Në vazhdën e vizitave në Suedi, drejtori i Diasporës në Bashkësinë Islame të Kosovës, Ekrem ef. Simnica, për namaz të jacisë më 19 dhjetor, u prit në xhaminë “Dituria” në Lankskrune, nga imami i nderuar, Burhan ef. Mustafa, kryetari Ismet Hasani, dhe anëtarët e Kryesisë.
Drejtori Simnica mbajti edhe një ligjëratë me këshilla dhe mësime rreth pozitës dhe vlerës së xhamisë në mërgatë. Ai në ligjëratën e tij, theks të veçantë i kushtoi punës dhe veprimtarisë së institucionit të Bashkësisë Islame të Kosovës, të arriturat dhe sfidat. Drejtori me këtë rast përcolli urimet dhe përshëndetjet e Myftiut Tërnava, BIK-u, dhe institucioneve të saj, duke i siguruar ata se Bashkësia Islame e Republikës së Kosovës është shumë e përkushtuar që të forcojë dhe të shtojë komunikimin dhe bashkëpunimin me xhamitë shqiptare në Diasporë dhe me gjithë të tjerët, me qëllim të bashkërenditjes së aktiviteteve në të mirë të mërgatës sonë.
Drejtori Simnica falënderoi të gjithë mërgimtarët tanë për kontributin e vazhdueshëm dhënë për vendlindjen në përgjithësi, e në veçanti për institucionin e Bashkësisë Islame të Kosovës. Ai shfaqi shpresën dhe bindjen e tij se kjo mërgatë do të vazhdojë kontributin e saj edhe përgjatë viteve të ardhshme, sa herë që të jetë nevoja.
Imami Burhan ef. Mustafa, kryetari dhe Kryesia e xhamisë, falënderuan përfaqësuesin e BIK-ut, për vizitën, duke kërkuar vizita edhe më të shpeshta dhe siguruan atë se, do të ketë përkushtim edhe më të madh në bashkëpunim ndërmjet tyre dhe Bashkësisë Islame të Kosovës.
The post Drejtori Simnica vizitoi xhaminë “Dituria” në Lankskrune të Suedisë appeared first on Bashkësia Islame e Kosovës.