Blendi Fevziu
Teatri Kombëtar u shemb! Ky ishte lajmi që gjeta sot në mëngjes, në ekranin e celularit tim, nisur me njoftimin e dedikuar, nga gjithë portalet. Nuk ka nevojë të them se si çdo njeri që e ka jetën të lidhur prej dekadash me këtë qytet, ndjeva jo pak keqardhje. Keqardhjen për një pjesë të historisë sonë, të shndrruar në një grumbull rrënojash. Keqardhjen për një pjesë të kujtesës personale, të zhdukur tashmë, si shumë pjesë të tjera të këtij qyteti. Ndaj vendosa të postoj në Instagram dhe Facebook një pamje të Teatrit te shembur me dedikimin që kishte lidhje vetëm me mua: “Iku edhe një pjesë e historisë së këtij qyteti”. Qytet të cilin unë besoj se e dua shumë dhe këtë dashuri nuk kam nevojë as ta ndaj me njeri dhe as të ma konfirmoje kërkush.
Nuk e prisja që inbox-i të më mbushej me qindra komente, ku një pjesë shfrynin se përse nuk ngrihemi ta rrezojme këtë diktature, përse nuk bëjmë thirrje për të burgosur Edi Ramen dhe të tjera shfrynin me po kaq mllef se po bëj lojën e opozitës dhe po mbroj një godinë tallashi që do bëhet më e bukur ca vjet më pas.
Meqenese humba jo pak orë për të kthyer pergjigje të dedikuara dhe s’ja dola dot, po mundohem të jap shikimin tim ketu.
E para, çështja e Teatrit ndahet në dy pjesë: në atë që lidhet me godinën dhe trashegiminë dhe në atë që lidhet me anën ligjore të transferimit dhe shembjes së saj. Po e nis nga e para.
Sot në mëngjes nuk është prishur Teatri Kombëtar. Teatri Kombëtar mund të mbledhe plaçkat e tij e të shkojë në një godinë tjetër. Mund të vijojë me vite të tjera të japë shfaqje e të ndërrojë breza aktorësh. Sot është prishur një godinë, ku që prej vitit 1945, në mos gaboj, operonte Teatri Kombëtar.
Godina, ose me mirë kompleksi, ka nisur të ndertohet në vitin 1938 me projekt të arkitektit italian Xhulio Berte dhe përfundoi në vitin 1940. Ai u quajt në atë kohë “Rrethi Skenderbeg” dhe shërbeu si zona e elitës kulturore dhe të emancipuar shqiptare. Në të u vendos jo vetem kinemaja dhe teatri, por edhe Instituti i Studimeve Shqiptare dhe u ngritën bari dhe restoranti më “in” i qytetit. Nuk po zgjatem me rolin historik të kompleksit, qe ishte qendra e jetës intelektuale të qytetit. Më 1944 ajo u quajt “Kinema Kosova”, ndërsa më 1945, Teatri Popullor. Më 1945 aty u zhvillua Gjyqi Special që çoi ne ekzekutim disa nga emrat e njohur të politikës dhe firmëtare të Aktit të Pavarësisë. Ende sot, disa i quajne patriotë e disa kolaboracionistë. Si çdo gjë në Shqipëri që nuk gjen konsensus.
Qe prej vitit 1945 Teatri ka pasur aty selinë e tij, e për një kohë edhe “Klubi i Lidhjes se Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë”. Që prej vitit 2000 u hodh ideja që godina nuk ishte më funksionale për një teatër, ndaj ai duhej të zhvendosej diku tjetër, ose të rindërtohej aty. Idenë e mbronte kryesisht Ministri i Kulturës Edi Rama. Për fat të keq, që atëherë, e deri dje, debati u fut në rrugë të shtrembër dhe krejt të gabuar. Me shumë se sa një debat për Trashegiminë Kulturore, ai u spostua si një debat mbi Teatrin Kombëtar.
Pra në vend që të ishte një debat për vlerat historike të godinës dhe lidhjen e saj me kompleksin arkitektonik të qendrës së kryeqytetit, u shndrua në një debat se si aktorët të kishin një sallë më të mire dhe u ftuan ata të flisnin për të.
E para, Teatri dhe godina janë dy gjëra krejt të ndara. Godina mund të mos vlente për teatër më dhe unë e besoj këtë. Por ajo mund të restaurohej dhe të shndrohej në muzeum të qytetit, të arkitekturës racionaliste apo të çdo gjëje tjetër. Të mbetej dëshmi e një kohe dhe një arkitekture që për mua, mbetet më interesantja në Tiranë. Me këtë llogjikë, se projektet e reja mund të jenë më magjike ne mund të shembim edhe xhaminë, edhe sahatin edhe kalanë dhe të ndërtojme godina moderne, por që nuk kane asnjë lidhje me trashëgiminë. Pra thënë ndryshe, përfshirja e aktorëve në këtë histori qe një absurditet. Aktoret mund të vendosin si duan sallën e Teatrit, por jo shembjen dhe zëvendësimin e trashëgimisë kulturore që ju takon gjithë shqiptarëve. Kjo do të ishte njësoj, sikur për shembjen e Teatrit të Kukullave, ish- parlamentit të parë, godinës më historike të Tiranës, të pyeteshin aktorët e tij. Pra, godina mund të mos ishte teatër dhe duhej transferuar që aty, por godina nuk kishte përse te prishej. Ajo ishte pjesë e këtij qyteti.
E dyta, shembja e godinës, duhet të na bëjë të reflektojme menjëherë dhe të shohim sërish listën e monumenteve të rëndësishme në vend. Është e patolerueshme që IMK nuk e ka përfshirë Teatrin në zonën monumentale në vitin 2007. Nga pakujdesia apo nga mendësia e viteve të komunizmit që arkitekturën racionaliste e shihte si fashiste. Nëse ne nuk bëjmë sa më parë një listë të mbrojtur dhe të votuar, nuk do jetë çudi që godina e Teatrit do pasohet nga të tjera. Zona e rrugës së Kavajës, ajo e Kalasë, Zona e Kodrës së Kuqe apo e Bllokut janë të mbushura me godina historike të kërcënuara. Ato mund mund të mbrohen rast, pas rasti, por me një ligj që mos ta ndryshojë më askush. Vlerën historike se përcaktojme dot as me opinion, as me kriter estetik personal, por me ligj. Unë nuk jam kundër zhvillimit modern të qytetit; as besoj se qyteti është shkatërruar nga 4 – 5 kulla ikonike të ndërtuara keto 30 vjet. E pëlqen apo jo arkitekturën e tyre. Unë mendoj se qyteti është rënduar nga mungesa e ligjit, nga mbi 60 mijë ndërtime pa leje që kanë mbirë si mostra në oborret mes pallateve, në kodrat rrethuese rrotull qytetit, në parqet e fushat e dikurshme, madje edhe në mes të rrugëve, duke e shndruar atë në një hibrid të cuditshëm. Dikush mund të dojë trashëgimine, dikush as pyet për këtë. Garancitë duhet t’i japë ligji. Jo pëlqimet personale!
Ana ligjore e problemit është një tjetër aspekt. Përderisa presidenti i qe drejtuar Gjykatës Kushtetuese dhe përderisa BE dhe struktura të tjera kishin kërkuar dialog, vendimi mund të merrej më vonë. Edhe Mbledhja e Këshillit Bashkiak mund të bëhej e hapur e me debat, që gjithsecili të njihte qëndrimin e anëtarëve të tij.
Ndërkohë, ideja e ngritjes së një teatri të ri, modern e funksional, është çështje që e vendos bashkia. Ajo ka tagrin ta marrë këtë vendim dhe mendimi im as vlen dhe as ndryshon asgjë. Por personalisht jam 1000 herë kunder ngritjes së një Teatri të ri, me kosto të larta ndërtimi dhe operimi, që nuk përputhet fare me nivelin e zhvillimit teatror ne vend. Jam kundër qe fondet publike të hidhen në një godinë të tillë, qoftë e projektuar edhe nga një prej arkitekteve më të rëndësishëm në Europë. Personalisht ky projekt s’më thotë asgjë, edhe pse ka të tjerë që e pëlqejnë atë.
Përgjigje e gjatë për gjithë ata që më kanë shkruajtur sot, por më e shkurtër se sa ajo që do doja të trajtoja në një rrethanë tjetër.