Denoncimi me foto-koment i ministrit Sveçla
Ministri i Brendshëm i Kosovës ka publikuar pamjet e radhës në atë që synohet të jetë “çmontimi i terrorit serb” në veri.
Xhelal Sveçla ka ofruar pamje të dhjetra uniformave policoro-ushtarake serbe të kapura së fundi, shoqëruar me komentin e mëposhtëm:
“Mekanizmi terrorist i Serbisë në veri të Republikës së Kosovës po çmontohet çdo ditë e më shumë.
Pas informatave inteligjente, në një shtëpi në fshatin Isev i Poshtëm në Komunën e Leposaviqit u gjetën dhjetëra uniforma të policisë se rregullt dhe asaj speciale serbe si dhe pjesë të uniformave të Policisë së Kosovës. Kjo është edhe një dëshmi e radhës se mekanizmat e sigurisë së Serbisë ishin dhe mbeten përgjegjësi i tentativës për destabilizim dhe aneksim të veriut të vendit tonë.
Falë vigjilencës dhe punës së pakursyer të të gjitha institucioneve të sigurisë së Republikës së Kosovës kjo tentativë e Serbisë për destabilizim të vendit suksesshëm po parandalohet dhe luftohet.
Është detyrë dhe obligim i yni shërbimi ndaj të gjithë qytetarëve pa asnjë dallim, ndërkohë që është përkushtimi dhe vendosmëria jonë që me të gjitha mjetet ligjore të mbrojmë sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit tonë. Të gjitha elementet terroriste që tentojnë destabilizim do të shkatërrohen pa kursim e përgjithmonë”. /tesheshi.com/