në shtatë vjeç, edukojini ata deri në 14 vjeç dhe pas kësaj moshe trajtojini si shokë”. Pra fillimisht, për formimin e denjë të temperamentit të fëmijës, duhet formuar tek ai i vlerave dhe parimeve përmes argëtimit dhe lojës, pastaj përmes edukimit në kuptimin e vërtetë të fjalës dhe së fundi përmes trajtimit të fëmijës si shok; asgjë tjetër veç këtij trajtimi nuk është efikas..
Ndërsa përsa i përket adoleshencës, psikologët myslimanë na thonë, se adoleshenca e hershme fillon nga 7-12 ose 14 vjeç, që është dhe preludi i adoleshencës dhe vijon më pas nga 12 ose 14 – 28 ose 31 vjeç. Sidomos në moshën nga 14 – 28 vjeç, njeriu konsiderohet se është si sendet, që kanë sipër tyre shenjën “fragile-lehtësisht i thyeshëm” dhe që duhet të tregohet shumë kujdes me to, kur duam t`i mbartim për në vendet që dëshirojmë..  Psikologët na ftojnë, që vazhdimisht ta kemi në kokë këtë realitet lidhur me adoleshentin..
Sigurisht psikologjia islame posedon shumë e shumë material lidhur me çështjen në fjalë dhe të gjithë jemi të ftuar të studiojmë sa më shumë në këtë lëmi, studimin e së cilës psikologët myslimanë me të drejtë e vlerësojnë si një farz, një obligim, pasi një ndër përgjegjësitë më të rëndësishme, me të cilat Allahu i Lartësuar na ka ngarkuar, janë pikërisht fëmijët tanë..  
Edukatorët dhe psikologët myslimanë na ftojnë, që të sillemi me fëmijët tanë si edukatorë dhe jo si xhelatë apo policë.. Për fat të keq shumica jonë janë kthyer në gjykatës e policë për fëmijët e tyre, duke i gjykuar ata me “keq e mirë” dhe jo rrallë edhe duke i ndëshkuar; por vetëm edukatorin nuk po e bëjmë. Për të qenë edukator, pikë së pari kemi nevojë për dituri dhe sigurisht kemi nevojë për durim, për orientim..
Së fundmi të gjithë ne i kemi besuar shprehjes, se të edukosh një fëmijë është një art më vete dhe dihet se rrallë, për të mos thënë kurrë, mund të dalin artistë pa studiuar.. 
E lusim Allahun e Lartësuar që të na jap sukses në edukimin islam të fëmijëve tanë. Amin
 
Përgatiti:
Altin Torba
 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit