1.3 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Drejt një fejese të suksesshme 3

Më të lexuarat

Nga: Dr. Dua Raxhih

Drejt një fejese të suksesshme 3

Shumë të rinj mendojnë, se periudha e fejesës është periudhë e zhvillimit të emocioneve mes djalit dhe vajzës. Gjatë këtij stadi, të dy palët përpiqen t`i bëjnë lidhjet mes tyre sa më të bukura dhe romantike, duke harruar se objektivi i parë i stadit të fejesës është njohja më e thellë me palën tjetër. Kjo bëhet, duke grumbulluar sa më shumë informacion dhe duke vlerësuar aftësinë e tij/saj si shok/shoqe jete. Prandaj, mbledhja e informacionit mbi palën tjetër është një ndër mjetet më të rëndësishme për realizimin e objektivit të parë të fejesës. Kjo realizohet nëpërmjet dy mënyrave themelore:
 
1 – Forma e drejtpërdrejtë
2 – Forma indirekte
 
Forma e drejtpërdrejtë do të thotë, që palës tjetër t`i shtrosh pyetje në formë direkte, ku vajza e pyet djalin dhe djali vajzën. Është shumë e rëndësishme, që bisedat gjatë fejesës të jenë të kësaj natyre, edhe pse kjo nuk do të thotë që pyetjet të jenë të ngjashme me ato të hetuesve. Ajo që synohet është, që si djali dhe vajza të ndërgjegjësohen mbi objektivin e fejesës dhe mbi çfarë duhet të interesohet. Një fakt i tillë i bën këto biseda pozitive dhe i shërben objektivit të fejesës, i cili është njohja më e thellë.
Pyetjet direkte
Ndër pyetjet më të vlefshme, të cilat mund të shtrohen gjatë kësaj periudhe, janë ato që përcaktojnë personalitetin e palës tjetër, e mandej të faktorëve që kanë ndikuar në formimin e këtij personaliteti. Por vlen të përmendim, se natyra e pyetjeve lidhur me personalitetin, ndryshon nga djali tek vajza dhe anasjelltas. Fillimisht do të merrem me vajzën, edhe pse disa pyetje do të jenë të përbashkëta. Pyetjet e vajzës që ia adreson djalit, duhet të fokusohen kryesisht në:
a)   Aspektin fetar:
Pyet mbi farzet dhe sa është i rregullt me kryerjen e tyre, sidomos namazin e sabahut, agjërimin, haxhin dhe zekatin nëse është i pasur. Pyet mbi namazet nafile, leximin e Kuranit, sadakanë, agjërimin nafile. Është shumë e rëndësishme të njihen faktorët e përkushtimit në fe, roli i familjes, roli i xhamisë, shoqëria dhe mediat.
b)   Të pyesësh mbi identitetin, do të thotë mbi ambiciet e tij për të ardhmen, objektivat, me çfarë merret aktualisht, cilat janë preferencat dhe hobet e tij.
c)   Kur ta pyesësh mbi idetë, e pyet mbi mendimin e tij rreth fesë, politikës, lidhjeve bashkëshortore të suksesshme, lindjen e fëmijëve dhe edukimin e tyre, parimet dhe vlerat e përgjithshme si: dashuria, miqësia, sinqeriteti, amaneti dhe zemërgjerësia.
d)   Lidhur me aftësitë e tij, pyetet mbi hobin, lidhjet me sportin, leximin dhe çfarë lexon, vendet ku argëtohet, çfarë programesh ndjek në TV, faqet më të preferuara të internetit, nëse flet anglisht dhe nëse njeh ndonjë zanat.
e)   Kur ta pyesësh mbi sjelljet e tij, pyete se çfarë e tërheq dhe i bën përshtypje tek shokët, me të cilët shoqërohet, pyete mbi sjelljet e tij pozitive dhe ato negative, të cilat mund të ndikojnë në jetën bashkëshortore si; nervozizmi, fjalët e pakta, koprracia dhe dyshimet. E gjitha kjo duhet të realizohet me pyetje indirekte dhe jo të drejtpërdrejta. Pyete nëse është njeri i hapur, nëse është racional apo emocional, realist apo idealist, i pëlqen të ndjekë një axhendë apo është rastësor..
f)    Lidhur me ambientin, pyetjet mbi marrëdhëniet e tij me familjen, deri ku do të shkojë ndërhyrja e tyre në jetën e tyre bashkëshortore, lidhjet e tij me shokët dhe cilët janë ata, sa ndikon shoqëria në lidhjet në çift. Atij i duhet marrë informacion edhe mbi lidhjet me punën, orët që kalon në punë, sa ndikon puna në marrëdhëniet e tij me familjen, si e rregullon kohën mes punës dhe familjes, sa ndikojnë të gjithë këto faktorë në personalitetin e tij, lidhjet e tij me vëllezërit dhe xhaminë etj…
Gjatë bisedës një rëndësi të veçantë ka mënyra se si drejtohen pyetjet. Vajza duhet të jetë e kujdesshme, në mënyrë që pyetjet të mos i ngjajnë hetuesisë, duke e vënë në siklet djalin. Është mirë që të fillojë ajo e parë të flasë mbi veten dhe idetë e saj në një fushë të caktuar dhe pastaj të kërkojë dhe mendimin e djalit.
Rruga e gjurmimit
Të gjithë e dimë se mundësia e mashtrimit dhe maskimit është tepër e madhe gjatë këtij stadi. Secila nga palët orvatet të duket sa më mirë, prandaj nevojitet përdorimi i mënyrës indirekte në shtrimin e pyetjeve.
Kështu, rruga indirekte ka të bëjë me mbledhjen e informacionit rreth djalit nga vendi ku punon, shokët e tij, të njohurit, familjarët, komshinjtë, xhamia e lagjes ku jeton.
Pyetjet indirekte kanë të bëjnë me aspektet negative në personalitetin e tij, të cilat vështirë të zbulohen gjatë bisedës së drejtpërdrejtë. Kur pyesim mbi çështjet e besimit, pyesim lidhur me marrëdhëniet e tij me gjynahet e rënda, me femrat, konsumin e alkoolit, bixhozin, drogën dhe kryerjen e farzeve.
Lidhur me identitetin e tij, na intereson sa i suksesshëm është në punë, serioziteti, mendimi i eprorëve, kolegëve dhe arritjet e tij në punë.
Nëse e pyet mbi idetë fetare, interesohu nëse ka përqafuar ide të tilla si afetarizmi, tekfirizmi apo terrorizmi.
Kur ta pyesësh mbi gjendjen e tij ekonomike, mund ta pyesësh për hobin, ku e kalon kohën e lirë etj..
Lidhur me sjelljet e tij, pyete mbi sjelljet negative, nëse është nevrik, shan dhe bërtet, nëse është koprrac, dyshues apo hipokrit.
Për të njohur mjedisin ku është rritur, pyetet për familjen, punën, shokët, vendet që frekuenton.
Kjo periudhë kërkon kohën e saj të nevojshme dhe nuk duhet të mjaftohemi me mendimin e dy tre personave. Grumbullimi i informacionit nga drejtime të ndryshme na garanton besueshmërinë e tij dhe na jep një ide sa më të plotë mbi personalitetin e personit në fjalë.
Unë i bëj thirrje çdo prindi, që dëshiron ta shohë bijën e tij nuse, që të mos e neglizhojë këtë hap të rëndësishëm, të mos e injorojë mbledhjen e informacionit të bollshëm lidhur me djalin që ka kërkuar dorën e vajzës, të mos mashtrohet me ato që thotë djali dhe t`i kushtojë kohën e duhur këtij stadi.
Pasi të jenë mbledhur informacionet e duhura nga rrugët indirekte, vihen para informacioneve të mbledhura në rrugë direkte, gjë e cila do të minimizonte çdo përpjekje për të na hedhur hi syve.
Pas fejesës… vetëm ndjenjat e zemrës nuk mjaftojnë për martesë.
Shumë të rinj dhe të reja përjetojnë lëkundje dhe hezitim, para se të hedhin hapin e martesës dhe kjo ndodh për shkak të disa problemeve:
 
Problemet gjatë periudhës së fejesës
Nuk kemi krijuar një mendim të plotë mbi palën tjetër dhe jetës së ardhshme në çift.
Dy të fejuarit nuk kanë qëndruar me njëri-tjetrin (në kuadrin fetar) për t`u prezantuar më mirë, gjë e cila do i ndihmonte për një vendim të drejtë.
Shpeshherë fejesa përfundon me martesë, edhe pse njëra palë, ose të dyja, nuk janë plotësisht të bindur për këtë hap, gjë e cila shkakton një zinxhir problemesh pas martese.
Mbi ç`baza merret vendimi për martesë?
Një vendim kaq i rëndësishëm duhet të bazohet në tre kritere kryesore:
1 – Kriteri racional.
Si djali dhe vajza duhet të kenë arritur një bindje të caktuar, lidhur me aftësitë e palës tjetër për të qenë shok i jetës, shok i ëndrrave dhe ambicieve, shok i gëzimeve dhe hidhërimeve, shok i sukseseve dhe dështimeve.
2 – Kriteri i zemrës dhe ndjenjave.
Vlen të dihet, se zemrat e njerëzve pajtohen dhe gjejnë prehje me simotrat e tyre. Djali mund të duket i përshtatshëm si shoqërisht, fetarisht, moralisht dhe ekonomikisht. Sakaq, vajza nuk ndihet e qetë me këtë djalë. E njëjta gjë vlen dhe për palën tjetër, vajzën, e cila mund të ketë tiparet dhe karakteristikat e duhura, por që djali nuk ndihet rehat dhe komfort me të. Shkaku mund të jetë i kuptueshëm, siç mund të jetë ndonjë e metë fizike, mënyrë komunikimi, lëvizje të trupit etj… Por mund të ketë të bëjë edhe me familjarët dhe mentaliteti, kurse në disa raste kjo mund të mbetet mister. Në çdo rast, duhet të respektohen ndjenjat e zemrës dhe të mos mjaftohemi vetëm me vlerësimin racional dhe logjik.
3 – Kriteri viziv dhe pamor
Bindja dhe pranimi i pamjes së jashtme të palës tjetër. Kjo ndodh, sepse bukuria është diçka relative. Me pamje të jashtme nuk kam qëllim vetëm atë bukurinë fizike, por edhe mënyrën si flet, si shikon, intonacionin e zërit, lëvizjen e duarve, si qëndron ulur, pra gjuhën e trupit. Ato ose duhet të jenë të pranueshme dhe na rehatojnë, ose jo.
Pyetja që mbetet është: A duhet që bindjet e mësipërme të plotësohen 100 %? Cila është periudha ideale e fejesës?
Padyshim që për të arritur këto bindje, nevojitet kohë, e cila është relative nga një person tek një tjetër. Koha e përshtatshme për të marrë vendimin, është ajo kur bindjet arrijnë një përqindje të logjikshme dhe të arsyeshme.
Gabime të rëndomta
Një ndër gabimet më të rëndomta, që hasen tek të fejuarit, është se pala tjetër do të ndryshojë për mirë pas martese. Njëri nga të fejuarit, mund të ketë një të metë të madhe, për të cilën bën kushedi sa premtime se do të ndryshojë pas martese. Madje, mund të marrë edhe hapa konkretë, për t`i bërë qejfin palës tjetër. Por kjo nuk ka asnjëherë garanci.
Sado e madhe të jetë dashuria dhe forca e personalitetit, askush nuk e ka në dorë ta ndryshojë palën tjetër, përveç vullnetit të çeliktë dhe të sinqertë nga vetë personi me probleme. Nëse ai nuk do të ndryshojë para martese, nuk do të ndryshojë as pas saj. Ndryshimi është i mundur gjatë zhvillimit të botës sentimentale mes të fejuarve, gjë e cila e shtyn t`i bëjë qejfin palës tjetër dhe kështu ndodh ndryshimi. Por pas martese, ndjenjat sentimentale pësojnë rënie – gjë e cila është normale – dhe secili i kthehet botës së tij para martese. Kështu, nuk kemi ndryshim, pasi mungon vullneti i brendshëm dhe i fuqishëm, i cili nuk mungonte gjatë fejesës.
Një gabim tjetër është injorimi i qetësisë dhe zhvillimit të ndjenjave, ose besimi se kjo do të ndodhë pas martese. Unë jam nga ata, që besojnë se nëse ndjenjat dhe emocionet nuk zhvillohen gjatë fejesës, është e vështirë të zhvillohen pas martese, kur dhe përgjegjësitë shtohen.
Në fund, pasi të jenë marrë të gjithë masat, fjala i mbetet namazit të istihares, i cili përbën një çështje kyçe, para se palët të marrin një vendim të caktuar.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit