Një prijës shkonte shpesh të vizitonte dijetarin musliman edhe që të kërkonte prej tij këshilla.
Një ditë dijetari i tha: Mendo, sikur ke mbetur në mes të shkretëtirës dhe po vdes nga etja. Një gotë ujë mund të të shpëtojë jetën. Pran teje vjen një njeri që shet unë. Sa e blen një gotë ujë?
Prijësi: I jap çfarë të më kërkojë …
Dijetari: Po edhe nëse të kërkon gjysmën e pasurisë?
Prijësi: Patjetër që ia jap.
Dijetari: Po sikur do të doje t’a nxjerrësh jashtë ujin që pive, por se nuk mund të urinosh dhe je duke plasur. Në këtë moment vjen një person e të thotë: “Unë mund të të shpëtoj nga kjo gjendje, por se në këmbim dua gjysmën e pasurisë tënde”. Çfarë bën ti?
Prijësi: Ia jap të gjithë pasurinë që kam!
Dijetari: Pra, mos i beso kurrë pasurisë e cila nuk vlen as sa një gotë uji që hyn dhe del prej teje dhe mos u mburr kurrë me të![1]
Prandaj mos të mashtrohemi me pasurinë dhe të mirat e shumta që na i ka dhuruar All-llahu i Lartësuar, pra mos të bëhemi koprrac me ato të mira, por se të jemi zemërgjerë me nevojtarët si dhe përgjithësisht duke dhënë në rrugë të Krijuesit Bujar.
All-llahu i Gjithëpushtetshëm na sprovon me vështirësi, por se edhe me mirësi, madje këto të fundit janë më të rrezikshme, meqë shumë kush në këtë mënyrë edhe nga devotshmëria ka devijuar përfundimisht në mosbesim. All-llahu i Mëshirshëm na ruajtë!
Mos ta presim pra çastin e fundit kur të na vijnë Engjëjt e të Gjithëpushtetshmit për të na marrë shpirtin, se atëherë do të jetë shumë vonë dhe nuk ka kthim prapa.
Le t’i rikujtojmë edhe një herë disa vargje përkatëse Kur’anore:
2,155: Ne do t’ju sprovojmë me ndonjë frikë, me uri, me ndonjë humbje nga pasuria e nga jeta e edhe nga frytet, po ti jepu myzhde durimtarëve.
2,261-162: Ata që shpenzojnë pasurinë e vet në rrugë të Zotit, i shëmbëllejnë atij që mbjell (një) kokërr nga e cila dalin shtatë kallinj, dhe në çdo kallinj nga njëqind kokrra. Zoti ia shton (shpërblimin) edhe më tepër atij që donë; se Zoti është i Gjithëdijshëm dhe mirëbërës i madh;Ata që për hir të Allahut e japin pasurinë e tyre, e pastaj atë që e dhanë nuk e përcjellin me të përmendur e me mburrje, ata e kanë shpërblimin e vet te Zoti i tyre, për ata nuk ka frikë, ata as që do të brengosen.
2,274: Ata, të cilët pasurinë e vet e shpërndajnë (në rrugë të Zotit) natën e ditën, fshehurazi ose haptazi, ata shpërblimin e vet e kanë te Zoti i tyre dhe për ta nuk ka as frikë as pikëllim.
3,92: Kurrë nuk do ta arrini sinqeritetin e plotë me besim (as kënaqësinë e lumtur në xhenet) derisa të mos e jepni më të dhembshmen (më të dashurën) e pasurisë suaj. Çkado që jepni (për Zotin), Allahu atë e di.
8,28: Dhe, dijeni se pasuria e juaj dhe fëmijët tuaj janë vetëm një sprovë, dhe se te Allahu është shpërblimi i madh.
9,35: Atë ditë kur ajo (pasuri e deponuar) fërgohet në prushin e xhehenemit, e me të (ashtu zharavë) lyhen ballët, anët dhe shpinat e tyre (do t’u thuhet): “Kjo është ajo që e depozituat për veten tuaj, pra shijoni atë që e depozitonit!”
Paqja, bekimi dhe mëshira e All-llahut Madhështor qoftë me juve!
Burim Sogojeva