-5.4 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

E mira e padukshme

Më të lexuarat

Justinian Topulli

Ishin vitet e para kur sapo kishte rënë pushteti i diktaturës komuniste dhe në morinë e asaj literature fillestare, që na binte në dorë për besimin, ndesha në një citim që i atribuohej Dostojevskit, i cili më bëri shumë përshtypje dhe gati e mësova përmendësh, edhe pse sot e kësaj dite nuk e di se ku mund ta gjej si referencë, që të isha më i saktë në citim, por do të mundohem ta riprodhoj ashtu siç e mbaj mend, edhe pse kanë kaluar vite. Ai thoshte pak a shumë se:
Të besosh në të mirën e padukshme kundrejt të keqes së dukshme, kjo është forca e besimit. Njerëzit praktikë mund ta jetojnë jetën, por ata nuk e krijojnë dot atë, janë profetët ata që e bëjnë këtë, sepse ata e ndryshojnë botën.

Në fakt ky është edhe mesazhi që ne marrim nga jeta e çdo profeti dhe reformatori, të cilët besuan tek e mira dhe tek ndryshimi pavarësisht se jetuan në situata ku dukshëm asgjë nuk favorizonte për ndryshim, ku errësira, zullumi dhe mungesa e shpresës kishin pllakosur ngado. Ata ditën të shohin rreze shprese atje ku të tjerët nuk shihnin, madje ta krijonin këtë dritë gati nga hiçi. Nëse besimi nuk do ta kishte këtë forcë të madhe ndryshimi që e bën të pamundurën -në sytë e njerëzve- të mundur, atëherë jeta dhe bota do të ishte e destinuar të merrej peng përgjithnjë nga e keqja dhe e pavërteta. Por, ndryshimi nuk vjen vetëm me dëshira. Besimi pa sakrificë në praktikë është vetëm një ëndërr e bukur, ndaj për ta bërë realitet këtë të duhet të notosh edhe kundra rrymës; të duhet të përballesh me njëmijë e një skeptikë e më shumë, do të të marrin për të marrë, do të të tallin, ironizojnë, shajnë e ofendojnë, do të të fusin shkopinj ndër rrota, do të të tradhtojnë dhe braktisin edhe disa prej miqve të tu, madje do të rrezikosh edhe jetën e ndoshta edhe më shumë se kaq. Por, në fund janë pikërisht këta njerëz që gjithmonë sjellin ndryshimin dhe bëhen modeli frymëzues për të tjerët edhe kur ata vetë ndoshta nuk arrijnë ta përjetojnë në këtë botë frytin e sakrificës së tyre.

Ky vend ka nevojë pikërisht për këta njerëz dhe nëse të tillët nuk vijnë nga radhët e besimtarëve të së vërtetës, zor se pritet të vijnë nga të tjerët. Nëse ata që besojnë në Zot dhe të mirën e padukshme, nuk gjejnë dot forcën dhe motivin për tu përballur me të keqen e dukshme mbizotëruese, atëherë kush tjetër nga ata që as nuk besojnë në diçka të tillë, por shohin vetëm me sytë e kokës dhe jo të shpirtit, do të jenë shkëndija e ndryshimit?!
Vërtetë Zoti nuk e obligon njeriun përtej mundësive dhe nuk e merr në llogari, por vallë a i kemi shteruar ne të gjitha mundësitë tona? Apo thjesht e kemi provuar disa herë dhe kemi dështuar? Apo jemi lodhur dhe kemi humbur shpresat? E keqja nuk lodhet dhe nuk heq dorë asnjëherë edhe pse edhe ajo dështon shpesh në përmbushjen e synimeve të saj, atëherë pse duhet të heqim ne dorë kur motivi dhe arsyeja është e drejta, e mira dhe vetë e vërteta?! Çdo rrugë drejt ndryshimit nis me një hap dhe hapi i parë është ndërgjegjësimi, është besimi se gjërat mund të ndryshojnë, se nuk ka asgjë të pamundur, dhe se ky ndryshim duhet të nis nga ne vetë dhe jo nga të tjerët, aty ku jemi dhe atë që bëjmë.

31/08/2019

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit