“A mund të jenë të barabartë ata që dinë me ata që nuk dinë?” (Kurani, Ez-Zumer: 9)
Arsimimi është kushti i parë që gruaja të mund të kuptojë njerëzoren në veten e saj. Gjatë gjithë historisë, në mjedise të ndryshme, gruaja është përballur me trajtime të ndryshme. Gruaja në Perëndim, e privuar nga çdo lloj të drejte, madje nga e drejta e njohjes dhe e pranimit të saj si njeri, e ka filluar luftën me arsimim. Duke njohur drejtësinë dhe njerëzoren, ka mundur të kuptojë se duhet të kërkojë të drejtat e saj dhe, kështu, e ka çuar përpara me forcë luftën e saj. Përsa i përket gruas në Lindje, edhe ajo, duke marrë shembull nga shoqja e saj në Perëndim, pati dashur të përdorë të njëjtën armë. Vetëm Islami ishte ai që i pranoi dhe i njohu të drejtat e saj. Dhe gruaja ndiente më tepër nevojën për ta mësuar këtë.
Për ta shpëtuar njeriun nga llumi i padrejtësisë dhe zvetënimit ku ishte zhytur, Kurani i Madhnueshëm, i zbritur katërmbëdhjetë shekuj më parë, fillonte me urdhrin “Lexo!”: “Lexo me emrin e Zotit tënd, i cili krijoi (çdo gjë). Krijoi njeriun prej një gjaku të ngjizur. Lexo! Se Zoti yt është më bujari! Ai që e mësoi (njeriun) të shkruajë me pendë. I mësoi njeriut atë që nuk e dinte”.
Edhe gruaja, ashtu si burri, është “rob” i Allahut. Ndëshkimin apo shpërblimin e veprës së vet do ta marrë individualisht. “Unë nuk ia humb mundin asnjërit prej jush, mashkull qoftë apo femër”. “Kush bën ndonjë nga punët e mira, qoftë mashkull ose femër, duke qenë besimtar, hyn në xhennet dhe nuk u bëhet farë padrejtësie”. Lidhur me këtë, edhe femra, ashtu si mashkulli, është nën përgjegjësinë që gjithë veprimet e veta t’i kryejë në përputhje me urdhërat e Allahut dhe të mos dalë jashtë porosive hyjnore. Dhe prandaj është e detyruar të mësojë urdhrat dhe porositë e Allahut.
Aliu r.a., ajetin Kuranor përkatës “O besimtarë, ruani veten tuaj dhe pjesëtarët e familjes tuaj nga zjarri (ferri)” e kishte komentuar në këtë formë: “I edukoni ata, u jepni dituri atyre!”.
Rëndësia e arsimimit për gruan
Gruaja është mësuesi më i shkëlqyer i fëmijëve. Që gruaja të mund t’i japë fëmijës një arsim të shkëlqyer për një kohë të gjatë në periudhën e rritjes, është kusht arsimimi i saj, njohja dhe përgatitja praktike mësimore dhe moralo-etike e saj. Për të gjithë është e njohur rëndësia e shprehive që fitohen në moshë të vogël. Është thënë: “Ç’hyn në djep, del në varr”.
Një grua e arsimuar kalon një jetë me marrëveshje me burrin dhe, po qe e nevojshme, e ndihmon në punët e tij. Pejgamberi a.s., thoshte kështu për Hatixhenë r.a.: “Betohem se Allahu nuk më dha mua një grua më të mirë se Hatixhenë. Ajo më besoi kur njerëzit s’më besonin, ajo më dha të drejtë kur çdokush më përgënjeshtronte, ajo më ndihmoi materialisht kur çdokush më braktiste!”
Pretendohet se mësimi i shkrim-leximit, arsimimi, bëhet shkak te gruaja, nga pikëpamja moralo-etike, për shfaqjen e sjelljeve të këqija. Kjo nuk është e drejtë. Është me rëndësi të sqarojmë se injoranca kurrë s’mund të ketë vlerë dhe dobi në raport me diturinë.
Sigurisht, nuk ka ndonjë lidhje midis diturisë së vërtetë, arsimit dhe edukatës, nga njëra anë dhe sjelljeve jomorale, nga ana tjetër. Veçse, morali i të rinjve pikërisht në moshën e rritjes mund të prishet po qe se sistemi arsimor i largohet kritereve të edukatës, kur mungojnë rregulli dhe disiplina. Arsimimi i femrës në shoqërinë Islame s’do të thotë jetesë e përzier me meshkujt dhe flirt, s’do të thotë që femra të bredhë e përqafuar me shokun e saj nëpër korridoret e shkollës, në parqe e lulishte. Dituria nuk kërkon rekuizitën si të një valltareje ose makiazhin si të një aktoreje. Në të kundërt, neveritet nga këto.
Gjendja arsimore e gruas sipas Sunnetit
“Mos i rehatoni gratë në qoshe, mos i mësoni të shkruajnë, vetëm i mësoni të endin dhe të lexojnë suren Nur”. Një hadith që qarkullon me një kuptim të tillë, është i sajuar. Një porosi e tillë nuk është dhënë nga i Dërguari i Allahut a.s.. Në të kundërt, i Dërguari i Allahut a.s., ka kërkuar mësimin e shkrim-leximit për gratë, madje, këtë gjë e ka urdhëruar. Konkretisht, nga Shifa Hatun kishte kërkuar që t’i mësonte gruas së vet Hafsa shkrimin dhe t’i jepte nga përvoja e saj. Në një porosi të tij kishte bërë të qartë se Providenca Hyjnore do t’i jepte dyfish shpërblim atij personi që… “edukon dhe arsimon skllaven e tij…” Kur arsimimi dhe edukimi i një femre jo të lirë përbën një vepër të mirë, sigurisht e tillë do të jetë edhe për të tjerët.
Gratë e Medines së Ndritshme (Medine-i Munevvere) kishin shkuar pranë të Dërguarit të Allahut a.s., dhe i kishin thënë: “Burrat gjithmonë vijnë pranë jush dhe marrin dituri, mësojnë për ato që s’dinë. Ndërsa ne, për shkak të tyre nuk gjejmë mundësi. Na caktoni edhe neve një ditë të vijmë t’ju dëgjojmë e të mësojmë”. Dhe i Dërguari i Allahut a.s., u kishte caktuar një ditë. U predikonte atyre dhe u jepte urdhra. Ajniu, në shpjegimet e kësaj ndodhie, nënvizon se është e lejueshme që gratë të pyesin për problemet fetare dhe për këtë mund të bisedojnë me burrat. Aisheja r.a., thotë kështu: “Aq të mira që janë gratë ensare, turpi nuk u është bërë pengesë për të mësuar fenë”.
Në kohën e Pejgamberit a.s., njëra nga gratë që i jepnin rëndësi diturisë, ishte edhe bashkëshortja e tij, Aisheja. Ajo merrej me nxënien e diturive, kur dëgjonte diçka që s’e dinte, pyeste gjersa ta bënte të qartë dhe përpiqej ta kuptonte mirë. Nga Pasuesit, Ebu Musai, thotë: “Për ne si Pasues të të Dërguarit të Allahut a.s., nuk ka asnjë çështje në dukje me zgjidhje të vështirë, për të cilën Aisheja r.a., të mos ketë njohuri”. Përsëri, nga Pasuesit Musa b. Talha, thotë: “Nuk pashë një njeri që të fliste më qartë dhe shtruar se Aisheja”. Gjithashtu dimë se Aisheja r.a., ka treguar 2210 hadithe nga Pejgamberi a.s.. Përveç kësaj, ishin bërë të njohura edhe Fatimeja r.a., vajza e Ebu Bekrit, Esmaja, si dhe Ummu’d-Derda me dhënie vendimesh (fetva) për çështje të ndryshme.
Omeri r.a., në periudhën e kryesimit të vet, një ditë, tek kish hipur në vendin e predikimit (minber) të të Dërguarit të Allahut a.s., i kishte këshilluar muslimanët që në martesë të mos u jepnin grave një garanci kurore të madhe. Nga radhët e grave ishte ngritur një zonjë shtatlartë dhe i kish thënë: “Ej, Omer, nuk ke të drejtë të thuash kështu!”, duke i pasuar dhe vërtetuar fjalët e saj me ajete të Kuranit. Atëherë Omeri r.a., i kish marrë prapë fjalët e tij duke thënë: “Allah, Allah! Një grua bën debat me Omerin dhe ia mbyll gojën!”
Përsëri një ditë, Omeri me shokët e tij, duke ecur në rrugë, përballet me Havlen, vajzën e Malikit, dhe e përshëndet. Pas shkëmbimit të përshëndetjeve, Havleja e porosit në këtë mënyrë atë dhe ia mëson etikën dhe detyrat e udhëheqësit të shtetit: “Pa ndalu, Omer! Në panairin e Uqazit ty të thërrisnin “Omerkë” dhe më kujtohen kohët kur i trembje fëmijët me shkop. Pa shkuar shumë, filluan të të thërrisnin “Omer”. Përsëri, pa shkuar shumë, more titullin e udhëheqësit të muslimanëve (emiru’l-mu‘minin) e të shtetit. Ki frikë Allahun tek e drejta e njerëzve që ke nën qeverisje. Dije mirë se kujt ka frikë nga ndëshkimi i Allahut, i duket afër kiameti që përgjithësisht duket larg. Ai që ka frikë nga vdekja, duke qenë një hiç, frikësohet nga asgjësimi…”
Njëri nga ndihmësit e Omerit, Xharudi, i thotë Havles: “Zonjë, sikur e zgjate shumë fjalën para udhëheqësit të muslimanëve!” Kurse Omeri ia kishte tërhequr vërejtjen kështu: “Lere, Xharud, a nuk e njeh ti këtë? Kjo është Havleja, bashkëshortja e Ubade b. Samitit, ankesën e së cilës Allahu i Madhnueshëm e ka dëgjuar nga lartësia e shtatë qiejve. Sa për Omerin, betohem në Allahun që ai e ka për detyrë ta dëgjojë këtë mirë e mirë!”
Pas periudhës së Pasuesve, numri i grave që merreshin me arsimim, me predikim, me dhënie vendimesh (fetva), veçanërisht me tregimin e haditheve, qe i madh. Në veprën e Haxhi Zihni Efendiut, Meshahiru’n-nisa “Gratë e njohura”, përfshihet biografia e disave prej tyre. Midis tyre, për shembull, janë të njohura (me zë) Fatima Fakihe dhe Fatima Bagdatase.
Vetëm brenda pesë shekujve të parë të historisë së Islamit, numri i grave që u morën me tregimin e haditheve dhe me mësimin e tyre, qe mbi treqind e pesëdhjetë./islamgjakova/
Dr. Bekir Topaloglu