2.4 C
Pristina
Friday, December 27, 2024

Edukata fetare qëndron mbi njohuritë e fesë – ja çfarë pashë në një xhami

Më të lexuarat

Kjo foto është shkrepur nga unë në xhaminë e Mihrimah Sulltane, pranë parvazit të një dritareje ku qëndrova për 11 ditë në një seminar të organizuar aty.
Shpesh përballemi me situata nga më të ndryshmet nëpër xhamitë tona, ku jo pak herë gjejmë se xhamitë monitorohen nga kamera.
Xhamia ka një lloj privatësie ku jo rrallëherë prezantuesit bezdisen nga këto monitorime.
Por këto kamera janë vendosur si pjesë e imponimit të kushteve në të cilat jetojmë.
Në udhëtimin tim të fundit momentalisht drejt Stambollit, pashë diçka që më tërhoqi vëmendjen: Një shtetas turk u fut në xhami për të falur kohën e namazit, duke qenë se xhamia Mehrimah Sultane e ndërtuar prej bijës së sulltan Sulejman Kanunit, kishte ruajtur sistemin e vjetër, duke mos patur një arkë sadakaje.
Ky person vuri celularin në karikim për afro gjysmë ore, dhe pasi e hoqi nga karikimi aty pranë prizës la 4 lira turke, afro 100 lek shqiptare.


Fillimisht veprimi i tij më bëri përshtypje, por përshtypja më e madhe ishte se dhe pas dy ditëve ato para vazhdonin të qëndronin në vendin e tyre edhe pse xhamia pastrohej së paku 3 herë në ditë pasi aty zhvillohej një trajnim me afro 1500 pjesëmarrës.
Akoma dhe më habi më bëri fakti se dhe fëmijët turq që kishin ardhur me prindërit e tyre nuk i preknin ato para, derisa erdhi përgjegjësi i xhamisë dhe ia bashkoi fondit të xhamisë.
Është e sigurt qe personi i cili i la, i dha me qëllimin se xhamia është një institucion për të cilin duhet kontribuar dhe se konsumimi i diçkaje që është në shërbim të xhamisë duhet paguar.
Sfida jonë është të edukohemi dhe si t’i edukojmë të tjerët me këtë edukatë fetare dhe jo si të japim vendime se kjo është haram dhe kjo tjetra jo, kjo lejohet dhe kjo ndalohet.
Më kujtoi kjo dhe edukatën e brezit të vjetër në trojet tona, ku të flisnin me plot butësi për fenë me termat: “Është mirë të bëhet kjo,” ose “…është keq ta bësh këtë”, kur shpesh shprehja është keq simbolizonte haramin.
Sa më të butë në përcjelljen e mesazhit të fesë aq më shumë produktivitet do të kemi, sa më shumë edukatë fetare aq më larg agresivitetit, egoizmit dhe paudhësive.
Allahu na bëftë të urtë dhe udhëzues.
Stamboll 30-Gusht-2019

Gentian Mara

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit