Përderi sa ngritja e një muri ndanë Urës së Ibrit është vetëm provokim simbolik në serinë e diversioneve ndaj shtetit të Kosovës nga Serbia e Rusia, debatet që po bëhen në mesin e shqiptarëve, duke përfshirë edhe një pjes ëtë diskutimeve në Kuvendin e Kosovës, janë thjesht dhe vetëm episode të mjerimit të mendimit imoral politik.
Prandaj, suksesi i Serbisë në këtë rast nuk është vetëm se e imponon agjenden që dëshiron, por edhe se arrin t’i nxisë shqiptarët që ta akuzojnë e fyejnë vetveten edhe për komplotet që ua bën Serbia. Kjo është gropa septike e mjerimit ku është katandisur mendimi logjik nga një pjesë e kësaj elite të çoroditur dhe disa medieve poashtu të çoroditura.
Ta akuzosh veten, për dëmin që ta bën ashiqare tjetri, kjo shkon përtej mazohizmit. Arrin te doktrina morbide e Menen Agripes, i cili i pati bindur të varfërit në Romë, se faji për mjerimin e tyre nuk ishte i të pasurve, po i stomakut të tyre që nuk po ngopej kurrë. Si rezultat i këtij shpjegimi të Agripës, nga ana e të varfërve filloi çmenduria kolektive e shqyerjes së barqeve të veta! Ata i shponin dhe i shqyenin me thika barqet e veta, duke i akuzuar se ishin fajtorë për mjerimin e tyre! Edhe në rastin e debateve për murin, këtë doktrinë është duke e përhapur veçmas LVV, po edhe një pjesë e medieve në vendin tonë.
Pra, këta po na thonë që ne shqiptarët kemi faj që është ndarë Mitrovica, që është ndarë veriu, që është ngritur muri. Ne kemi faj, jo Serbia, jo Rusia. Dhe meqë ne qenkemi fajtorët, atëherë mbetet që të marrim edhe dënimin që meritojmë, të vetëndëshkohemi, t’ia nxjerrim sytë vetes e njëri- tjetrit! Më tmerron fakti që në këtë derexhe kemi rënë saktësisht. Këtë derexhe e vërteton edhe një anketim që po e zhvillon një portal, me pyetjen: kush është fajtor për ngritjen e murit? Përgjigjet janë tmerruese: 50% mendojnë se përgjegjës është Hashim Thaçi, ndërsa vetëm 14% e shohin përgjegjëse Serbinë. Në një frymë të theksuar agripiane, ka diskutuar mbrëmë në Kuvend edhe pjesa më e madhe e opozitës, lidhur me po këtë temë. Pati akuza bizare se gjoja Kadri Veseli e ka ndarë Mitrovicën! (Nuk ia vlen të përshkruhet niveli mizerabël i atij debati, vërtet!)
Ndërsa, pyetja se kush e ka ndarë veriun e Kosovës dhe Mitrovicën dhe rrjedhimisht kush e ka ngritur murin, ka marrë përgjigje para shumë vitesh nga njeriu që e njeh më së miri gjithë problemin, nga Marti Ahtisari. Në librin e tij, “Detyra në Beograd” (të cilin studentët e mi e lexojnë si libër obligativ në vitin e parë të studimeve, ndërsa jam i bindur se shumica e deputetëve nuk e kanë lexuar) Ahtisari zbulon se si është përgatitur komploti ruso-serb për ndarjen e Kosovës, gjatë kohës sa zgjasnin tratativat e treshes Tallbot-Cernomirdin-Ahtisari, për gjetjen e një zgjidhjeje për Kosovën. Ai zbulon se ministria ruse e mbrojtjes, mbase edhe ajo e brendshmja, kishin hartuar një projekt të fshehtë, (prapa shpinës së Ministrisë së së jashtme dhe çernomirdinit) për ndarjen e Kosovës dhe marrjen e veriut të Kosovës nën kontrollin e rusëve. Plani ishte akorduar me Millosheviqin. Ahtisari pohon se arsyeja pse Millosheviqi e kishte pranuar marrëveshjen, ishte pikërisht ai plan i fshehtë për ndarjen e Kosovës. Ahtisari thotë: “ Ekzistimi i një plani të tillë e shpjegon pranimin, çuditërisht të lehtë të ofertës për paqe, nga ana e Millosheviqit dhe e udhëheqjes jugosllave, të cilën e kisha sjellë në Beograd.”
Sipas Ahtisarit, Rusia kishte përgatitur të paktën 10.000 ushtarë të përgatitur për zbarkim në Kosovë!Ahtisari pohon se plani dështoi vetëm falë faktit që Bullgaria, Hungaria, Rumania e mbyllën hapësirën ajrore për fluturimet ruse dhe ashtu penguan zbarkimin rus në Kosovë. Në atë mënyrë, forcat ruse që erdhën në Kosovë nga Bosnja dhe e pushtuan aeroportin (aeroporti u duhej për zbarkimin e forcave të tjera nga Rusia) mbeten të izoluara dhe nuk arritën ta ndryshonin rrjedhën e ngjarjeve. Sado që plani i marrjes së sektorit të veriut nga Rusia ka dështuar thjesht dhe vetëm për këtë arsye, është naiv kushdo që mendon se Rusia e Serbia kanë hequr dorë nga plani. Ai plan është modifikuar prej tyre, me ngritjen e strukurave paramilitare, me dëbimin e shqiptarëve nga veriu, me funksionalizimin e administratës shtetërore serbe në ato hapësira.
KFOR-i dhe UNMIK-u kurrë nuk kanë arritur të ndryshojnë gjendjen në terren. Për atë arsye, Bashkimi Evropian ka planifikuar riintegrimin me anën e negociatave. Por, edhe Bashkimi Evropian, në dijeni të ekzistimit të planit ruso-serb, kurrë nuk ka guxuar ta prekë në nerv statusin e veriut. Është munduar ta zbutë, ta modifikojë, ta përshtatë, por pa pasur guxim ta sfidojë. Ura e Ibrit është shndërruar në simbol të dështimit edhe të BE-së në Kosovë. Pra, për t’i dhënë fund unë këtij monologu, ekziston plani ruso-serb për ndarjen e Kosovës, i cili ka filluar në qershor 1999 dhe i cili është duke u zbatuar.
Personalisht, pres që do të intensifikohet realizimi i tij edhe me brutalisht. Si fillim, mund të sponsorizohen që të vijnë në nivele të ndryshme të vendimmmarrjes për Mitrovicën e për veriun edhe më shumë njerëz si Agim Bahtiri dhe partia e tij, e njohur për lidhjet me Rusinë. Kjo mund të ndodhë nëse shteti i Kosovës rrëshqet edhe më shumë drejt dështimit si shtet. Në atë rast hapet mundësia e ndarjes “së përkohshme”, ose “preventive” nga shteti dështuar. Pak a shumë ashtu siç është ndarë Kosova nga shteti i dështuar jugosllav. Në këtë kontekst, dështimit të Kosovës si shtet i ndihmon shumë kjo qasja e vetakuzimit, e vetëfajësimit për ndarjen e Mitrovicës e të veriut. Pse? Paj, siç bënte qejf Menen Agripa, kur i shihte varfanjakët duke e çarë stomakun e tyre me thika, ashtu po kënaqen Rusia e Serbia, kur po shohin se sa egërisht po akuzojmë veten si fajtorë për ndarjen. (24 dhjetor 2016)
Marrë nga faqja në FB e autorit – /tesheshi.com