6 C
Pristina
Thursday, January 23, 2025

E pa(besueshmja) në Serbi: një mural me gjak shqiptari

Më të lexuarat

Konkurs për imazhin e një krimineli lufte në funksion dhe të turizmit

Nga Tomislav Markoviç

Institucioni kulturor Ćuprija ka shpallur konkurs për një mural tematik me titullin zyrtar “Konkursi për krijimin e një muraleje të gjeneralit Nebojsha Pavkoviç”. Një institucion kulturor që shpall një konkurs për pikturimin e një murale me imazhin e një krimineli lufte që aktualisht vuan dënimin me 22 vjet burg – në shumicën e vendeve, kjo do të tingëllonte si një arsye për një tekst satirik, por jo në Serbi. Institucioni i lartpërmendur kulturor shpalli mjaft seriozisht një konkurs në faqen e tij zyrtare, me theks të veçantë propozimet për piktorët që do të donin të përjetësonin një të dënuar për dëbime, zhvendosje të detyruara, vrasje, përndjekje dhe akte të tjera çnjerëzore.

Nëse nuk do ta dinim kush ishte Pavkoviç, kjo do të dukej normale, si çdo thirrje tjetër për artistët për të krijuar një vepër arti me një temë specifike. Artistët pritet të dorëzojnë një aplikim të plotësuar -“propozime artistike të përcaktuara qartë për muralin”.

Vetëm se murali në fjalë duhet të pikturohet në lavdinë e persekutimit dhe vrasjes së njerëzve të kombësisë joserbe, në lavdinë e kamionëve frigoriferikë dhe varrezave masive.

Rëndësia kombëtare(!)

Teksti i konkursit i thotë të gjitha, udhëzimet janë shprehur qartë: “Propozimet murale duhet të korrespondojnë me rëndësinë kombëtare, veprat dhe rëndësinë e gjeneralit Pavkoviç për historinë bashkëkohore kombëtare”.

Rëndësia kombëtare e gjeneralit Pavkoviq, ish-komandant i Armatës së Tretë gjatë luftës në Kosovë, janë vërtet e pamasë. Dosjet e Gjykatës së Hagës janë plot me informacione për veprat e tij madhështore që shënuan historinë moderne të Serbisë. Shpresoj që artistët që aplikuan në konkurs të studiojnë me kujdes biografinë e Pavkoviçit, veçanërisht luftën e tij të famshme në Kosovë.

Artistët mund të gjenin të gjitha llojet e gjërave në shkrimet që tregojnë për atë që gjenerali bëri në të vërtetë. Fjala vjen: “Duke filluar më 25 mars 1999 ose rreth kësaj date dhe duke vazhduar deri në mes të prillit 1999, forcat e RFJ-së dhe Serbisë filluan të lëvizin sistematikisht nëpër qytetin e Mitrovicës së Kosovës. Ata kanë hyrë në shtëpitë e shqiptarëve të Kosovës dhe kanë urdhëruar banorët që menjëherë të dalin nga shtëpitë dhe të shkojnë në stacionin e autobusëve. Disa shtëpi u dogjën, duke i detyruar banorët të iknin në pjesë të tjera të qytetit. Të paktën një xhami në qytet është djegur dhe dëmtuar”.

Gjatë një periudhe prej tre javësh, forcat e RFJ-së dhe të Serbisë vazhduan të dëbojnë banorët shqiptarë të Kosovës të qytetit. Gjatë asaj periudhe, prona në pronësi të shqiptarëve të Kosovës u shkatërrua, shqiptarëve të Kosovës iu grabitën paratë, automjetet dhe sendet e tjera me vlerë, ndërsa gratë shqiptare të Kosovës u sulmuan seksualisht. Një situatë e ngjashme ka ndodhur edhe në fshatrat e tjera të komunës së Mitrovicës, ku forcat e RFJ-së dhe të Serbisë dëbuan shqiptarët e Kosovës nga shtëpitë e tyre dhe shkatërruan fshatrat.

Për këtë dhe një sërë krimesh të ngjashme, Nebojsha Pavkoviç aktualisht po vuan dënimin në një burg në Finlandë. Pra, pse një institucion kulturor shpall konkurs për një mural me imazhin e tij? Çfarë nënkupton drejtori i këtij institucioni Stefan Stamenkoviç dhe punonjësit e tij kur përmendin “rëndësinë kombëtare të gjeneral Pavkoviçit për historinë bashkëkohore kombëtare”?

Pikërisht gjithçka që u tha në gjykimin e Pavkoviçit dhe pjesëmarrësve të tjerë në ndërmarrjen e përbashkët kriminale. Djegia e shtëpive, vrasja e civilëve shqiptarë, dëbimet, konfiskimi i dokumenteve, vjedhja e parave dhe vlerave të tjera materiale, vrasja e grave dhe fëmijëve, përdhunimet – këto janë aktet për të cilat Nebojsha Pavkoviç do të marrë një mural në Ćuprija, për turpin e të gjithëve.

Për nder të masakrës

Natyrisht, figurat kulturore, politikanët, ideologët nacionalistë dhe të devotshmit e tjerë të gjakut dhe tokës nuk do të thonë kurrë hapur se Pavkoviç dhe zuzarët e ngjashëm po shpallen heronj pikërisht për shkak të krimeve të tyre të luftës. Kjo është plotësisht e kuptueshme, sepse ka pak njerëz që do t’i pranojnë vetes se çfarë janë në të vërtetë – dashnorë të kasapëve, admirues të vrasësve në masë, bishave në formë njerëzore. Gjithmonë flasin për patriotizëm, atdhedashuri, mbrojtje të atdheut, tokës së shenjtë serbe e fraza të ngjashme. Mirëpo, në praktikë, ky atdhetarizëm dhe mbrojtje e atdheut shfaqej teksa ushtarët dhe policët vrisin, plaçkisnin, dëbonin civilët dhe digjnin shtëpitë ku ata jetonin.

Mjafton të lexosh disa fjali nga dëshmia e Hysni Berishës nga Suhareka për të parë se me çfarë veprash mburren institucionet kulturore serbe: “Ndër të masakruarve ishte edhe vajza ime me familjen, dy djemtë dhe burri i saj, të cilin e përzënë. , gjashtë prej tyre gjithsej, të cilët ende nuk janë gjetur askund, se kufomat i kanë vjedhur dhe i kanë çuar diku, nuk e di ku, nuk gjenden askund. (…) Ne kemi shpirtra të plagosur, sepse në atë tragjedi vdiqën tetëmbëdhjetë fëmijë, dhe më i vogli ishte nipi im Eroni, i cili ishte nëntë muajsh. Djali i madh i vajzës sime ishte tre vjeç, vajza ime ishte njëzet e pesë. (…) Vajza ime quhej Sabata, nipi im Ismeti idhte tre vjeç dhe Eroni nëntë muajsh”.

Dhe çfarë thanë figurat kulturore për Pavkoviçin në konkursin e muralit?: “Muralet, format e ndryshme të artit të rrugës dhe interpretimet e tjera artistike në hapësirën publike konsiderohen sot një pjesë integrale e imazhit kulturor bashkëkohor të një qyteti. Këto forma të shprehjes krijuese artistike gjejnë zbatim në përmbajtje turistike, në projekte sociale për ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe në projekte për promovimin e identitetit kombëtar dhe kulturor”(!!!).

Oferta turistike(!)

Kur fjalët nga konkursi kryqëzohen me realitetin, arrijmë në përfundimin se vrasja e një foshnjeje nëntë muajshe është pjesë e identitetit kombëtar dhe kulturor serb, e destinuar për ofertë turistike. Po, ekspertët e kulturës kanë të drejtë, muralet sot mund të konsiderohen vërtet “një pjesë integrale e imazhit kulturor bashkëkohor të një qyteti”. Megjithatë, askund në botë portretet e kriminelëve të luftës nuk bëjnë pjesë në këtë kategori.

Le të imagjinojmë që në Gjermani një institucion kulturor të shpallë një konkurs për një mural kushtuar Hermann Göring ose Heinrich Himmler. Drejtori dhe stafi i një institucioni të tillë do të arrestoheshin brenda gjysmë ore dhe në fund ndoshta nuk do të përfundonin as në burg, por në një çmendinë, pasi askush në mendjen e tij nuk do të bënte publikisht homazhe për kasapët nazistë dhe t’i shpallnin vepra arti, atraksion turistik dhe pjesërisht identitet kombëtar e kulturor.

Ajo që është krejtësisht e paimagjinueshme në botën e qytetëruar po bëhet ngadalë një dukuri e zakonshme këtu. Muret në qytete dhe qyteza anembanë Serbisë kanë qenë prej kohësh të dëmtuara me mbishkrime, shabllone dhe murale kushtuar Ratko Mlladiçit.

Marrë me shkurtime nga Al Jazeera Balkan

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit