1.4 C
Pristina
Sunday, January 26, 2025

DY KRITERET E TRIUMFIT QË I PËRMBUSHI ZONJA HAXHERE

Më të lexuarat

Pjesa e rëndësishme e kësaj historie, është se Allahu i Madhëruar i dha urdhër mikut të Tij Ibrahimit (paqja qoftë mbi të!) që ta transferonte Haxheren dhe foshnjen e saj Ismailin, nga Palestina te një luginë jo pjellore në Hixhaz, pranë maleve të Faranit. Allahu e urdhëroi Ibrahimin ta linte gruan dhe djalin e tij të porsalindur në këtë vend dhe ai vetë të kthehej në Palestinë. Ndërkaq Haxhereja e pyeti burrin e saj, me sytë e mbushur gjithë habi, për vendimin e tij të çuditshëm. Por kur Ibrahimi, burri i saj, nuk i dha asnjë përgjigje, ajo e pyeti përsëri: “Allahu të ka urdhëruar për një gjë të tillë?” Ibrahimi tundi kokën në shenjë pohimi. Në atë çast nga goja e kësaj zonje të madhe doli një përgjigje, e cila u bë shkak për përjetësinë e saj në memorien e historisë, derisa të jetë kjo botë. Ajo tha me sigurinë më të madhe: “Allahu kurrë nuk do të na braktisë!”
Sekreti i madhështisë së kësaj femre konsiston në përmbushjen e saj të dy kushteve të triumfit: besimi dhe zbatimi. Ajo i besoi në fillim Allahut me siguri të plotë, më pas ajo u përpoq me sa mundësi kishte, duke vrapuar mes kodrës Safa dhe Merva për të shpëtuar djalin e saj, i cili qante nga vuajtja e urisë dhe e etjes. Allahu e dinte se kjo grua i përmbushi dy kushtet e domosdoshme të triumfit: besimin dhe zbatimin, dhe atëherë e vetëm atëherë, erdhi urdhri i thjeshtë i Allahut ”bëhu” dhe menjëherë pranë këmbëve të fëmijës, i cili ishte fare pranë vdekjes, shpërtheu një burim uji që përcillte në çdo pikë të tijin historinë e triumfit dhe të mbijetesës. Ky burim shpërtheu në formë mrekullie mes shkëmbinjve të gurtë të Mekës dhe vazhdon të burojë deri në ditët tona. Sikur Allahu dëshiron të na thotë se burimi i triumfit nuk shteron kurrë!
Në kohën tonë, i bëhet detyrë çdo muslimani ta vendosë veten e tij në vendin e Haxheres dhe të imagjinojë se bota islame sot është si ai fëmija i cili gjendet në prag të vdekjes, në një shkretëtirë ku nuk ka asnjë shenjë jete. Prandaj, për ta shpëtuar botën islame, duhet që secili prej nesh të përmbushë dy kushtet e domosdoshme të triumfit dhe të mbijetesës ”besimin dhe zbatimin”.
Së pari të besojmë se umeti ynë duhet të rizgjohet me patjetër! E më pas secili nga ne të angazhohet me përmbushjen e detyrës së tij për shpëtimin dhe ringjalljen e këtij umeti, i cili është si ajo foshnja që vajton nga vuajtjet. Padyshim që atëherë triumfi do të jetë fati ynë, edhe nëse ajo që ne bëjmë të tjerëve mund t’i duket si diçka e pavlerë. Sepse edhe ajo që nëna jonë Haxhere veproi në kërkim të mjeteve të mbijetesës, duke vrapur mes kodrës Safa dhe Merva për shtatë herë me radhë, dukej si diçka ”e pavlerë”. Por, ajo e bëri zonjën Haxhere të denjë për të qenë një ndër koloset më të mëdha të historisë islame, dhe nga një robëreshë egjiptase të bëhej nëna e arabëve dhe e muslimanëve. Kështu, muslimanëve që erdhën më pas u lindi si detyrë që tokat e nënës së tyre, t’i çlirojnë së pari nga ndyrësia e idhujtarisë dhe së dyti nga shtypja e Perandorisë Romake.
Vallë kush ishte ai hero musliman, i cili çliroi tokën e nënës sonë Haxhere nga pushtimi romak? Dhe cili është sekreti i sulmit të egër mediatik, që po i bëhet këtij heroi musliman në vitet e fundit…
Shkëputur nga libri “100 kolosë të botës islame”
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit