3.8 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Dyshime se Putin miratoi vrasjen e Litvinenkos

Më të lexuarat

Një hetim britanik ka konkluduar se Qeveria e Rusisë ka dorë në helmimin për vdekje në vitin 2006, të ish-agjentit të sigurisë në Rusi, Aleksandar Litvinenko, dhe se presidenti, Vladimir Putin,”me gjasë e ka miratuar” vrasjen.

Këto të gjetura, të publikuara sot, mëtutje thonë se ekziston “mundësi e fortë” se vrasja është kryer nga shtetasit rusë, Dmitry Kovtun dhe Andrei Lugovoi, që kanë vepruar sipas urdhërave të Shërbimit Federal të Sigurisë së Rusisë (FSB).

E veja e të ndjerit Litvinenko, Marina Litvinenko, menjëherë u tha reporterëve se ajo ishte shumë e kënaqur me konkludimet e hetimit.

“Natyrisht, unë jam shumë e kënaqur që fjalët e bashkëshortit tim, që i tha në shtratin e vdekjes, kur ai e akuzoi zotin Putin për vrasjen e tij, janë dëshmuar se ishin të vërteta në një gjykatë angleze me standarde të larta të pavarësisë dhe korrektësisë”, tha Marina Litvinenko, jashtë ndërtesës së Gjykatës së lartë në Londër.

Ajo ka kërkuar që qeveria britanike të imponoj sanksione të shënjestruara kundër individëve të përfshirë në vrasje.

“Unë bëj thirrje për imponim të sanksioneve të shënjestruara dhe ndalesë të udhëtimit kundër individëve të përmendur, përfshirë zotin Putin”, tha Marina Litvinenko.

E përditshmja londineze The Guardian, ka raportuar se diplomatët britanikë i kanë sugjeruar kryeministrit, David Cameron, që të mos i intensifikojë sanksionet kundër Rusisë, me qëllim që të evitohet përkeqësimi i mëtejshëm i raporteve tashmë të tensionuara.

Agjencitë e lajmeve në Rusi e kanë cituar personin e përmendur si vrasës i mundshëm, Andrei Lugovoi, ish-truproje e agjencisë KGB, aktualisht anëtar i Dumës shtetërore të Rusisë, që është Dhoma e Ulët e Parlamentit, duke thënë se akuzat kundër tij janë “patetike” dhe “absurde”.

Raporti i publikuar nga gjyqtari britanik, Rober Owen, po ashtu e përmend drejtorin e Shërbimit Federal të Sigurisë, Nikolai Patrushev, se “me gjasë e ka miratuar” vrasjen.

“Jam i sigurt se zoti Lugovoi dhe zoti Kovtun kishin vepruar sipas urdhërave të të tjerëve, kur ata e helmuan zotin Litvinenko”, ka shkruar Owen në raport, dhe ka shtuar se “Operacioni i FSB-së për vrasjen e zotit Litvinenko, ishte me gjasë i miratuar nga zoti Patrushev dhe, po ashtu, nga presidenti Putin”.

Moska i ka hedhur poshtë akuzat për involvim në vrasjen e Litvinenkos dhe e ka hedhur poshtë hetimin, duke e cilësuar politikisht të motivuar.

Maria Zakharova, zëdhënëse e Ministrisë së jashtme ruse, tha se qëndrimi i Rusisë për këtë çështje është i njohur dhe i pandryshuar.

“Ne na vjen keq që një rast i qartë penal ishte politizuar dhe e ka errësuar atmosferën e përgjithshme të marrëdhënieve tona dypalëshe. Është e qartë se vendimi për ta përfunduar hetimin mjekoligjor dhe për t’i filluar dëgjimet publike ka kontekst të qartë politik. Procesi nuk ishte transparent si për Rusinë ashtu edhe për publikun e përgjithshëm, duke pasur parasysh faktin se disa materiale janë dëgjuar në sesione të mbyllura nën pretekst të statusit sekret”, tha Maria Zakharova.

Aleksandar Litvinenko kishte punuar për Shërbimin Federal të Sigurisë (FSB), që ishte pasardhësi kryesor i agjencisë KGB, para se të shkonte në Londër dhe të bëhej kritik i zëshëm i Putinit.

Hetuesit britanikë kanë konkluduar se Litvinenko, 44 vjeçar, ishte helmuar me polonium-210 duke pirë çaj në një hotel luksoz në Londër, së bashku me dy shtetas rusë: Kovtun dhe Lugovoi.

Ai vdiq në një spital në Londër më 23 nëntor 2006, pas tri javësh.

Rusia ka refuzuar t’i dorëzojë këta dy persona, ndërsa Lugovoi është edhe anëtar i Parlamentit të Rusisë prej vitit 2007.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit