9.9 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Edukimi gjithëpërfshirës – Justinian Topulli

Më të lexuarat

Nuk mund të merresh vetëm me edukimin dhe përmirësimin e popullit të thjeshtë, pa u marrë edhe me drejtuesit dhe parinë e tyre. Po kështu edhe e kundërta. Pra duhet të merresh me të dy njëkohësisht dhe paralelisht, kjo është vijimësia dhe praktika mbarë profetike madje.

Fakti se paria është gjithmonë ajo më refuzuesja dhe më pak e udhëzuara, nuk do të thotë aspak se të merresh me ta krahas popullit, është pa bereqet, përndryshe Allahu nuk do të na tregonte në Kuran sesi reagonin të dy, paritë dhe popujt, ndaj profetëve ku Allahu i kishte dërguar ata.

Peshku qelbet nga koka, por edhe bima ushqehet nga rrënjët. Kështu që të merresh me urdhërimin për të mira dhe ndalimin nga e keqja dhe përmirësimin e elitës dhe parisë, ka bereqet edhe tek populli i thjesht. Po kështu, të merresh me urdhërimin për të mira dhe ndalimin nga e keqja dhe përmirësimin e popullit ka bereqet tek populli dhe tek nxjerrja e elitave të ardhshme. Ndaj përmirësimi i shoqërisë nuk nis vetëm nga koka dhe përfundon tek këmbët, as e kundërta dhe as vetëm me vetveten, por me të gjitha njëkohësisht. Dhe kjo për vetë faktin se vetë individi dhe shoqëria njerëzore nuk edukohet, ndikohet dhe ndryshon, për mirë ose për keq, e pavarur dhe e shkëputur nga pjesët e tjera. Ajo i ngjan deri diku trupit të njeriut, që nuk mjekohet dhe shërohet duke mjekuar vetëm kokën apo pjesën e dhimbjes lokale, por duke u marrë me të gjitha sëmundjet dhe simptomat e tij njëkohësisht, kudo që të jenë, kuptohet gjithsecila sipas rëndësisë dhe peshës që ka, pra duke e parë trupin e njeriut si një të tërë ashtu siç në fakt është.

Njeriu, çfarëdo pozite dhe shtrese t’i përkasë, duke qenë thellësisht qenie sociale, nuk edukohet dhe përmirësohet i veçuar, si në kushte laboratorike, por përmirësohet duke përmirësuar njëkohësisht dhe paralelisht edhe mjedisin social ku ai jeton. Shoqëria njerëzore edhe pse përbëhet nga individë, ajo nuk është një shumë numerike e thjeshtë e tyre, është shumë më tepër, është si një organizëm i gjallë i tërë, ku ekzistojnë edhe individualitetet njerëzore. Komunizmi i trajtonte njerëzit vetëm si ingranazhe të sistemit social, pa i dhënë shumë vlerë individit, por vetëm bashkësisë, ndaj dhe dështoi, sepse qe i panatyrshëm. E kundërta e tij, që në fakt nuk është e kundërt sepse nga e njëjta mendësi vjen, e trajton njeriun tërësisht dhe thellësish në mënyrë individuale dhe të pavarur dhe ka prodhuar këtë individualizëm ekstrem që kemi sot, nga ai kolektivizëm ekstrem që prodhoi marksizmi.
Ndërkohë fetarët dhe besimtarët, që duhet të jenë pasqyra e realitetit të natyrshëm njerëzor, nuk duhet të interpretojnë dhe kuptojnë fenë dhe mënyrën si funksionin shoqëria, sipas modeleve të pasakta dhe të panatyrshme, që e vënë theksin ose vetëm te shoqëria ose vetëm tek individi.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit