E rrah fëmijën tim derisa qan, e mandej qaj dhe unë me të.
Çelësat e edukimit, Edukimi i suksesshëm.
Pyetje: Djali im është një vjeç, një muaj dhe disa ditë. Unë e dua atë vërtet shumë. Por unë jam nevrike dhe kur kam çdo lloj trysnie në shtëpi ose kur kam ndonjë problem, që më ngushton dhe ai bën ndonjë prapësi, unë nevrikosem me të dhe e rrah [jo me goditje me pasojë], si për shembull ndonjëherë e godas nga prapa, ndonjëherë tek duart; aq sa ai fillon e qan, pastaj filloj e qaj edhe vetë. Pas 2-3 sekondash e përqafoj, pajtohem me të dhe ai fillon të qeshë sërish.
Si ta shëroj këtë problem dhe çfarë ndikimi ka ia tek fëmija im?
Çështja e dytë është, se unë as që ia kam idenë se si do ta edukoj fëmijën tim, duke qenë se nuk disponoj asnjë plan konkret për edukimin e tij… Më jepni mendimin tuaj mbi këtë gjë. Çfarë duhet të bëj dhe cilat janë ato gjëra, me të cilat mund ta edukoj atë që tani?
Si të arrij t’i kuroj gabimet që ai bën? Për shembull dëshirën e tij për të lozur me korrentin, ose me xhama, ose për të prekur gjëra për të cilat i kam tërhequr vërejtje më parë se nuk duhet t’i prekë. Si mund të arrij ta përmbaj veten, që të mos i bërtas atij në fytyrë? Si ta bëj fëmijën tim të ndjeshëm dhe të dhembshur kundrejt atyre që e rrethojnë? Si t’ia përçojmë atij faktin, se unë dhe babai i tij e duam shumë atë?
Unë frikësohem shumë për të… Cili është dallimi midis frikës natyrale (pozitive) dhe frikës së tepruar?
Po kështu djali im shikon televizor gjithë ditën, jo filma vizatimor dhe filma të dhunshëm, por filma islam për fëmijë dhe eneshid (këngë islame)… Cili është mendimi juaj mbi këtë?
Mbetem me shpresë se përgjigja juaj do të jetë përfshirëse dhe e shpejtë.
Përgjigjet eksperti: D. Hamdi Abdulhafidh Shuajbi dhe D. Rashad Lashini
Zgjidhja:
Përgjigjet: D. Rashad Lashini
Alejkum Selam ue Rahmetullahi ue Bereketuhu
[Paqja, Mëshira dhe Begatia e Allahut qoftë gjithashtu mbi ju!]
Nënë e nderuar… Të falënderojmë për interesimin dhe angazhimin tënd…
Ju keni nevojë të mësoni mbi specifikat e secilës prej periudha të moshës nëpër të cilat kalon fëmija juaj, duke qenë se çdo periudhë ka karakteristikat, specifikat, shenjat dhe problematikat e saj, rrugët përkatëse për të ndërvepruar me fëmijën dhe çelësat e rëndësishëm që bëjnë të mundur mundjen e problemeve të tij. Pasi të njiheni me to, do të qetësoheni veten tuaj dhe të tjerët.
Fëmija yt i shtrenjtë (nisur nga përshkrimet tuaja) nuk është në një periudhë, në të cilën mund të ndëshkohet dhe të nxehesh me të. Ai ende e kërkon kuturu jetën dhe njihet me të përmes vërejtjes, imitimit, veshjes dhe sjelljeve të atyre që e rrethojnë. Kapaciteti i zhvillimit të tij mendor nuk ka arritur në periudhën e dallimit të gabimit dhe korrektësisë. Zhvillimi logjik i fëmijës në vitin e parë dhe të dytë të jetës është shqisor dhe lëvizor, prandaj ai prezantohet me jetën vetëm përmes pesë shqisave dhe lëvizjeve.
Mos i bëj padrejtësi fëmijës tënd, duke ndërvepruar me të sipas gjendjeve të tua shpirtërore. Ai nuk ka asnjë faj për gjendjen tënde shpirtërore!
Bëj një pauzë para se të sillesh me fëmijën tënd dhe jepi gjithkujt hakun (të drejtën) që i takon. Dije se e drejta që i takon këtij fëmije është butësia, brishtësia, dashuria dhe përkujdesja prindërore.
Programi edukativ ndërtohet mbi njohjen e karakteristikave të periudhave të moshës, nëpër të cilat kalon fëmija dhe punës për përmbushjen e nevojave të periudhës përkatëse, duke qenë të kujdesshëm në të gjitha aspektet e zhvillimit fiziologjik, shpirtëror, logjik, emocional etj… Këto specifika i gjen në librat e zhvillimit psikologjik, si dhe në disa faqe elektronike në internet.
Çështja ka nevojë për studim dhe praktikum, si dhe kontakt me specialistët. Gjithashtu për këtë mund të shfrytëzosh faqen tonë “Së bashku të edukojmë fëmijët tanë”, librat dhe faqet elektronike të specializuara.
Ndërsa përsa i përket çështjeve të mbrojtjes, që kanë të bëjnë me imunizimin dhe evitimin e rreziqeve nga ambienti i lëvizjes së fëmijës tënd, përmendim: izolimet e fishave të korrentit dhe eliminimin nga hapësira ku ai mund t`i prekë, shkurt të gjithçkaje që e dëmton atë; sepse fëmija në këtë periudhë nuk logjikon dhe as koncepton.
Djali yt arrin ta mësojë butësinë, qetësinë dhe dhembshurinë nga praktika jote. E njëjta gjë vlen edhe për vrazhdësinë, vështirësinë dhe nervozizmin, të cilat ai i mëson nga sjelljet e tua.
Jam i sigurt, se kur të njihesh mirë me karakteristikat e fëmijës tënd, për atë që bën dhe nuk bën të kryhet në çdo periudhë të tij, ti ke për t’i lënë të bërtiturat… Si i thonë: “Nëse shkaku bëhet i njohur, atëherë nuk mbetet më vend për habi”.
Frika natyrale (pozitive) është ajo frikë, që përmbush mbrojtjen natyrale, duke e ruajtur gjakftohtësinë dhe duke mos e tepruar. Përkujdesja e tepruar është njëlloj si lënia pas dore, prandaj që të dyja janë të dëmshëm për fëmijën.
Më e mira është, që fëmija të mos fillojë të shikojë televizor para se të mbush një vjeç e gjysmë ose dy vjeç. Përveç kësaj, duhet që periudha e shikimit të televizorit të mos zgjasë më shumë se 90 minuta.
Allahu të dhëntë mbarësi, të ndihmoftë që t’i edukosh sa më mirë fëmijët e tu dhe i bëftë ata ndihmëtarë të Islamit dhe myslimanëve.
Përgjigjet: D. Hamdi Shuajbi
Mirë se vjen motër e nderuar nëna e Bera-it të shtrenjtë, Allahu e bëftë atë gëzimin e syve tuaj.
Letra jote spontane më ka kujtuar me një çështje shumë të rëndësishme, e konsideruar si “Treshja vrastare”.
Tek ne prindërit, baballarët dhe nënat, thuajse kanë humbur mjeshtëritë teorike dhe praktike mbi edukimin, mësimin dhe arsimimin e fëmijëve tanë. Kraharorët tanë ngushtohen, kapilarët tanë fryhet dhe durimi ynë sos edhe në shkarjen më të vogël të fëmijëve tanë. Madje kundërpërgjigjet tona për inerci, kundrejt gabimeve të tyre, janë shndërruar si të ishin shpërthime të zemëruara asimiluese vullkanike, deri në atë gradë sa e kemi të vështirë të parashikojmë se si do jetë reagimi ynë në rastin e shkeljeve të fëmijës dhe nuk e dimë se si t’i përballojmë ato. Shtëpitë tona janë kthyer në sheshe dhe arena betejash dhe dhomat tona janë shndërruar në ringje boksi dhe tapete mundjeje.
Këtë e kam vërejtur përmes një serie të shumtë trajnimesh të efektshme, diskutimesh që kam pasur me baballarët dhe bisedave me nënat. Në të gjithë trajnimet habitesha dhe shqetësohesha nga rezultatet e pyetësorit anonim, i cili ishte pjesë e tyre dhe që kishte për subjekt “Përmend tre gabime vrastare që ke kryer me fëmijët e tu, për të cilat je bërë shumë pishman dhe dëshiron që askush tjetër të mos i përsërisë ato”. Rezultatet e këtij pyetësori vërtiteshin rreth gabimeve edukative vrastare të prindërore në dëm të fëmijëve.
Gabimet prindërore të përsëritura më së shumti dhe që kishin përqindjen më të madhe sa i përket kësaj tresheve vrastare ishin:
1. Nevrikosja e tepruar: Ky gabim erdhi i përsëritur nga rreth 70 % e të pranishmëve dhe të pranishmeve.
2. Mungesa e dialogut: Ky gabim erdhi i përsëritur nga rreth 65 % e e pjesëmarrësve dhe pjesëmarrëseve.
3. Rrahja: Ky fenomen praktikohej nga rreth 60 % e baballarëve dhe nënave.
Problemi ynë është pikërisht rreth kësaj bime të mirë të krijuar nga i Madhi Zot, Bera-it, që është vetëm një vjeç e një muaj. Ai vërtitet rreth një çështje shumë të rëndësishme, që është “Si të aftësohemi në mjeshtëritë dhe artet e edukimit të fëmijëve?”
Përgjigjen po e sjellim në një mënyrë të përmbledhur dhe metodologjike, me an të disa hapave të thjeshta, që do të të ndihmojnë në aspektin praktik:
1. Ndijimi dhe njohja e rolit edukativ disiplinues të prindit në jetën e fëmijëve:
Bindu se disiplinimi apo edukimi i fëmijëve është prej detyrave edukative prindërore më të shquara dhe se nevoja për disiplinim është nga nëntë nevojat më të spikatura shpirtërore të fëmijës.
2. Njohja e tre themeleve të edukimit:
Sipas rëndësisë që kanë, shkencëtarët e disiplinës apo edukatës i ndajnë metodat e edukimit si vijon: modeli, shpërblimi dhe ndëshkimi. Pra duhet që të jesh model për fëmijët e tu, të kuptosh mirë se kur e si t’i shpërblesh ata dhe kur e si t’i ndëshkosh ata.
3. Kuptimi i nocionit shkencor të shpërblimit dhe nderimit:
Nderimi dhe shpërblimi janë një metodologji edukative themelore, sa i përket konsolidimit të fëmijës dhe kontrollimit të sjelljeve dhe zhvillimit të tij. Me këtë kemi për qëllim metodat dhe mjetet praktike edukative, që përdoren për shpërblimin e fëmijëve, përmes të cilave ne i stimulojmë dhe nxisim ata.
Shpërblimet dhe nderimet janë dy llojesh:
Lloji i parë: Shpërblimi social (shoqëror):
Me të synohen shpërblimet morale dhe ato shpirtërore, fryt i të cilëve është stimulimi dhe nxitja. Ky lloj ka një gradë të madhe ndikimi në përforcimin e sjelljes së pranueshme dhe të dëshiruar tek të vegjlit dhe të mëdhenjtë.
Shpërblimi është dy klasifikimesh:
Klasifikimi i parë: Nxitja pozitive morale me fjalë, si për shembull: lavdërimi, lajkatimi, mburrja e sinqertë dhe loja me fjalë.
Klasifikimi i dytë: Nxitja pozitive morale pa fjalë, si për shembull: buzëqeshja, puthja, përqafimi, prekja dhe përkujdesja.
Lloji i dytë: Shpërblimi material:
Sondazhet e bëra tregojnë, se shpërblimi social vjen në rendin e parë, sa i përket përforcimit të sjelljeve të dëshiruara, ndërsa shpërblimi material vjen në rendin e dytë. Por ka fëmijë, që e preferojnë shpërblimin material kundrejt atij social, si p.sh: t’u jepet ndonjë ëmbëlsirë, t’u blihet ndonjë lodër, t’u jepen para, të lejohen të shohin televizor në orë të vona, të dërgohen në shëtitje argëtuese, sidomos në kopshtin zoologjik, në cirk etj.
4. Kuptimi i nocionit shkencor të ndëshkimit:
Ndëshkimi konsiston në metoda shkencore disiplinuese, me të cilat i ndëshkojmë fëmijët, kur ata ndërmarrin sjellje të këqija, sido qofshin, me fjalë apo me vepra.
Ndëshkimi është dy klasifikimesh:
Klasifikimi i parë: Ndëshkime me fjalë, si për shembull: qortimi, kritika, tërheqja e vërejtjes për pasojat e pritshme dhe shpotia.
Klasifikimi i dytë: Ndëshkimi me sjellje apo lëvizje, si për shembull: shikimi vëngër, izolimi në një vend të caktuar, lëndimi fizik disiplinor si për shembull: shkulja e veshit dhe goditja e tij në vende ku nuk i bën dëm.
5. Korrektimi ideor i gabimit (korrigjimi i vlerave):
Kjo realizohet duke marrë shembull modelin reformues të Profetit [a.s]. Së pari identifikimi i gabimit dhe pastaj qartësimi i tij, lidhur me mënyrën teorike të nxjerrjes nga gabimi. Medito sesi veproi Profeti [a.s] me nipin e tij të vogël [r.a]. Ebu Hurejra [r.a] lidhur me këtë thotë: “Haseni i biri i Aliut [r.a] mori një hurmë nga hurmat e sadakasë (bamirësisë) dhe e futi në gojë. I dërguari i Allahut [a.s] i tha: “Këk, këk, hidhe atë! A s’e di se ne nuk e hamë sadakanë”. Në këtë rast Profeti [a.s] nuk u mjaftua vetëm me privimin, por e kompletoi këshillën e tij, duke mbjellë në shpirtin e nipit të tij fisnik këtë prestigj dhe shquarje hyjnore, përmes një mesazhi shumë të arrirë drejtuar vogëlushit.
6. Angazhohu me direktivën hyjnore të gradualitetit:
Kjo presupozon që të tregohesh e përshkallëzuar në edukimin e fëmijëve të tu, në mënyrë që lloji dhe vlera e ndëshkimit të dhënë të kryhet në mënyrë të përshkallëzuar dhe në përkatësi me periudhën e moshës dhe logjikës së fëmijës. Kështu, ndëshkimi që i jepet të madhit nuk është i përshtatshëm për të voglin dhe anasjelltas.
7. Angazhohu me rregulloren familjare:
Prindërit duhet të bashkëpunojnë me fëmijët, sa i përket vendosjes së kritereve dhe standardeve të shpërblimit, nderimit dhe ndëshkimit që përkon me rrethanat e familjes. Është kjo rregullore familjare, e cila sqaron mjetet dhe metodat e vlerësimit të veprimeve të fëmijëve, mënyrën e monitorimit të sjelljeve të tyre dhe përllogaritjen e gabimeve të tyre. Sikurse dihet, ata që marrin pjesë në hartimin e vendimeve, i zbatojnë ato më me efektivitet, i respektojnë, nuk i tejkalojnë dhe nuk i akuzojnë këto vendime si të padenja.
8. Tregohu elastike dhe praktikoje rregulloren familjare me shpirt:
Kur ta ushtrosh ndëshkimin sipas asaj që është e vendosur në rregulloren familjare, duhet të marrësh parasysh situatat e veprimit të gabimit dhe gjendjen e gabimtarit. Mos harro atë që bëri Faruku (Umeri) [r.a] kur e pezulloi penalizmin e vjedhjes në disa prej rrethanave të vitit të thatësirës.
9. Ndëshkimi i dhënë nga ti nuk duhet të jetë shfryrës:
Kjo presupozon se të duhet të bësh kujdes me aspektin edukativ reformues të ndëshkimit, duke i kushtuar vëmendje moralit dhe anës shpirtërore të fëmijëve të tu. Ndëshkimi që ti jep, nuk duhet të jetë shfryrje e mërzitjes tënde personale. Ndëshkimi nuk është thjesht një shfryrje personale dhe nuk bëhet vetëm për hir të ndëshkimit, por për reformim, disiplinim dhe ndreqje.
10. Merri në konsideratë dallimet personale të fëmijëve:
Lloji dhe vlera e nderimit, shpërblimit dhe po kështu edhe e ndëshkimit, duhet të jetë në përputhje me personalitetin e fëmijëve dhe duke marrë në konsideratë moshën e tyre.
11. Trego drejtësi dhe mos bëj preferenca:
Asnjë nga fëmijët nuk duhet të ndjejë, se ti bën dallime midis tyre.
12. Gjykimi apo vendimi të vijë pas konsultimit:
Ky është një parim, që të imunizon nga individualizmi në ide dhe gjykim. Për shpërblimin apo ndëshkimin që do ndërmerret, duhet të konsultohesh me babanë e fëmijëve dhe me vëllezërit e motrat e tij më të mëdhenj.
13. Mos vono… aq sa fëmijët t’i urrejnë sjelljet e mira:
Mos e shty shpërblimin e fëmijës përkundrejt sjelljes së tij të mirë, sepse kjo shkakton tronditjen dhe zbehjen e besueshmërisë së fëmijëve tek standardet dhe organika e rregullores familjare. T jesh e sigurt, se vonesa e madhe e shpërblimit të fëmijës, kur ai sillet mirë, i bën fëmijët të mbeten të pakënaqur me sjelljet e mira
14. Mos e shpërble keqbërësin:
Nëse e urdhëron fëmijën tënd të shkojë të flejë, ndërsa ai refuzon dhe fillon të qajë dhe ti toleron, me argumentin se nuk i duron lotët që ai derdh; ky lehtësim dhe lëshim ka për të hapur një derë për parimin e padisiplinuar “shpërblimi i sjelljes së keqe”.
15. Mos e ndëshko mirëbërësin:
Mund të të ndodhë, që në një ditë prej ditësh të të vijë njëri nga fëmijët dhe për të të surprizuar dhe gëzuar të të thotë: “Sot kam marrë notën maksimale në matematikë”; por ti nuk interesohesh sa duhet për këtë, por vazhdon të shikosh programin tënd të preferuar në televizor apo të lexosh gazetën tënde, madje i thua: “Ah sikur diçka të tillë ta kishe bërë në lëndën e arabishtes”.
Së fundi pranojini selamin dhe lutjen time të sinqertë për ju dhe për të gjithë pyetësit e faqes. /ardhmeriaonline/
…