3.7 C
Pristina
Saturday, December 28, 2024

Edhe krimet e komunistëve rrezikojnë të quhen normale

Më të lexuarat

Nga Fitim Zekthi

Gjëja më e shëmtuar në lidhje me poshtërsitë apo krimet e kryera në mënyrë sistematike dhe të organizuar është përpjekja për t’i normalizuar ato. Përgjatë historisë ka patur shumë dhunë e vrasje, por asnjëherë në përmasën e atyre të totalitarizmave të modernitetit, sidomos sa i takon organizimit dhe racionalizimit të tyre. Për këtë Edward Herman, një profesor në Universitetin e Pensilvanisë thotë se këto veprime të ndyra, degraduese, vrastare të patregueshme bëhen rutinë dhe pranohen si “mënyra se si janë gjërat”. Herman shpjegon se si ky proces arrin të normalizojë të pamendueshmen.
Kështu ka ndodhur me makinerinë vrastare në regjimet fashiste, komuniste dhe në përgjithësi, në ato totalitare. Ka patur një ndarje të rëndomtë të punës dhe racionalizim të të pamendueshmes në këtë proces të organizimit të krimit: disa bëjnë torturat, disa vrasin, disa marrin trupat, disa hapin rubinetet e ujit të pastrimit, disa bëjnë kërkime për dhoma më efikase gazi, disa komandojnë makinat që i transportojnë të burgosurit etj. Po ashtu disa mbajnë në këmbë makinerinë e propagandës duke tjerrë mashtrime, duke manipuluar njerëz, duke lavdëruar krimet, duke shkruar histori. Lisa Peattie, një antropologe e Institutit të teknologjisë së Massachusetts, në një ese të mrekullueshme, “Normalizmi i të pamendueshmes”, përshkruan se si në kampet naziste të vdekjes gjithçka është e normalizuar, racionalizuar dhe rutinë. Koncepti i zhvilluar nga Herman dhe Peattie përdoret sot gjerësisht për të kuptuar, jo vetëm kryerjen e këtyre krimeve të tmerrshme, por edhe mbrojtjen e tyre, justifikimin apo zbukurimin e tyre.
Në Shqipëri, politikanë të rëndësishëm të së majtës, ish-komunistë, enveristë dhe një grup historianësh që vijnë nga koha e komunizmit mbrojnë me forcë idenë se Enver Hoxha dhe Partia Komuniste zhvilluan luftën çlirimtare kundër fashizmit dhe e renditën vendin tonë në anën e fuqive fituese duke garantuar pavarësinë. Në anën tjetër për ta veç armikut fashist janë edhe kolaboracionistët. E njëjta gjë ndodhi edhe me debatin mbi dekorimin e 67 nacionalistëve të ballit Kombëtar të pushkatuar nga Mehmet Shehu në 1943. E gjithë kjo të çon domosdo te konceptet e normalizimit të të pamendueshmes. Partia komuniste shqiptare nuk luftoi kundër fashizmit, as e çliroi vendin dhe as e renditi Shqipërinë në anën e koalicionit fitues. Komunizmi dhe fashizmi janë të dyja ideologji totalitare që prodhuan krimet më të mëdha që ka njohur njerëzimi. Harry Binswager, filozof i njohur amerikan, thotë se ekuivalenti politik i spektrit arsenik-cianur është fashizëm-komunizëm. Pra komunizmi dhe fashizmi janë si cianuri dhe arseniku: helme vdekjeprurëse. Ayn Rand, një nga mendjet më të mprehta të filozofisë politike shekullin që kaloi, thotë se për ideologjinë komuniste si dhe për atë fashiste puna dhe jeta e njeriut i përkasin shtetit, i cili mund t’i marrë ato në varësi të asaj që atij i duket e mirë kolektive apo tribale. Dy prej historianëve më të mëdhenj të Europës së pas Luftës së Dytë Botërore, francezi François Furet dhe gjermani Ernst Nolte, thonë se fashizmi dhe komunizmi përfaqësojnë dy mishërime të pranisë shkatërrimtare të djallëzores në histori. Në hyrjen e “Librit të Zi të Komunizmit” historiani francez Stéphane Courtois thotë se komunizmi si edhe nazizmi është një destruksion i përkufizuar nga krimi dhe gjenocidi. Ndryshimi është se nazizmi drejtohet nga raca ndërsa komunizmi nga klasa sociale.
Partia Komuniste në Shqipëri ka kryer përgjatë viteve të luftës shumë krime dhe gjatë viteve kur drejtoi vendin ajo e shndërroi shtetin në një mekanizëm vrasës në shërbim të saj. Është e pakuptueshme se si një totalitarizëm i tillë mund të tejkalojë vlerat që mbron dhe të luftojë në emër të së mirës fashizmin. Partia komuniste nuk ka qenë antifashiste. Ajo mund të ketë qenë kundër fashizmit për arsye se nuk mund të kishte vend për të dyja ideologjitë njëkohësisht dhe për shkak se kundër tij ishte gjithë komunizmi botëror, pas sulmit të Gjermanisë ndaj BS (para këtij sulmi komunistët ishin aleatë me fashistët).
Partia Komuniste dhe Enver Hoxha nuk e çliruan vendin dhe nuk sollën lirinë, siç thonë grupi i politikanëve dhe historianëve enveristë. Liria është një kategori e diskutuar gjatë dhe shumica e mendimit mbi të, që prej Greqisë së vjetër, e sheh atë të përkufizuar nga trupi te shpirti, nga politikja te socialja, nga individualja te komunitarja. Ruhus Fears, një profesor i historisë së qytetërimit të universitetit të Oklahomës thotë se ajo ka tre komponentë: 1. Liria kombëtare, liria nga dominimi i huaj; 2. liria politike, liria për të zgjedhur drejtuesit dhe qeverinë dhe 3. liria për të jetuar sipas mënyrës që gjithkush e gjen më të drejtë, por pa dëmtuar shoqërinë dhe perspektivën e saj.
Sa i takon lirisë kombëtare, lirisë së vendit ndaj dominimit të huaj gjithkush e ka të qartë se qeveria shqiptare në 1944 apo 1945 ishte të paktën po aq e varur nga jugosllavët sa ishte e varur secila nga qeveritë shqiptare të viteve 1939-1944, në mos edhe më shumë. Është i njohur roli i jugosllavëve në politikat e qeverisë komuniste, në arrestime, vrasje patriotësh, por edhe kundërshtarësh, torturime etj. Fakti që nuk kishte ushtri të huaj nuk e bën më të lehtë mungesën e lirisë. Një robëri apo një krim është njëlloj i tmerrshëm pavarësisht kombësisë së atij që e bën. Në lidhje me liritë politike, lirinë për të zgjedhur drejtuesit e vendit, dihet se qeveria e Enver Hoxhës mbyti gjithçka. Shqipëria qe një diktaturë e egër ku nuk lejohej as liria e të menduarit, le pastaj ajo e të shprehurit e më tej, ajo e organizimit politik. Po kështu edhe liria për të zgjedhur mënyrën e jetesës nuk ekzistonte në Shqipëri. Kështu, të thuash sot se Partia Komuniste dhe Enver Hoxha sollën lirinë apo ndihmuan në ardhjen e saj, është mashtrim.
Në lidhje me faktin që Enver Hoxha dhe Partia Komuniste e renditi Shqipërinë në anën e koalicionit antifashist fitues, sërish jemi përpara një falsiteti logjik. Komunistët shqiptarë menjëherë iu kundërvunë perëndimit sapo mbaroi lufta, gjë që tregon se ata nuk kishin lidhje me asnjë vlerë të perëndimit. Ata mbetën të lidhur me Jugosllavinë dhe Bashkimin Sovjetik. Pra Komunistët shqiptarë nuk e renditën Shqipërinë në asnjë koalicion fitues apo antifashist. Ata e renditën Shqipërinë në koalicionin stalinist që kërkonte të mundte fashizmin për të qenë ata ideologjia e vetme totalitare që do të merrte pushtetin. Shqipëria në 1944 u pushtua nga një regjim totalitar.
Sot historianët, politikanët apo të tjerë zëra që flasin për luftë antifashiste të komunistëve dhe Enver Hoxhës, që mbrojnë idenë se komunistët shqiptarë çliruan vendin, që dënojnë edhe sot si tradhtarë të pushkatuarit nga Mehmet Shehu nuk bëjnë gjë tjetër vetëm se dëshmojnë përpjekjen për të normalizuar të pamendueshmen. Ata sillen njëlloj si hetuesit e diktaturës, gjyqtarët, oficerët e sigurimit, të degëve të punëve të brendshme, njerëzit e propagandës, njerëzit e lidhjes, njerëzit e Komitetit Qendror etj., që kishin secili rolin e tyre rutinor në makinerinë çnjerëzore ku masakroheshin jetë dhe njerëz. Ata janë në një përpjekje të pandalshme për të normalizuar të pamendueshmen.
Filozofi Edward Herman dhe antropologia Lisa Peattie e zhvilluan këtë koncept nisur nga koncepti i banalitetit të së keqes. Për të kuptuar më mirë arsyet pse kemi sot historianë, politikanë apo gazetarë që “normalizojnë të pamendueshmen” duhet të shohim pak ç’është banaliteti i të keqes. Këtë koncept na e ka dhënë Hannah Arendt, e cila u përpoq të shpjegojë se cilët janë njerëzit që përfshihen në zinxhirin kriminal të totalitarizmave. Arendt ndoqi nga afër gjyqin (në Jeruzalem) ndaj Adolf Eichmanit, një funksionar i lartë nazist, i akuzuar se kishte luajtur rol të rëndësishëm në holokaustin ndaj hebrenjve.
Arendt u trondit kur pa se Eichmann ishte një njeri i zakonshëm, mesatar, që fliste shtruar dhe që nuk kishte asnjë brejtje ndërgjegjeje. Eichmann u shpreh në gjyq se ai i besonte Hitlerit dhe doktrinës së tij dhe se gjithçka e kishte kryer në përmbushje të imperativit kategorik kantian, “vlerësimin e motivit apo qëllimit për të vepruar”. Me fjalë të tjera ai tha se kishte bërë detyrën. Eichmann kishte çuar drejt dhomave të gazit mijëra hebrenj, në një proces rutinor, me zell, pa menduar asnjë çast mbi jetët e tyre. Arendt thotë se ai funksiononte me klishe dhe nuk mendonte, thjesht ndiqte liderin. Për Hannah Arendt ky është banaliteti i së keqes: të vepruarit me klishe, verbërisht dhe pa menduar, në bindje ndaj liderit. Këta njerëz e kanë shumë të thjeshtë të normalizojnë të pamendueshmen sepse ata nuk mendojnë. Kjo ndodh me historianët tanë e me gjithkënd që normalizon me shkrime, intervista, takime e shaje të kuq, të pamendueshmen mbi atë çfarë ka qenë Enver Hoxha, Mehmet Shehu dhe Partia Komuniste.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit