Ky ishte reagimi ndaj propozimit francez për “paqe me Bullgarinë”
Dita e katërt e protestave kundër propozimit francez për zgjidhjen e mosmarrëveshjes së Maqedonisë së Veriut me Bullgarinë, e cila bllokon fillimin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, u përshkallëzua të martën në mbrëmje në një përplasje mes një grupi demonstruesish dhe policisë.
Disa demonstrues hodhën objekte të ndryshme në drejtim të policisë, si dhe ndërtesës së qeverisë, raporton Anadolia.
Më pas ata kanë vazhduar drejt ndërtesës së Ministrisë së Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, në drejtim të hedhjes së vezëve.
Prej aty, protestuesit janë drejtuar drejt godinës së Kuvendit, ku kanë hedhur shishe, sende të forta, gurë dhe tulla, si dhe mjete piroteknike.
Më pas kanë kaluar gardhin dhe janë përplasur me policinë, për pasojë kanë mbetur të plagosur disa punonjës policie dhe ka ndërhyrë edhe ambulanca.
Forcat e policisë arrestuan disa nga demonstruesit.
Situata u vu nën kontroll dhe protestuesit thanë se do të vazhdojnë protestat edhe në ditët në vijim.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, dënoi sulmet ndaj policisë, duke theksuar se dhuna nuk mund të arsyetohet me asgjë.
“Ajo që ndodhi mbrëmë para Kuvendit nuk është fytyra e vërtetë e Republikës evropiane të Maqedonisë së Veriut, një vend anëtar i NATO-s. Protestat janë e drejtë demokratike e çdo qytetari, por dhuna nuk justifikohet me asgjë”, ka shkruar ai në një postim në Facebook.
Ai dënoi sulmin ndaj policisë, e cila, siç thotë ai, ishte në krye të detyrës mbrëmjen e së martës, duke mbrojtur me profesionalizëm qytetarët dhe institucionet shtetërore.
“Dhuna dhe urrejtja nuk janë dhe nuk mund të jenë zgjidhje për asnjë problem. Unë do t’u them protestuesve – mos manipuloni dhe abuzoni me të rinjtë për të kënaqur orekset tuaja politike. Skenari juaj mbrëmë rezultoi në më shumë se 40 policë të plagosur dhe dhjetëra arrestime. 27 prilli nuk do të ndodhë më”, tha Kovaçevski.
Kryetari i Këshillit Evropian, Charles Michel, të martën vizitoi Shkupin, ku u takua me presidentin Stevo Pendarovski, kryetarin e Kuvendit, Talat Xhaferi dhe kryeministrin Kovaçevski.
Në samitin e NATO-s në Spanjë, i cili përfundoi më 30 qershor, presidenti francez Emmanuel Macron tha se besonte se ishte gjetur një kompromis për Maqedoninë e Veriut për bisedimet e anëtarësimit në BE.
Më 24 qershor, Parlamenti bullgar votoi për heqjen e vetos që kishte bllokuar prej kohësh negociatat e anëtarësimit në BE me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, duke ngritur shpresa të reja se blloku evropian mund të vazhdojë me planet për t’u zgjeruar në Ballkanin Perëndimor.