1.1 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Dy dekada më pas lufta lë pasoja në Sarajevë

Më të lexuarat

Më 6 prill 1992, Perëndimi njohu Bosnjë dhe Hercegovinën (BiH) si të pavarur e të armatosurit serbë qëlluan mbi demonstruesit në Sarajevë. Ky ishte fillimi i rrethimit 43-mujor që rezultoi në vdekjen e më shumë se 11,000 vetëve në qytet e bëri që të tjerë të panumërt të largohen.

Prilli i 1992-shit është ende i gjallë për shumë shtetas. Ata nuk dinin asgjë për luftën atë kohë — tmerret u ndjenë së pari nga ata në Bosnjën jugore, nga qytetet në Drina, në kufi me Serbinë.

”Rrethimi solli vuajtje e mjerim të hatashëm për rreth 400,000 banorë të kryeqytetit boshnjak në atë kohë. Të bombarduar e qëlluar me snajper vazhdimisht, njerëzve iu ndërpre ushqimi, ilaçet, uji e elektriciteti,” tha Melisa Fleming, zëdhënëse për UNHCR, agjencia e OKB-së për të ndihmuar refugjatët. “Mijëra civilë u vranë e u plagosën. Gjatë luftës, njerëzit në Bosnjë dhe Hercegovinë përjetuan çdo shkelje të përfytyrueshme të të drejtave të njeriut ose abuzimi — që shkonin nga spastrimi etnik e përdhunimi në ekzekutimet në masë e vdekjet nga uria.”

Erërat e luftës u përhapën shpejt nga veriu. Brenda disa ditësh, mijëra njerëz u vranë, shumica burra, ndërsa të moshuarit, gratë e fëmijët shihnin për një rrugë te vendet ku tmerret e luftës ishin më pak të përhapura.

Me fëmijë në krahë e qese me rroba, u vendosën në shkolla e vende sportive e kulturore, që u bënë vende të strehimit kolektiv për refugjatët.

”Nuk kishim shumë ushqim, por e ndanim me njerëzit që nuk kishin gjë. Me naivitet mendonim se lufta nuk do të zgjaste shumë e se shpejt gjithshka do të mbaronte. Asnjë nga ne nuk mund të kishte imagjinuar urinë që pasoi,” tha për SETimes Munira Kurbashiç, një amvisë nga Vitezi.

”Kur drejtuesi i lajmeve shtetërore tha ‘Mirëmbrëma, kjo është luftë!’ ende nuk e mora vesh kuptimin e vërtetë të fjalëve. Për fat të keq, e kuptova shpejt. Bodrumi u bë shtëpia jonë, uria, diçka me të cilën zgjoheshe e shkoje të flije, bombat e snajperët një gjë e përditëshme dhe vdekja më pranë se kurrë,” tha Branko Katana nga Sarajeva.

Rrethimi i Sarajevës zgjati 1,425 ditë — më i gjati i një kryeqyteti në historinë moderne. Më shumë se 11,540 njerëz vdiqën, qindra prej tyre fëmijë.

Jeta në BiH tani shihet në dy pjesë — përpara e pas luftës.

”Mes prillit 1992 e 2012, jeta ime është përqëndruar në gjetjen e eshtrave të tim biri, Samirit,” tha për SETimes Aisha Omeroviç, nga Bratunaci. Ajo humbi familjen e saj, shtëpinë e shpresën për një të ardhme më të mirë në erërat e luftës.

”Familja ime ka ikur; u shkatërruam e pas vdekjes sime nuk do të ketë ndonjë nga pasardhësit e mij që të flasë për tmerret e luftës nëpër të cilat kaluam,” tha Omeroviçi.

Në të gjithë vendin, më shumë se 200,000 njerëz vdiqën — duke përfshirë muslimanë, serbë, kroatë dhe kombësi të tjera.

Po ashtu si Omeroviçi, ata që humbën anëtarë të familjes po kërkojnë mes 28,000 personave të humbur në BiH. Të gjithë shpresojnë të jetojnë e të shohin ditën kur të mësojnë rreth vendit të fundit të prehjes së të dashurve të tyre.

Rreth 74,000 refugjatë mbeten të zhvendosur, sipas UNHCR-së, që planifikon një konferencë ndërkombëtare dhuruesish më 24 prill në Sarajevë me qëllim që të mbledhë 500 milionë euro për refugjatët, të shpërngulur brenda vendit e të kthyerit.

Kur konflikti përfundoi, BiH u la të mbledhë copat. Megjithatë, ndryshe nga republikat e tjera të ish-Jugosllavisë, vendit të ri i mungonte uniteti etnik brenda kufijve të tij.

Marrëveshje e Paqes e Dejtonit më 1995, i dha fund luftimit, por ajo në thelb mbajti armiqtë brenda kufijve shtetërore, duke çuar në çështjet etnike me të cilat vendi përballet tani.

Kjo përmbajtje është autorizuar nga SETimes.com./kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit