-0.4 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Drejt një fejese të suksesshme 2

Më të lexuarat

Nga: Dr. Dua Raxhih

Drejt një fejese të suksesshme 2

Kur një i ri ose e re merrvendimin e martesës, përjeton një periudhë lëkundjeje dhe hezitimi, si për të hedhur hapin për të kërkuar dorën e saj, apo dhe për ta finalizuar fejesën me martesë. Vajzat përjetojnë stres dhe janë të lëkundura për të hedhur hapin e martesës, pas fejesës. Që këtu lindin problemet dhe shumë të rinj bëjnë zgjedhje të gabuar.
Shqisat që bëjnë zgjedhjen
Njerëzit dallojnë nga njëri-tjetri lidhur me mënyrën e zgjedhjes dhe kjo bazuar në tipet e personalitetit të secilit dhe vlerësimit që i bëjnë kritereve bindëse. Kështu, disa prej tyre e bëjnë zgjedhjen duke u bazuar në arsyen dhe logjikën e tyre, sipas kritereve që përfaqësojnë bindjet, vlerat dhe rrethanat personale të secilit.
Ka njerëz që bëjnë zgjedhje emocionale, duke u mbështetur kryekëput tek intuita, edhe pse diferencat mes tyre duken të konsiderueshme logjikisht.
Ka të rinj, të cilët zgjedhjen e tyre e bëjnë duke u mbështetur vetëm tek shikimi, pasi i kushtojnë rëndësi të madhe pamjes së jashtme, të cilën e kanë si kriter të rëndësishëm të zgjedhjes.
Të rinj të tjerë e bëjnë zgjedhjen me veshë. Ata u kushtojnë rëndësi të madhe mënyrës si flet pala tjetër, artikulacionit të fjalëve dhe intonacionit të zërit. Zakonisht, kjo zgjedhje bëhet kryesisht nga vajzat, të tërhiqen nga djem të cilët i bombardojnë me fjalë të bukura dashurie. Por ka edhe djem të cilët lënë kokënë pas mënyrës që flet një vajzë, brishtësisë së zërit të saj dhe intonacionit.
Ashtu siç ka të rinj, të cilët zgjedhjen e bazojnë tek shqisa e nuhatjes. Ata jepen pas parfumit të vajzës dhe butësisë të cilën e manifeston vajza në komunikimin me të tjerët.
Kriteri i afërsisë dhe i largësisë
Ka të rinj të cilët e shohin të rëndësishme afërsinë ose largësinë me palën tjetër. Kështu, ata hetojnë dikë që u duket i përafërt; i përafërt në personalitet dhe tipare, në atmosferën ku është rritur, në banesë, në profesion, i afërt në familje, i përafërt në nivelin kulturor, shkencor dhe shoqëror.
Sakaq, të rinj të tjerë anojnë nga largësia; largësia dhe dallimi në personalitet, largësia dhe distanca në familje, vendbanim, niveli shoqëror dhe kulturor. Kjo, pasi dallimet që zbulon tek pala tjetër, janë faktorë tërheqës. Ose sepse kërkon faktorë plotësues të personalitetit të tij, ose sepse kërkon të gëzojë epërsi ndaj palës tjetër. Kështu, djali mund ti përkasë një niveli të caktuar kulturor dhe shkencor, prandaj kërkon që vajza e ëndrrave ti përkasë të njëjtit nivel dhe shtrese kulturore dhe shkencore. Një tjetër kërkon një vajzë një niveli më të ulët kulturor dhe social, sipas këndvështrimit dhe idesë së tij për martesën dhe bashkëshorten. Ka djem të cilët preferojnë moshën e përafërt, kurse të tjerë preferojnë dallimin e thellë në moshë.
Ka vajza që janë të tërhequra dhe të mbyllura, prandaj parapëlqejnë një djalë të hapur dhe të integruar, sepse u duket tepër tërheqës. Ato e shohin këtë tip si rast për të ndryshuar veten. Por ka edhe vajza të tilla që preferojnë një tip të mbyllur si vetja. Ka vajza që pëlqejnë djem romantikë dhe emocionalë, kurse të tjera e konsiderojnë këtë dobësi dhe njeri pa personalitet.
Ka vajza të cilat janë shumë të lidhura me babanë, prandaj kërkojnë dikë që i ngjan babait në pamje dhe tipare. Ashtu siç ka të rinj të lidhur ngushtë me nënat dhe preferojnë vajza që kanë karakter të përbashkët me nënat e tyre.
Disa vajza, janë shumë të lidhura me personalitete të famshme dhe tërhiqen shumë nga djemtë që u ngjajnë atyre. Disa vajza të tjera, kanë krijuar në mendje një imazh të caktuar dhe me të gjetur dikë të ngjashëm me imazhin e krijuar në mendje, gjejnë prehje dhe joshje.
Shumë të rinj pyesin rreth avantazheve dhe disavantazheve të tyre dhe si ti zbulojnë. Të rinjtë gjithmonë shtrojnë pyetje lidhur me preferencat dhe prioritetet, si ti kuptojnë?
Njeriu mund ti dallojë tiparet karakteristike të njerëzve më të dashur dhe më të afërt me zemrën. Ai mund të jetë babai, nëna, një mik apo mikeshë, por mund të jetë dhe motra, vëlla, një koleg apo kolege në punë dhe shkollë.
 Pasi të kuptosh personalitetin tënd, mund të kuptosh dhe personalitetin e atij që do. Bazuar në të njëjtat kritere, mund të prezantohesh me tiparet e saj, pamjen, gjërat që të tërheqin më shumë, çfarë të josh, të bukurën apo atë që të qetëson psikologjikisht, atë që të përngjan apo atë që është krejtësisht e ndryshme me ty por që plotëson mangësitë e tua.
Në fund, do të kesh një listë me tiparet dhe  cilësitë e princit/princesësh së kaltër që dëshiron të kalosh jetën me të. Mandej, këto tipare dhe cilësi i rendit sipas prioriteteve të tua personale.
Kur një i ri fillon të mendojë për martesë dhe jetën në çift, duke pikturuar një imazh në mendje, ndodh shpesh që të bie në gabimin e idealizmit. Kështu, ai pikturon një imazh ideal, një vajzë të bukur, fetare, të kulturuar, të edukuar, të një sëre sociale dhe ekonomike të lartë etj… Por kur bie me këmbë në tokë dhe troket dyert në kërkim të këtij imazhi që ka në kokë dhe në imagjinatë, zhgënjehet pasi nuk e gjen në realitet.
E njëjta gjë ndodh edhe me vajzën, e cila ka pikturuar një imazh ideal për princin e ëndrrave të saj. Ai është i hijshëm, fetar, i kulturuar dhe gjithë edukatë, i pasur, i dhembshur etj… Ajo i refuzon njëri pas tjetrit ata që kërkojnë dorën e saj, në pritje të princit të saj që ka në kokë dhe që e ka ëndërruar me kohë. Ndodh që ajo ta pranojë dikë nën presionin e ushtruar nga familjarët dhe nga frika se mos mbetet beqare, por kurrë e bindur me këtë zgjedhje.
Pranoj… dhe nuk pranoj
Të rinjtë e dy gjinive, duhet ta dinë mirë se është e vështirë, madje e pamundur, që të piqen me dikë që ka të gjithë cilësitë e mira që ka dashur dhe ëndërruar tek njeriu i jetës. Prandaj, lipset të përcaktohen prioritetet, ose më saktë, cilësitë tek të cilat nuk mund të bëjë asnjë lëshim. Por vlen të përcaktohen edhe cilësitë më pak të rëndësishme. 
Për shembull: Nëse do që vajza me të cilën dëshiron të krijosh familje të jetë; fetare, e bukur, e qetë, e kulturuar, e arsimuar dhe e pasur. Dikush mund të radhisë si dy kriteret më kryesore fenë dhe bukurinë, kritere tek të cilët nuk bën asnjë lëshim. Dikush tjetër sheh me prioritet më të madh arsimin dhe kulturën dhe është gati të bëjë lëshime tek kriteret e tjera. Kjo varet nga prioritetet e secilit.
Sakaq, vajzat dëshirojnë një djalë të pashëm, të kulturuar, të jetë i një niveli të lartë social, të jetë i pasur dhe me edukatë. Për dikë, pamja e jashtme dhe hijeshia mund të jetë kriter kryesor, një tjetër mund të ketë si kriter primar moralin dhe edukatën, një tjetër ka pasurinë dhe ekonominë e tij. Pra, njerëzit kanë mendime të ndryshme lidhur prioritetet.
Aftësitë e njerëzve janë të ndryshme edhe në pranimin e cilësive negative. Prandaj lipset përcaktimi edhe i cilësive negative sipas aftësisë së pranimit dhe ambientimit me to, si dhe i atyre të cilat i refuzon kategorikisht. Një burrë me natyrë të qetë, mund të ambientohet me një grua nevrike, por një burrë nevrik, ndoshta e ka të pamundur të ambientohet me një grua të tillë.
Një vajzë e mbyllur mund të ambientohet dhe jetojë me një burrë të hapur dhe social, por një vajzë e hapur dhe sociale ndoshta nuk e duron dot një burrë të tillë. Mund ta pranojë vajza një burrë autoritar, sepse ka parë që i ati sillej në të njëjtën mënyrë me të ëmën e saj. Ndërkohë që një grua tjetër nuk e duron dot një komunikim të tillë, pasi në familje ka parë model tjetër, më të butë dhe mirëkuptues. Kështu, prioritetet tona dhe aftësia për ti pranuar të metat e tjetrit, ndryshojnë sipas personalitetit të secilit.
Feja… jo fetari
Unë dua tu kujtoj të gjithë djemve e vajzave që kanë mbushur moshën për martesë një thënie të profetit Muhamed a.s, e cila i ndihmon në përcaktimin e prioriteteve. Thotë i dërguari i Allahut a.s:”Nëse dorën e vajzës tuaj e kërkon një person tek i cili konstatoni fenë dhe moralin, pranojeni…” Pra, feja dhe morali duhet të përbëjnë dy prioritetet bazë që duhet të plotësojë një djalë. Ato janë garancia më e madhe për një jetë bashkëshortore të qëndrueshme. Nëse djali do e dojë, do e nderojë, në të kundërt nuk do e persekutojë.
Me këtë rast, dua të tërheq vëmendjen se i dërguari i Zotit a.s, ka bërë dallim mes fesë dhe moralit, pasi jo çdo fetar është i moralshëm dhe jo çdo njeri i moralshëm është fetar. Ne nuk duhet të mashtrohemi nga paraqitja e jashtme. Ka shumë njerëz të cilët në pamje të parë duken fetarë, por që në komunikim dhe moral janë blozë. Të jesh fetar siç duhet, do të thotë të përvetësosh dhe të reflektosh moralet më të larta.
Nga ana tjetër, i këshilloj djemtë që duan të hedhin hapin drejt martesës me këshillën profetike:”Një femër martohet për bukurinë e saj, pasurinë, farefisin dhe fenë. Kapu fort pas asaj që është fetare, tu mbushshin duart me dhe!” Nga hadithi, shohim se i dërguari i Zotit a.s nuk i ka injoruar edhe kriteret e tjera përveç fesë. Ai e ka orientuar të riun mysliman, që si prioritetin e parë të ketë besimin dhe fenë e vajzës. Lidhur me këtë kriter, nuk pranohet asnjë lloj lëshimi. Mandej, djali mund ti radhisë tre kriteret e tjera sipas shijeve të tij.
Edhe në rastin e përzgjedhjes së vajzës, nuk duhet të mashtrohemi me pamjen e saj të jashtme. Ka vajza të mbuluara me hixhab dhe që në pamje të parë të ngrohin zemrën, por veprat dhe etika e tyre nuk përputhen me pamjen e jashtme. Prandaj, tiparet e jashtme si mjekra apo hixhabi, janë një pjesë e vogël e fesë. Prej nesh lipset të zhbirojmë tiparet më të rëndësishme.
Drejt nje fejese te suksesshme 1

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit