3 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

E shkatërrova fëmijën tim me nervozizmin tim… Hapat për shpëtimin e tij.

Më të lexuarat

E shkatërrova fëmijën tim me nervozizmin tim… Hapat për shpëtimin e tij.

 
Çelësa edukativ, problematika të hidhura dhe gabimet e përhapura të edukatorëve.
Pyetje: Si ta rregulloj unin e fëmijës tim, pasi e prisha atë me egërsinë time?
Jam një nënë, që desha ta edukoj fëmijën tim më së miri. Prandaj para martese lexoja shumë rreth edukimit dhe të njëjtën gjëja bëja edhe gjatë shtatzënisë. Fillesat e mia me fëmijën tim kanë qenë të mira dhe qysh kur isha shtatzënë, i vija atij Kuran ta dëgjonte bashkë me mua. Vazhdova të veproj kështu edhe pasi e linda dhe vazhdoj sot e kësaj dite.
Ai tani është tre vjeç e një muaj dhe ka një motër, mosha e së cilës është një vjeç e nëntë muaj. Gjithsesi, nervozizmi im është mbi kufijtë, një zemërim jashtë kufijve të humanes, saqë mendoj se me egërsinë time të tepruar, e prisha atë që e pata ndërtuar. Sillesha egër me fëmijën tim që në moshën më të brishtë të tij dhe vazhdoj të jem e tillë edhe tani.
Për çdo ditë qaj dhe them se nuk kam për t’iu kthyer më kësaj sjellje, por kur djali im i gjorë bën ndonjë gjë që më mërzit, duroj sa duroj dhe më në fund shpërthej egërsisht me një dhunë të tepruar. Paskëtaj pendohem dhe sërish bëj e bëj durim, por pastaj shpërthej sërish. Kështu ka ndodhur me mua gjatë gjithë tre viteve të moshës së djalit tim, ku kam ushtruar mbi të thuajse të gjitha llojet e dhunës dhe egërsisë.
Dua që të ndalohem nga kjo, dua ta shpëtoj fëmijën tim nga dëmi. Nuk dua ta humbas atë. Më ndihmoni Allahu iu shpërbleftë.
Si rezultat i egërsisë sime, fëmija ime sillet me disa sjellje, që dua t’i kuroj para se të jetë vonë:
1. Është shumë i lëvizshëm. Vihem në siklet kudo që të shkoj me të, pasi do të prekë çdo gjë, do të provojë çdo gjë, do të bëj çdo gjë vetë, në një formë të tillë që i vë njerëzit vërtet në siklet. Për shembull, do që t’ia mbyll vetë çantën gruas së xhaxhait, të tij, e kështu me radhë.
Vërejtje: Kam lexuar për sëmundjen e “teprisë në të lëvizur”, por nuk i gjej të gjitha simptomat e saj të pasqyruara tek fëmija im, prandaj dhe nuk e kam dërguar tek specialisti. Lidhur me sëmundjen në fjalë, kam lexuar të thuhet se i sëmuri shpërqendrohet për një kohë të gjatë, por edhe raste kur djali im përqendrohet për një kohë të gjatë në lodrat e tij.
2. Ai qan për shkaqet më të rëndomta.
3. Të folurit e tij është e vonuar në raport me moshatarët e vet. Kur ai flet unë e kuptoj, por ai është ende në rimën e fjalive dyfjalëshe. Ndërsa kur thotë fjali të gjata, ai i ha fjalët dhe unë vihem në siklet, sidomos kur fëmija im flet në prani të njerëzve. Ai dëshiron të flasë e të flasë, pavarësisht fjalëve të tij të brejtura. Nga të metat e të folurit të tij përmend për shembull: përmbysja e disa fjalëve qoftë në theksim qoftë në kuptim, për shembull fjalën ngrije e thotë “ejirgn”, ose kur do për shembull t’ia ulësh perden, thotë “Ngrije perden!”, në një kohë që dëshiron të kundërtën, etj. Ende më thotë mua dhe të atit disa fjalë të pakuptueshme, të cilat na vënë shumë në siklet, sidomos kur jemi në prani të njerëzve të tjerë.
4. Ai tani është në moshën e kërshërisë, por nuk na pyet. Po kështu kur dikush e pyet për emrin e tij, ai s’përgjigjet edhe pse unë i kam mësuar shumë herë që ta thotë emrin e tij.
5. Sa i përket çështjes së tualetit, në fillim ia nisi mirë dhe unë e nxisja duke i dhënë ëmbëlsira dhe duke duruar shumë, afërsisht durova duke vijuar me të kështu rreth katër muaj. Në muajin e pestë herë nervozohesha, herë neglizhoja, herë duroja, herë e godisja dhe herë e nxisja pozitivisht.
Nuk arrita ta mësoja të kryente nevojat personale në moshë të vogël, duke qenë se ai ka folur me vonesë. Por jam befasuar kur ai as më thoshte dhe donte të shkonte në tualet. Madje fëmija im refuzon, që t’ia ndërroj dhe pampersat . Ndaj dhe kam vendosur që gjer në verë t’ia ndërpres të mësuarin e kryerjes së nevojës personale në tualet, pasi ai është dëmtuar shumë psikologjikisht dhe fizikisht nga unë, që e humba durimin pasi u lodha shumë me të, sepse ka filluar t’i lagë shumë shpesh të brendshmet e tij. Thashë me vete ta vonoj këtë çështje për pak kohë. Nuk e di a kam bërë mirë me këtë, nënkuptoj idenë e lënies për më vonë, apo të vazhdoj ta mësoj atë në kryerjen e nevojave personale?
6. Deri më tani, vazhdon të fusë në gojë shumë prej lodrave, letrave higjienike dhe letrave të rëndomta, mirëpo unë ngushëllohem duke menduar se po imiton motrën e tij të vogël.
7. Është shumë kokëfortë dhe inati i tij vjen në rritje.
8. Luan në një formë loje që na shqetëson së tepërmi, për shembull duke i goditur lodrat me njëra-tjetrën ose duke i goditur në tavolinë, ose mbi tokë.
Më ndihmoni që të heq dorë, të shpëtoj nga nervozizmi dhe egërsia ime. Unë vetë kam nevojë për ilaç para fëmijës tim të shtrenjtë, për të cilin qaj çdo ditë, ngaqë tregohem vërtetë e egër me të, por pa dobi.
 
Përgjigjet d. Sead Rijadi:
Selam alejkum ue Rahmetullahi ue Bereketuhu!
Paqja, mëshira dhe begatia e Allahut qofshin mbi ju!
 
Fillimisht do doja ta falënderoja motrën pyetëse për dy gjëra:
Së pari: Për reflektimin e saj mbi vetveten dhe pranimin e të metave personale.
Së dyti: Për dëshirën e saj për të edukuar fëmijët e saj dhe rregullimin e asaj që ka prishur si pasojë e veprimeve të saj.
Nisur nga këtu, problematika në fjalë ka dy anët e veta, që janë shkaku dhe rezultati. Shkaku është: nervozizmi i nënës dhe ndërveprimi i rreptë i saj kundrejt fëmijës së saj; ndërsa rezultati është: shtimi i inatit, dëshira për të prishur dhe mosbindja ndaj urdhrave, nga ana e fëmijës së saj.  
Le të fillojmë me shkakun, i cili sipas vetë nënës së nderuar, vjen si rezultat i sjelljes ku dominon nervozizmi dhe inercia.
Motër e nderuar, nëse do të shpëtosh nga kjo cilësi, e cila nuk ka dyshim se ka rolin e saj tepër negativ në gjendjen e djalit tënd, të duhet të ndjekësh këto hapa:
1. Ta njohësh mirë veten tënde. Kjo fjalë ka një kuptim madhështor, dhe prej teje kërkohet që të njohësh kapacitetet, aftësitë, faktorët e mangësisë dhe dobësisë tek ti.
2. Duhet të dish si ta kontrollosh, realizosh dhe plotësosh veten tënde. Personi që ndihet i kënaqur nga jeta dhe vetvetja e tij, posedon një kapacitet të madh për ta përmbajtur dhe standardizuar veten e tij.
3. Duhet të heqësh dorë nga eksperiencat e tua të shkuara, sidomos nga ato që janë lënduese dhe që si përfundim kanë disfatat dhe frikën, pra nga ato eksperienca që të bëjnë të reagosh ashpër në gjërat më të rëndomta.
4. Duhet të përcaktosh rolet e tua në jetë, të sistemosh kohën tënde që të mos reagosh për inerci në kryerjen e roleve të tua, sidomos me fëmijët e tu të vegjël; pasi kur fëmijët janë në moshë të vogël, kërkojnë t’u rezervohet kohë dhe mund i madh.
5. Duhet të sillesh me të tjerët, ashtu siç do që ata të sillen me ty, sidomos me fëmijët e tu. Angazhohu të mos reagosh emocionalisht keq karshi të tjerëve dhe të nxehesh me ta.
6. Duhet të sjellësh ndërmend pasojat e reagimeve të forta emocionale, tensionimeve të mëdha. Mendo për nervat dhe kapitali tënd shëndetësor. Largohu nga këto reagime.
7. Nëse nuk mund t’i japësh fund këtij nervozizmi dhe reagimi të ashpër me hapat e lartpërmendura, do ju kisha shprehur kërkesën, që të shkonit dhe të bënit një kontroll tek specialisti, të konsultoheshit me të dhe të merrni ilaçet përkatëse.
Ndërsa për sa i përket djali tënd:
Sjelljet që burojnë prej tij konsiderohen rezultat i natyrshëm i komunikimit të gabuar me të. Gjendja e fëmijës mund të përshkruhet si vijon:
– Kryen veprime që nuk i përkasin moshës së tij për shkak të ndjesisë së tij, se është lënë pas dore dhe i është dhënë rëndësi motrës së vet. Prandaj ai kryen disa veprime, që kryen edhe e motra e tij, duke e bërë këtë ose për shkak të xhelozisë, ose sepse do që të marrë vëmendjen tuaj.
– Kryen lëvizje të tepërta. Përderisa këto lëvizje kryhen me përqendrim dhe aftësi të lartë arsyetuese, shkaku i tyre është ose natyra e ushqimit që ha fëmija, natyra e kalorive dhe konservanteve të ushqimit, etj; ose fëmija sillet me sjellje shkatërruese dhe dëmtuese, që të hakmerret ndaj të ëmës dhe këtë e bën për ta ndëshkuar të ëmën, duke qenë se ai ka parë, se këto sjellje e nervozojnë dhe e bëjnë atë të tensionohet, prandaj dhe ai i vepron ato kur dëshiron ta ndëshkojë të ëmën.
– Fëmija imiton fëmijën më të vogël në disa fjalë dhe në pjesë nga të folurit e saj. Ky realitet nuk vihet në dyshim, sidomos nëse më parë fëmija ka folur në mënyrë të saktë.
– Filmat vizatimorë dhe materialet mediatike ndikojnë seriozisht tek fëmijët, tek natyra e tyre e të folurit dhe tek shumë prej sjelljeve të tyre.
– Dukuria që konsiston në faktin, se fëmija nuk i bën pyetje të ëmës në këtë periudhë të tij të konsideruar me të drejtë si periudha e kërshërisë, tregon se midis nënës dhe fëmijës nuk ka harmoni dhe raport të mirë. Gjithashtu ai nuk ndihet komod dhe nuk është dakord të hyjë në bisedë me të.
– Fakti që fëmija nuk sillet dhe angazhohet me traditat dhe moralet e duhura jashtë shtëpisë, është tregues se ai ndihet shumë i dhunuar dhe i rrënuar brenda shtëpisë, prandaj për të shfryrë inatin, ai sillet në këtë formë jashtë shtëpisë ose me të huajt.
Prandaj është e nevojshme që të nxitoni t’i kuroni dhe korrigjoni këto zakone të tij dhe ta rregulloni personalitetin e tij para se të jetë vonë. Këtë mund ta realizoni përmes çështjeve në vijim:
1. Mundohu me të gjitha forcat, që të heqësh dorë dhe të shpëtosh prej këtij nervozizmi dhe kanosjeje, që na fakt nuk mund të kurojë ndonjë gjë. Konsideroji këto zakone si helm i avashtë, me anë të të cilit ti po i bën dëm me dashje vetes dhe fëmijëve, në një mënyrë të avashtë.
2. Kontrolloji kanosjet e tua gjatë periudhës së trajnimit të fëmijës, për ta nxjerrë nga këto zakone të gabuara.
3. Mos iu dorëzo fëmijës dhe zakoneve të tij. Mos ia vono gjërat që është koha për t’ia mësuar fëmijës tënd, por duhet t’ia mësosh atij këto gjëra në mënyrë të përshkallëzuar, me qëllim që ai të mësohet dhe t’i bëjë zakon sjelljet e duhura.
4. Lypset që t’ia japësh atij interesimin tënd aq sa duhet; pasi ai është shumë i nevojshëm për këtë interesim.
5. Kujto se periudha në të cilën po kalon fëmija yt tani, është prej periudhave më të rëndësishme, sa i përket përgatitjes së personalitetit dhe formimit të kapitalit zakonor të fëmijës, me të cilin do jetojë në të ardhmen. Vendosja e themelit të shëndoshë tani, do të kursejë kohë dhe mund në të ardhmen, sa i përket ndërtimit dhe formimit të fëmijës tënd të shtrenjtë.
6. Bëja analizat fëmijës dhe verifiko nëse ai ka krimba (askaride apo lambia) apo diçka tjetër të këtij lloji, që ndikon tek sistemi urinar ose ai i jashtëqitjes së fëmijës.
7. Do doja që në një rast tjetër motra që pyet të më përshkruajë në detaje procesin e mësimit dhe memorizimit tek djali i saj dhe nëse ai i përdor apo jo vazhdimisht fjalët mbrapsht, apo i përdor ato vetëm në disa raste.
8. Fëmijës duhet t’i jepet më shumë kohë në ushtrimin dhe mësimin e tij, sidomos sa i përket rregullimit të të folurit. Po kështu mos e lër assesi fëmijën, që të qëndrojë vetëm para televizorit.
9. Në asnjë  mënyre nuk duhet të tensionohemi, kur fëmija flet fjalë të gabuara. Në një rast të tillë nuk duhet të reagojmë ndaj tij me kritikë, qeshje apo insistim, por duhet t’ia përsërisim rishtazi fjalët e sakta, pa u nxehur.
10. Duhet të mbajmë mend mirë, se edukimi në këtë moshë të vogël ka nevojë për mund, bashkëpunim dhe harmonizim të gjithë kujdestarëve të fëmijës. Metoda dhe mënyra e orientimit të fëmijës duhet të jetë unike në dinjitet dhe në të duhet të marrin pjesë të gjithë dashamirët e fëmijës, me qëllim që mos të ndodhë acarim dhe fëmija të mos sillet keq.
Së fundi i kërkoj motrës fisnike, të kontaktojë vazhdimisht me ne, derisa t’i kalojë me sukses këto momente të jetës së saj.
E lusim Allahun e Lartësuar që t’i udhëzojë dhe drejtojë fëmijët e saj!

Rating: 5.0 of 5. 1 vote(s).

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit