2.6 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Dy vende ballkanike me ajrin më të ndotur në Evropë

Më të lexuarat

Hulumtimi i Guardian-it mbi atë çfarë thithimin për të jetuar, me pasojë 400 mijë vdekje në vit

Evropa po përballet me një “krizë të madhe të shëndetit publik”, pasi pothuajse të gjithë evropianët jetojnë në zona me nivele të rrezikshme të ndotjes së ajrit, sipas një studimi të Guardian.

Analiza e të dhënave, të mbledhura duke përdorur metodologjinë më moderne, tregoi se 98 për qind e njerëzve në Evropë jetojnë në zona që janë të ndotura me grimca të imta shumë të dëmshme dhe shumë mbi kufirin e vendosur nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).

Pothuajse dy të tretat e evropianëve jetojnë në zona ku ndotja e ajrit është më shumë se dyfishi i kufirit të lejuar.

Vendi evropian më i goditur është Maqedonia e Veriut, e ndjekur nga Serbia.

Në të dy vendet, më shumë se gjysma e popullsisë jeton në zona ku ndotja e ajrit është katër herë më e lartë se sa rekomandohet.

Serbia është një nga shtatë vendet e Evropës Lindore, së bashku me Maqedoninë e Veriut, Rumaninë, Shqipërinë, Poloninë, Sllovakinë dhe Hungarinë, ku pothuajse të gjithë banorët jetojnë në zona me të paktën dyfishin e nivelit të lejuar të ndotjes.

Suedia dhe Skocia, shembuj pozitivë

Situata në Evropën Lindore është shumë më e vështirë se në Evropën Perëndimore.

Përjashtim bën Italia, ku më shumë se një e treta e popullsisë në Luginën Po dhe zonat përreth thith ajër që është katër herë më i ndotur se sa rekomandohet.

Hulumtimi i Guardian ka të bëjë me grimcat e imëta PM2.5, të cilat prodhohen kryesisht nga djegia e lëndëve djegëse fosile, dhe mund të hyjnë në mushkëri dhe në qarkullimin e gjakut dhe të prekin pothuajse çdo organ të trupit.

Sipas udhëzimeve të OBSH-së, përqendrimet mesatare vjetore të grimcave PM2.5 nuk duhet të kalojnë pesë mikrogramë për metër katror.

Hulumtimi tregoi se vetëm dy përqind e popullsisë evropiane jeton në zona me një përqendrim të lejuar të këtyre grimcave.

Ekspertët paralajmërojnë se ndotja e ajrit me grimcat PM2.5 shkakton rreth 400 mijë vdekje në vit në Evropë.

Nuk ka asnjë zonë në Suedi ku përqendrimi i grimcave PM2.5 është më shumë se dyfishi i kufirit të OBSH-së, ndërsa disa rajone në veri të Skocisë janë ndër të paktat në Evropë ku ndotja është brenda kufijve të lejuar. /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit