5.9 C
Pristina
Wednesday, December 18, 2024

Dy intervista që shfaqën dy fytyrat e presidentit serb Aleksandar Vuçiq

Më të lexuarat

Dy intervista, njëra për CNN, tjetra për Televizionin Happy dhe emisionin “Cirilica”, shfaqën dy fytyrat e presidentit serb Aleksandar Vuçiq. Njëra për publikun serb dhe tjetra për publikun e huaj.

Pas të shtënave në Banjska, ku mbetën të vrarë një polic i Kosovës dhe tre serbë, dhe për të cilin përgjegjësinë e mori nënkryetari i deritanishëm i Listës Serbe, Milan Radoiçiq, presidenti i Serbisë u përball me një detyrë jo aq të thjeshtë – të shpjegojë vetë ngjarjen, të përcaktojë veten sipas saj, por edhe sipas porosisë së kujt ka ndodhur.

Mirëpo askush nuk e priste që për vetëm 24 orë presidenti i Serbisë do të bënte dy paraqitje krejtësisht të ndryshme në të njëjtin rast.

Në bisedën me Kristiane Amanpour, Vuçiq është dashur të jetë konkret në përgjigjet e tij, duke përfshirë edhe përgjegjësinë e Milan Radoiçiqit. Pyetja është e thjeshtë, po apo jo?”, ka thënë Amanpur, duke kërkuar nga Vuçiq të deklarojë qartë nëse Radoiçiq do të dënohet.

Ajo mori përgjigjen e mëposhtme:

“Serbia sigurisht që do t’i kërkojë llogari të gjithë personave që kanë kryer vepra penale, ai është i pranishëm në territorin tonë dhe prokuroria do të bëjë punën e saj. Mirëpo, ka diçka tjetër, unë po flisja për problemet, problemi është se serbët donin të mbroheshin dhe unë nuk do ta mbroj vrasjen e një polici të Kosovës dhe e dënoj. Serbët janë arrestuar pa asnjë akuzë”, tha Vuçiq me këtë rast.

Pak orë më vonë në “Ćirilica”, te Milomir Mariq, atij që Serbia duhet t’i kërkojë llogari, për pak sa nuk i dha një aureolë. ( ikonografi kishtare)

“Ai nuk është akademik, as piktor, as shkrimtar”

Duke folur për Milan Radoiçiqin, Vuçiq ka deklaruar se ka qenë gjithmonë me njerëzit e tij.

“Radoiçiq rrezikoi shtëpinë dhe gjithçka që kishte për të shkuar e të vdiste”, ka thënë presidenti serb dhe më pas ka thënë se “me vite kanë gënjyer se ai ka vrarë Oliver Ivanoviqin”.

“Në fund, gjyqësori i Kosovës hoqi dorë nga kjo”, tha Vuçiq, duke theksuar se Radoiçiq “nuk është akademik, as piktor, as shkrimtar” sikur kjo mund të ishte një lloj justifikimi.

“Ky është një njeri që është rritur në rrugë. Ai ka lindur në Pejë, ka jetuar në Mitrovicë dhe ka qenë gjithmonë me njerëzit e tij”, tha Vuçiq.

Unë e vlerësoj objektivitetin tuaj, por po shkoj me Si ( presidenti kinez)

Gazetarja e CNN-it, Kristiane Amanpour, gjatë intervistës i ka kujtuar Presidentit të Serbisë deklaratën e tij pas negociatave me Albin Kurtin në Ohër, kur duke iu drejtuar opinionit vendas deklaroi se nuk e ka nënshkruar marrëveshjen sepse “ka dhimbje në dorën e djathtë” dhe se do ta lëndojë atë. në katër vitet e ardhshme.

Amanpour e pyeti Vuçiqin nëse “i dhemb ende dora” apo nëse është gati për një marrëveshje.

“E vlerësoj objektivitetin tuaj”, tha Vuçiq dhe vazhdoi:

“Dua të them se ndoshta nuk e keni ndjekur atë që tha BE-ja pas takimit tonë të fundit. BE-ja më pas tha publikisht se Serbia është plotësisht konstruktive”, tha Vuçiq dhe shtoi se për këtë folën përfaqësuesit evropianë Xhozef Borrell dhe Miroslav Lajçak.

Ai tha se po bënte “gjithçka që tha se do të bënte”.

“Kam bërë gjithçka që u kam thënë miqve tanë nga SHBA-ja dhe BE-ja se do të bëj, por ekziston Kushtetuta e Serbisë dhe duhet ta respektoj. Unë nuk kam fshehur asgjë në praninë e tyre”, tha Vuçiq.

Tek Mariqi nuk fliste për miqtë nga BE-ja, por për të tjerët…

Vuçiq zbuloi se ai do të shkojë në Kinë më 15 ose 16 tetor për samitin Brez dhe Rrugë dhe se atëherë do të nënshkruhen një sërë kontratash të rëndësishme (mbi 30).

“Këto janë gjëra të mëdha në të ardhmen, do të kem edhe një takim dypalësh me presidentin Xi. E shoh që kanë shkruar në media se do të takohem me Putinin, edhe pse nuk kam asnjë informacion për këtë”, tha Vuçiq dhe njoftoi ardhjen e kryeministrit hungarez Viktor Orban.

Dhe kjo nuk është gjë tjetër veçse një vazhdimësi e politikës së balancimit dhe uljes në dy, tre apo më shumë karrige, në varësi të nevojës dhe mundësive.

Shumë njerëz e humbën sulmin e zemërimit të Vuçiqit ndaj televizionit Pink dhe mesazhin e rrezikshëm për opozitën.

Solli në shqip Naim Berisha

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit