3 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

E papritura – nevoja të emigrosh brenda vetes

Më të lexuarat

NGA AGIM BAÇI

Thënia në portën e Delfit “Njih veten!” apo thëniet profetike se “Lufta më e madhe është lufta me veten!” duket sikur papritur janë ringritur nga skutat ku shoqëria i kishte dërguar dhe kanë rimarrë fuqinë që kanë patur atëherë kur e përhershmja nuk ishte në periferi të jetës dhe mendimit të përditshëm. Të ngujuar në shtëpi, për t’i prerë rrugën përhapjes së Covid-19, shumë persona janë befasuar me situatën me të cilën janë përballur gjatë qëndrimit me të afërmit e tyre, larg përditshmërisë, larg punës, larg miqve. Tashmë njerëzit janë përballë… vetëm me veten. Pyetjet e para nuk i përkasin më dikujt tjetër. Na përkasin ne, vetes sonë, sepse ne kemi nevojë të shohim se çfarë kemi lënë pas dore rreth përreth nesh, atë që nuk kemi parë në përditshmërinë tonë, që nuk kemi dashur ta mendojmë apo lexojmë si duhet.

Por, të shkosh drejt vetes, të bësh pyetjet e duhura, a është vërtet kaq e lehtë, sa mjafton vetëm të ulesh në divan e të mendohesh?

Sot migrimi nuk është më ai i dikurshmi, të shkosh në një qytet tjetër brenda vendit tënd, apo të emigrosh në një shtet tjetër. Ndodh që të mbetesh në lagjen ku je rritur, por sapo del nga dera e shtëpisë të duhet të migrosh, sepse asgjë nga ajo që ke parë në fëmijëri nuk është më. Për të udhëtuar të duhen kujtimet, duhet të rikujtosh ato cepa rrugësh ku je rrëzuar dhe je ngritur pa vënë re plagët në gjunjë e duar, pasi e rëndësishëm ishte të arrije shokët dhe të mos humbje lojën. Dhe nuk është nevoja të jesh Odise si i Homerit, siç e përshkruan Milan Kundera në librin e tij “Mosdija”, që të jetoje me Itakën në mendje teksa kërkon rikthimin pranë Penelopës dhe qytetarëve të mbretërisë së tij. Të gjithë në një moment ne kthehemi diku, në kujtimet tona, në atë rrugëtim që kemi bërë për të ardhur në atë që sot jemi. U ndodh edhe fëmijëve të vegjël, për aq kujtesë të shkurtër. U ndodh të rinjve, që ndalen më shumë të çastet e dashurisë. U ndodh prindërve të rinj, atyre që kanë rritur fëmijë, atyre që thërrasin nipërit për t’i treguar udhët e veta. Dhe të gjithë ndeshemi me një realitet: gjërat nuk janë përballë, por brenda nesh. Por a e kemi menduar më parë një gjë të tillë? A jemi kujdesur që vetes sonë, kujtesës sonë, zemrës sonë t’i krijojmë ato rezerva të domosdoshme që, një ditë, kur të jemi vetëm përballë vetes dhe familjarëve tanë, të dimë të udhëtojmë? A i kemi mësuar të afërmit tanë me rrugëtimin tonë, apo duhet që për herë të parë të ulemi e të flasim përballë? A u jemi përgjigjur sfidave apo i kemi shmangur ato? Pikërisht, mënyra se si i përgjigjemi kësaj pyetjeje mund të na tregojë se sa afër apo sa larg na duket ajo e ulur në divan.

Këto migrime për dikë mund të jenë një mrekulli, sepse jo vetëm që kanë jetuar, por kanë ditur që ashtu si ndërtuesi, tullë pas tulle, të ndërtojnë një shtëpi kujtimesh ku jo vetëm që mund të qëndrojnë gjatë, por edhe që të ftojnë të tjerët t’i përjetojnë kujtimet e rrugëtimit, e historive të tij, e dështimeve dhe sukseseve. Por ka nga ata që tullat i kanë rrëmujë, që nuk mund t’i rimarrin e të ndërtojnë një shtëpizë mendimesh. Aq më pak mund të ndërtojnë një shtëpi të përbashkët edhe me atë që kanë bashkëndarë rrahje zemrash, por që kanë udhëtuar në rrugë të ndryshme edhe pse duken aq pranë në përditshmëri.

Cili është kufiri?

Gjuhën e tjetrit ke nisur ta kesh si gjuhë tënden kur arrin të qeshësh me humorin”, shkruan poeti  Shqiptar Oseku në një libër të përbashkët me poeten Entela Tabaku “Enciklopedia e mërgimit”, duke dhënë ndoshta një kufi të brendshëm të kuptimit të gjuhës – kuptimin e fuqisë së madhe të buzëqeshjes. Në fakt, si mund të mendosh se e zotëron një gjuhë nëse ajo nuk të jep buzëqeshje? Është një libër që nis me vargje që të bëjnë të mendosh shpesh për kufirin. “Secili e ka kufirin e vet, vijën e vet të ndarjes. Por kur e kalon atë, pikën e pakthim, njeriu mbetet mërgimtar gjithmonë”.

Por në fakt, ku qëndron kufiri i vërtetë për ne: brenda apo jashtë nesh? Cilët janë kufijtë më të rëndësishëm, ato me veten tonë apo me të tjerët? Si mund t’i kuptojmë kufijtë, me arsye apo me zemër? Cilët kufij janë më të rëndësishëm, ato që shohim apo ato që mendojmë?

Nuk janë aspak pyetje të lehta. Janë pyetje që, në një çast, kur je brenda mureve të shtëpisë, me prindërit, me bashkëshorten apo bashkëshortin, me fëmijët, me vëllain apo motrën, apo me shumë vëllezër e shumë motra, janë pyetje që vijnë dhe kanë nevojë për përgjigje.

Dhe kur vjen një panoramë e tillë e moslëvizjes, ku respekti ndaj tjetrit nuk është më ta takosh e ta përqafosh, por mos ta takosh e mos ta përqafosh, atëherë këto pyetje duket sikur ngrenë gishtin dhe të kërkojnë llogari: na ke menduar më parë me zemër e mendje? Por, nëse je zhytur vetëm në arsye për të shpjeguar botën rreth teje, rrugët janë të vështira, pasi ndodh që me këtë rrugë i ngarkojmë mendjes atë që shpesh i takon zemrës.  Por a kemi “menduar” ndonjëherë me zemër?

Pikërisht këtu divani “nis e dridhet”, sepse përgjigjet që duhet t’i japim vetes sonë nuk mund të jetojnë me heshtjen. Kanë nevojë për një zë, për një zë të brendshëm, që sa nuk është vonë, është koha të nisim ta flasim.

 Migrimi në të ardhmen dhe pyetjet morale

Kjo kohë lajmesh ka vendosur përballë nesh disa pyetje të cilat gjyshërit tanë as nuk i mendonin. As prindërit tanë nuk i rrokën të tilla pyetje, megjithëse cinizmi i gjithanshëm i jetës në nxitim na ka rrëmbyer të gjithëve, dikë më shumë e dikë më pak. Por, teksa je përballë vetes, dhe ndeshesh me dilemën që është shtruar së fundmi përballë mjekëve apo nga disa qeveri, se rrezikojmë të shkojmë te mundësia e seleksionimit se kush do të duhet të shpëtojë dhe kush duhet të vdesë, nuk mund të jesh më indiferent. Sepse, nëse ke justifikuar shumë gjëra përmes termit “fryma e kohës”, pyetjet që kanë të bëjnë me përcaktimin se “ky duhet të vdesë” dhe “ky duhet të jetojë” e kapërcejnë fuqinë tonë të “përgjigjes normale”.

Në librat e tij, historiani dhe filozofi izraelit, Noah Harari, na përshkruan një shoqëri të së ardhmes, ku vendoset vetëm nga disa se si do të projektohet njeriu i nesërm, se cili do jetojë më gjatë, se çfarë tiparesh apo talentesh do të ketë, duke na ka sjellë kështu pyetje të rëndësishme dhe duke na paralajmëruar se kultura jonë mund të pësojë ndryshme gati të pamenduara.

Civid-19 vetëm sa na i ka parashtruar këto parashikime, edhe pse në mënyrë minore. Por vetëm fakti se u guxua të mendohej (në kushte tmerrësisht të vështira) dhe të artikulohej një seleksionim i tillë nga radhët e sistemit shëndetësor, duhet të na mjaftojë që të përgatitemi për një migrim të ri, për migrimin drejt së nesërmes sonë.

Ku mund dhe duhet të mbështetemi?

Shoqëritë e sotme kanë anashkaluar raportin e marrëdhënies mes brezave, duke shkaktuar kështu një të çarë të madhe për të nesërmen. Mendësia e ndjekjes së një modeli pa familje, pa martesa, me fëmijë e prindër laboratori, ka nxjerrë në pah frikën se ne nuk po e mendojmë të nesërmen. Sepse që të mendosh për të nesërmen, duhet të bësh më parë pyetje morale, duhet të mbash përgjegjësi. Por pyetjet morale vijnë nga ajo çka ka ndërtuar mendimin e sotëm për atë çfarë është e vërtetë, për atë që është e drejtë. Dhe këto përgjigje mund të kenë vetëm një garanci – mbështetjen tek e Përhershmja, pra te besimi se kjo botë është projektuar nga Zoti.

Ne kemi parë në këto ditë shumë laikë që t’i drejtohen Zotit. Ashtu siç kemi parë në mënyrë paradoksale shumë besimtarë që të besojnë teoritë e konspiracionit të madh, të shoqërive që vendosin gjithçka. Ndoshta është koha për një përballje të vërtetë mes “dy gjuhëve” që ka kohë që shtyjnë njëra-tjetrën në skaje. Për të nisur këtë përballje të vërtetë nevojitet, më parë se gjithçka, një rrugëtim i domosdoshëm – një rrugëtim që kalon nga migrimi shpirtëror te vetja jonë.

Atë që na bie të kalojmë në jetët tona, si individë apo shoqëri, ne shpesh nuk e zgjedhim dot, por mënyra se si mund ta lexojmë atë që na vjen në jetë, është gjithnjë në dorën tonë. Sepse më së pari ne kemi nevojë të gjejmë një shteg për të folur me veten. Ashtu siç thoshte edhe urtia e rabinit Hihlles teksa ftonte rrugën për te vetja, si siguri edhe për të shkuar te tjetri: “Nëse nuk gjej veten, kush do më gjejë mua? Dhe nëse dëgjoj veç veten, kush do më dëgjojë mua? Dhe nëse jo tani, kur atëherë?

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit