5.8 C
Pristina
Thursday, November 28, 2024

Edi Rama i shpall luftë ISIS: Gati të ndërhyjmë në çdo formë nëse na e kërkon NATO

Më të lexuarat

Shqipëria i shpall luftë hapur Shtetit Islamik, ISIS, i cili, pas sulmit në Francë po kërcënon edhe shtete të tjera të Europës Perëndimore. Kryeministri Edi Rama deklaroi se Shqipëria do të vendosë në gatishmërinë Ushtrinë Shqiptare kundër ISIS nëse një gjë të tillë do t’ia kërkonte NATO. Deklarata e Ramës vjen gjatë takimit të djeshëm me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO, Jens Stoltenberg, në Kryeministri. Pas takimit kokë më kokë, Rama dhe Stoltenberg dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp. “Ne jemi plotësisht të angazhuar që të kontribuojmë me të gjitha mundësitë që ne disponojmë brenda kësaj Aleance në çdo mision ku kërkohet kontributi ynë”, deklaroi Rama. Kryeministri theksoi se të gjitha vendet aleate të NATO janë të kërcënuara nga ISIS dhe për këtë duhet të bëhet punë serioze. “Ne e ndajmë fuqimisht shqetësimin me të gjithë anëtarët e Aleancës për kërcënimin serioz që paraqet terrorizmi i shfaqur sot në trajtën e tij më barbare në formën e një nazizmi të ri tek i ashtuquajturi ISIS. Të gjitha vendet aleate ndihen njëlloj të kërcënuara, ndërkohë që njëlloj zotërojmë vullnet, kemi mundësi dhe kapacitete për të përballuar me sukses këtë betejë dhe për ta fituar këtë që Papa Françesku e quan një “Luftë të Tretë Botërore””, u shpreh Rama.

Kërcënimet terroriste

Sekretari i Përgjithshëm i NATO, Jens Stoltenberg, deklaroi se asnjë vend europian nuk mund të jetë i qetë përpara kërcënimeve të ISIS. Ai theksoi se e gjithë Europa duhet të jetë vigjilente dhe të rrisë përpjekjet kundër terrorizmit. “Por ajo që mund t’ju them kur vjen fjala për kërcënimet terroriste është se ajo çfarë ju keni parë në Paris, por edhe në vende të tjera europiane, është fakti që asnjë vend nuk është i paprekshëm ndaj kërcënimeve, që pamë në Paris. Ndaj na duhet të jemi vigjilentë, na duhet që të gjithë të jemi të përgatitur. Të gjithë na duhet që të intensifikojmë përpjekjet për të luftuar terrorizmin, ekstremizmin dhe ISIS. Na duhet ta bëjmë këtë duke përdorur mjete shumë të ndryshme, na duhen mjete ushtarake dhe e mirëpres faktin që shumë vende aleate të NATO-s po e rrisin kontributin në koalicionin global në luftën kundër ISIS, por na duhen gjithashtu edhe mjete ekonomike, politike dhe diplomatike”, theksoi Stoltenberg.

Vendet e rajonit

Jens Stoltenberg u shpreh se duhet të ndihmohen edhe vendet e rajonit për të luftuar terrorizmin. “Nga ana tjetër duhen ndihmuar vendet në rajon që të rrisin kapacitet për të stabilizuar vetë vendet e tyre dhe për ta luftuar vetë ekstremizmin. Kjo është saktësisht ajo çfarë bëjmë në Afganistan ku trajnojmë dhe ndihmojmë forcat kombëtare afgane për të luftuar ekstremizmin dhe terrorizmin. Këtë bëjmë në Jordani, ku kemi në fakt ndërtim të kapaciteteve të mbrojtjes me forcat e tyre, duke i ndihmuar, duke i trajnuar dhe kjo është ajo që po bëjmë aktualisht edhe me qeverinë e Irakut, ndërkohë që i ndihmojnë të modernizojnë forcat e tyre të armatosura në mënyrë që të kenë forca të forta lokale që luftojnë ekstremizmin në Irak”, u shpreh ai.

 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit