1.8 C
Pristina
Friday, November 15, 2024

E padobishme?! Justinian Topulli

Më të lexuarat

Gjatë gjithë këtyre ditëve, para dhe pas votimeve, kishte një interes të shtuar për të diskutuar dhe debatuar për politikën, si pro ose kundra përfshirjes në të, gjë që tregon se sa shumë na imponohet në jetën tonë politika, edhe në ato raste kur tentojmë të jemi apolitikë, duke hamendësuar se të qenit të tillë, realizohet vetëm duke mos votuar!

Në komentet dhe statuset e ndryshme vihej re, si zakonisht, fryma tejet pragmatiste dhe e kërkimit të përfitimit të atypëratyshëm të dobisë nga përfshirja në politikë. Dhe për argument, sigurisht jepej zhgënjimi tridhjetë vjeçar nga ajo që pritej nga politika, apo më saktë nga politikanët, të cilët për fat të keq kanë marrë peng edhe vetë konceptin e politikës, duke njësuar në mendjen e një shumice njerëzish, mes tyre dhe politikës, aq sa njerëzit nuk bëjnë dallim esencial mes këtyre të dyjave.

Padurimi dhe mllefi i akumuluar ishte karakteristikë e shumë komenteve, që në thelb nuk bënin dallim mes idealizmit shpresëdhënës, që duhet të karakterizojë një besimtar dhe pragmatizmit material që na karakterizon si njerëz të kësaj bote. Kjo më detyroi të nxjerr dy statuse që vinin theksin tek nijeti dhe shpërblimi i botës tjetër, pa harruar këtu ritheksimin e këtyre gjërave në komentet e shumta sqaruese për mjaft besimtarë. Duke e parë sërish të nevojshme dhe të pamjaftueshme, edhe në këtë shkrim do të bëj të njëjtën gjë.

Në një hadith të tij, Profeti i Allahut (alejhi salatu ue selam) ka thënë: “Nëse bëhet kiameti dhe dikush prej jush mban në dorë një filiz palme, nëse mundet ta mbjellë atë para se të ngrihet në këmbë, le ta mbjellë.” (Ahmedi 3/183)

Mbjellja e një peme frutore sigurisht që ka për qëllim përfitimin e fryteve të saj, madje edhe kur ai që e mbjell, nuk do të jetojë aq gjatë sa t’i shijojë ato. Por çfarë mund të themi në rastin konkret me shembullin që jep Profeti? Mbjellja e pemës nuk është një adhurim i mirëfilltë ritual, e megjithatë besimtari nxitet të mos e braktisë këtë vepër të mirë adhuruese, edhe pse asnjë dobi e dukshme nuk del prej saj. Sigurisht, që në këtë rast bëhet fjalë për faktin se njeriu nxitet të mos ndërpresë asnjë vepër të mirë, qoftë kjo edhe nëse frytet e kësaj vepre dihet me siguri se besimtari nuk do t’i shohë kurrë në dynja.

Veprat e mira, për të cilat njeriu do të shpërblehet në botën tjetër, nuk janë vetëm adhurimet si namazi, agjërimi, lëmosha etj., por çdo vepër e mirë që bëhet me sinqeritet për Allahun, paçka se disave prej tyre nuk jua prekim fizikisht rezultatin që në këtë botë. Në thelb, çdo adhurim e ka këtë dimension të paprekshëm fizikisht.
Në të njëjtin kuptim dhe qëllim, vjen edhe ajeti 100 i sures en-Nisa, ku Allahu thotë: “Kush del prej shtëpisë si emigrues për tek Allahu dhe i Dërguari i Tij dhe e zë vdekja, Allahu me siguri do ta shpërblejë atë. Allahu është Falës e Mëshirëplotë.”

Komentuesit e Kuranit përmendin se shkaku i zbritjes së këtij ajeti, qe pikërisht vdekja e një besimtari, i cili u nis për të emigruar nga Meka në Medinë dhe vdiq gjatë rrugës, pa e përmbushur dot qëllimin e tij. Dhe sigurisht që Krijuesi i Gjithëmëshirshëm nuk ia çoi dëm nijetin, mundin dhe përpjekjen. E ky shembull na kujton ne edhe njëherë, ngjarjen e atij njeriu që vrau njëqind vetë dhe vdiq në rrugë i penduar, duke udhëtuar drejt vendit të përmbushjes së pendesës së tij. Allahu e fali atë dhe e shpëtoi nga Zjarri. Kjo është vlera e vërtetë e nijetit dhe përpjekjes. Dhe nuk është pak dhe e padobishme.

Është e vetëkuptueshme dhe e natyrshme që sukseset dhe përmbushjet e përpjekjeve tona në këtë jetë, të japin optimizëm dhe të ngrenë lart shpresën, por besimtari nuk duhet të jetë si çdo njeri tjetër dhe sigurisht, që ai duhet të përpiqet pandërprerë për sukses në këtë botë, por qëllimi i tij final është bota tjetër, e vetëm kështu mbahet gjallë shpresa dhe nuk vdes kurrë, pavarësisht se çfarë dështimesh dhe zhgënjimesh do të pësojmë vazhdimisht në këtë jetë.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit