0.9 C
Pristina
Friday, November 15, 2024

E tërë komuna e Skenderajt në grevë solidarizuese me Lushtakun

Më të lexuarat

Udhëheqja e punëtorëve të administratës komunale dhe udhëheqja më e lartë e Komunës së Skenderajt, ka mbajtur takim të jashtëzakonshëm pas situatës së krijuar me rastin e hyrjes në grevë urie të kryetarit të dënuar, Sami Lushtaku.

Pas kësaj mbledhjeje është marrë vendim që e tërë administrata komunale të hyjë në grevë nga dita e nesërme.

“Nga dita e hënë 18 janar 2016 të gjithë punëtorët e Administratës komunale do të hyjnë në Grevë Solidarizuese me z.Lushtaku. Të gjithë punëtorët do të jenë në vendet e tyre të punës, por do të ndërpiten të gjitha shërbimet me qytetarë”, thuhet në vendimin e Komunës së Skenderajt, raporton Koha.net.

Më këtë rast, komuna e Skenderajt shpreh edhe shqetësimin për, siç thuhet në komunikatë, “trajtimin e padrejtë dhe johuman të Kryetarit Sami Lushtaku”.

Më tej, kjo komunë kërkon nga Presidentja e Kosovës, Avokati i Popullit dhe institucionet e tjera relevante që të reagojnë “karshi shkeljes së rëndë të të drejtave elementare njerëzore ndaj z. Lushtaku”.

“Privimi nga e drejta për të marrë shërbime shëndetësore është në kundërshtim me të gjitha konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Sa për dijeni të institucioneve dhe opinionit publik, shërbimi shëndetësor nuk u ndalohet as robërve të luftës. Gjendja shëndetësore e z. Lushtaku është serioze dhe ndalimi i ofrimit të shërbimeve adekuate mjekësore përbën rrezik për jetën e tij, prandaj kërkojmë nga institucionet relevante kompetente që të marrin masa urgjente në drejtim të përmirësimit të kësaj situate, që është shqetësim jo vetëm i familjes Lushtaku por edhe i institucioneve lokale të Skenderajt dhe qytetarëve të kësaj treve”, thuhet në komunikatën njoftuese të Komunës së Skenderajt.

Tutje, administrata komunale e Skenderajt u kërkon falje qytetarëve që nuk do të mund t’ju ofrojnë shërbime administrative komunale, “por situata e krijuar pas ndalimit të trajtimit shëndetësor të z. Lushtaku dhe hyrjes në grevë urie të tij, është shumë serioze dhe cenon shëndetin e tij”.

“Sami Lushtaku është i zgjedhuri i qytetarëve të Skenderajt. Ai është dënuar padrejtësisht dhe përveç kësaj, ai po trajtohet në mënyrë të papërgjegjshme dhe çnjerëzore”, theksohet në reagim.

Greva solidarizuese, që fillon të hënën, për Administratën komunale të Skenderajt, është hapi i parë i shprehjes së pakënaqësisë, “pasi nëse institucionet përgjegjëse vazhdojnë të heshtin karshi këtij trajtimi johuman ndaj z. Lushtaku, do të pasojnë veprime edhe më radikale”.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit