Nga: Dr Muhamed El-mehdij
Edukimi familjar i orientuar drejt interesit njerëzor 1
Hyrje
Dihet që njeriu është qenie fëmijëria e të cilit shtrihet në kohë më të gjatë se çdo krijesë tjetër dhe kjo, ndoshta, ka të bëjë me faktin që është një krijesë e nderuar dhe lartësuar nga vetë Zoti, një krijesë e cila gëzon superioritet ndaj të gjitha krijesave të tjera, pasi i është besuar misioni i përgjegjësisë së jetës në tokë. Atij i lipsen mekanizma edukative nëpërmjet të cilave do të kultivojë dhe rrënjosë dijet, vlerat dhe sjelljet, të cilat e aftësojnë të përmbushë misionin me të cilin e ka ngarkuar Zoti në tokë.
Prandaj, formimi psikologjik i njeriut bashkë me gatishmërinë për tu orientuar drejt të mirës apo të keqes, aftësinë për të punuar, ndryshuar veten, të tjerët dhe mjedisin, si dhe luhatjet ideologjike dhe psikologjike të herëpashershme, i imponojnë njeriut nevojën për një program edukativ i cili e ka parasysh këtë formim plot diversitet, dinamikë dhe luhatje.
Programi edukativ në këtë rast, ka si qëllim triumfin e aspektit pozitiv ndaj atij negativ brenda psikikës njerëzore, triumfin e instinkteve konstruktive ndaj atyre destruktive, triumfin e ligjit të dashurisë ndaj ligjit të urrejtjes dhe konfliktit, triumfin e instinktit të jetës ndaj atij të vdekjes. Nëse ky program ia del mbanë dhe i përmbush këto qëllime, rezultati është reformimi njerëzor jo vetëm në nivel individual por dhe në atë kolektiv human. Ky është një objektiv sublim të cilin e kanë ëndërruar filozofët, reformatorët dhe për të cilin kanë luftuar me mish e shpirt profetët dhe ndjekësit e tyre. Për përmbushjen e këtij qëllimi vazhdojnë të punojnë njerëzit e mençur dhe të ditur.
Si çdo program tjetër, edhe për këtë lipset të vendoset qëllimi i përgjithshëm, mandej qëllimet e pjesshme, mekanizmat, forma dhe në fund mënyra e vlerësimit.
Pështjellim edukativ
A ekziston realisht një metodë edukative e bazuar në fakte, apo thjesht kemi metoda teorike fryt i përpjekjeve të studiuesve?
A ekzistojnë cilësi dhe përshkrime të caktuara që më parë në vetëdijen tonë, rreth imazhit si duhet të jenë fëmijët tanë? E nëse ekzistojnë, a është kjo diçka e dobishme?
Si prindër, çfarë duhet të bëjmë teksa gjendemi përballë këtij masivi udhëzimesh edukative paradoksale të cilat i lexojmë dhe i dëgjojmë natë e ditë nga mediat e ndryshme?
A duhet ta edukoj fëmijën tim sipas ndjesive të mia të natyrshme, apo sipas udhëzimeve të ekspertëve edukativë, psikologëve dhe klerikëve?
A duhet ta edukoj fëmijën tim, ashtu siç më edukuan mua prindërit e mi, apo duhet të ndjek një linjë të kundërt?
A duhet ta mbroj nga devijmet që vihen re në shoqëri, duke e izoluar prej saj, apo duhet ta lë të “kacafytet” me këtë shoqëri me të mirat dhe të këqijat e saj?
A duhet ta edukoj në mënyrë ideale sipas parimeve absolute të moralit, apo ta edukoj sipas realitetit, gjë e cila i mundëson të ndërveprojë me mjedisin e egër dhe të pastabilizuar që e rrethon? Thënë ndryshe, a duhet ta ndihmoj të bëhet idealist, apo ti mësoj pragmatizmin?
A është fëmija im një masiv brumi, të cilit mund ti jap formë si të dua, apo është një qenie e pavarur, me vullnet i cili ndërvepron me vullnetin dhe kushtet e jetës?
A duhet ta edukoj fëmijën tim duke i kultivuar vlerën e lirisë dhe pavarësisë, apo atë të bindjes dhe respektimit të udhëzimeve dhe komandave?
Në aspektin edukativ, cila është më e përshtatshme, ashpërsia dhe vendosmëria, apo butësia dhe dhembshuria?
A duhet ti lë fëmijët e mi të qëndrojnë ulur para televizorit dhe internetit, duke e fëlliqur vetëdijen e tij, apo t’a privoj krejtësisht nga këto mjete në shtëpi, për ta ruajtur nga e liga?
A bazohet edukimi në ligje dhe rregulla të pandryshueshme në çdo stad moshor, apo është një proces ndërveprimi dinamik, i cili ndryshon sipas stadeve, rrethanave dhe karakterit të personave?
A duhet ti lë fëmijët të mësojnë nga eksperiencat e tyre në jetë, apo tu ofroj eksperiencën time personale me qëllim që të mos bien në ato gabime ku kam rënë unë?
A duhet t’ua zgjedh unë profilin e studimeve dhe të punës bazuar në eksperiencën time të madhe në jetë, apo duhet ti lë të lirë të zgjedhin sipas përvojës së tyre modeste, me gjithë mundësitë për të dështuar?
Analfabetizëm edukativ, psikologjik dhe emocional
Në shoqëritë tona, ne vuajmë nga një analfabetizëm kompleks, pasi kemi analfabetizëm edukativ, psikologjik dhe emocional. Analfabetizmi edukativ konsiston në pështjellimin rreth mënyrës së edukimit të fëmijëve tonë. Ne kemi shumë probleme, pa përjashtuar asnjërin, madje edhe ata që na mbajnë leksione në edukim dhe bëjnë studime voluminoze në këtë fushë. Të gjithë bëjnë gabime në edukimin e fëmijëve të tyre, sepse çështjes së edukimit të fëmijëve nuk i kemi kushtuar vëmendjen e duhur. Ndonjëherë, i edukojmë sipas mënyrave të trashëguara, stile prindërimi të ngurta dhe jo fleksible. Fëmija ndryshon, zhvilloen dhe rritet dhe nevojat e tij ndryshojnë nga një grupmoshë në një tjetër. Megjithatë, ne kemi ngecur tek një stil i ngurtë, tek rregulla të pandryshueshme dhe mbi këto e kemi ngritur perceptimin tonë rreth edukimit. Ndonjëherë, këto rregulla mund të jenë të sakta, por mos ndryshimi ynë dhe mos ndjekja rigoroze e zhvillimit të fëmijës, i bën këto rregulla të padobishme. Ato duhen ndryshuar dhe korrigjuar herë pas here. Prandaj, them që të gjithë ne vuajmë nga analfabetizmi edukativ, pa dyshimin më të vogël. Të gjithë ne ndihemi konfuzë në mënyrën e edukimit të fëmijëve tanë. Ky material që po u sjellim, nuk do e zgjidhë këtë problem madhor, por të paktën, do ua lehtësojë sado pak barrën prindërve. Ai do të shërbejë si një pishtar që ndriçon një hapësirë të caktuar. Neve na mungon eksperienca e mjaftueshme për vete në radhë të parë dhe pastaj për të tjerët. Prandaj dhe nuk ndihemi rehat. Marrëdhëniet tona janë të çrregullta dhe shpesh herë përjetojmë konflikte dhe fërkime për shkak të analfabetizmit psikologjik. Ashtu si paraardhësit, as këtij aspekti nuk i kemi kushtuar vëmendjen dhe rëndësinë e duhur. Kjo do të na ndihmonte në të kuptuarit e vetes dhe të tjerëve.
Sakaq, analfabetizmi i emocioneve, është analfabetizëm i ndjenjave, me të cilin dua të them se nuk u kushtojmë rëndësi mjaftueshëm si ndjenjave tona, ashtu dhe ndjenjave të njëri-tjetrit. Ne nuk na intereson nëse fjala që sapo shqiptuam prek apo zemëron dikë. Shumë gjëra që i bëjmë nuk i ndjejmë, edhe pse ato janë me pasoja për njerëzit që na rrethojnë, sidomos fëmijët.
Piketime në rrugë:
Edukimi është një metodë e plotë dhe jo një komples këshillash të hapërdara.
Edukimi është një rrugë e vështirë dhe e gjatë. Prej nesh lipset të jemi të gatshëm për të derdhur mund dhe duruar vështirësitë, me kusht që ta dimë kohëzgjatjen dhe nëse jemi në rrugën e duhur.
Asnjëherë mos u demoralizo teksa përballesh me vështirësi në procesin e edukimit të fëmijës tënd. Ky është ligji i edukimit të duhur.
Fëmijët tanë na e kthejnë edukimin sërish, ky është realitet.
S’ka nevojë të largohesh e të lësh shtëpinë, e mandej të çirresh e ulërasësh.
Shumë nga shtëpitë tona janë shndërruar skena njerëzish të rritur, të rraskapitur, të demoralizuar dhe gjithë nerva, por dhe të vegjlish kokëkrisur dhe të papërgjegjshëm.
Edukimi i fëmijës fillon që në takimin e parë mes dy prindërve dhe mbi ç’bazë është bërë zgjedhja për secilin.
Prishja e fëmijëve fillon që në ndarjen mes fjalëve të rriturve dhe veprave të tyre. Hidhu një sy shtëpive dhe rrugëve tona që të sigurohesh për këtë.
Mos u orvat ta gjurmosh fëmijën në çdo detaj të jetës së tij dhe mos u përpiq ta kontrollosh në çdo çast. Në të kundërt, kjo do të thotë se po hyn në lëkurën e tij dhe po e zhvesh nga personaliteti i tij, gjë e cila e bën njeri të paaftë për të marrë në dorë timonin e jetës së vet.
Nëse ekziston një rregull i artë në procesin e edukimit, do ta përmblidhja në një fjalë: “ekuilibri”.
Format e marrëdhënieve mes prindërve dhe fëmijëve:
Përgjatë terapive psikologjike individuale dhe atyre në grup, zbulohet qartë çrregullimi i marrëdhënieve mes prindërve dhe fëmijëve, çrregullim i cili është faktori kryesor që shkakton çrregullime psikike tek të dy palët. Në shumicën e rasteve, këto marrëdhënie çrregullohen pa qëllimin e prindërve, në mënyrë instinktive. Dy prindërit duan që fëmija të jetë i lumtur dhe të ketë sukses, por ndonjëherë e humbasin rrugën e duhur dhe herë i kaplon indiferentizmi e herë të tjera ekzagjerimi. Në të dy rastet kemi çrregullim psikik tek fëmija të cilin e kanë dashur dhe për të cilin sakrifikojnë jetën e tyre për ta bërë sa më të lumtur. Ajo që e vështirëson çështjen në mjedisin tonë lindor, është se çrregullimi i marrëdhënieve mes prindërve dhe fëmijëve, qëndron i fshehur gjatë gjithë kohës. Ai shpërthen dhe del në sipërfaqe në momente intimiteti, si gjatë terapisë individuale, familjare apo në grup.
Kurse në rrethana të tjera, në kushte vetëdije normale, fëmijët nuk guxojnë ti afrohen kësaj zone delikate. Ndërkohë, prindërit besojnë se kanë dhënë maksimumin për fëmijët e tyre, por është rebelimi dhe kundërshtimi i urdhrave nga ana e tyre, ajo që i bëri ta humbasin toruan.
Koncepti i shëndetit mendor tek fëmija:
Vitet e fundit kemi një bum informacionesh të dobishme rreth metodave më të dobishme për shëndetin mendor tek fëmija, si dhe trajtimin e çrregullimeve psikike tek ai. Sipas shkencëtarëve të kësaj fushe, shëndeti mendor është një koncept pozitiv multidimensional, ku njeriu është i shëndetshëm si në dimensionin fizik ashtu, në atë psikologjik, social dhe shpirtëror. Është e domosdoshme ruajtja e ekuilibrit në ngopjen e secilit prej këtyre dimensioneve dhe aktivizimin e tyre. Nëse ndodh përqendrim i energjive në dimensionin fizik për shembull, në llogari të atij psikologjik, social dhe shpirtëror, prishet ekuilibri dhe cenohet shëndeti psikologjik.
Rregullat e shëndetit mendor të fëmijës:
Një nga prindërit shtron pyetjen: Si ta trajtoj tim bir që të jetë i shëndetshëm mendërisht?
Përgjigja e kësaj pyetje të rëndësishme, konsiston në respektimin e disa rregullave të cilat do i përmbledhim si më poshtë:
1 – Ekuilibri mes zhvillimit dhe familjarizimit.
Ekziston një rregull edukativ i rëndësishëm, të cilin mund ta konsiderojmë rregull të artë në këtë sferë. Sipas këtij rregulli: Fëmija është një qenie në zhvillim. Pra, ai zhvillohet fizikisht, mendërisht, i zhvillohen energjitë, perceptimet dhe gjithçka tjetër. Ky fëmijë në zhvillim e sipër, ndryshon nga një moment në një tjetër, nga një ditë në tjetrën. Por njëkohësisht, me gjithë këto ndryshime të vazhdueshme dhe zhvillim të pandërprerë, i lipset të jetë në gjendje të ambientohet, disiplinohet dhe të paqtohet me ambientin dhe shoqërinë përreth. Prandaj, që ky fëmijë të ketë shëndet psikologjik, duhet të ruajë ekuilibrin mes kërkesave të zhvillimit të tij dhe kërkesave për tu ambientuar dhe familjarizuar me shoqërinë dhe jetën.
Që ta shtjellojmë më tej këtë koncept, le të imagjinojmë si dy krahët e një peshoreje. Njëri krah është ai i zhvillimit, kurse i dyti ai i familjarizimit. Me qëllim që fëmija të jetë i shëndetshëm mendërisht, duhet të ruhet ekuilibri mes këtyre dy krahëve. Nëse imagjinojmë që krahu i zhvillimit rëndon më shumë se ai i familjarizimit dhe tek ai fokusohet e gjithë vëmendja jonë, fëmija do të zhvillohet dhe rritet në mënyrë të shpejtë fizikisht, intelektualisht dhe mendërisht. Por nga ana tjetër, ai humbet kontaktin me shoqërinë ku jeton dhe humbet aftësinë për tu familjarizuar me njerëzit. Nëse lihet në këtë gjendje, ai do të jetë një individ egoist dhe narcistik, i intereson vetëm vetja dhe zhvillimi i tij. Në fund, do të shndërrohet në një bombë shkatërruese për njerëzit që e rrethojnë dhe për veten e tij. Ai do të jetë në gjendje konflikti të përhershëm me ambientin dhe mjedisin ku jeton, edhe pse është i zhvilluar dhe kreativ.
E nëse kemi një fëmijë tjetër i cili familjarizohet me mjedisin, pa zhvillimin e duhur, do të thotë që ai është një fëmijë i bindur në maksimum, tepër i qetë, nuk bën asnjë hap pa lejen e babit apo të mamit, e nëse fillon diçka, i duhet sërish urdhri i dikujt që të heqë dorë. Ai është shumë i bindshëm dhe i komandueshëm ndaj kujtdo që i jep urdhra. I mungon dinamizmi, zhvillimi, mendimi i pavarur dhe kreativiteti në gjithçka.
Nga këndvështrimi prindëror, ky fëmijë është fëmija më i admirueshëm, që dëgjon fjalën e babit/mamit, gjë e cila është qëllim i të dy prindërve. Por kur rritet, prindërit fillojnë e kuptojnë se fëmija po u bëhet barrë e rëndë, sepse nuk ka asnjë iniciativë, aftësi dhe dhunti, ai nuk e përfundon dot asnjë punë në mënyrë të pavarur.
Prandaj, që tu garantojmë fëmijëve tanë shëndetin mendor, duhet ti ndihmojmë që të zhvillohen dhe të familjarizohen me mjedisin përreth ku jetojnë. Përderisa dinamika e zhvillimit dhe ndryshimit është e shpejtë dhe e pandalshme, duhet të shoqërohet me ndryshim dhe në dinamikën e familjarizimit dhe ambientimit. Ekuilibri këtu është ekuilibër dinamik, që do të thotë se kërkon një nivel të lartë fleksibiliteti, sa herë që rritet forca e njërit krah të peshores, duhet rritur edhe ajo e krahut tjetër.
2 – Rrethet e shtrirë: Shëndeti i fëmijës, shëndeti i nënës, shëndetit i familjes, shëndeti i shoqërisë.
Ky ekuilibër i cekur më lart, nuk vlen vetëm për qarkun e fëmijës, pasi ekzistojnë qarqe të tjera që vijnë pas tij, të cilave u lipset ekuilibër. Fëmija nuk duhet të shihet si një qenie e vetme, por si një rreth i cili rrethohet nga rrethi i nënës. Të dy këto rrethe rrethohen nga ai i familjes dhe vetë familja nga ai i shoqërisë. Prandaj, duhet ruajtur ekuilibri mes këtyre rretheve. Nëna është prehri më i afërt i fëmijës. Është e paimagjinueshme të kemi një fëmijë të shëndetshëm mendërisht, nëse ka një nënë që vuan nga çrregullime psikike. Familja është prehri dhe vatra më e madhe, e cila e përfshin si fëmijën ashtu dhe nënën. Nuk mund të imagjinohet një fëmijë dhe një nënë të shëndetshëm mendërisht, ndërkohë që e gjithë familja tjetër vuan dhe ka çrregullime në këtë aspekt. Fëmijën, nënën dhe familjen i rrethon harku tjetër, ai i shoqërisë, i cili është dhe rrethi më i madh. E njëjta gjë vlen dhe këtu, ku nuk mund të imagjinohet një familje e shëndetshme mendërisht, ndërkohë që e gjithë shoqëria vuan nga çrregullimi.
Kur ne si terapistë bëjmë vlerësimin e gjendjes së fëmijës, fokusohemi tek këto rrethe dhe identifikojmë tek cili prej tyre qëndron problemi. Ndonjëherë, vjen një fëmijë me një çrregullim të caktuar dhe zbulojmë që disfunksionimi është tek njëri pre rrethet, ose tek më shumë se një. Ne nuk qëndrojmë tek fëmija, i cili në fakt është përfaqësuesi i çrregullimit. Ai është personi më i sinqertë, më i pafajshmi dhe më transparenti. Tek ai shfaqen çrregullimet në mënyrë të qartë, por nuk është ai burimi dhe origjina e çrregullimit. Ky çrregullim mund të vijë nga nëna depresive, e tensionuar, vartëse e substancave alkoolike dhe narkotike etj… Ashtu siç mund të vijë nga familja apo shoqëria. Prandaj e theksoj, duhet përcaktuar harku dhe rrethi burim i çrregullimit. Ndonjëherë, terapia fillohet direkt me nënën apo familjen, por problemi mund të qëndrojë dhe tek shoqëria, ku me tu korrigjuar, largohet çrregullimi edhe nga fëmija.
3 – Shëndeti mendor mes absolutes dhe relatives
Në realitet, koncepti i shëndetit mendor i të gjithë këtyre (fëmijës, nënës, familjes dhe shoqërisë) është një koncept relativ dhe jo absolut. Ai ndryshon nga një ambient në një tjetër, nga një shoqëri në një tjetër, nga një familje në një tjetër. Ajo që mund të konsiderohet e shëndetshme në një vend, mund të konsiderohet çrregullim në një tjetër.
Për ta kuptuar më mirë idenë, le të sjellim historinë e një kryetari fisi shumë egoist. Ky kryetar fisi, kupton në mënyrë të fshehtë se uji i pusit ku furnizohej i gjithë fisi, do të helmohej. Për shkak të egoizmit të tij të theksuar, ai nuk i tregoi askujt për këtë, por filloi të rezervojë sasi të madhe uji në shtëpinë e tij, për periudhën pasi të helmohej pusi. Dita e helmimit të pusit erdhi dhe i gjithë fisi u çmend për shkak të ujit, por nuk vdiqën. I shëndetshmi mendërisht i vetëm, ishte pikërisht kryetari, i cili pinte nga uji i pastër. I gjithë fisit i dukeshin sjelljet e kryetarit të çuditshme dhe duke mos e duruar, një ditë e vranë. Edhe pse ai ishte i vetmi person normal në mesin e atij fisi, diferencimi e futi në një krizë me fund të llahtarshëm me ta. Mënyra e mendimit mes dy palëve ishte krejtësisht e ndryshme.
Prandaj, ky faktor duhet marrë në konsideratë, pasi shumë çrregullime tek fëmijët janë probleme relative dhe varen nga shëndeti, koha dhe vendi, të cilët duhen pasur parasysh gjatë vlerësimit.
Le të marrim një shembull tjetër për ta shtjelluar më shumë këtë pikë. Një nënë ankohet se fëmija i saj është shumë harakat, hidhet përpjetë, kërcen nga një vend në një tjetër duke thyer filxhanë, gota e gjithçka tjetër që mund të thyhet. Ata jetojnë në një apartament që përbëhet nga dy dhoma dhe një sallon. Imagjinoni që kjo familje zhvendoset nga kjo banesë e ngushtë dhe plot qelqurina, në një shtëpi private të gjerë, me kopsht dhe plot pemë. Në këtë ambient të ri, fëmija do të vrapojë në kopsht, do të kërcejë në degët e pemëve dhe do të luajë sipas dëshirës. Asokohe, nëna nuk do të ketë asnjë problem me fëmijën e saj, nuk do të ankohet për lëvizjet e tepërta. Në fund të ditës, pasi të jetë rraskapitur, fëmija do të vijë të flejë i qetë. E qetë dhe e kënaqur do të jetë dhe nëna e tij, të cilës tashmë nuk i thyen qelqurinat dhe nuk i bëhet shtëpia rrëmujë. Ky është faktori vend, i cili duhet marrë parasysh.
4 – Polarizimi mes dy ekstremeve, kundrejt dialogut dhe bashkëjetesës
Ka familje që janë në gjendje polarizimi mes dy ekstremeve, familje me këndvështrim dhe mendim të njëanshëm. Ato nuk i shohin gjërat veçse me dy ngjyra, të bardhën dhe të zezën, duke e pasur të pamundur ti dallojnë ngjyrat e tjera. Ata besojnë se ajo që bëjnë është e mira absolute dhe se gjithçka tjetër është e gabuar dhe e refuzuar. Fëmija që rritet në një atmosferë të tillë, është shumë i polarizuar nga njëri skaj, është i njëanshëm në të menduar, nuk dallon dot veçse një alternativë në çdo gjë, vetëm një ngjyrë nga gjithë ai mozaik ngjyrash.
Që këtu, kur polarizimi është në një kahje, do të jetë në konflikt me kahjen tjetër, duke ia humbur fëmijës aftësinë për dialog dhe bashkëjetesë me të tjerët e ndryshëm nga ai. Në këtë mënyrë, fëmijë është në konflikt të vazhdueshëm më shokët, fqinjët dhe shoqërinë. Kur fillon e rritet, polarizimi dhe njëanshmëria në të menduar shfaqet me babain dhe nënën, sepse ai është mësuar se e vërteta është një dhe e vetme, se jeta ka një ngjyrë. Gjatë adoleshencës, fillon të pikasë diferencat mes babait dhe nënës, gjë të cilën nuk e duron dot, prandaj fillon agresiviteti ndaj tyre. Ata nuk ia kanë mësuar diversitetin me të tjerët, as dialogun dhe bashkëjetesën. Kështu, babai dhe nëna paguajnë çmimin e këtij polarizimi me të cilin e kanë kultivuar fëmijën nëpërmjet atmosferës familjare të bazuar në idenë e poleve dhe njëanshmërisë në të menduar.
5 – Nevojat mes ngopjes dhe privimit:
Njeriu ka një sërë nevojash. Psikologu i madh Abraham Maslou, i vendosi këto nevoja sipas një renditje të caktuar, të cilën e quajti “Hierarkia e nevojave”. Sipas tij, njeriu ka nevoja fiziologjike si të ushqyerit, banesa, veshja etj… të cilat duhet ti sigurohen së pari. Këto nevoja përbëjnë dhe bazën e piramidës dhe të hierarkisë. Ato ndiqen nga nevoja për siguri dhe stabilitet. E treta në radhë është nevoja për përkatësi, familje, vend, komb etj… E katërta është nevoja për dashuri. Njeriu duhet të jetë i aftë të dojë dhe të duhet. E pesta është nevoja për tu vlerësuar, të ketë njerëz që e vlerësojnë atë personalisht dhe atë që ai bën. Hierarkia e nevojave mbyllet me nevojën për vetërealizim. Ai u ndal në këtë pikë, pasi është ithtar i humanizmit, shkollë e cila e sheh njeriun si fundin e gjithçkaje. Këtyre nevojave, ne u shtojmë dhe një tjetër, e cila është komunikimi shpirtëror me Zotin, me gjithësinë, qiellin dhe botën e padukshme (gajbën).
Kjo nevojë mund të kuptohet në mënyrë më praktike, shkencore dhe konkrete, nga tempujt e përhapur anembanë botës përgjatë fazave të ndryshme të historisë. Ato na thonë se njeriu e ka ndjerë nevojën që të ketë lidhje me qiellin, më saktë me Zotin e lartësuar. Prandaj në çdo civilizim janë ndërtuar tempuj dhe faltore të cilat shprehin nevojën jetësore të njeriut për komunikim dhe kontakt me qiellin.
Këto nevoja duhen plotësuar në mënyrë të ekuilibruar, që do të thotë të fillojmë me nevojat më themeltare, të ngrënit, të pirët, banesën, veshjen. Mandej kalojmë tek nevoja për siguri, identitet, dashuri e me radhë. Secila nevojë nga këto nevoja që cekëm, duhet të marrë të drejtën e saj, pa i hyrë në hak tjetrës. Në këtë kontekst, duhet të kemi parasysh një rregull të rëndësishëm, sipas të cilit plotësimi i nevojave deri në mbingopje, shkakton dobësim dhe sëmundje. Prandaj lipset të ruhet ekuilibri mes plotësimit të nevojave dhe shkallë së privimit. Njeriu ka nevojë të ngopet, por në të njëjtën kohë i lipset të ketë një farë privimi ndaj disa gjërave. Përse? Sepse privimi aktivizon motivet dhe e shtyn njeriun të vihet në lëvizje, të punojë, të ketë shpresë dhe të rendë pas një objektivi. Nëse i plotësohen të gjitha nevojat, ai do reshtë së punuari, lëvizuri, menduari dhe krijuari…Prandaj, krahas gjërave që i lipsen, duhen gjëra prej të cilave duhet privuar, gjëra që i kërkon dhe ëndërron ti ketë. Prandaj duhet ruajtur ekuilibri mes ngopjes dhe privimit. Nëse fëmija i merr të gjitha nevojat e tij, nuk do të jetë i shëndetshëm, ashtu siç nëse privohet shumë do të zhvillohen tek ai ndjenja urrejtje, mllefi dhe neverie karshi atyre që e rrethojnë. Kjo, sepse ai nuk e gjen asgjë që i nevojitet.
Psikologët kanë vendosur një formulë e cila mund të praktikohet. Sipas saj, mjafton që fëmijës ti plotësohen 70% të nevojave. Për shembull, nëse një fëmijë ka nevojë për 100 gjëra, le ti plotësohen 70 prej tyre, edhe sikur të 100-ta të ishin logjike dhe të nevojshme për fëmijën. Ti plotësohen 100% nevojat, nuk është e shëndetshme për fëmijën. Atij lipset ti mungojë diçka, të cilën duhet ta kërkojë, ta ëndërrojë dhe të ketë shpresë se dikur do e shtjerë në dorë. Ai duhet inkurajuar të punojë dhe të përpiqet për përmbushjen e ambicieve.
6 – Ndjekja e fazave të zhvillimit:
Shpesh herë, më vijnë nëna që më thonë: Kur i kishim fëmijët e vegjë, i donim jashtë mase dhe e ndjenim se jemi pjesë e tyre, ishim në harmoni të plotë me ta. Por kur u rritën, filluam të ndihemi si të huaj, sikur nuk ishin më fëmijët tanë, mungonte harmonia e mëparshme.
Ato e kishin të pamundur ti kuptojnë fëmijët e tyre dhe nga ana tjetër, edhe fëmijët e kishin të vështirë ti kuptojnë. Këto nëna shprehen se nuk e dinë nëse janë ato gabim, apo fëmijët. Një nënë tjetër më thoshte se ndihej e harmonizuar me fëmijët në një fazë të caktuar moshe. Por, fëmijët u zhvilluan dhe u rritën, e bashkë me to u zhvillua dhe aftësia perceptuese, mënyra e të menduarit të gjërave, ambiciet etj… Kurse nëna nuk e pati të mundur ta ndjekë këtë zhvillim të tyre. Që këtu, lind hendeku mes dy palëve, fillon ftohtësia, diferencat në të shprehur, ajo nuk e kupton dot botën e tyre, natyrën e shoqërisë ku jetojnë dhe mënyrën e komunikimit me ta.
Prandaj, ne i themi asaj dhe babait që duhet të ecin me ritmin e stadeve të zhvillimit, pra të jetojnë me ta stad pas stadi. Kjo është e dobishme jo vetëm për fëmijët, por edhe për babanë dhe nënën, pasi edhe atyre u nevojitet ti përjetojnë këto stade edhe një herë me vetet e tyre. Për shembull, ka etër të cilët se kanë jetuar në mënyrën e duhur stadin e fëmijërisë, apo të adoleshencës, për një shkak apo për një tjetër. Kështu, këtë përvojë ai e sjell për herë të dytë me fëmijët e tij në stadin e tyre përkatës. Ai sikur jeton stadin e humbur të tijin, shans i cili i pati humbur asokohe, sigurisht pa fajin e tij. Kjo është e dobishme nga aspekti mendor dhe psikik, pasi gjërat që nuk ka mundur ti bëjë asokohe, mund ti përjetojë dhe një herë tjetër. Kështu, ai plotëson të metat dhe hapësirat që ishin të dhimbshme për shkak të privimit në një stad moshor të caktuar. Në të njëjtën kohë, ai do të jetë në të njëjtën linjë me fëmijët e vet, duke fituar të dy palët.
Vijon…
Perktheu: Elmaz Fida
…