1.2 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Edmond ARIZAJ: Te Skënderbeu nuk është problem “Vojsava serbe”, por tradhëtia

Më të lexuarat

Nuk e di se çfarë i ka gjetur shqiptarët. Nuk ja lënë rehat kockat Gjergj Kastriotit, Skënderbeut. Madje tani as të jëmës. Në fillim ishte i ndjeri Ardian Klosi që me një Shmid a Shmud, donte ta çmuroste Skënderbeun nga mitet dhe legjendat, ardhur e fryrë përgjatë historisë e shekujve, por gjithsesi pa pasur rrënjë të gënjeshtërt. Tani Mustafa Nano, ngatërron kot më kot urët, vetëm të lëshojë xixa që t’u bie të tjerëve si ai në sy, e t’i “ulërasin” duke i përmendur emrin, e kështu ai të mbetet i përmendur!!!

Unë nuk i shoh ndonjë dëshirë tjetër, kësaj dëshirës për t’u marrë kot më kot me të vetmin hero kombëtar, për t’u përpjekur herë t’i heqësh patkonjtë e kalit e herë brirët e dhisë, se normalisht asgjë tjetër nuk mund t’i lëvizësh Gjergj Kastriotit. E megjithatë shqiptarët kanë se ç’të diskutojnë e të rrahin, përveçse ujit në hava.

Sigurisht që për mua më të rëndësishme sot janë zhvillimi ekonomik në të gjitha rajonet shqiptare; një Shqipëri e fortë e shqiptarë të pasur kudo; por për qibarët e së vërtetës historike do të kërkoja shpjegimin e disa “përthyerjeve” të forta në tokat iliro-arbërore-shqiptare.

E kam fjalën për tradhëtinë. Nuk e di a kemi hasur ndonjëherë një vend tjetër kaq shumë të tradhëtuar nga të vetët se sa vendi ynë. Demetër Fari që tradhëton mbretëreshën Teuta, në një përballje me romakët; Skerdilaidi që tradhëton Demetër Farin e më pas Skardani që tradhëton Skerdilaidin. Të merren mend vetëm duke i përmendur, e jo më të mendosh që pas kësaj, vetëm pas shumë e shumë shekujsh nisëm të përmendemi sërish. Le të vazhdojmë. Vijmë tek ai që po e rrotullojnë nga të gjithë krahët, për hir të internacionalizmit dhe të vërtetës së kulluar, duke qenë se gjithë fqinjët tanë janë po kaq të hapur e transparentë në të vërtetat historike: Skënderbeu.

I tradhëtuar nga të paktën dy nipër, më i famshmi Hamza Kastrioti, që për shqiptarët është kthyer si Juda për të krishterët, simboli i tradhëtisë. E nëse gërvishtim sadopak çdo vit, që pas vdekjes së heroit tonë kombëtar, do të gjejmë patjetër një tradhëtar. Në vendin tonë, për çdo hero korrespondon të paktën një tradhëtar apo një udhërrëfyes kundër sivëllezërve. Dhe ka ngjarje që tregohen edhe sot e kësaj dite në të gjitha trojet shqiptare. Dhe mund të vijojmë pa mbarim edhe duke ndërfutur histori dosjesh apo spiunësh, të lidhur me shërbime të ndryshme, apo të shitur tek ato. Kemi histori të varrosura e të gjalla pa fund, ashtu siç ka dhe dëshmitarë pa fund. Por ne nuk merremi me këto; nuk merremi me të vdekurit e gjallë. Jo. Shkundim pluhurin e para 500 viteve, ndërkohë që rrjeta e merimangës së 100 viteve të fundit na ka mbërthyer si komb, jo vetëm si Shqipëri…

Do desha shumë që emrat publikë shqiptarë në vend se të merreshin me Skënderbeun dhe familjen e tij, të ndikonin në krijimin e një fryme mbarëshqiptare, ku të mos shohim në kufijtë tanë fqinjët, por miqtë si fillim, apo dhe më shumë më vonë; të ndikojnë në lëvizjet demografike, në shkëmbimin e kulturës e të dijeve, të pasurisë e të sporteve; të mos u japin hapësirë fare atyre që duan të trajtojnë p.sh. Shqipërinë dhe Kosovën si dy shtete afrikane që i ka ndarë përjetësisht një lumë.

Në të dy vendet, ka persona që e trajtojnë Kosovën, apo Shqipërinë si organe të transplantuara, ndërsa duhet të ishim veshka të një trupi. Këta për mendimin tim, janë pasardhësit e atyre që folëm pak më lartë, por më të sofistikuar. Ne nuk kemi problem nënën e Skënderbeut, por tradhëtarët e kamufluar, sado arkiaike të duket kjo fjalë në veshët e internacionalistëve të vonë ballkanikë. /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit